Ndryshe nga shumë të tjerë kolegë të sajët – të cilët ose kishin ardhur duke u ngjitur shkallë-shkallë në hierarkinë e pjesëmarrjes politike në një parti, ose nga pëlqimet e vetë “shefit” – ajo nuk ishte e pajisur me historik të angazhimit politik të mëhershëm. Madje as nuk e mendonte se ndonjëherë do t’i hynte kësaj rruge, mirëpo një ftesë nga përfaqësues të partisë bëri, që ta mendonte seriozisht përfshirjen e saj. Arjola* kandidonte për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit për Kuvendin e Shqipërisë.
Kandidimi në një zonë prej nga kishte edhe origjinën familjare, për Arjolën erdhi me përgjegjësi të shtuar, por edhe adrenalinë për pjesëmarrje. Ndërsa nga ana e ofertuesit të kandidimit kjo ishte veçse një formë për të “mbyllur hesapet’ me zonën rurale, që tashmë e kishte një përfaqësuese, e cila prej të qenit grua çonte ujë dhe për kuotat gjinore.
Përfaqësimi i grave në politikë ka ardhur duke u rritur ndër vite. Krahasimisht me zgjedhjet e para pluraliste, vërejmë se në zgjedhjet e vitit 1991 gratë përfaqësuese në Kuvend ishin vetëm 4%. Përgjithësisht pjesëmarrja e grave pati ulje e ngritje deri në vitin 2005. Derisa në vijim shënoi një rritje konstante, ku në zgjedhjet e 2017-tës, arriti 28% .
Sipas Kodit Zgjedhor të miratuar në vend, gratë duhet të përbëjnë një kuotë gjinore prej 30% në listat e kandidatëve. Pra 1 prej 3 kandidatëve duhet të jetë grua. Në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri morën pjesë 12 parti apo entitete politike, duke numëruar kështu 1841 kandidatë/e, të cilë/at garonin për 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë. Nga këto lista, 732 prej tyre ishin gra, duke e çuar përfaqësimin politik të tyre në listat zgjedhore në 40%. Ndërsa dy partitë kryesore, Partia Socialishte dhe Partia Demokratike, në listat e tyre kishin 103 gra, nga të cilat 49 në listat e PD-së dhe 54 në listat e PS-së.
Po ashtu vihet re se në listat zgjedhore të dy partive kryesore, emrat e grave ndodhen të renditura kryesisht në fund, duke krijuar më shumë përparësi për korrje mandatesh ndaj kandidatëve burra. Kështu, nëse do të analizojmë listat fituese, vihet re se Partia Socialiste ka 18 kandidate gra fituese në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Tiranës, ndërsa Partia Demokratike pati 16 syresh. Në kryeqytet, asnjëra prej listave të këtyre partive nuk dëften për pjesëmarrje të barabartë gjinore në përfaqësi, madje ka një hendek të thellë. Nga 15 mandate të fituara nga PD-ja, vetëm 5 prej tyre do t’i përfaqësojnë gratë në Tiranë, teksa nga 18 të tilla nga PS-ja, vetëm 8 ia dolën. E njëjta logjikë ndiqet edhe në qarqet e tjera. Për Partinë Demokratike në qarkun e Elbasanit nga 6 mandate, vetëm një është grua; në qarkun e Durrësit raporti qëndron 6 me 2; në qarkun e Dibrës nga 3 mandate, 1 përfaqësohet nga një grua; në qarkun e Kukësit rezultojnë dy mandate të fituara, por asnjë prej tyresh grua. Njësoj dhe për qarkun e Gjirokastrës dhe Beratit, asnjë mandat nuk do të mbahet prej një gruaje. Panorama për PD-në nuk është ndopak më e mirë as qarkun e Shkodrës, ku nga 5 mandate, vetëm 2 përfaqësohen nga gra; në Fier, nga 6 gjithsej, vetëm 2 janë gra; apo në Korçë, ku nga 5 mandate ka vetëm 1 grua në përfaqësi. Po kështu, raporti i burrave në mandate krahasimisht me gratë qëndron 4 me 1 në Vlorë dhe Lezhë.
Edhe për partinë fituese, PS-në, rezultatet në mandate, nuk reflektojnë asnjë balancë gjinore të ruajtur. Raporti ishte 9 me 2 në qarkun e Durrësit; Elbasan e Vlorë 8 me 2; në Korçë 6 me 2 janë; në Shkodër e Gjirokastër 3 me 1; Berat 5 me 1 ; në Lezhë nga 3 me 2; Dibër 2 me 1, dhe Kukës gjithashtu vetëm një.
Rezultatet e mësipërme për të dyja partitë e mëdha ngjasojnë me tabelat e paraqitjes së ndeshjeve të futbollit, ku mjedisi është aq djerrë për diversitet, e prandaj qartazi dominon kudo vetëm një skuadër tradicionale, këtu: burrat. Prandaj dhe kësaj tabloje nuk i ndryshon shijen e hidhur, fakti se gjithsesi në fushatën e fundit ka pasur të përfshira dy gra drejtuese, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim nga Monika Kryemadhi dhe Partia Lëvizja për Ndryshim drejtuar nga Jozefina Topalli.
Parë në një kënd më të gjerë, pjesëmarrja e tyre, nuk u duk se shërbeu në fuqizimin tërësor të grave të tjera në lista, porse sërish u pa të dominonte vetëm drejtuesja e partisë. Kështu në rastin e LSI-së kandidimi i Monika Kryemadhit në tri qarqe në vendin e parë, dëshmon përqëndrimin e vëmendjes politike në vetëm një individ, duke mos lenë mundësi për vajzat dhe gratë e tjera në listat zgjedhore për t’u njohur nga qytetarët dhe për t’u afirmuar në publik. Në rezultate, as këto raste nuk i vyejnë përkatësisht problematikës së përgjithshme të hendekut gjinor në pjesëmarrjen e jetës politike e publike në vend.
Podiumi, vetëm i liderëve
Numri në rritje i grave në listat zgjedhore të fundit, krahasuar me vitet e mëhershme, nuk e zhbën dot as problematikën e vijueshme të fjalës publike, ku sërish pjesëmarrja e ndikimi i grave në diskursin toksik e patriarkal politik ngelet e kufizuar.
Përpos formave si u ndërtua fushata nga palët politike në vend, vlen të nënvizohet se në të dyja rastet vëmendja ishte e përqëndruar te liderët kryesorë të partive, njësoj si me lideret gra mësipër, megjithëse edhe mes tyre me disfavorizime gjinore të pranishme. Edhe pse të dy liderët kishin pas vetes lista, ku deklaronin se kishin përfaqësi të konsiderueshme të grave, sërish promovimi i tyre në podiumin përballë popullit ishte i pakët, për të mos thënë inekzistent.
Në rastin e partisë Demokratike, kreu i saj Basha ishtë i vetmi që zotëroi të drejtën e “mikrofonit të ndezur”, ndërsa në rastin e Edi Ramës pati një përpjekje për të krijuar hapësirë edhe për të tjerë përfaqësues politikë në varësi të qytetit ku ndodhej, për ta përmbyllur thuajse gjithmonë ai dhe me minutazhin më të gjatë. Sigurisht parafolësit e çdo takimi gëzonin pozita të caktuara dhe qenë individë të afirmuar në publik, e sa më larg kryeqytetit aq më dominante bëhen këto role në drejtim të gjinisë mashkullore.
“Faleminderit Kryeminstër Rama që më bëtë pjesë të skuadrës 2021!” ishte një nga shprehjet e dëgjuara rëndom sa herë një grua kandidate e Partisë Socialiste merrte mikrofonin për të folur përballë elektoratit. Duke ia atribuuar gjithë prezencën e kontributin në atë listë, vetëm dëshirës së mirë të Kryeministrit, gjë e cila i shërbën rregullave të përmbushjes së kuotave, por vë në pikëpyetje vazhdimisht pavarësinë e vullnetit politik në vijueshmërinë e përfaqësimit politik nga gratë deputete.
Edhe tentativat në rastin e Partisë Socialiste, për të liruar podiumin për figura të reja dhe gra, sërish përshkoheshin nga një retorika problematike, pa përmbajtje të programeve elektorale, apo qoftë edhe zotime konkrete për gratë e elektoratit. Fjalimet nisnin e përfundonin me falenderime dhe qoka ndaj Edi Ramës, për të fituar edhe një tjetër mandat “për të vazhduar atë çka nisi”.
“Për muhabet, s’ke ku gjen si burrat – po të jetë për punë, besoju më mirë grave”
Në një spot të përgatitur gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit nën titullin “Gjysma e skuadrës qeverisëse”, disa prej kandidateve për postin e deputetes u bënë bashkë, për të vënë në dukje zërin e gruas në Partinë Socialiste.
Ndonëse nisma u shit me karakter fuqizues, as këtu gratë nuk shpëtuan pa iu mveshur karakteristika reduktuese si: shtylla e familjes, nëna, shoqja, motra, solidarja, e përkushtuara, e palodhura, etj,. Përkufizimeve konvencionale ndaj grave i vendosi kapak vetë kreu i partisë njëkohësisht dhe kryeministër, Rama, ku nuk mungoi të shfaqej si hija e një lideri burrë, për të bekuar përforcimin e stereotipeve më lart. Ndërsa në sytë e publikut, ky do të ishte edhe një rast tjetër reklamues si “lideri largpamës dhe barazimtar”. Apo të ishte realizuar pikërisht vetëm për imazhin e tij ky spot për gratë?! Fundja nuk do të ishte e para herë, që gratë përdoren si mashë për qëllime pushteti, sidomos politike.
Ndarja e punëve apo pozitave sipas roleve gjinore patriarkale, shprehet qartë në mesazhin e transmetuar përmes spotit, teksa burrat janë për muhabet e gratë për punë. Edhe pse në dukje i nisur si një mesazh vlerësues për gratë, përmes së cilit tenton të shprehet vlerësimi se “gratë mbarojnë punë” e burrat janë vec për llafe, në fakt duke ditur rolin e gruas në shoqërinë shqiptare, është shumë e vështirë ta shohësh në këtë formë. Kjo pasi, gjithë procesi i diskursit publik e më pas politik ka qenë i dominuar nga burrat, ku gratë kanë qenë të përjashtuara si nga retorika, ashtu dhe nga proceset vendimmarrëse.
Qëmoti vendimet merreshin në “odat e burrave” edhe kur bëhej fjalë për gratë. Ky proces i “grave që heshtin” është i pranishëm ende sot. Edhe në momentin që ka tentativa për tejkalim, shpërfaqet një aureolë lideri, që përcakton se për çfarë janë burrat dhe gratë.
Fjala është çështje burrash!
Në të njëjtën logjikë, fjala si koncept, entitet, identitet e përkatësi është e burrave dhe kur e thotë një grua nuk ka peshën që duhet.
“Nëse Erion Veliaj merr në Kavajë e Rrogozhinë 7% të votave, ja këtu jemi burrash, po ju them që unë e lë mandatin”, u shpreh kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në një takim fushate në Kavajë.
Mes brohoritjesh e duartrokitjesh “fjala e dhënë burrash” zuri vend, se e “thënë grash” apo nga një grua, pak gjasa ka të merret seriozisht. Edhe në këto raste ajo çka shihet në arenën e komunikimit politik e publik, është fakti se gratë politikane sërish janë të pafuqizuara. Ato duhet ta peshojnë gjithçka duke i veshur karakteristika burrërore. Mbetje të një shoqërie të rritur me fjalën si një “kushtetutë” e burrave, me fjalën e dhënë e të mbajtur nga burrat, me besën, atë të Kostandinit, apo të vëllait të vogël që flijoi gruan e tij për të ndërtuar kështjellën e Rozafës e plot të ngjashme kësisoj.
E njëjta situatë diskursive pasqyrohet edhe për kandidatet gra të Partisë Demokratike. Në disa nga takimet e Bashës me gratë dhe vajzat kandidate, sërish barazia gjinore u paraqit si një e mirë e domosdoshmëri që pritej nga lideri, nga kryeministri i ardhshëm. “Një grua sado e aftë, ka nevojë për një dorë”, “gruas duhet t’ia japësh barazinë” ishin disa nga frazat e shkëputura nga takimi i Bashës dhe vajzat dhe gratë, duke lënë të kuptosh se edhe në rastin kur “podiumi u takon grave” ato tentojnë t’ja veshin si atribut liderëve burra. Kjo reflekton mungesën e demokracisë dhe programeve në parti dhe magësinë e platformave të ndërtuara nga perspektiva gjinore.
Hapësira televizive “prime time”- oda e burrave të vitit 2021
Përmes favorizimit nga mediat e teknologjia, partitë politike janë në kontakt të vazhdueshëm me elektoratin dhe janë në gjendje fushate çdo ditë të tyre, sidomos partia në pushtet. Megjithatë, mobilizimi i një mujorshit të fundit para ditës së zgjedhjeve, është pika kyçe për të përcaktuar mbështetjen dhe tentuar bindjen e elektoratit gri. Në këtë aspekt një ndihmë të konsiderueshme e jep media kryesore, në formësimin apo orientimin e opinionit publik. Sipas nenit 84 të Kodit Zgjedhor, “televizionet janë të mobilizuara për të kontribuuar në debate politike, të ftuar politikë dhe hapësirë televizive për të gjitha platformat e partive politike”.
Por, ajo për të cilën televizionet dhe mediat lënë për të dëshiruar, lidhet me nxitjen e debatit konstuktiv dhe premisat e barazisë gjinore në strukturën e emisioneve dhe në hapësirën e folës/eve. Referuar një monitorimi të kryer nga “AWEN-Albanian Women Empowerment Network” për periudhën para zgjedhore kryesisht shkurt-prill 2021 në edicionet kryesore të lajmeve ka mungesë të theksuar të kornikave, të cilat trajtojnë çështje të grave në Shqipëri. Mes të tjerash, monitorimi vëren se takimet elektorale transmetohen në lajmet e paradites dhe mesditës, duke i rezervuar edicioneve qendrore të mbrëmjes vetëm skandalet apo përplasjet mes kundërshtarëve politikë.
Për të kuptuar qasjen e medias dhe respektimin e barazisë gjinore në hapësirën e saj televizive, mjafton të monitojmë dy emisionet politike në dy televizonet kombëtare, sikurse janë Open në Top Channel dhe Opinion në Klan TV.
Përgjatë fushatës zgjedhore, emisioni Open është drejtuar nga gazetare grua, ku është shfaqur 14 herë me tematika më së shumti të përqendruara rreth zhvillimeve të fushatës dhe ndodhive të lidhura me të. Në ndarjen gjinore mes të ftuar/ave në studio apo edhe përmes formatit online (për shkak të pandemisë), lehtësisht vërehet se Open nuk ruan një ndarje të barabartë mes të ftuarve sa i përket gjinisë.
Formati i emisionit të lejon të ftosh 4 panelistë në studio dhe në disa raste dy të ftuar janë lidhur online me emisionin. Në pjesën më të madhe të transmetimit të emisionit, i cili po ashtu transmetohet në “prime time” vihet re se të ftuarit janë vetëm burra.
Përkatësisht, nga monitorimi vihet re se në 14 emisione ka pasur 63 panelistë/gazetarë apo të ftuar politikë online burra. Ndërsa të ftuara në panel apo online, eksperte apo përfaqësuese gra numërohen vetëm gjashtë. Nga të ftuarat gra, pjesën më të madhe e përbëjnë mjeke apo përfaqësuese të Komitetit të Ekspertëve.
Në rastin e emisionit Opinion të publikuar në Klan TV, ka një tentativë për të pasur edhe përfaqësuese gra, numër i cili është më i konsiderueshëm në krahasim me emisioni Open. Megjithatë edhe në Opinion dominues janë pjesëmarrësit burra.
Në muajin e fushatës zgjedhore Opinion është transmetuar 17 herë. Nga këto transmetime ka pasur gjithsej 88 të ftuar, duke përfshirë analistë e gazetarë në panel, si dhe përfaqësues politikë duke mos përfshirë lidërët e partive politike.
Nga 88 të ftuar, vetëm 27 janë vajza dhe gra. Megjithëse prezenca e tyre në raport me numrin total është e ulët, gjithsesi ka një përfaqësi krahasur me emisioni Open. Megjithatë duhet pasur parasysh, se edhe në rastet kur ka pasur prezencë të të ftuarave vajza dhe gra, minutazhi i vendosur në dispozicion të tyre krahasuar me minutazhin e vendosur në diszpozicion të analistëve apo gazetarëve burra është më i vogël.
Nëse në emisionin e datës 25 mars, ku i ftuar ishte Kryeministri Rama dhe të ftuar ishin 3 panelistë burra dhe një paneliste grua, ndërhyrjet e gazetarëve burra ishin 19 herë me pyetje, ndërsa gazetarja grua pati mundësinë të ndërhynte vetëm dy herë.
Vihet re se në këto dy emisione nuk iu dha shumë hapësirë prezantimeve të figurave të reja politike. Emisioni Opinion zhvilloi vetëm dy emisione ku krijoi hapësirë për kandidatët e rinj, dhe në njërin rast I ftuar ishte edhe vetë Edi Rama, ku rrjedhimisht kuptohet që minutazhi i ofruar për të ishte më I gjatë se sa gjithë minutazhi bashkë I kandidatëve të tjerë të ftuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me emisionin Open, ku përveç figurave të konsumuara të politikës shqiptare nuk pati prurje të reja alternative, aq më pak të përfaqëuara nga vajzat dhe gratë në politikë.
Sipas gjetjeve të kryera nga monitorimi i “AWEN” , katër televizione kombëtare, dy portaleve të mëdha dhe një radioje kombëtare, gratë kandidate për deputetet marrin hapësirë mediatike vetëm në rastet kur kanë përplasje me lidërtë e partive të tjera, ngrenë padi ndaj organeve përgjegjëse për shkeljet apo skandalet politike, kritikojnë kundërshtarin me fjalor të ashpër apo në rastet kur bëjnë publike në rrjete sociale fotografi personale.
Seksizmi ndaj grave, sa herë nuk ka argumente
Diskutimi mbi seksizmin ndaj vajzave dhe grave në politikë tanimë është bërë normë, sa herë ka zgjedhje, duke i shënjestruar ato kurdoherë kur argumenti politik është shterpë. Seksizmi dhe gjuha e urrejtjes i ngjizur për shkak të pabarazisë gjinore tenton të prekë më së shumti gratë dhe vajzat, dhe kur ato janë të përfshira në politikë, niveli i këtyre ngjarjeve tenton të rritet.
Një vëmendje të shtuar në këto zgjedhje pati mbi tematikën e seksizmit, në javën e dytë të marsit, teksa Kryeministri Rama përdori një ekran të madh për të denigruar figurat e kandidatëve kundërshtarë. Duke vendousr në ekran figurat e kandidatëve, bardh e zi dhe të shkëputura nga diskutime dhe momente të caktuara të tyre ai përdori gjuhë seksiste. Krahasoi kandidatët e Partisë Socialiste me ata të Partisë Demokrative dhe partive të tjera të koalicionit, jo duke u bazuar në punën dhe kontributin e tyre, por duke krahasuar pamjen e tyre dhe karakeristika sipas tij negative të kundërsshtarëvë.
“Ja, pamjet flasin vetë”,- shprehej ai sa herë në ekran vendoseshin përballë dy kundërshtarë politikë, ku nëse ishte i PD-së fotoja ishte bardh e zi dhe e shkrepur në momente të sikletshme, ndërsa nëse kandidati ishte i PS-së fotoja ishte më e kujdesshme.
Një ndër to që u gjend përballë kësaj gjuhe ishte edhe kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Grida Duma.
“Me kë fiton me Etienin apo me Gridare Gridare, o o o”, teksa përshkruante dy kandidatët.
Kjo gjuhë seksiste vjen pikërisht nga një politikan, i cili gjatë gjithë kohës “kartën” e shtimin të përfaqësueseve gra në politikë e ka përdorur në favor të tij si kontribut dhe vendosmëri të tij personale. Ndërsa drejton po ashtu një qeveri me një përfaqësi të konsiderueshme vajzash dhe grash.
I menjëhershëm ishte reagimi i aktivisteve dhe aktivistëve, i organizatave të shoqërisë civile të cilat dënuan aktin dhe denoncuan gjuhën seksiste dhe urrejtjen ndaj kandidateve gra në zgjedhje, duke I bërë thirrje edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të monitorojë dhe të ndjekë këto raste.
Gjuha seksite nga mediat
Përpos debateve, akuzave dhe gjuhës seksite që vajzat dhe gratë e përfshira në politikë përballen, një pjesë të konsiderueshme të kësaj gjuhe e lëvron edhe media. Tanimë me shtimin e mediave apo kanaleve online të cilat shpesh nuk janë më në funsksionin e një medieje të mirëfilltë, krijohet mundësi për kultivimin e kësaj gjuhe.
Për të kuptuar mënyrën se si pasqyrohen vajzat dhe gratë kandidate për deputete në hapësirën online por jo vetëm, madje edhe në television, mjafton një kërkim i thjeshtë duke përdorur fjalët kyçe që perifrazojnë seksizmin.
“Kandidatja “hot” e PD: Shqipëria do të bëhet me njerëz si unë”, ‘kandidatja “seksi” e PD”, “Kush është kandidatja seksi për deputete”, “Kandidatja seksi e këtyre zgjedhjeve”, “Ke ballkon të rrezikshëm”! Sa vota mori ish-Missi dhe kandidatja e fotove hot në listën e Kujtim Gjuzit”, janë disa prej titujve që gjen në televizione kombëtare dhe në portale online.
Referimi i kandidateve të partive politike me tog fjalëshe stigmatizuese në bazë të një karakteristike fizike apo deri në etiketime të rëndomta si “hot” apo “seksi” jo vetëm që nxisin gjuhën e urrejtjes, por orientojnë publikun jo më drejt arsyes se përse këto vajza dhe gra janë në sferën publike, sikurse është politika, por i targetojnë si “objekte seksuale”.
Këto metoda përdoren me qëllim që të tërheqin sa më shumë lexues/e dhe komentues/e njëkohësisht. Me qëllimin që të tërheqin sa më shumë audiencë, këto formate kthehen në burim të gjuhës së urrejtjes, seksiste dhe diskriminuese. Sidomos përmes rrjeteve sociale, mbidozimi me këta tituj e këtë lloj gazetarie, gjeneron dhe thellon problematikën, pa synuar ndryshimin e saj. Favorizuese në gjithë këtë mekanizëm “copy-paste” është fakti se këto lajme nuk kanë një burim apo autor (shumica e portaleve online nuk shënojnë emrin e gazetarit/es) duke hequr kështu përgjegjësinë primare të prodhimit të informacionit. Pasi përgjegjësia nuk rrënjoset individualisht, porse në sistem.
*Emri i përdorur është për të mos ekspozuar emrin e vërtetë të kandidates