A FLASIM DOT PËR TË GJITHA GRATË?

LIRI KUÇI

Liri Kuçi, bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës “Shota”. Diplomuar në Master Shkencor për "Teori Politike" në Universitetin e Tiranës. Prej vitesh është angazhuar në çështjet gjinore, organizimin studentor dhe atë sindikal si aktiviste feministe. Gjatë studimeve të larta dhe eksperiencës në punë hulumtuese, ajo është thelluar në ligjërimin feminist progresist, fushën e seksualitetit dhe të drejtat e punëtoreve të seksit në Shqipëri. Liria ka punuar si kryeredaktore e medias online “Historia Ime” (2019) dhe një vit më pas, ka shërbyer në pozitën e këshilltares politike, për politikat sociale dhe gjinore në qeverinë e Kosovës në periudhën Shkurt - Qershor 2020.

E njoha së largu, teksa ecte shpenguar dhe këmbente fjalë me shoqen përbri. Lola, me llërët zbuluar, mbante me vete një qese ushqimesh. Bënte ende ngrohtë atë pasdite. Teksa menjëherë kërkoi ndjesë për vonesën, më prezantoi me Biankën me sy të qeshur, të cilën për shkak të maskës, atë çast nuk e portretizova dot më gjerë. Kishin marrë për të ngrënë dhe më ftojnë të ulem, duke më pyetur disa herë nëse kisha uri. Më tregojnë më tej, se i kishin dhënë vetes një pushim të shkurtër, ndërkohë  që do të ishim duke biseduar së bashku. 

Lola është 24 vjeç, pjesëtare e komunitetit transgjinor në Tiranë. Prej disa vitesh asaj i duhet të punojë si punëtore seksi; në një industri ende të kriminalizuar, thellësisht të paragjykuar e të përçudnuar prej moralit shoqëror, si dhe një sërë problemesh me kushtet e ushtrimit të punës. Ajo është ndër aktivistet më të zëshme dhe të mirëartikuluara, e cila nuk ka ngurruar që të flasë publikisht mbi identitetin e saj gjinor dhe sfidat e përjetimit të seksualitetit në kornizat e një shoqërie të mëkuar nën rregullat e një sistemi ekonomik  frenetik dhe të vrazhdë, që mirëmban mentalitetin patriarkal dhe brendëson normat konservatore të përjetimit të botës, jetës, vetes.

E pyetur sesi ndikoi pandemia dhe shtetrrethimi për punëtoret e seksit, Lola tregon se ajo ka qenë një periudhë jo pak e vështirë për të dhe punën në ato kushte. “U frikësova shumë. Ditët e para puna vazhdoi me të njëjtat ritme si më parë dhe një pjesë e tyre nuk ruhej. Kjo më ndikoi shumë keq psikologjikisht, sepse pas çdo klienti unë mendoja, se do të isha infektuar me virusin. Futesha në ankth, telefonoja 127-tën, më dukej gjithë kohës sikur isha me temperaturë, apo kisha simptoma të tjera. Për këto arsye nuk e përballova dot stresin dhe këtë situatë, prandaj vendosa të largohem nga Tirana.

Kam ikur në këmbë në Durrës madje, sepse gjatë shtetrrethimit nuk gjeje dot jo vetëm autobus, por as taksi, as makinë dhe eca… E kam bërë për 6 orë rrugën në këmbë.”

Lola, teksa rrëfen për rrugën e gjatë të bërë në kushte të pazakonta, duket sikur ajo përjetoi njëfarë katarsisi; çlirim prej frikës konstante që i shtrëngonte kraharorin përgjatë çdo dite pune në pasiguri akute, si dhe një tjetër lloj malli të dhembshur për familjen, sikur ky të qe epitoma e kësaj situate të panatyrshme – duke rikthyer sërish vëmendjen te dashuria ndërnjerëzore, solidariteti.

