“Shota” lindi rrugëve të qytetit si përgjigje ndaj dhunës sistemore dhe patriarkale, për t’u kontekstualizuar më pas në një platformë përbashkuese, me qëllim shtrimin e diskursit dhe praktikës kolektive feministe në Shqipëri.
Përkrah solidaritetit dhe mobilizimit në terren, zhvillimi i mendimit kritik dhe emancipimi përmes dijes, mbeten të vetmet instrumente premtuese tonat për ndërtimin e një shoqërie ndryshe. Aty ku ka vend për gratë njëlloj sikurse për burrat; ku puna është meritë dhe shpërblim drejt një jetese me dinjitet, jo skllavëri moderne; ku për shoqja-shoqen jemi krah mbështetës, jo konkurrente në një garë absurde që mëkon strukturat e shtypjes; ku dallimet tona në terma të etnisë e gjuhës që flasim, kombësisë, kulturës e besimit të cilit i përkasim, orientimit seksual apo identitetit gjinor, shërbejnë për të na afruar dhe fuqizuar.
Shota është ide dhe përpjekje. Ajo është çdo grua që vjen nga skajet drejt qendrës. Shota e banon personalen e tyre, I jep asaj jehonë dhe e shndërron atë në thirrje publike. Por mbi të gjitha, Shota është kërkesa për drejtësi shoqërore dhe barazi gjinore, mungesa e kompromisit për lirinë dhe jetën.
Së bashku, guxojmë!