Përktheu nga anglishtja Edon Qesari.
Moto
Në kohë të errta
a do të ketë edhe këngë?
Po, do të ketë edhe këngë.
Për kohët e errta.
Pa titull
Dhe më thanë: do bëhesh si ne
nëse sillesh mirë.
Por unë mendova: nëse jam delja e tyre sot
s’kam si të bëhem kasap mot.
Dhe pashë shumë ndër ne
të nxirrnin trupat e tyre në ankand,
dhe nëse në fund pësuan fatin tim
e fatin tënd, ngelën të shushatur.
Por unë nuk shtanga kurrësesi,
me kohë pashë si venin këto punë
me ta: se veç përposhtë,
e jo përsipër, rrjedh shiu.
Lufta që avitet
Lufta që avitet
s’do të jetë e para. Të tjera
e kanë prirë.
Në përfundim të së parës
kishte fitimtarë dhe humbës.
Mes fitimtarëve, varfanjakët
vdisnin urie. Mes humbësve,
qenë varfanjakët që vdisnin urie
gjithaq.
__________________________
©
Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.