“U zgjova në orën 4 të mëngjesit, hëngra shumë mirë, pastaj u nisa. Me vete mora kafe, ujë e fruta dhe mbërrita në Durrës, pas 6 orësh ecjeje në këmbë. Ishte ende mars dhe vapa nuk kishte filluar mirë. Nuk ndalova asnjë moment dhe mendjen e kisha te të shtëpisë. Ishte një tjetër mall… diçka e panjohur përzier me shqetësim dhe frikë për ta. Doja të isha pranë tyre. Nuk mendova për veten dhe rrugën që po bëja. Për vetë nuk tembesha edhe nëse infektohesha, por kisha vetëm hallin e përjetimit të tyre. Shkurt po luaja mendsh dhe e vetmja zgjidhje ishte rruga që ndërmora. Ndenja dy muaj me ta. Këta ishin dy muajt e parë në njëfarë pushimi për mua.” vijon Lola detajet e rrugëtimit të saj. Në fakt nuk ka kohë të përshtatshme për aventura dhe as aventura normale, ama e saja në kushte të tilla, i tejkaloi disafish kufijtë e konsideratës mbi “normalen” e përpara pandemisë.

Ndërkaq, duket sikur po bën monolog, teksa do të zgjidhë me veten paradoksin e çuditshëm, sesi qe e mundshme që u desh një periudhë e tillë e kobshme për njerëzimin, për të kuptuar se jeta dhe puna e saj kishin mbledhur aq shumë toksicitet, saqë mund të shkundej vetëm nga ngjarje me ngarkesë të tillë, si pandemia. Me entuziazëm ajo tregon se gjatë kohës që shpenzoi në shtëpi u ushqye mirë, lexoi dhe pa serialet e saj të preferuar. Zbuloi se kishte ende pasione. Të kish’ pasur vallë nevojë për pandeminë Lola… apo në çastin më të parë që do t’i jepej do vepronte po njësoj, prej ngarkesës së akumuluar ndër vite?!

Ajo përshkruan përjetimet, ngre dilema e pyetje në vetën e parë – përgjigjjet e të cilave i di më së miri, por mesa duket ka nevojë t’i thotë me zë të lartë edhe për veten. Sakaq, Bianka, një vajzë trans nga Vlora, e përcillte Lolën duke pohuar vazhdimisht me kokë dhe me sy të zmadhuar prej admirimit për të. Siç do të kuptohej përgjatë bisedës, Lola kishte shërbyer si udhërrëfyese e Biankës. “Është e vogël dhe shumë naive, ia kam vënë vetes detyrë të kujdesem për të”, shton me të qeshur Lola, pasi përpiqem t’u vë në dukje komunikimin e mirë mes tyre.

Shtetrrethimi, para dhe pas – kronikë e jetës dhe punës në skaj

“Dy javët e para kur u shpall karantina unë isha në Tiranë. Derisa gjendja u bë serioze, na ndihmoi Aleanca LGBT+ me një shumë parash, ushqime dhe mjete të nevojshme, por gjithsesi fakti që duhet të punoja në ato kushte më tmerronte. Frikë nga policia, plus dhe njerëzit nuk ruheshin. Mbi të gjitha mësova se vuaj nga një astmë alergjike dhe virusi mund ta përkeqësonte gjendjen. Por, pastaj kuptova që e kisha nga cigarja dhe thjesht rrallova cigaren.” rrëfen Lola për përjetimin e fazës së parë të punës nën shtetrrethim. Pavarësisht sportivitetit dhe tonit shakator, lehtësisht kuptohet se më shumë nga të gjitha elementet që përshkruan, ajo duket se ka vuajtur ngërçin ndaj një ngjarjeje të re; të pazakontë, që mund të ketë shkaktuar stres dhe ankth dhe në shumë punëtore të tjera seksi, si ajo.

Gjurmët e ndjesive të tendosura në nerva, vërehen dhe në gjuhën e trupit; teksa Lola përshkruan në retrospektivë eksperiencën e saj, duket se zëri i dridhet lehtë, shpejton të folurën dhe fillon të tundë ritmikisht këmbën e djathtë.

Më e rezervuar, por gjithsesi dëgjuese e vëmendshme, Bianka mundohet të përmbledhë kujdesshëm përjetimet personale të gjendjes së re. Ajo, sapo ka bërë të njëzetat dhe së fundmi ka ardhur në Tiranë. Me bisedën kuptohet se ajo u largua nga Vlora, qyteti i saj i lindjes, jo vetëm prej familjes, fisit dhe qytetit, por ia mbathi disi dhe prej vetes. Vetes së mëparshme, të ndrojtur, të pasigurtë. E vështirë për të qenë në paqe me mjedisin, zgjedhjen dhe lirinë për të ekzistuar në identitetin e saj gjinor, zgjodhi të ketë një jetë tjetër. Të tjetërsuar prej kujtdo dhe çfarëdo, por të vërtetë me veten.

“Babai im e quante sëmundje mendore. Kushërirat dhe një pjesë e fisit më mohuan. Ditën e parë që e morën vesh, diskutova me ta dhe u tregova…Isha 17 vjeç, tani jam 20. Motra dhe mami ishin e vetmja mbështetje dhe meraku i tyre ishte të mos dilja natën e veshur si grua, pasi në Vlorë nuk do pritej mirë, sepse vlonjatët janë goxha të egër”, thyen akullin Bianka, duke treguar për vështirësitë konstante të jetës parapandemike. “Jam ndjerë dhe e rrezikuar. Në shkollë më shumë. Një pjesë e vogël më kanë mbështetur gati fshehurazi, sepse presioni shoqëror është më i madh, pasi unë njoh dhe persona të tjerë që nuk bëjnë dalje publike. Madje më kercënojnë vazhdimisht ‘po tregove do ta shohësh si do përfundosh’ një pjesë e tyre janë klientë të mi. Por, që në Vlorë thashë, që i kam kaluar këto vështirësi” përfundon Bianka, si të dojë t’i vërë kapakun kapitullit me qytetin e saj të lindjes.

Tregu i punës së seksit; Jeta në punë dhe puna si dritarja e vetme me botën

Tirana nuk është një qytet i lehtë dhe miqësor për një vajzë periferie dhe transgjinore, por të paktën të lejon të jesh e panjohur dhe e pavarur. Por e pavarur, si? Teksa kryeqyteti ynë, nuk është as toka e premtuar e mundësive dhe fillimeve të suksesshme. Në gji mbledh plot Lola e Bianka të tjera, studentë/e që studimet universitare i përdorin si karrem për t’i ikur përditshmërisë së vdekur të periferisë së dhunshme, familjes së varfër dhe mentalitetit arkaik. Ajo që vjen pas, janë përpjekjet e njëmendta për të mbijetuar në një qytet të ri, gjithsesi të dhunshëm. Lola një moment dëshmon, që në industrinë e seksit njeh plot vajza heteroseksuale, të cilat janë punëtore seksi dhe njëkohësisht ndjekin edhe studimet e larta.

Edhe ato nga e keqja e bëjnë, se këtu është bërë shkolla e lartë si me pas’ luksin e Oksfordit… vetëm se edhe ato na shohin me sy tjetër. Sa interesante apo jo? Ne bëjmë të njëjtën punë”.

“Në fakt shumë njerëz më pyesin pse i jam futur kësaj pune. Një nga arsyet është se unë quhem Lola, ndihem kështu, jam vajzë. Dhe kjo punë është e vetmja që më lejon të jem vetvetja; që nuk më obligon të vesh një kostum që nuk e dua, që të shtirem, që të jem hipokrite dhe e bindur ndaj rregullave që më kufizojnë dhe më bëjnë ta dhunoj veten përditë, me kushtin e njohjes nga shoqëria. Unë nuk mund të shkoj dot as në call centre të punoj si grua trans, si kamariere, apo në supermarket. Ndonëse ti e di që e kam provuar… Por ështe e vështirë edhe të shkoj në një vend të shtirem e të punoj 8 orë a më shumë, e pastaj të vij në shtëpi e të shpreh veten time, sepse është frustrim e konsumim i madh… e kam provuar dhe nuk ia dilja dot. Unë dua të jem kështu, dhe ja cila është kostoja. Kjo është edhe ndër gjërat, që më ka stresuar në karantinë. Unë nuk dilja e veshur dot, të pija një kafe e veshur, ta shijoja ditën ashtu… 

Njerëzit që janë cisgender dhe që e përjetojnë normalisht trupin e tyre, nuk arrijnë ta kuptojnë dot këtë gjë, por për ne është si “drogë”, është jetike në fakt më shumë sesa varësi. Ne e kemi të nevojshme që ta shprehm identitetin tonë në çdo pjesë të jetës. Identiteti për ne është i rëndësishëm. Unë veten dua ta shoh, ashtu siç ndihem dhe njerëzit dua të më shohin e njohin ashtu. Identiteti është i rëndësishëm. Prandaj dhe quhet identifikim” përfundon Lola me një frymë, pasi ndërhyri vrullshëm, teksa po pyesja Biankën për punën në industrinë e seksit dhe ardhjen në Tiranë. As kjo e fundit nuk ngurron të shpjegojë më tej edhe pasi Lola përfundon atë që ajo e konsideroi “fjalim i bukur, rrënqethës e përmbledhës” edhe të një pjese të ndjesive të saj.

(tavolina e makijazhit të Biankës)

“Normalisht që puna e seksit për mua është një metodë jetese, sepse dhe unë kam pasionet e mia. Por mua, kur shoqëria nuk më pranon për këtë që jam, unë do e ndrydh dhe pasionin dhe veten. Praktikisht është si të jem e vdekur. 

Për shembull, unë do të kisha ëndërr të isha parukiere, të kisha studion time estetetike dhe të shprehja artin tim dhe konceptin për të bukurën aty… por unë as shkollën nuk e vazhdova dot sepse unë kam ngelur dy vite në gjimnaz dhe nuk vazhdova dot… tani jam këtu ku jam… Fundja fare, çfarë mundësie tjetër i ofron Tirana një të pashkolle si unë? Si ta kërkoj unë dinjitetin, kur shoqëria më pengon të jem ç’të dua unë?” ngre me të drejtë Bianka pyetjen retorike, së cilës druaj t’i pasoj me patetizëm ndonjë frazë shpressdhënëse. Sidomos kur bëhet fjalë edhe për një shtresëzim tjetër të mbivendosur ndaj punës së seksit – të qenit transgjinore. Prostitucioni, ndërkohë përveç punës si e vetmja formë mbijetese, për to merr dhe një valencë tjetër duke qenë në fakt paradoksalisht sa hapësirë shtypëse aq edhe “çlirimi”, teksa vetëm aty ato mund të shfaqen, veprojnë e përjetojnë veten dhe seksualitetin e tyre, ashtu siç ndihen.

Njësoj si unë dhe ajo e di, se për to dhe punëtoret në këtë industri ende flitet me zë të ulët, nuk artikulohet në publik dhe nuk ka të dhëna sasiore e cilësore; për punëtoret dhe kushtet, në të cilat punohet në tregun e seksit sot. Sot është blasfemi të jesh i/e varfër, njësoj si të kërkosh të jesh vetja. Ndërkohë edhe të përpiqesh të jetosh, nuk mundesh tamam, sepse pas do të të ndjekë pashmangshëm stigma si samar, “kurvë”.

Një prostitutë (kurvë) nuk mund të jetë një person publik, e pajisur si të gjithë njerëzit me të drejtën e jetës, fjalës dhe punës, porse vetëm një nënnjeri i errësirës, skutave, paragjykimeve… larg dhe afër njerëzve, por jo i tillë.

Mprehtësia e dhimbjes që forcon

Me Lolën dhe Biankën nuk mund të bësh intervista ekzotike, apo të një natyre të thjeshtë hulumtuese, pa u ndjerë sikur i ke shoqe e njihesh prej vitesh me to. Ato janë të mençura e të vetëdijshme për gjithë sa pësojnë në kurriz, duke të paraprirë në pyetje a përçapje për analizë. Dhe teksa i ftoj të mendojnë për pasionet, të dyja pohojnë se puna në tregun aktual të seksit nuk i lejon të kenë një jetë të disiplinuar, orë gjumi të plota, ditën aktivitet e natën pushim. Nocionet dhe praktikat e jetës të stabilizuara si normale në shoqëri, për to janë krejtësisht të përmbysura.

“Njerëzit që janë vetvetja në këtë shoqëri, që luftojnë me mentalitetin patriarkal për të qenë vetvetja dhe për t’u trajtuar si njerëz, sepse të gjithë jemi në fakt normale dhe pjesë e shoqërisë – janë në fakt njerëzit më të paafirmuar dhe i përkasin shtresave më të ulëta sociale dhe që i përkasin qytetarëve të dorës së dytë ose të tretë. Ndërkohë, njerëzit që vijnë ke ne, që janë klientë, që kanë mendime shumë herë më perverse nga sa mund të kemi ne, me një mendje më të errët nga ne dhe pjesa tjetër e shoqërisë, që kanë dhe probleme mendore le të themi, mund të jenë bipolarë, psikopatë, sociopatë, në fakt këta janë të mirëafirmuar në shoqëri.

Më vjen shumë keq që ky sistem, domethënë, lejon që njerëz të tillë që dëmtojnë veten e vet’, familje, gruan, fëmijët e vet’, janë dhunues në familjet e veta, të jenë kaq të afirmuar në këtë shoqëri. Dhe thjesht njerëzit që duan të jenë vetvetja, e kanë kaq të vështirë të jenë mirë me veten e tyre dhe të shprehen e të kontribuojnë në shoqëri, pa u shtirur ose pa bërë punë që konsiderohen të rëndomta. Duhet të bëjnë shumë përpjekje për të mbijetuar e për të qenë të padukshëm, jo më të afirmohen si qenie me të drejta të plota dhe të barabarta si pjesë e kësaj shoqërie. Doja shumë ta sillja këtë pikëpamje, sepse ne për klientin jemi një e panjohur dhe gjithmonë një person, tek i panjohuri është vetvetja dhe nuk do ta besosh dot, sesa njerëz të neveritshëm, të paskrupullt, mediokër, pervers dhe të dhunshëm ka kjo shoqëri. Këta dhe një pjesë e mirë e tyre na frekuentojnë ne natën dhe na përbuzin ditën”, numëron shpejt Lola zhbirimet e saj në psikologjinë e njerëzve, me të cilët u duhet të punojë çdo ditë.

“Unë kam takuar dhe hajdutë e vrasës që ma kanë thënë me gojën e tyre që kanë vrarë njerëz, ndërsa unë duhet të kryej punën me ta.

Në fillim ka qenë tronditje psikologjike, por më pas mendon se atë vrasës ti mund ta hasësh në autobus, mund ta takosh në dyqan, e ke në lagje apo komshi…. kështu që dikur u mësova të mos më trondisin më” pohon ftohtë ajo, ku tragjizmi i fjalëve të saj nuk ka tingëlluar kurrë me real.

Sakaq, Bianka rrëfen se në dy vitet e fundit, nuk ka bërë asnjë ditë pushim. 730 ditë të vitit në dispozicion të telefonatave, klientëve, mashtrimeve, dhunës. Edhe përgjatë karantinës, ajo tregon se në Vlorë ka punuar fshehurazi. Shumica nuk ruhej me mjete mbrojtëse dhe shumë syresh frustrimin e shprehnin dhunshëm në marrëdhënie me Biankën.

“Puna jonë është si puna e bursave në call centre. Nga 100 telefonata, vetëm 4 do takosh e do kryesh punë. Ka plot që mashtrojnë. është angari dhe stres më vete. Plus ka raste që vijnë dhe ikin, ndryshojnë mendje, janë të pasigurtë, tallen … duhet të merresh me shumë tipe njerëzish. Plus dhe gjumin kur nuk e bën të rregullt nuk ke dhe nerva. Psh. ndonjëherë më bie të fle në 4 të mëngjesit dhe të zgjohem në 7” thotë Bianka për ritmin e çrregullt të jetës dhe sakrificat që kërkon puna e saj. 

Duket se nuk ka përfunduar, teksa pyet dhe vazhdon të flasë: “Për shembull të të tregoj një rast që më ndodhi tani së fundmi? Pata një rast në marrëdhënie që nga mënyra sesi më prekte më shkaktonte dhimbje, nga flokët, organet gjenitale. I thashë disa herë derisa më në fund e ndërpreva dhe ia ktheva lekët. I thashë urdhëro djalë i dashur unë nuk vazhdoj dot më. Ama këtë nuk e bëjnë dot të gjitha, as unë nuk e bëj dot gjithmonë sepse jemi të kushtëzuara nga qeraja dhe lekët e mbijetesës, prandaj dhe duhet të durojmë edhe kështu rastesh. Madje ua them troç që nuk dua të më prekesh nga fytyra, buzët, të mos më kafshosh… duhet të mësosh të mos bësh kompromis me trupin tënd. Do guxim, do mbrojtje dhe do mbështetje sepse është frikë t’a kundërshtosh e përzësh klientin.Duket se më në fund Bianka u çlirua, derisa dhe vetë e vëren që i përvijohet një buzëqeshje e lehtë habie për guximin e një deklarate të tillë prej saj.   

Të dyja pranojnë se ndihen të pasigurta, për sa kohë industria e seksit është ende e kriminalizuar, ndonëse së fundmi po diskutohet në mënyrë evazive për ndryshime në Kodin Penal. Ato thonë se u duhet menjëherë strehim i sigurtë dhe në mbikëqyrje, çka do të parandalonte dhe problemet me dhunën që ato hasin në përditshmëri, por edhe do t’u duhej të punonin më pak, nëse nuk do të paguanin edhe qiranë që u siguron punën e jetën bashkë. U nevojitet qasje e lirë në strukturat shëndetësore, pasi janë të ekspozuara ndaj sëmundjeve seksuale dhe problemeve të tjera shëndetësore, që lidhen jo vetëm me mungesën e kujdesit për veten por edhe me dhunën e ushtruar në punë. Që të gjitha këto të vijnë e normalizohen zinxhir, duhet që së pari të dekriminalizohet e më pas dhe legalizohet kjo industri.

“Fakti që ky profesion nuk është i rregulluar, konkurrenca bën të vetën dhe bën që ne të mos funksionojmë si komunitet, si grup, por secila për vete. E keqja është se përveç se duhet të ruhemi nga njërëzit e tjerë, duhet të ruhemi dhe nga shoqja. Nuk mund të kesh besim të plotë dot, sepse dhe ajo lufton për mbijetesë, si ti dhe shumë të tjera njësoj. Dhe fundja po more pushim, humbet klientët. Ne nuk e konsiderojmë dot njëra-tjetrën partnere. Nëse nuk funksionojmë si komunitet, ne jemi të humbura, asgjë nuk arrihet vetëm. ” analizon me të drejtë Lola, duke shtruar premisën e organizimit në punë të pamundësuar kësisoj prej kushteve informale dhe të vështira në të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Pasion dhe frymëmarrje

Shumë energji politike harxhohet duke kontribuar për ta obskurantizuar punën e seksit më shumë nga ç’është. Ndërkohë, nevojitet t’i ndihmojmë punëtoret e seksit, që të mos persekutohen më gjatë, duke siguruar për to mundësi jetese alternative, që janë mundësisht edhe më të respektuara se ç’është “angaria” e punës së seksit. Së pari, lipset që të pranojmë ekzistencën e tyre, që të merremi me diagnostifikimin e problemit dhe mëpastaj, zgjidhjen. “Nëse nuk do që punëtoret e seksit ta bëjnë këtë punë, atëherë zemër, punësoji! Punësoji, gjej një zgjidhje për to” ka skalitur në histori një punëtore seksi transgjinore, Kajene Doroshou.

“Unë e di me siguri se në një univers paralel nuk isha punëtore seksi. Kjo punë për mua nuk është zgjedhje, është zgjidhje për mbijetesë. Do të doja të pranohesha në një profesion si gjithë të tjerët; të isha e pavarur dhe e zonja e vetes sime, nuk mendoj këtu luks por komoditet, të ndaja punën nga orët e lira, nga pasionet. Pasi këtu ku jemi, gjithçka është punë, nuk ka pushime. Ti duhet të jesh në çdo orë disponibël. Na janë çorientuar dhe orët e gjumit. Po ashtu dhe do të doja të kisha një marrëdhënie fikse sentimentale, të isha rehat, të dashurohesha, të kisha familje. Pasi puna tani nuk ma lejon këtë, të gjithë janë klientë. Por edhe nëse jo, në këto kushte ku ne trajtohemi si turpe dhe kriminele, nuk mendoj se është e drejtë për dikë që të ketë një të dashur si unë… por edhe është e vështirë tashmë ta mendoj se një djalë normal do vijë të interesohet për më shumë te një punëtore seksi, nuk e di,,, jemi bërë dhe me paranoja. Kjo na e ka ndikuar shumë dhe psikologjinë” tregon Lola për jetën frenetike që i duhet të bëjë në mënyrë që të mbijetojë. Ndonëse ajo ka pasion gazetarinë, flet bukur dhe është e shkathët.

Ndërsa Bianka, ftohtë siç analizon, refuzon dhe të mendojë se ç’mund të bëjë në një botë tjetër. Pafundësisht të largët e të paimagjinueshme për të. “Unë njëherë do të doja të jem 24 orë grua. Të vishem, flas e veproj, siç ndihem. Na nevojitet gjithashtu, të kemi strehim të sigurtë. Por nuk e di tani ta them se a do isha duke e bërë punëtoren e seksit për pasion, se unë kam harruar dhe të ëndërroj… unë me këtë po jetoj tani. Ndoshta në një univers paralel, nuk po them se do zhdukeshin punëtoret e seksit, sepse ka njerëz që e duan dhe e kanë pasion, por me siguri do kishte shumë më pak persona, që do të ishin në këtë treg. Sepse të kufizon dhe të mpin ndjenjat pak a shumë, të bën robot edhe në aspekte që kërkojnë të përfshihesh ndryshe. Jam e sigurt kur e them këtë sepse nëse do na jepeshin tani mundësi, të gjitha në do ishim të tjerë njerëz, me jetë, me gjallëri, me ngjyra… kështu që nuk di si tjetër ta vendos në fjalë atë që ndjej kur mendoj për botën jashtë… ” përmbyll ajo me keqardhjen e gjuhës, që i përcillet dhe në mimikën e hollë të fytyrës. 

Pas ditëve të kaluara në karantinë, Lola thotë se ka filluar të ndryshojë stilin e jetës. Librat dhe filmat, thotë se e ndihmuan të fuqizohet dhe të zbulojë se mund t’ia dalë të ndryshojë pak nga pak kushtet duke u solidarizuar me të singjashmet e saj në këtë industri. “Ne duhet ta nxjerrim veten pak nga pak nga kjo gjendje, që po na përgjum dhe trurin. Po mundohem njëherë me veten, derisa t’ua zgjas dorën një e nga një shoqeve.” thotë me vetëbesim të admirueshëm Lola.

“Dhe në fund zgjodha të jem pjesë e qytetit”, duket sikur thotë ajo, teksa pozon kryelartë, por me duar të djersira përballë kamerës së telefonit tim.

Lola në rrugë.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur