Qerime Halil Radisheva u lind në vjeshtën e 1895 në krahinën e Radishevës në Drenicën veri-perëndimore në Kosovë. Paçka, se Qerimja ishte vajza e vetme mes gjashtë vëllezërve, ajo u rrit në kundërshtim me normat e çimentuara gjinore për kohën. Qerimja e shoqëronte të atin nëpër oda, në bisedat për luftën, aksionet dhe organizimin për çlirim nga pushtuesi i huaj. Këto ndikuan, që ajo të ndërgjegjësohej dhe edukohej mbi situatën problematike të vendit qysh herët, prej kur edhe iu mvesh nofka e trimërisë, “Shota”.
•
“Shote Galica” sikurse njihet përgjatë historisë, mbiemrin në fjalë e mori prej krahinës për të cilën luftoi, pasi banorët e krahinës e thërrisnin kësisoj.
•
Në pranverën e vitit 1915, Shota ishte ndër të rrallat gra që sfidoi mentalitetin e kohës, duke prishur një lidhje martesore me mblesëri, për të mos hequr dorë nga pavarësia e saj. Ajo u martua me Azem Bejtën në qershor, fill pas arratisjes së tij nga Burgu i Pozharevcit, ku gjendej si i burgosur politik. Megjithatë, tërheqja e tyre kish nisur më herët, në odën e shtëpisë së Shotës, gjatë mbledhjeve, ku diskutoheshin strategjitë politike. Ai do të shndërrohej në shokun e saj të jetës dhe të idealeve të përbashkëta për çlirim. Nga kjo marrëdhënie do të vinte në jetë biri, Sandri, i cili nuk ia doli të mbijetojë më shumë se gjashtë muaj.
•
Në vitin 1919, Shota u angazhua në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit. Në vitet 1922 – 1923, Shota luftoi për zonën neutrale të Junikut e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës dhe Malësisë së Madhe. Pas vdekjes së Azemit në vitin 1924, ajo udhëhoqi çetën si kryekomandate e saj.
•
Dalja e Shotës, maleve e veshur si burrë, nuk u prit mirë nga bashkëluftëtarët e saj. Madje, për këtë arsye disa syresh zgjodhën, që ta braktisnin çetën. Lufta e saj ishte e dyfishtë: kundër pushtuesit të huaj dhe zakoneve prapanike të vendit.
•
Shota e kreu betejën e saj të fundit në vitin 1926 në Llaushë të Gecajt, ku dhe u plagos rëndë. Kjo qe dhe lamtumira e saj me Kosovën dhe 12 vitet që i kushtoi përpjekjes për pavarësi. Paskëtaj, Shota u zhvendos në Shqipëri gjatë qeverisjes jetëshkurtër të Fan S. Nolit, së bashku me fëmijët tashmë jetimë të shokëve të rënë në luftë, të cilët i mori nën përgjegjësi.
•
Pas ngjitjes së Ahmet Zogut në pushtet, Shota u la në harresë dhe mjerim. Gjatë kësaj periudhe, ajo u sëmur rëndë për shkak të një gangrene, që iu shfaq dhe po i merrte gjymtyrët. E gjendur në mëshirë të fatit, ajo vendosi t’i shkruante një letër Zogut dora vetë.
“Ndodhem me katër fëmijë jetima e jam tue vdekë nga uria.”
Shote Galica u shtrua në spitalin e Tiranës, ku pati përpjekje nga regjimi i kohës për ta helmuar. Për këtë arsye, ajo e braktisi spitalin dhe u strehua në një rrënojë në fshatin Dërven të Fushë Krujës. Shote Galica vdiq në mjerim, pa mbushur ende 32-vjeç.
•
Shote Galica frymëzon edhe sot e kësaj dite si gruaja, e cila guxoi ta shkruajë vetë historinë e saj. Ajo mbetet një personazh historik avant-garde për kohën në të cilën përkiti.