NO MAN’S LAND (2001)

GRESA HASA

Gresa Hasa është bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës “Shota”. Ajo ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe momentalisht është duke ndjekur programin Master në Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it. Prej vitesh është angazhuar në çështjet gjinore, organizimin studentor dhe atë sindikal në Shqipëri. Prej kohësh, Gresa kontribuon në mënyrë të rregullt, si publiciste e pavarur, në fushën politike, shoqërore dhe kulturore, në media të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ajo është angazhuar me përkthimin e një sërë teksteve të natyrës politike, publicistike, kulturore dhe teori feministe.

Një vështrim kritik mbi filmin e regjisorit boshnjak Danis Tanoviç.

“No Man’s Land” (“Tokë e Askujt”), prodhim i regjisorit boshnjak Danis Tanoviç (2001), fitues i 30 çmimeve kinematografike ndërkombëtare, përfshirë atë Oscar në vitin 2002, në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, rishikon luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë nga një perspektivë satirike.

Ngjarja zhvillohet në një llogore mes dy kampeve luftarake, nga njëra anë atë të forcave serbo-boshnjake dhe nga ana tjetër atyre boshnjake, diku në afërsi të Tuzlës. Ushtari boshnjak Çiki (Branko Djuriç) gjendet i ngërthyer në llogore pas një shpërthimi, së bashku me shokun e tij të luftës Çerën (Filip Sovagoviç), i cili fillimisht mendohet të ketë humbur jetën por më pas rezulton të jetë gjallë. Në pamundësi për të dalë nga llogorja, për shkak se forcat serbo-boshnjake rrezikojnë të qëllojnë mbi ushtarët boshnjakë të mbetur gjallë, Çiki fshihet dhe pret me durim. Dikur, ditën e nesërme, shfaqen në llogore dy ushtarë të kampit serbo-boshnjak për të inspektuar. Njëri në moshë më të thyer (Mustafa Nadareviç) dhe me një përvojë gjakatare dhe tjetri, Nino (Rene Bitorajaç), më i ri e disi sylesh.

Ushtari i vjetër serbo-boshnjak aktivizon një minë, të cilën e vendos poshtë trupit të pandërgjegjshëm të Çerës, me qëllimin që kur ushtarët boshnjakë të vijnë për ta tërhequr trupin, të masakrohen bashkë me të. Fill në atë çast, Çiki shfaqet duke qëlluar mbi ushtarin e vjetër, për pasojë, duke e vrarë atë. Ai zë rob Ninon, prania e të cilit në llogore përbën të vetmen garanci për Çikin që pala serbo-boshnjake të mos sulmojë. E njëjta situatë kthehet përmbys kur Nino “zë rob” Çikin deri në çastin kur të dy pranojnë të qëndrojnë të armatosur dhe me tytat ngrehur kundër njëri-tjetrit.

Si në një skenë teatri, e gjithë ngjarja zhvillohet në llogore, me ndonjë përjashtim të aty-këtushëm, për efekt narracioni.

Të gjendur tashmë në purgator, në brendësi të marrëzisë së Ballkanit gjatë viteve ‘90, Çiki, si njëfarë Danteje dhe Nino, një Virgjil i ngathët dhe i pagdhendur, përpiqen t’i japin kuptim absurditetit të luftës. Ferri është për të dy subjektiv, i reflektuar në fytyrat e secilit drejtuar karshi njëri-tjetrit. Megjithatë, parajasa ose diçka e përafërt me të, fanepset për të dy tek pesha e përditshmërisë së rëndomtë të së shkuarës, ajo që sjell kujtimin e të njerëzishmes dhe vëllazërisë, ku përpara manifestimeve seksiste, dy armiqtë papritur atrofizohen në një identitet, pa etni, pa fe, pa komb: atë të të qenit thjesht burrë, madje ai lloj burri, që i objektifikon gratë.

“Ti je nga Banja Lluka”, i thotë Çiki Ninos. “Kam pasur një të dashur nga Banja Lluka. Sanjën.” “Edhe unë njoh një Sanja”, i përgjigjet Nino. “Bjonde dhe me…”, ai ndalon së foluri duke simuluar me duar madhësinë e hamendësuar të gjoksit të Sanjës, së cilën Çiki e aprovon duke u zgërdhirë ngjashëm.

Filmi ka doza të forta cinizmi, sidomos teksa regjisori ka zgjedhur pikërisht këtë element përbashkues të këtyre dy burrave, për të nxjerrë në pah të njerëzishmen e tyre, burrin nën uniformën ushtarake. “Ç’bëhet me Sanjën sot?”, pyet Çiki. “Është larguar nga vendi”, përgjigjet Nino. Teksa ky dialog zhvillohet, në Bosnjë dhe Hercegovinë, forcat serbo-boshnjake janë duke përdhunuar vajza dhe gra boshnjake, një pjesë syresh të degdisura në kampet famëkeqe të përdhunimit. Audienca nuk mëson asgjë tjetër për Sanjën, veç madhësisë së hamendësuar të gjoksit të saj. Nuk dihet nëse Sanja është boshnjake apo serbo-boshnjake (jo se kjo mbart rëndësi madhore) dhe as çfarë mund të ketë ndodhur ose jo me të deri në largimin nga vendi.

Megjithatë, shikuesit mashkull, i ngacmohet imagjinata pornografikisht dhe gjithashtu, seksizmi përvijohet si një fakt i natyrshëm i burrave, jo si një imponim i dhunshëm strukturor, që përpos të ashtuquajturave “shpotitje” si e llojit që vërejmë në film, ka prodhuar krime të drejtuara specifikisht ndaj vajzave dhe grave si të tilla, që lufta veçse i mirë-administroi dhe të cilat nuk u përmbyllën me përfundimin e saj sepse vajzat dhe gratë vazhdojnë të përdhunohen dhe vriten në Ballkan, paçka se tashmë vetëm për identitetin e tyre gjinor.

Një tjetër element që vjen si satirë e natyrës seksuale në film është kur Çiki kontrollon kuletën e ushtarit serbo-boshnjak pasi e ka vrarë atë dhe gjen brenda fotografinë e një mashkulli nudo. Regjisori Tanoviç i ironizon vazhdimisht përgjatë filmit ushtarët serbo-boshnjakë, duke i paraqitur ata si frikacakë (skena, për shembull, kur ushtarët serbo-boshnjakë druhen të kontrollojnë llogoren pas sulmit që shkaktuan vetë, duke pasur frikë se ndonjë ushtar i gjallë boshnjak mund të qëllojë kundër tyre) ose si teveqelë apo shejtan-budallenj, sikurse ata personifikohen te Nino.

Megjithatë, fotografia e trupit mashkullor nudo në kuletën e ushtarit të vjetër serb është një element i qëllimshëm skenik, që i kontribuon më tej ironizimit të forcave serbo-boshnjake, duke i paraqitur ushtarët serbo-boshnjakë si “pederastë” apo “bythëqirë”.

Homoseksualizmi instrumentalizohet dhe shndërrohet në një mjet lufte ideologjike. Ai barazohet me perversitetin e një ushtrie që prodhoi spastrim etnik dhe gjenocid, çka më vonë do të vlerësohej si krimi më i tmerrshëm në tokën evropiane që pas Holokaustit.

Një referencë interesante, që i kontribuon kritikës për rastin këtu, mund ta gjejmë te filmi “Martesa” (2017) i regjisores kosovare Blerta Zeqiri. Gjithashtu një film lufte, që zë fill gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në dy dimensione, në Kosovë gjatë periudhës së luftës (1999) dhe pas përfundimit të saj, “Martesa” nxjerr në pah një element me rëndësi ku marrëdhënia homoseksuale mes protagonistëve, Bekimit (Alban Ukaj) dhe Nolit (Genc Salihu), nuk paraqitet si e “gabuar” apo e “pamoralshme” por si një fakt, përballë të cilit qëndrojnë dy lloje armiqsh: jo vetëm armiku i jashtëm—forcat ushtarake serbe nën Millosheviçin por edhe ai i brendshëm, ai yti, që njëkohësisht po rrezikon jetën për çlirim por që përpara homoseksualizmit si fakt natyror dhe shoqëror, ka gjasa të shndërrohet po aq në armik. Homoseksualizmi në këtë punë artistike të Zeqirit nuk instrumentalizohet me qëllim përçmimin e tij por normalizohet dhe bashkëekziston përgjatë dhe rreth luftës si një aspekt që deri më sot nuk ka përftuar vëmendjen e merituar në ekranet e rajonit.

“No Man’s Land” ndryshe nga filmi “Martesa” është prodhuar në 2001, një kohë kur diskutimet feministe nuk kishin ndodhur ende në plotësinë e tyre interseksionale në Ballkan, sikurse këto përpjekje i vërejmë sot. Gjithsesi, kritika gjinore nuk është doemos imponim i filtrave të kontekstit të sotëm zhvillimor mbi një periudhë kohore të përjashtuar nga ky kontekst por e rëndësishme për t’u ofruar si perspektivë, veçanërisht në trajtimin e luftrave të Ballkanit, ku vajzat dhe gratë apo personat LGBTQ+ e të tjera kategori shoqërore në situata ngjashëm kritike, u traumatizuan ndryshe, jo vetëm si pjesë të etnive apo feve të caktuara por edhe për shkak të gjinisë dhe seksualitetit të tyre. Temë kjo, e cila trajtohet pak në diskursin rajonal.

Gjithashtu, sa djem dhe burra, të përdhunuar gjatë luftës, nuk guxojnë akoma të flasin për atë që iu ka ndodhur, pikërisht se do të shënjestrohen si “pederastë” apo “bythëqirë”?

Sa më shumë zgjatet përpjekja për ta zbardhur plotësisht të shkuarën dhe për të vënë drejtësinë në vend sepse rrëfime që do të provonin krime lufte nuk kanë ndodhur ende, për hir të të njëjtit mentalitet, që homofobinë e paraqet si ngërdheshje, në një sekuencë disa sekondëshe në film?

Në anën tjetër, të barazuarit e palëve dhe të paraqiturit e përfshirjes së tyre në luftë si një fakt rrethanash rastësore dhe të pashmangshme e thjeshtëzon historinë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Kujt i plasi se kush e nisi luftën?!”, reagon Çera pas kacafytjes së Çikit me Ninon, në tentativën e tyre për të gjetur shkaktarin e luftës, ku palët fajësojnë njëra-tjetrën. “Të gjithë në të njëjtin mut gjendemi tani”, shprehet ai.

Sa e vërtetë është kjo? A i dëmton lufta njëlloj palët? Padyshim që jo. Ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës u shkaktua gjenocid. Teksa forcat serbo-boshnjake ishin të armatosura gjer në dhëmbë dhe përdorën çdo mjet të mundshëm për shfarosjen e boshnjakëve dhe po aq të kroatëve apo shqiptarëve të Kosovës më pas, populli boshnjak përgjatë gjithë luftës nuk pati mundësinë as ta mbronte vetveten nga sulmet e paprovokuara, për shkak të embargos së vendosur nga komuniteti perëndimor, që ndalonte pajisjen me dhe përdorimin e armëve.

Lufta e forcave serbo-boshnjake, të përkrahura nga regjimi i Millosheviçit në Serbi, kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, ishte e natyrës shoviniste dhe ekspansioniste. Ndërkohë, reagimi i Bosnjës dhe Hercegovinës ishte reagim vetëmbrojtës, jo agresion i barabartë dhe me qëllime shfarosëse.

“Tani jemi njëlloj”, i thotë Nino Çikit, pasi të dy bien dakord për të mbajtur armë në llogore, ndryshe nga më herët në film kur të dy shihen duke luftuar për të njëjtën pushkë. Por a ishin njëlloj ushtarët serbo-boshjakë dhe ata boshnjakë, që ia dolën të siguronin një mundësi për t’u vetëmbrojtur? Ky këndvështrim krijon hapësirën për keqkuptim dhe për t’u shfrytëzuar, veçanërisht në lëmin e mohimit të genocidit, fushatat propaganduese për të cilin vazhdojnë nga ithtarët e Republikës Serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, të nxitur dhe përkrahur nga institucionet në Beograd dhe Moskë.

Cila është audienca e një filmi si “No Man’s Land”?

Për shikuesit e vendeve perëndimore, të cilët nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj luftës, që pas brezit që përjetoi Luftën e Dytë Botërore, simplifikime cinike dhe boshe të tipit “lufta është e keqe”, “të gjitha palët që luftojnë janë njësoj” apo “jemi të gjithë njerëz dhe duhet të duhemi mesveti”, vetëm sa i ndihmojnë intensifikimit të konflikteve. Fundja, siç po vërejmë në rastin e luftës në Ukrainë, në debatet e nxitura, qoftë nga e djathta ekstreme (“lufta e tjetrit s’është halli ynë”) apo qoftë nga e majta ekstreme (“fajin e kanë të dyja palët”; “NATO e provokoi Putinin” etj.).

Patjetër që lufta është manifestimi më pervers dhe makabër i asaj për të cilën jemi të aftë si qenie njerëzore dhe se një botë pa luftë, pa kampe armiqësore, është një dëshirë fisnike dhe mbase një realitet i mundshëm dikur në historinë e njerëzimit.

Megjithatë, në realitetin ku përkasim, lufta është fakt dhe nganjëherë domosdoshmëri, sikurse ishte domosdoshmëri nevoja për t’u mbrojtur e boshnjakëve apo e shqiptarëve të Kosovës dje dhe ajo e ukrainasve sot.

Dikush mund të kundër-argumentojë se filmi është i natyrës satirike dhe nuk mëton të përkthejë luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë në ekran por të aludojë mbi absurditetin e luftës si koncept përmes satirës, duke u motivuar nga lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të dhënë mesazhin se asgjë e mirë nuk vjen nga lufta. Ndoshta mund të jetë kësisoj por referenca e zgjedhur, tragjedia që i ndodhi Bosnjës dhe Hercegovinës, na detyron për më shumë empati dhe besnikëri ndaj së vërtetës.

Ka momente në film ku tentohet thyerja mes satirës dhe realitetit historik, për shembull, në përfshirjen e medias perëndimore, e cila në pamje të parë funksionon si njëfarë kori morali por shpejt zbulohet për mungesën e thellë të interesit të njëmendtë. Filmi reflekton për mënyrën sesi lufta përcillet në ekranet perëndimore: si një spektakël i radhës, i cili, për të cituar Guy Debord-in, shndërrohet “në gardianin e gjumit të shoqërive moderne, që nuk shprehin asgjë tjetër veç dëshirës për gjumë”. E tillë ishte shoqëria perëndimore teksa boshnjakët masakroheshin e gratë boshnjake mbushnin kampet e përdhunimit, si skllave seksi të përbindëshave të radhës të historisë: thellë në gjumë.

Po aq në gjumë ishin edhe forcat e Kombeve të Bashkuara, i vetmi reagim i të cilave, në ato pak momente kur nuk ishin duke fjetur, ishte dorëzimi i civilëve boshnjakë te ushtarët e Ratko Mlladiçit. Kombet e Bashkuara paraqiten në film si apatike, neglizhente dhe të bezdisura nga “ballkanasit e mutit”, siç ju referohet Çikit dhe Ninos gazetarja Xhejn Livingston (Katrin Kartlixh) kur as Çiki dhe as Nino nuk pranojnë të intervistohen prej saj, teksa forcat e Kombeve të Bashkuara kanë mbërritur dhe po përpiqen të çaktivizojnë minën e t’i nxjerrin të tri burrat gjallë nga llogorja.

Është mjaft simbolik mllefi i Xhejnit në film. Po aq sa bezdisja e kapitenit britanik të Kombeve të Bashkuara, që ironikisht Tanoviç e ka pagëzuar me emrin Soft, luajtur nga aktori Simon Kallou. Ky mllef është njëkohësisht mllefi i të gjithë atyre perëndimorëve në rrafshin politik dhe mediatik por jo vetëm, së cilëve iu ka rënë për pjesë të merren me Ballkanin por njëkohësisht nuk dëshirojnë të kenë angari gjatë këtij procesi.

Xhejni apo Softi janë një lloj Mirosllav Llajçaku apo Kristian Shmidi i ditëve tona.

Softin e shohim gjithnjë nën praninë e sekretares së tij (Tanja Ribiç), së cilës fillimisht nuk ia kqyrim dot fytyrën por vetëm këmbët. Një palë këmbë gjysmë lakuriqe, të ulura në mënyrë seksi mbi tavolinën e punës së Softit, teksa ky i fundit i bërtet ushtarëve të tij që të mos përfshihen në një konflikt që “nuk është puna e tyre”. Më vonë të njëjtat këmbë do të mbathin taka lustrafine dhe një fytyrë të kuruar me make up kur do të shfaqen së bashku me Softin në zonën e baltosur pranë llogores, për të mos ofruar absolutisht asnjë ndihmë. Një tentativë kjo për të sjellë edhe pak seks, jo veç dhunë, në këtë agora burrash në ekran, për të dëfryer shikuesit e filmit, që imagjinata e regjisorit nuk i rrok dot ndryshe përveçse si burra.

Filmat e luftës nuk bëhen për gratë deri kur gratë bëjnë filma lufte për të gjithë.

Megjithatë, vulgariteti i ekzagjeruar vjen si kritikë e regjisorit, e integruar qëllimshëm në film; njëfarë talljeje e këtyre njerëzve të vegjël por me pushtet të madh, njëlloj si simboli i bandës rrok Rolling Stones, ku goja e hapur me gjuhën përqeshëse jashtë, është e stampuar mbi bluzën e Çikit, një element sa simbolik që i jehon njeriut që gjendet nën atë bluzë, po aq edhe tallës ndaj politikës së historisë në film. Vizualizim mëse i qëlluar dhe me disa shtresa simbolizmi.

Gjithsesi, ndërsa tenton ta përqeshë përfshirjen perëndimore dhe gjithashtu të ashtuquajturin “western gaze në Ballkan, Danis Tanoviç i përgjigjet ekzotifikimit të këtij vështrimi duke i ofruar atij pikërisht atë që ai dëshiron të shohë.

Në fund, pasi Çiki dhe Nino janë nxjerrë nga llogorja, Çiki betohet ta vrasë Ninon. “Sikur të jetë gjëja e fundit që bëj në jetë”, shprehet ai pasi kupton që Nino kishte për qëllim ta vriste, me thikën që ia kishte vjedhur Çikit, dikur në mungesë të pushkës. I vendosur për këtë, në mes të ushtarëve të Kombeve të Bashkuara dhe medias, Çiki flakërin thikën në drejtim të Ninos duke e vrarë atë dhe për pasojë, vetë vritet nga njëri prej ushtarëve të Kombeve të Bashkuara, që reagon me impulsivitet ndaj situatës duke qëlluar mbi Çikin.

Vrasja e Çikit nga ushtari i Kombeve të Bashkuara është simbolikë e fortë po aq sa mina që mbart mbishkrimin “Made in EU” (“Prodhur në BE”) sepse në fund të fundit, populli boshnjak u tradhëtua nga Kombet e Bashkuara. Mijëra qytetarë boshnjakë u vranë prej refuzimit të forcave të Kombeve të Bashkuara për të ndërhyrë në luftë dhe gjithashtu pasi këto të fundit, dorëzuan burra, gra, fëmijë e të moshuar si mish për top drejt Mlladiçit dhe marionetave të tjera të Millosheviçit në Bosnjë. Lufta në Bosnjë, njëfarësoj mund të mendohet edhe si një “prodhim europian”, marrë parasysh heshtjen e pajustifikuar në kontinent gjatë progresit të luftës.

Filmi mbyllet në mënyrë fatale, ku të gjithë personazhet kryesore, Çiki, Nino dhe Çera vdesin, duke dhënë kështu mesazhin se askush nuk del i fituar nga lufta. Megjithatë, Çiki dhe Nino vriten në rrethanat kur po shpëtohen çka duket sikur njëfarësoj i kontribuon stereotipit se “ballkanasit e kanë mendjen vetëm për luftë”. Vendosmëria për t’u hakmarrë e Çikit, në fund fare, pasi kishte anashkaluar çdo mundësi të favorshme për ta vrarë Ninon kur mundej; egërsia në sytë e tij, i kontribuojnë pikërisht stereotipit që i paraqet ballkanasit si “qenie të egra” e “shtazarake”, që nuk duan të shpëtohen por vetëm të therren mesveti.

Shumëkush mund të argumentojë se reagimi i Çikit ishte irracional pasi edhe lufta është e tillë por si i kontribuon ndërlidhja e të gjithë këtyre elementëve dhe kjo logjikë skenari, mënyrës sesi portretizohet Ballkani në ekranet pompoze të perëndimit dhe jurive që vendosin fatin e filmave të tillë?

Për kë prodhohen këto filma?

“No Man’s Land” është një punë artistike interesante dhe që ngjall debat në disa nivele, duke qenë se filmi provokon në shumë drejtime, jo vetëm në kontekstin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë por edhe në marrëdhënien tonë me “tjetrin” dhe vetveten, në një kontekst kur patëm menduar se s’do të kishte më luftë në Evropë.

Interpretimi i shkëlqyer i aktorëve, veçanërisht Branko Djuriçit (Çiki), që e ngre peshë të gjithë filmin, meriton vëmendje dhe vlerësim. Gjithashtu, satira si mjet artistik që përdoret politikisht për të mbajtur qëndrime politike dhe udhëhequr historinë, shpalosen qartë te “No Man’s Land” dhe ngre pyetjen mbi metodat më efektive, që do t’i bënin filmat e luftës më lehtësisht të përcjellshëm te publiku.

__________________________

©

Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur