Elife (Eli) Krasniqi është antropologe, aktiviste feministe dhe shkrimtare. Poezitë e saj janë botuar në revista dhe antologji letrare në Kosovë dhe Shqipëri si Antologjia Rome II (2015), Prishtinë; Poeteka (2015), Shqipëri. Po ashtu, poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në revista letrare ndërkombëtare si Beton International (2017), Greqi; Ausreisser (2019), Austri; Transletter (2020), Austri. Në vitin 2010 drama e saj "Citycide" u shpërblye nga Teatri Kombëtar i Kosovës me çmimin e dytë "Katerina Josipi". "Citycide" u botua më 2017 nga Qendra Multimedia dhe së shpejti do të botohet edhe përmbledhja e saj me poezi. Në vitin 2009 Elife (Eli) Krasniqi bashkëthemeloi dhe udhëhoqi (2009 - 2010 dhe 2016 - 2018) Institutin Feminist për Studime në Shoqëri dhe Kulturë "Alter Habitus". Prej vitit 2018 ajo është ligjëruese dhe hulumtuese shkencore në Institutin e Historisë në Universitetin e Graz-it.
më vret jeta këtu, dy duer në fyt
copë-copë ma heqin prej trupi, me fjalë dashunie
në xhep mbahet barazia këtu
trumpeta që jehojnë për liri
me dy kambë ecë absurdi
me rroba të bukura e diskurs të ‘majtë’,
jeta legjitimohet veç nën seksin e një burri
ma kafshojnë jetën këtu, strehën ma rrënojnë
çdo ditë
n’emën të dashnisë
2017