TË DREJTA PUNE, (JO DËLIRËSI MORALE) PËR PUNONJËSET E SEKSIT!

FIORINA JASO

Fiorina Jaso është diplomuar në Universitetin e Oksfordit me Master Shkencor në Studime për Migracionin, Zhvillim Ndërkombëtar. Ajo ka eksperiencë të gjërë si hulumtuese e politikave zhvillimore, migracionit dhe çështjeve gjinore. Puna e saj kërkimore ofron një ekzaminim kritik të politikave të anti-trafikimit në Shqipëri dhe mënyres se si këto politika mbivendosen me prioritetet e Bashkimit Evropian për të kufizuar migracionin. Ajo ka punuar për çështjen e të drejtave të njeriut në Mbreterinë e Bashkuar, Tanzani, Malajzi dhe Shqipëri.

Prej fundit të viteve ’70, çështja e trafikimit të qenieve njerëzore – që rëndom kuptohet ekskluzivisht si trafikimi i grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual – ka tërhequr shumë vëmendje, çka është reflektuar edhe në rritjen e fondeve për përpjekjet kundër trafikimit në rang botëror. Raporte qeveritare, fushata të organizatave jofitimprurëse dhe një mori historish të grave dhe fëmijëve të pafajshëm nga vendet në zhvillim, të joshur në industrinë e seksit nga trafikantë keqdashës. Trafikimi është parë si një nga aspektet e migracionit të detyruar dhe shpesh, shqetësimet rreth trafikimit janë shoqëruar edhe me shqetësime të tjera rreth punës së seksit dhe migracionit të paligjshëm të grave.

Diskursi mbi trafikimin e grave dhe vajzave ka qenë historikisht i ndërlidhur me debatet mbi punën e seksit në mënyrë të tillë, sa do të ishte e vështirë të analizohej njëri fenomen pa kuptuar tjetrin. Në përgjithësi, debatet politike mbi punën e seksit variojnë midis dy pozicioneve të kundërta brenda lëvizjes feministe: Në njërin kah të spektrit qëndrojnë abolicionistët/et që e shohin punën e seksit në vetvete degraduese në krahasim me punët e tjera (edhe kur këto punë janë shfrytëzuese apo të keqpaguara). Argumenti në këtë rast është se ka diçka thelbësisht degraduese në shkëmbimin e parave për shërbime seksuale. Sipas tyre, ky shkëmbim i redukton gratë në mënyrë të pashmangshme në mallra tregu dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohet si “punë”. Abolicionistët/et mendojnë se kriminalizimi i prostitucionit është edhe zgjidhja e problemit të trafikimit. Rrjedhimisht, për shumëkënd që mban këtë pikëpamje të flasësh në mbrojtje të të drejtave të punonjëseve të seksit është njësoj sikur të flasësh në mbrojtje të trafikimit.

Nga ana tjetër, në polin e kundërt ideologjik qendrojnë ata/o, që e perceptojnë punën e seksit si zgjedhje të lirë të individëve të pavarur. Ky argument motivohet nga një qasje tërësisht liberale dhe pozitive ndaj seksit. Këtu, puna e seksit diskutohet në kornizën e lirisë seksuale apo aspektit fuqizues të eksplorimit seksual dhe refuzimit të normave konservative, patriarkale rreth seksit. Çështje si trafikimi shihen si krejtësisht të shkëputura nga prostitucioni. Fokusi mbetet te dikotomia e zgjedhjes së “detyruar/ lirë”, që për përkrahësit/et e punës së seksit përbën ndryshimin kryesor midis prostitucionit dhe trafikimit.

Ndërsa politikat globale të antitrafikimit janë ndikuar kryesisht nga kundërshtarët/et e punës së seksit dhe këtu, Shqipëria nuk bën ndryshim – ky artikull analizon problematikat e shumta që kanë rezultuar nga kjo qasje. Analiza përqendrohet kryesisht tek a) fushatat e antitrafikimit dhe policimi i kufijve shtetërorë b) kriminalizimi i punonjëseve të seksit. Artikulli diskuton gjithashtu, mundësitë për mbrojtjen e të drejtave të punonjëseve të seksit në kuadrin e dekriminalizimit dhe njohjes së prostitucionit si punë.

Ndërkaq, pavarësisht zhvillimeve pozitive që lëvizja pro punës së seksit ka sjellë si për të luftuar stigmatizimin e punonjëseve të seksit ashtu edhe për të rishkruar narrativat arkaike dhe denigruese mbi seksin, në një dritë më pozitive – pra pavarësisht këtyre, qendrimi pro punës së seksit i ndërtuar mbi argumentin e lirisë seksuale është simplistik dhe nuk arrin të kapë të gjitha nuancat në eksperiencën e punonjëseve të seksit. Kufijtë midis zgjedhjes së detyruar/ lirë nuk janë krejtësisht të ndarë dhe në realitet, puna e seksit mund të kthehet shumë shpejt nga zgjedhje e lirë në punë të detyruar.  Shumë punonjëse seksi flasin hapur për fuqizimin seksual, kënaqësinë dhe liritë financiare që kjo punë u ka siguruar. Por abuzimet, dhuna dhe shkelja e të drejtave në vendin e punës mbeten gjithashtu të vërteta të hidhura në eksperiencën e shumë të tjerave, sidomos atyre nga shtresat më të margjinalizuara. Shqetësimi se narrativat mbi aspektet shfrytëzuese dhe vulnerabël të punës së seksit mund të përvetesohen nga lëvizja antiprostitucion dhe të përdoren si argument për kriminalizimin e prostitucionit, ndikojnë që shpesh këto eksperienca të lihen nën hije nga përkrahësit/et e punës së seksit.

Duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj të dy pozicioneve, ky artikull ngre nevojën për një qasje analitike ndaj punës së seksit, ku fokusi është më tepër te “puna” sesa te “seksi”. Debatet e deritanishme mbi prostitucionin fokusohen më tepër në natyrën e seksit (denigrues apo fuqizues) deri në pikën që aspekti ekonomik neglizhohet krejtësisht. Vetëm duke u trajtuar në kuadrin e punës dhe duke e vendosur theksin te motivet ekonomike të punonjëseve të seksit, mund të krijohen hapësira diskutimi për mbrojtjen e tyre nga dhuna, abuzimet dhe shkelja e të drejtave në vendin e punës. Është e nevojshme që kjo qasje të reflektohet gjithashtu në politikat antitrafikim. Trafikimi perceptohet nëpërmjet lenteve të krimit të organizuar, ekskluzivisht si pjesë e aktivitetit kriminal të burrave keqdashës, të cilët detyrojnë me forcë gra naive të kalojnë kufirin dhe të punojnë në industrinë e seksit. Si i tillë, fenomeni adresohet komplet i shkëputur nga aspekti ekonomik, që karakterizon si motivimin e grave për të migruar, ashtu edhe aktivitetin e tyre si punonjëse seksi.

Fushatat anti-trafik: “ëngjëj, djaj dhe shpëtimtarë”

Fundi i viteve ‘90 shënon fillesën e diskursit dhe politikave antitrafikim në Shqipëri, me themelimin e task forcës antitrafikim nga Ministria e Brendshme në 1998; nënshkrimin e disa konventave ndërkombëtare, që përcaktojnë masat antitrafikim përfshirë edhe Protokollin e Palermos; vendosjen e një Koordinatori Kombëtar Antitrafikim në Ministrinë e Brendshme etj. Në këto më shumë se 20 vjet, kanë ndodhur një sërë ndryshimesh ligjore; janë ngritur struktura të reja monitoruese, ku përfshihen vendosja e njësive policore antitrafikim në aeroport dhe të gjitha pikat kufitare; dënime më të ashpra për trafikantët; krijimi i një Mekanizmi Kombëtar të Referimit për identifikimin e viktimave; një sërë Strategjish dhe Planesh Kombëtare dhe qindra fushata ndërgjegjësuese – të gjitha këto të shoqëruara me një fluks fondesh, kryesisht prej donatorësh nga Bashkimi Evropian dhe ShBA, të shpërndara nëpërmjet organizatave ndërkombëtare si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), US Agency for International Development (USAID) etj.

Ajo çka vihet re në qasjen antitrafikim në Shqipëri është një pasqyrim i politikave globale, ku problemi trajtohet si një betejë midis të mirës dhe të keqes, vajzave të pafajshme dhe trafikantëve monstruozë të lidhur me krimin e organizuar. Fushatat ndërgjegjësuese janë të dominuara nga imazhe vajzash të dhunuara, në shumicën e rasteve konvencionalisht tërheqëse, të lidhura në zinxhir e litarë. Elementi i “pafajsisë”, “virgjërisë” dhe “naivitetit’’ përforcohet më tej nga pamja fëmijërore dhe mosha e tyre e re. Madje, në shumicën e dokumentave dhe raporteve zyrtare mbi trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri, gratë dhe fëmijët trajtohen si një kategori e vetme dhe ndryshimet midis tyre bëhen të papërfillshme. Ky grupim reflekton paragjykimet gjinore që hasen edhe në Protokollet e Kombeve të Bashkuara mbi trafikimin dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore, ku shpesh gratë dhe fëmijët konsiderohen si “viktima të trafikimit”, kurse burrat si agjentë aktivë që kërkojnë të kalojnë kufijtë ilegalisht.

Nëpër postera dhe video ndërgjegjësuese, vajzat e trafikuara portretizohen gjithmonë të bardha, tejet të brishta dhe të dobëta. Këto imazhe qendrojnë në kontrast me figurën e trafikantit – kriminel, keqdashës, gjithmonë burrë i dhunshëm shqiptar. Mesazhi “ndërgjegjësues’’ është i njëjtë pothuajse në të gjitha fushatat: “Vajza naive, mos u joshni nga burra kriminelë, që ju premtojnë një të ardhme më të mirë përtej kufijve; migracioni i paligjshëm mund të kthehet në shfrytëzim seksual”. Nuk mungojnë këtu as mesazhet mbi rolin e rëndësishëm të “shpëtimtarëve”,  punonjës/e të organizatave jofitimprurëse.

Në mbrojtje të kufijve (dhe grave?)

Megjithëse në diskursin politik trafikimi i seksit portretizohet rëndomtë si “skllavëri e kohëve moderne”, fenomeni nuk është aspak i ri. Shumë nga politikat e sotme globale antitrafikim dhe ligjet mbi punën e seksit janë të influencuara nga morali konservativ viktorian në lidhje me shprehjen e seksualitetit te gratë dhe nevojën për të mbajtur nën kontroll autonominë e tyre – sidomos ato nga klasat punëtore, imigranteve dhe subjekteve koloniale. Nga fundi i shekullit 19, fundi i sklavërisë, revolucioni industrial dhe kolonializmi modern i shoqëruar me rritje të pabarazive globale dhe revolucion në mjetet e transportit kontribuan në rritjen e migrimit ndërkufitar kryesisht të burrave dhe grave nga klasat punëtore, që u bënë pjesë e zinxhirëve të punës së detyruar. Shumë gra evropiane që fituan më tëpër liri për të lëvizur, filluan të kërkonin punë përtej kufijve dhe shpesh të përfshiheshin në marrëdhënie seksuale jashtëmartesore apo prostitucion. Kjo filloi të shkaktojë frikë dhe ankth midis elitave dhe klasave të mesme, që filluan të ngrenë shqetësime mbi skllavërimin e grave të bardha’ të Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Imagjinata popullore të grave të bardha të detyruara nga burra me ngjyrë, të paqytetëruar dhe joperëndimorë, nxitën masat për kontrollin e lëvizjes dhe seksualitetit të grave. Përballë krishtërimit të institucionalizuar dhe fillesave të feminizmit të klasës së mesme ishte e pakonceptueshme për kohën, që një grua e bardhë të mund të zgjidhte në mënyrë të pavarur të përfshihej në punë seksi e për pasojë, detyrimi dhe kanosja në prostitucion (zakonisht nga burra të huaj, joperëndimorë) u panë si i vetmi shpjegim. Tipare karakterizuese të fushatës kundër të ashtuquajturës “skllavëri e mishit të bardhë” në fund-shekullin e 19-të, vazhdojnë ende sot të dominojnë ligjërimin global mbi trafikimin e grave.

Në Shqipëri, pavarësisht se fushatat ndërgjegjësuese të krijojnë përshtypjen se gratë dhe vajzat shqiptare po rrëmbehen dhe grabiten në masë nga trafikantë keqdashës, kjo është larg nga realiteti. Për shkak të kushteve ekonomike dhe mungesës së rrugëve ligjore për migracion të rregullt, shumë gra shqiptare vendosin t’u drejtohen kontrabandistëve për t’u mundësuar kalimin e kufirit. Një studim etnografik i John Davies rreth punonjëseve të seksit me origjinë shqiptare ne Lyon të Francës nxjerr në pah mospërputhjet midis imazhit të krijuar  për viktimat e trafikimit dhe realitetit shumë më kompleks, të punonjëseve të seksit me njëfarë lirie për të marrë vendime të informuara.

Kjo nuk do të thotë se shumë prej grave shqiptare, që duan të emigrojnë si punonjëse seksi nuk përfundojnë në situata, ku shfrytëzohen dhe dhunohen pasi kalojnë kufijtë. Shumë histori personale të punonjëseve të seksit jashtë kufijve tregojnë, se megjithëse ato kanë qenë të vetëdijshme për punën e seksit që i priste në vendin e destinacionit, kanë qenë kushtet e papranueshme të punës, – shfrytëzimi dhe dhuna seksuale, me të cilën janë përballur në mbërritje – që e kanë bërë situatën e tyre vulnerabël. Gratë nga shtresat e margjinalizuara janë gjithmonë më të rrezikuara të bëhen pre e dhunës dhe abuzimeve, të jetojnë në varfëri, të shfrytëzohen nga menaxherët e tyre dhe të mos kenë fuqi negociuese. Kushtet e këqija ekonomike, statusi si migrante të parregullta, si dhe ligjet që kriminalizojnë punën e seksit bëjnë që shumë prej tyre të mos raportojnë rastet e dhunës në polici, nga frika e deportimit apo më keq, dënimit me burg. Në diskursin dhe politikat antitrafik problemi portretizohet si grabitje e rrëmbim i grave për shfrytëzim seksual nga trafikantët keqdashës dhe përpjekja e vetë grave për të migruar lihet nën hije. Duke e shtruar problemin në këtë formë, zgjidhja shihet te “shpëtimi i viktimave” duke rritur kontrollin e kufijve, duke ngritur mekanizma survejimi dhe duke dënuar me burg “trafikantët” – çka është gjëja e fundit që kërkon dikush që përpiqet të migrojë. Në vend që t’i mbrojnë ato gra që synojnë të migrojnë nga shfrytëzimi, këto masa e përkeqësojnë situatën duke e bërë më të vështirë për to, që të migrojnë në mënyrë të ligjshme dhe t’u njihen të drejtat. Qasja antitrafikim që ndjek qeveria shqiptare me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, BE dhe SHBA, e largon vëmendjen nga fakti se policimi i kufijve mund t’i shtyjë gratë që duan të migrojnë, drejt trafikantëve dhe opsioneve të pasigurta.  Në këtë qasje, lokusi i problemit zhvendoset te figura e trafikantit kriminel. Kështu, duke lënë jashtë diskursit antitrafik faktin se shumë gra përpiqen të migrojnë me ndihmën e të ashtuquajturve “trafikantë”, politikbërësit dhe donatorët e fushatave antitrafikim i shmangen diskutimeve të rëndësishme për më tepër mundësi për migracion të ligjshëm dhe në vend të tyre, fokusohen në përndjekjen e trafikantëve.

Ndërsa miliona euro shpenzohen për mbrojtjen e kufijve dhe për ndalimin e migracionit të paligjshëm, probleme strukturore që i shtyjnë njerëzit të migrojnë (edhe në mënyrë të jashtëligjshme) nuk adresohen. Për shembull, Departamenti Amerikan i Shtetit – një nga aktorët kryesorë në politikat antitrafikim në Shqipëri, vazhdon t’i rekomandojë qeverisë shqiptare intensifikim të hetimeve dhe ndjekjeve penale të trafikantëve dhe masa më të larta kontrolli për lëvizjen e popullatave vulnerabël. Fundja, në një klimë politike ku debatet mbi migracionin janë fushë e minuar, është shumë më e thjeshtë të përqendrohesh në ndjekjen penale të disa “burrave kriminelë” sesa të adresosh probleme strukturore dhe të përkrahësh mundësitë për të drejta dhe migracion të ligjshëm.

Punë apo jo?

Është shqetësuese që diskursi antitrafikim dhe qasja ndaj punës së seksit në Shqipëri janë ndërtuar krejtësisht të ndara nga çështjet ekonomike. Në Kodin Penal të Shqipërisë prostitucioni vazhdon të dënohet me deri në 3 vite burg,  si vepër penale kundër moralit dhe dinjitetit. Imazhi i prostitutës qendron si antitezë e gruas/ vajzës së trafikuar. Ndërsa figura e gruas së trafikuar karakterizohet nga naiviteti, virgjëria, pafajësisa dhe mungesa e zgjedhjes – elemente që ngjallin dhembshurinë dhe mbështetjen e publikut – është krejt e kundërta për prostitutën. Në imagjinatën kolektive, figura e prostitutës është e rrënjosur në koncepte mizogjine rreth seksit, e lidhur me devijimin moral, përhapjen e sëmundjeve, humbjen e dinjitetit, mungesën e ndershmërisë, me perversitetin. Sipas këtij botëkuptimi mizogjinist, me çdo marrëdhënie seksuale gratë humbasin diçka nga vetja, zhvlerësohen, shkelin një kod të mirëpranuar moral. Në ndryshim nga viktima e trafikimit, që është detyruar të jetojë “pa moral”, prostituta zgjedh të jetë e pamoralshme. Kjo zgjedhje e bën atë fajtore, të padenjë për dhembshurinë dhe konsideratën e publikut dhe politikbërësve, pavarësisht dhunës dhe abuzimeve që mund të përjetojë.

Në këtë qasje, puna e seksit patologjizohet dhe stigmatizohet deri në pikën, ku marrëdhënia midis punës dhe parave trajtohet si komplet e parëndësishme dhe “zgjedhja” ndodh në vakum. Kjo vjen për shkak se asnjë nga personat që kanë fuqi vendimmarrëse mbi politikat e seksit në Shqipëri, nuk janë punonjëse seksi dhe nuk preken drejtpërdrejt nga këto politika. Në këtë mënyrë, diskutimi mbi punën e seksit ndodh në një rrafsh pothuajse abstrakt. E zhveshur nga motivet ekonomike, zgjedhja për t’u përfshirë në punë seksi duket e sëmurë, absurde; kushdo që e bën këtë zgjedhje konsiderohet e paaftë për të marrë vendime të drejta. Nuk merret parasysh se për shumicën e punonjëseve të seksit, ky është një vendim racional bazuar mbi një gamë (të limituar) opsionesh ekonomike. Nuk është rastësi që shumica e punonjëseve të seksit vijnë nga grupe të margjinalizuara –gra transgjinore, rome dhe egjiptiane, nga zona rurale dhe me nivel më të ulët arsimi. Për këdo që mundësitë e tjera të punësimit mungojnë ose janë të pakënaqshme, puna e seksit është opsion relativisht “i lehtë”, për të fituar të ardhura. Për shembull, shumë gra transgjinore në Shqipëri, për të cilat mundësitë për punësim formal apo arsim pothuajse nuk ekzistojnë, zgjedhin të angazhohen në punën e seksit si një nga opsionet e vetme të mbijetesës. Por, duke e kufizuar diskutimin mbi prostitucionin në kornizën e krimit, perversitetit, dhe imoralitetit, kriminalizimi dhe ndjekja penale e punonjëseve të seksit duken mëse të natyrshme. Kështu, fokusi largohet nga problemet strukturore dhe zgjedhjet e kufizuara, me të cilat përballen punonjëset e seksit.

Si pjesë e punës time kërkimore, në vitin 2017 pata mundësinë të intervistoja disa nga aktorët kyç të politikave antitrafikim në Shqipëri. Të pyetur për qëndrimin e tyre ndaj dekriminalizimit të prostitucionit si një mënyrë për të siguruar të drejta pune dhe kushte më të mira për punonjëset e seksit, asnjë nga të intervistuarit nuk ishte pro dekriminalizimit.

Kriminalizimi jo vetëm që nuk e zhduk prostitucionin, por i vendos punonjëset e seksit në situata edhe më të rrezikshme, ku kanë më pak të ngjarë që ato të denoncojnë shfrytëzimin dhe abuzimet nga frika se mund të ndiqen penalisht. Modeli nordik ku kriminalizohet blerja, por jo shitja e shërbimeve seksuale është konsideruar një mënyrë alternative, për të zhdukur prostitucionin pa penalizuar punonjëset e seksit. Por ky model është njësoj problematik. Qëllimi këtu është që të ulet numri i atyre që blejnë seks. Për punonjëset e seksit, kjo nënkupton ulje të të ardhurave. Raporte qeveritare në Norvegji dhe Suedi, ku ky model aplikohet tregojnë se shpesh punonjëset e seksit detyrohen të plotësojnë kërkesat e klientëve për të shkuar në vende më të izoluara në mënyrë që ata të mos zbulohen. Raste të cilat shtojnë rrezikun për punonjëset e seksit. Ulja e numrit të personave të gatshëm për të paguar për seks, i detyron punonjëset e seksit që për shkak të frikës nga ndjekja penale të ulin çmimet apo të pranojnë klientë, nga të cilët mund të ndihen të rrezikuara.

Çfarë mund ta ndihmojë situatën e punonjëseve të seksit është dekriminalizimi i plotë dhe njohja e prostitucionit si punë. Kjo qasje krijon hapësira për të folur dhe kërkuar të drejtat e punonjëseve të seksit si të drejta të punëtoreve. Njohja e prostitucionit si punë ofron mundësinë për të adresuar marrëdhëniet asimetrike në industrinë e seksit dhe ofron rrugë ligjore për t’u mbrojtur nga shkeljet dhe abuzimet. Nuk mund të flasim për mbrojtjen e punonjëseve të seksit dhe të drejtat e tyre, nëse shitja dhe blerja e seksit janë të kriminalizuara.

Ka zëra edhe brenda lëvizjes feministe në Shqipëri, që prostitucionin nuk e konsiderojnë punë për shkak të kushteve të mjerueshme apo situatave shfrytëzuese që shumë prej punonjëseve të seksit mund ta gjejnë veten dhe për pasojë, dekriminalizimin nuk e konsiderojnë si opsion. Për to, fakti që shumë prej grave nga shtresat më të margjinalizuara përfundojnë si punonjëse seksi e si pasojë, vuajnë nga dhuna dhe abuzimet mbështet argumentin se prostitucioni nuk mund të jetë punë, por zgjedhje e detyruar për shkak të rrethanave.

Të mos njohësh prostitucionin si punë për shkak të kushteve shfrytëzuese që shumë punonjëse seksi përballen tregon për një koncept të privilegjuar të punës. Në librin e saj Prostituta të Revoltuara: Lufta për të drejtat e punonjëseve të seksit”, Molly Smith shqyrton në detaje ndryshimet klasore në qasjen tonë ndaj punës. Në një botë ku shumica prej nesh përballen me pasiguri në vendin e punës, rroga të ulëta, orë të zgjatura që nuk prodhojnë asnjë vlerë të vërtetë sociale, të flasësh për punën si burim frymëzimi, kënaqësie, identiteti apo si diçka që i jep kuptim jetës tonë është fantazi e një klase të privilegjuar. Për shembull, në Maj 2021, shkurtimi i punonjësve në Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit nga kompania private që i menaxhon u shoqërua me protesta nga punëtorët që kërkonin të mbanin vendin e punës. Këta punëtorë nuk protestojnë sepse e dashurojnë punën e tyre në hidrocentrale dhe ajo çka bëjnë është e mrekullueshme. Protestojnë me të drejtë se nëse e humbasin punën (atë punë që i shfrytëzon dhe i keqpaguan) mbeten krejtësisht të pambrojtur, pa asnjë mundësi ekonomike. Në të njëjtën mënyrë, kur një prej fasonerive në Vlorë u mbyll gjatë pandemisë COVID-19, gratë punëtore protestuan dhe kërkuan rikthimin në punë jo sepse puna në fasoneri i jep kuptim jetës së tyre, por se është e vetmja mundësi ekonomike që ato kanë për të mbijetuar. Është e njëjta gjë për shumë prej punonjëseve të seksit. Nuk është e domosdoshme që për ta mbajtur punën që bëjnë edhe ta dashurojnë në çdo kohë atë. Arsyeja për dekriminalizimin e prostitucionit nuk duhet të bazohet në faktin se puna e seksit është punë e mrekullueshme, por në faktin se është punë- një mënyrë për punonjëset e seksit për të fituar të ardhura dhe për të përmbushur nevojat e tyre.

Mund të janë të pakta ato punonjëse seksi që nuk do të ishin dakord të hiqnin dorë nga prostitucioni nëse nevojat e tyra mund të plotësohen në mënyra të tjera. Por, kriminalizimi i prostitucionit do të thotë të tkurrësh më tej mundësitë ekonomike për punonjëset e seksit, opsionet e të cilave janë gjithësesi të limituara. Është e vërtetë që shumë prej punonjëseve të seksit përballen me kushte pasigurie dhe rreziku, por prostitucioni mund të jetë opsioni më i mirë për to në një grup mundësish më të rënduara (lypja, uria, mungesa e strehimit etj.).

Kjo kurrsesi nuk do të thotë se duhet normalizuar dhe pranuar si e mirëqenë gjendja e mjerueshme dhe mundësitë e pakta, me të cilat përballen shumë punëtorë/e. Përpjekjet kolektive për një shoqëri më të mirë, për drejtësi sociale dhe për vende pune që frymëzojnë dhe plotësojnë nevojat e punëtoreve janë shumë të rëndësishme. Megjithatë, këto nuk mund të arrihen nëpërmjet kriminalizimit dhe rritjes së masave policore.

*Megjithëse angazhimi në punën e seksit nuk është i kufizuar vetëm te gratë dhe vajzat, por mund të përfshijë persona të çdo gjinie, është gjithashtu e vërtetë se pjesa më e madhe e punonjëseve të seksit janë gra. Për këtë arsye, në artikull punonjëset e seksit referohen në gjininë femërore.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur