MOTËRZIMI MIDIS SOLIDARITETIT DHE KRITIKËS

SHQIPE GJOCAJ

Shqipe Gjocaj është aktiviste feministe, njohëse e çështjeve gjinore dhe gazetare e pavarur. Punën e saj e zhvillon në organizata joqeveritare dhe media përmes hulumtimit, hartimit të politikave gjinore, dhe shkrimit rreth çështjeve gjinore dhe të drejtave të njeriut. Ajo është kontribuese e rregullt në mediat: Prishtina Insight/BIRN, KOSOVO2.0, Sbunker, Balkan Insight dhe Reuters. Në vitin 2017, ajo është vlerësuar me Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari dhe në vitin 2019, me bursën e programit të KOSOVO2.0 për të Drejtat e Njeriut.

Donika, motra e madhe dhe e para vajzë nga gjashtë fëmijët e tjerë në familje, ka qenë modeli im i parë feminist. Në një qytezë të izoluar dhe tradicionale, ku sjellja normative për vajzat ishte heshtja dhe ulja e kokës, Donika ka ngritur zërin. Ajo ka kundërshtuar dhe është artikuluar gjithnjë qartë. Më kujtohet, kur vëllai i madh më pati kërkuar njëherë, që t’i pastroja atletet dhe Donika ndërhyri duke më thënë:

“Jo, s’ka nevojë. Ti s’je shërbëtorja e tij!”

Gjatë fëmijërisë e kam admiruar guximin e saj, sidomos në marrëdhënie me djemtë dhe burrat e familjes. Ajo më ka bërë të ndihem e mbrojtur. Më vonë në jetë, në periudhën e adoleshencës dhe dikur në të njëzetat e hershme, një model të tillë të zëshëm, plot guxim e vetëbesim e kam kërkuar edhe te gratë e tjera, qoftë në ekran apo tekste letrare. Megjithatë, perspektivën feministe të drejtpërdrejtë dhe jo shfajësuese e kam përftuar nga leximi dhe studimi. Letërsia dhe gjithashtu aktivizmi feminist, për mua kanë shërbyer si një lloj baze, nga ku kam vërejtur sesi duket shtypja e grave dhe sesi ndërlidhet kjo shtypje me pushtetin institucional; sesi duket mobilizimi feminist nga poshtë, rezistenca dhe lëvizjet politike të grave për çlirim.

Formësimi im si individ ka ardhur i frymëzuar prej grave që kanë lexuar, shkruar dhe kritikuar. Sot frymëzohem po njëlloj nga artistet, studiueset, aktivistet, shkrimtaret dhe profesionistet e cilësdo fushe, që në punën e tyre kanë të integruar qasjen feministe progresiste dhe jo nga gratë që gjerësisht mund të cilësohen “të suksesshme”, vetëm për shkak të grumbullimit të një shume të majme monetare, famës apo pozitës së lartë institucionale.

Në debatin feminist në Kosovë, motërzimi paraqitet në mënyrë sipërfaqësore si ideal dhe kërkohet me ngulm.

Veçanërisht rrjetet sociale vlojnë nga reagime të intensifikuara emocionale, kurdo që një grua kundërshton apo kritikon një tjetër grua, e sidomos nëse gruaja që kritikohet qëllon të jetë e përfshirë në politikë. Kërkesa për motërzim pretendohet a priori dhe për pasojë, ajo rrallë problematizohet siç duhet.

Shpeshherë e ndiej të nevojshme të theksoj, se detyra ime si aktiviste nuk është të përkrahurit e karrierës së grave të privilegjuara, të promovuarit apo të shprehurit e krenarisë për punën dhe arritjet e tyre.

Përkundrazi, kontributin tim rrekem ta ofroj nga një kënd analitik, ku e vlerësoj të pakompromis dinamikën gjini-politikë, dallimet në marrëdhëniet mes grupeve shoqërore; vënien përpara përgjegjësisë të grave dhe burrave të pushtetshëm dhe retorikën e veprimtarinë për drejtësi shoqërore.
Në përgjithësi, gratë përveç diskriminimit, patronizimit dhe ngacmimeve seksuale, që u vijnë nga shefat apo kolegët e tjerë burra, pësojnë shtypje dhe rëndom kanë përvoja të vështira edhe me shefet e tyre apo koleget e tjera gra në cilindo sektor.

Njëkohësisht vlerësoj se motërzimi kuptimplotë nuk është ekzistues, as në vetë shoqërinë civile. Edhe në organizata joqeveritare, ku advokohet për feminizëm gjithpërfshirës, mendësia kapitaliste dhe ajo e konkurrencës janë më të theksuara se nevoja për organizim të mirëfilltë dhe të përbashkët. Ka gra që marrin rroga të majme dhe kryejnë punë me rezultate mesatare, dhe ka gra, sidomos të reja, që konsumohen nga puna tejet kërkuese, e cila vlerësohet dhe paguhet mjaft modestisht. Madje, ka edhe përvoja të atilla, ku vetë gratë punëtore të këtyre OJQ-ve janë ndjerë plotësisht të shfrytëzuara e përvoja të tilla nuk mund të lihen pa debat të mirëfilltë publik!

Arsyeja përse shumica e përvojave të tilla nuk bëhen publike është se shumë prej nesh nuk e kanë parë të dobishëm përforcimin e mëtejshëm të stereotipit seksist, tanimë të rrënjosur në ndërgjegjjen kolektive se gratë e urrejnë njëra-tjetrën dhe nuk mund të bashkëpunojnë. Shumë burra, madje edhe nga ata të arsimuarit, pohojnë se ky tension mes grave është biologjik dhe i pashmangshëm. Jo se ka rëndësi në vetvete se çka mendojnë burra të këtillë, por shpesh kritika në publik vjen me kufizime, madje edhe me përjashtime nga hapësira (të synuara) feministe.

Motërzim kuptimplotë do të vlerësoja përkushtimin në punën hulumtuese dhe studimore të organizimit të grave ndër dekada dhe shekuj.

Mënyrat sesi gratë i kanë rezistuar pushteteve të ndryshme totalitare dhe strukturave patriarkale, sidomos marrëdhëniet e afërta dhe intimitetin emocional mes tyre; organizimin për të mirën e njëra-tjetrës dhe të mirën publike edhe në periudhat më të vështira politike.

Sot, me motër Donikën jo gjithmonë pajtohemi dhe kjo nuk është diçka e keqe. Shkrimtarja dhe aktivistja australiane Germaine Greer thotë se do të zhgënjehej, nëse brezat e rinj të feministeve nuk e sfidojnë punën e saj. Evolucioni i shoqërive sjell me vete krijimin e trendeve të ndryshme politike, ekonomike dhe shoqërore. Si rrjedhojë, edhe hapësirat feministe përfshihen nga kontradiktat. Fundja, debati feminist nuk mund të realizohet pa kritikë të mirëfilltë teorike dhe praktike.

Motërzimi duhet parë si një koncept më i koklavitur, por sikurse vetë feminizmi, në thellësi ai nderon dhe mbron të njerëzishmen e të gjitha grave. Prandaj, më e pakta që mund të bëjmë është të mos e sforcojmë dhe reduktojmë atë në “punë emocionale” – një kërkesë shtesë e mendësisë patriarkale, që konsumon trupin dhe mendjen.

Motërzim do të thotë, kur një shefe e merr me shumë seriozitet ngacmimin seksual në vendin e punës; kur ajo i respekton të drejtat e grave punëtore dhe ua paguan në mënyrë dinjitoze e të merituar punën; kur ajo u njeh atyre të drejtat riprodhuese, mbulon pushimin prindëror; punon me strategjinë e integrimit gjinor dhe nuk i përjashton nga mundësia e punësimit gratë për shkak të invaliditetit, shprehjes së identitetit fetar përmes shamisë apo moshës së tyre.

Motërzimi vërehet te një politikane që i dëgjon nevojat e qytetareve të vendit dhe u përgjigjet atyre me politika të përgjegjshme dhe konkrete gjinore. Motërzimi ndodh kur aktivistet nuk ua zaptojnë hapësirën njëra-tjetrës, kur ato kritikojnë në mënyrë përmbajtësore, e citojnë shoqja-shoqen dhe u referohen veprimtarive të njëra-tjetrës.

Motërzimi, me sentimentalitet të kursyer, por me kritikë e larmishmëri zërash do të jetë debat i vështirë dhe i zëshëm. Por, ky është i vetmi mjet yni për të materializuar përkrahjen për njëra-tjetrën në kontekstin e lirive themelore dhe të mirave që na takojnë.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur