TË DISKRIMINUARA E TË PAPUNA

ISA MYZYRAJ

Isa Myzyraj është gazetar. Aktualisht ai është i angazhuar në portalin Historia Ime dhe në televizionin RTV Ora News, ku mbulon aktualitetin në vend dhe rajon, si dhe raste të shkeljes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, rajon e më gjerë. Myzyraj është gjithashtu aktivist i të drejtave të njeriut dhe prej vitesh, aktivizmi i tij përqëndrohet te të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri.

“Punë? Punë vetëm në rrugë, punonjëse seksi gjithë jetën!”- kështu më përgjigjet Lili kur e pyes se çfarë pune bën.

Ajo tregon se në moshën 15-vjeçare ishte përfundimisht e bindur në lidhje me identitetin gjinor, të cilit i përkiste. “Edhe pse linda mashkull, unë jam ndjerë gjithmonë vajzë. E kam ditur që isha vajzë dhe nuk do të doja të isha askush tjetër përveçse vajzë dhe grua. Nuk e kam fshehur identitetin tim gjinor dhe s’kam ndërmend të bëj ndryshe.” – shprehet ajo me bindje.

Lilin e kanë shoqëruar vështirësi të panumërta në gjetjen e një pune me kohë të plotë, ku do të pranohej si grua transgjinore. Refuzimin për ta punësuar, jo gjithnjë ia kanë artikuluar përmes fjalëve. Rëndom, heshtja, shikimi përbuzës dhe orientimi kah derës së jashtme pa nisur ende intervista kanë qenë një tjetër formë poshtërimi. “Më refuzojnë pa arsye” – vijon ajo rrëfimin e saj. “Por arsyeja është komplet e qartë. Në disa raste fjalët janë fukarallëk, siç thuhet në anët tona… Pamja ime, zëri im, sjellja ime, nuk janë në përputhje pritshmërive heteronormative dhe patriarkale të punëdhënësve në Shqipëri, kryesisht burra heteroseksualë konservatorë.”

Janë të shumta/ë individët LGBTQ+ në Shqipëri, që përballen me dhunën e përjashtimin, veçanërisht gratë transgjinore. Të diskriminuara nga shoqëria dhe të shpërfillura nga shteti, ato përpiqen të gjejnë mënyra alternative mbijetese, por në pjesën dërrmuese të rasteve përfundojnë në rrugë, pa përkrahje e të rrezikuara, me shitjen e seksit si të vetmen mënyrë për të mbajtur frymën gjallë. Ky është realiteti i trishtë i kryeqytetit, ku emancipimi ekziston vetëm në sipërfaqe sepse pas fasadave të shkëlqyera fshihet drama ulëritëse e qytetare/ëve “të padukshme/ëm” si puna e Lilit, që nuk është e vetme.

Anxhela, një tjetër grua transgjinore sillet njëlloj rrugëve të Tiranës, me kokën gjithnjë lart dhe forcën të pareshtur:

“Unë mund të bëj çdo lloj pune! Mund të pastroj qytetin, mund të mirëmbaj lulet e tij, të shpërndaj ushqim me porosi, mund të punoj në floktore ose në kuzhinë, kudo ku kërkohen zanatçije e nëse nuk di të bëj diçka, mund të mësoj shpejt”.

Ajo thotë se nuk ka refuzuar kurrë të punojë, por puna i është refuzuar asaj jo thjesht nga kompani të ndryshme private, ku qasja është më e vështirë, por edhe nga institucionet shtetërore në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hartuar të ashtuquajturin Plan Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTQ+ në Republikën e Shqipërisë (2016 – 2020), të shqyrtuar dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave, për përfshirjen dhe ofrimin e ndihmës individëve LGBTQ+. Përpos kësaj burokracie, ende nuk ekziston një dokument zyrtar apo të tjera fakte që të vërtetojnë masën e realizimit të këtij plani dhe objektivave të tij.

Sipas një studimi të kryer nga Aleanca LGBTQ+ në Tiranë, në fund të vitit 2020 rezultonte se 47% e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri janë të papunë. Afërmendsh, COVID19 ka prekur ndjeshëm jetët e shumëkujt por një shifër e tillë, dukshëm më e lartë se statistika e një studimi të ngjashëm paraprak të Bankës Botërore, që konfirmon se 38% e shqiptare/ëve kanë humbur punën gjatë pandemisë, tregon se individët LGBTQ+ kanë vuajtur edhe më herët nga papunësia e lartë. Pandemia vetëm sa i ka thelluar problematikat e punësimit të këtij komuniteti në Shqipëri. 30% e komunitetit LGBTQ+ ia ka dalë ta përballojë krizën e shkaktuar nga COVID19, falë mbështetjes së familjes. Megjithatë, për shumë individë LGBTQ+ familja është vatra e parë e dhunës dhe diskriminimit, e gatshme deri edhe për t’i nxjerrë jashtë pragut të shtëpisë. Është vetëm 1.7% shifra e atyre pjesëtare/ëve të komunitetit që e kanë tejkaluar krizën falë mbështetjes që kanë marrë nga shteti, paçka se “paga e luftës” u përftua nga 22% e tyre. Pjesa dërrmuese, si Lili apo Anxhela, ia kanë dalë mbanë herë vetë, herë duke u ndihmuar nga Aleanca LGBTQ+, që ka ofruar ushqime dhe të tjera të mira bazë për pjesëtare/ët e saj.

Zakonisht, një nga shkaqet e numrit të lartë të papunësisë për individët LGBTQ+ lidhet gjithashtu, me braktisjen e shkollës.

Shkaku kryesor për këtë është diskriminimi për shkak të gjinisë dhe/ose orientimit seksual, si dhe bullizmi në institucionet e arsimit. Sistemi arsimor në Shqipëri ende nuk ia ka dalë të shndërrohet edhe në sistem mirëfilli edukimi, ku nxënësi/et në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, të mësojnë vlerën e diversitetit dhe tolerancës. Pas familjes, shkolla është një tjetër hapësirë ku vajzat dhe djemtë LGBTQ+ janë të rrezikuar(a), pre e ngacmimeve, bullizmit dhe dhunës së të gjitha formave, nga bashkëmoshatare/ët por edhe nga mësuese/it.

“Brenda vetë komunitetit LGBTQ+ ka një hierarki të margjinalizimit, ku komuniteti transgjinor, që njëherazi sfidon në mënyrë më kritike normat dhe stereotipet gjinore të shoqërisë shqiptare, mbetet më i diskriminuari. Përsa i përket përpjekjeve të tyre për të mbijetuar, për shumë individë transgjinore/ë, e vetmja mënyrë e sigurimit të të ardhurave është përfshirja në punën e seksit.”- thuhet në raportin më të fundit të Aleancës LGBTQ+.

Puna e seksit mbart rreziqe dhe frikëra të mëdha. Përpos se të ekspozuara ndaj sëmundjeve të ndryshme seksuale, pa qasje në shërbimet mjekësore, gratë transgjinore, punëtore seksi, janë të ekspozuara edhe ndaj dhunës nga klientët e tyre, si përdhunimi, ofendimet, diskriminimi apo vënia dorë mbi to.

“Shteti më përbuz, shoqëria atje jashtë më përbuz por këtë përbuzje unë e përjetoj edhe në vendet e punës, ku krijohen situata nga më të ndryshmet, nga dhuna emocionale deri tek ajo fizike. Kjo më bën të ndihem shumë keq. Kam pothuajse 20 vite në këtë profesion. Nuk është e lehtë…” – më rrëfen Lili.

“Dhuna nuk durohet, nuk pranohet, nuk justifikohet. Aq më tepër kur mund të ndodhë çdo natë.” – vazhdon ajo pa droje. “E si të mos mjaftonte kjo, ne na duhet të përballemi edhe me shtetin, që është ndoshta dhunuesi më pervers yni. Kemi mjaft probleme me policinë që ushtron dhunë ndaj nesh. Në vend se të na ofrojnë ndihmë e t’u përgjigjen thirrjeve tona, policët na dhunojnë dyfish; na pështyjnë, shajnë, rrahin e na trajtojnë si të mos ishim njerëz. Kur të dhunon edhe policia nga ku mund t’i kthesh sytë për ndihmë?” – e përmbyll ajo rrëfimin rrënqethës.

Dhuna prek edhe djemtë e burrat e komunitetit LGBTQ+, paçka se jo në të njëjtin intensitet si vajzat dhe gratë.

Besi është nga Tirana, 23-vjeç. Ai nuk e ka të lehtë të shprehet mbi diskriminimin.
“Kur pashë se në një lokal në Tiranë kërkonin kamarier, u ofrova menjëherë, pavarësisht rrogës qesharake, që nuk mjafton as për një paketë cigareje. Supozohej të isha në provë të papaguar për një javë, më pas do të diskutonim lidhur me punësimin tim. Megjithatë që ditën e dytë, pronari më tha se për “njerëzit si puna ime” nuk ka vend aty, duke nëpërdhëmbur se “i dukesha gej”, gjë që në fund e përmbylli me fjalinë: ‘Nuk kam nevojë për ty’. Por ai kishte nevojë për mua, ai kishte nevojë për një kamerier, ndryshe nuk do të kërkonte një të tillë! Jam ndjerë kaq i fyer dhe i dërrmuar sa nuk gjej fjalë ta përshkruaj… Në këto kushte kam menduar të gjej ndonjë punë që mund ta kryej nga shtëpia.”

Individët LGBTQ+ janë qytetare dhe qytetarë si të gjithë ne, me të drejta të barabarta. Atyre u duhen garantuar mundësi të barabarta, trajtim me dinjitet dhe një perspektivë, në mënyrë që ky vend të fillojë t’i përngjajë vatrës së ngrohtë që ndoshta, këta njerëz nuk e kanë pasur kurrë. Vetëm jo më këtij mjedisi socio-ekonomik të dhunshëm, që i flak të rinjtë e të rejat në rrugë, qofshin këto rrugët e Shqipërisë apo ato të Evropës, ku shumë syresh zgjedhin të arratisen, me iluzionin për një mbijetesë më të butë.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES