NË QENDËR

ANA IDROMENO

Ana Idromeno është pseudonim për shkrime me natyrë letrare dhe publicistike nga dikush, e cila dëshiron që vëmendja e lexueses/it, të përqendrohet në tekst, jo identitetin e personit që shkruan apo rrëfen.

V. e kam njohur, kur isha ende fëmijë. Ishte fqinja jonë në pallat. Me fëmijët e saj, më të vegjël në moshë, shpesh do të luanim stinës së verës deri në muzg. Asokohe, më ndillte kërshëri dhe njëkohësisht admirim vitaliteti, që shquaja te kjo grua. V. më dukej ndryshe nga gjithkush tjetër në lagjen tonë, të përbërë kryesisht nga familje njëlloj të varfra dhe patriarkale, ku burrat përpiqeshin të kryenin çdo punë që mund t’u dilte përpara, ndërsa gratë gatuanin, pastronin dhe rrisnin të vegjlit. V. gatuante, pastronte e kujdesej për dy fëmijët e saj, bashkëshortin, nënën dhe vëllezërit e tij, të cilët jetonin të gjithë nën një çati, në një hapësirë 2+1. Gjithashtu, ajo punonte me kohë të plotë në biznesin fason, që në fund të viteve ‘90, gratë e lagjes i referoheshin thjesht si “repart rrobaqepsie”.

Kanë kaluar rreth njëzet e dy vjet tashmë. E bija e V. u martua. Dy kunetërit e saj gjithashtu, paçka se martesa e njërit prej tyre përfundoi në divorc. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, numri i personave në apartamentin 2+1 ku V. banon ende, vazhdon të mbetet i pandryshuar. I pandryshuar mbetet edhe ritmi i punës së V. mes shtëpisë dhe (tashmë) fasonerisë, ku ajo punon njëlloj si më parë. I vetmi ndryshim i dukshëm dhe dramatik i këtij cikli monoton e skllavërues dallohet në shpinën e V. që tashmë është kërrusur në mënyrë të pandreqshme nga puna përkulur mbi një makinë qepëse, ku duart e saj përgatisin veshje cilësore për gratë dhe burrat evropiane/ë.
Lagjia po ashtu është zmadhuar. Krejt papritur ajo gjendet e gllabëruar brenda gjrit të qendrës së qytetit, që së jashtmi duket e kamur, lakmuese dhe plot shkëlqim por brenda ruan të gjitha nuancat e dramës 30-vjeçare shqiptare, ku dhuna e vulgariteti i një sistemi tëhuajsues udhëheqin pa mëshirë jetët e qytetare/ëve si puna e V., që veten e gjejnë të ngërthyer në të pa rrugëdalje.

Jemi ulur me V. në shkallët qendrore të pallatit, ku dy dekada më parë ajo moderonte gjithë ngazëllim koncertet që zhvillonim me fëmijët e lagjes, na tregonte përralla ose na mësonte ne vajzave si të thurnim gërshet. Tashmë pallati ynë nuk sheh më nga kopshtet plot trëndafila të shtëpive përdhese tiranase. Këto të fundit janë zëvendësuar me pallate të larta që s’ngjallin kurrfarë emocioni, kafene dhe disa parkingje nëntokësore.

Si ka ndikuar COVID-19 në jetën tënde?

Ishte e pamundur që të mos infektohesha. Kur filloi shtetrrethimi mua më duhej të shkoja në punë, sepse fasoneritë nuk u mbyllën. Nga njëra anë kjo nuk ishte keq, sepse rrogën e merrja dhe nuk isha e detyruar të mbyllesha në shtëpi. Mbyllja në shtëpi më duket dënimi më i madh për një grua… Në punë, pavarësisht lodhjes, të  paktën jam e rrethuar nga shoqet, me të cilat bashkë ndajmë hallet e gëzimet. Megjithatë, kur filloi pandemia asnjëra nga ne nuk ndihej rehat. Në repart nuk kishim qasje në maska sanitare, doreza apo dezinfektantë. Ishim të gjitha të pambrojtura. Virusin mund ta merrnim kudo, jo vetëm në mjedisin e punës, por edhe në autobus për shembull, gjatë rrugës nga shtëpia në punë e anasjelltas. E në fund, kështu ndodhi… Të gjitha u sëmurëm me radhë, në harkun kohor prej një viti. Por disa prej nesh jetojnë me pleqëri në shtëpi. Nuk është e lehtë mbajtja mbi supe e një përgjegjësie të tillë… Aq më tepër kur je e vetëdijshme se sa e lehtë është të fajësohet gjithmonë gruaja për gjërat, që s’shkojnë mbarë në familje në çdo kohë, jo më tani. Fatmirësisht vjehrra ime dhe pjesëtarët e tjerë të familjes e kaluan sëmundjen pa zarare dhe më e rëndësishmja është se, unë u infektova prej tyre dhe jo ata prej meje.

Gjithsesi, përtej pjesës shëndetësore, COVID-19 pothuajse na rrënoi ekonomikisht… Nuk mbahet ekonomia e një shtëpie me shumë anëtarë, vetëm me një rrogë fasonerie. Rroga e fasonerisë nuk del për asgjë. Asgjë! Im shoq është i papunë. Djali vazhdon akoma shkollën. Kunati po ashtu, ka kaluar nga njëra periudhë papunësie në tjetrën. Vjehrra ka nevojë për ilaçe se është e moshuar. Ndër të tjera, vjet puna ra goxha. Ka pasur ditë kur shefat me urdhër të pronarit të madh, na kanë kthyer në shtëpi sepse thjesht nuk kishte punë… Një jetë e jetuar në pasiguri, pamjaftueshmëri dhe varfëri.

Prej sa vitesh punon në fasoneri?

Prej 23 vitesh. Menjëherë pas luftës, me ndihmën e një të njohuri, ia dola të punësohesha në një repart rrobaqepësie. Që atëherë e deri tani, mund të kem ndërruar disa herë vetëm llojin e fasonerisë por jo këtë zanat. Këto duar, që sheh kanë prodhuar rroba e këpucë, aq cilësore e të mira sa nuk kam mbathur kurrë vetë. Ç’e do që bashkë me eksperiencën nuk vjen edhe rritja e rrogës apo përmirësimi i kushteve të punës. Kushtet e punës janë të tmerrshme. Imagjino të punosh në një situatë dhune e mbikqyrjeje të vazhdueshme, ku shefi i repartit, bashkë me të birin që sillet vërdallë aty, çirren si e kur t’ju teket, pa ndonjë arsye për të qenë, por vetëm që të na sikletosin neve. Më kujtohet një rast, kur djali i shefit të repartit iu hakërrye keq një shoqeje, me britma e të shara të tmerrshme. Atë  lloj fjalori s’më kishin zënë kurrë veshët. Hë, më thuaj: punohet dot kur një i marrë të fyen drejtpërdrejt, të quan “kurvë”, “bushtër” e të thotë se s’vlen asgjë? Kjo është ajo se ç’ndodhi me shoqen time, por kjo s’është normale! Nuk është aspak normale!
Normale nuk është as kur një tjetër shoqeje i mbajtën rrogën për një gabim të vogël e të riparueshëm, gabim njerëzor më saktë, që vinte nga lodhja, monotonia dhe shfrytëzimi… Po, po, shfrytëzimi! Ne na shfrytëzojnë fund e krye, gjakun na e pijnë! Ia mbajtën rrogën, pa iu dridhur qerpiku, gruas me fëmijë e katandi në shtëpi. E të mendosh që bëhet fjalë për 165 mijë lekë rrogë. Kaq merrnim në dorë më 2018.

Ç’do bënin gratë? Do ngrinin krye e më pas të do të hiqeshin nga puna? Apo do të ulnin kokën, do të mbyllnin veshët e do të çonin atë rrogë në shtëpi? Se mirë shefi në repart apo pronari, po edhe burri në shtëpi bëhet i padurueshëm shpeshherë, që pret jo vetëm rrogën ta dorëzosh në datën kur e merr, por edhe ta mbash në pëllëmbë të dorës si të ishte fëmijë.

Cila do të ishte një zgjidhje e mundshme?

Në kushtet më ideale, zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte organizimi së bashku me gratë e tjera. Po të ngrejë krye vetëm njëra nga ne, do ta poshtërojnë dhe heqin nga puna. Po të ngremë krye të gjitha së bashku, s’bën çap, as shefi i repartit, as pronari dhe as ai dreqi me të birin, se të gjithave bashkë nuk na heqin dot nga puna. Ku do t’i gjejnë ata menjëherë brenda ditës 60 punëtore, për shembull? Do t’u ngecte prodhimi. Do kishin probleme pafund. Por gratë kanë frikë e me të drejtë. Po meriton ta shkelim edhe frikën xhanëm, se nuk jetohet në skllavëri… S’është jetë kjo!

A keni diskutuar ndonjëherë mes jush për t’u organizuar edhe formalisht, në një sindikatë për shembull?

Për sindikatë nuk kemi folur, por për t’u organizuar e kërkuar të drejtat, që të mos na presin rrogën, që të mos punojmë të dielave apo në ditë zyrtare pushimi, kemi diskutuar. Shpesh mblidhemi me gratë në shtëpitë e njëra-tjetrës për kafe dhe bisedojmë. Por do guxim kjo punë e jo të gjitha janë të gatshme të rrezikojnë e sakrifikojnë, se kanë fëmijë e pleqëri. Buka e gojës të dhemb! Megjithatë, të them të drejtën, unë jam e lodhur e prej kësaj, jam e gatshme të përballem me secilin prej tyre që na kanë  bërë gjysmë njeriu. Kam pasur fizik të fortë, por ja, u kërrusa që në moshën 38-vjeçare prej punës. Moj, a është në rregull një gjë e tillë? Pse të vlejë shëndeti i N. më shumë se imi?

Disa nga shoqet ama, nuk janë dakord me këtë qëndrim. Madje më paragjykojnë, sepse unë jetoj në qendër të Tiranës e mendojnë se e kam jetën më të lehtë. Po ç’të bëj unë që jetoj këtu? Se mos zgjodha të jetoja në qendër. Ne apartamentin ku banojmë e kemi përftuar nga im vjehërr, për shkak se ka kontribuar me punë vullnetare në ndërtimin e tij në kohë të Enver Hoxhës. Kaq. Vetëm adresën e banimit kam në qendër unë. Asgjë tjetër në jetën time s’ka lidhje me qendrën e Tiranës. Çdo ditë vazhdoj të marr autobusin për në periferi, ku kam punën e ku përcaktohet jeta ime në “qendër”. As çmimet e zarzavateve s’ia dal dot t’ia paguaj qendrës…

Nëse do të shpallej një sindikatë për punëtoret e fasonerisë, në një fasoneri tjetër nga ytja, do të pranoje të bëheshe pjesë e saj?

Besoj që po. Pse të mos bëhesha? E ç’kam unë për të humbur më shumë?

Nëse do mund të zgjidhje, cili do të ishte profesioni apo angazhimi së cilit do t’i dedikoheshe?

Poezia. Më ka pëlqyer gjithmonë të shkruaj poezi. Kam dashur të thur vargje, jo rroba të shtrenjta që s’i blej dot. Nuk arrita të shkoja në universitet, por ama i dua fort fjalët, kombinimet e tyre dhe forcën që mbartin. Ndonjëherë në punë recitoj në mendje poezi të preferuara.

Intervistoi: Ana Idromeno

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur