VIRUS I RI, PROBLEME TË VJETRA

ILIRA DRINI

Ilira Drini është aktiviste feministe. Prej vitesh ajo jeton në mërgim prej nga ku kontribuon për çështjet gjinore në Shqipëri e më gjerë në Ballkan, nëpërmjet artikujve shkencorë dhe atyre publicistikë, punë të cilën e kryen nën emrin e saj të vërtetë.

COVID19 shpalosi edhe njëherë pabarazitë sociale, ekonomike, politike, kulturore dhe për pasojë, edhe gjinore, në nivel mbarëbotëror. Fillimisht, u përfol sesi edhe “të pasurit” po prekeshin njëlloj nga virusi, duke qenë se ky i fundit nuk bënte dallim ndërmjet trupave që infektonte. Megjithatë, trupat tanë nuk janë të barabartë në terma të pozicionit tonë ekonomik, social dhe gjeografik. 

Të gjithë ne u bëmë dëshmitarë të faktit, se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mori përkujdesje të menjëhershme, në çastin që ai rezultoi pozitiv me COVID19, jo vetëm që shëndeti i tij të mbahej nën kontroll, por që gjithashtu, ai vetë të mos shfaqej i brishtë në sy të publikut. Ndërkohë, për shtresat e varfra dhe të mesme në SHBA e veçanërisht, komunitetet me ngjyrë, qasja në shërbimet mjekësore vjen e reduktuar dhe me një sërë sfidash sistemore që mbajnë gjallë shtypjen dhe diskriminimin. 

Nga ana tjetër, në Shqipëri, prej marsit e deri më tash, një grusht pasanikësh vijojnë të shpenzojnë shuma të kripura parash me avionë privatë, për t’u kuruar në spitalet italiane apo turke, teksa 99% e shoqërisë shqiptare nuk ka mundësinë as t’i ëndërrojë privilegje të këtilla. Pjesa dërrmuese e qytetarëve hasin vështirësi deri edhe për kryerjen e tamponit për COVID-19 dhe marrjen në kohë të përgjigjjes, çka rëndom ndikon në nisjen e vonë të kurës dhe për pasojë, në përkeqësimin e shëndetit, që për disa njerëz mund të rezultojë fatale. Ndër të tjera, shumë persona që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese dhe që nuk e kanë luksin për të pritur mbi një javë për përgjigjen e tamponit, janë të detyruar të hyjnë në borxh ose ta lënë rrogën mujore në spitalet private, qoftë për t’u testuar apo për të marrë shërbime mjekësore në kohë. 

Pabarazitë strukturore ekzistuese edhe përpara shfaqjes së pandemisë u katapultuan që në javët e para të përballjes me virusin e ri.

Afërmendsh, gratë mbajtën mbi supe peshën e një situate të jashtëzakonshme.

Ndarja e pabarabartë e punëve shtëpiake u thellua edhe më tej në vende të ndryshme, sidomos gjatë periudhës së karantinës. Shumë gra, gjithashtu nëna, u përballën me punën nga shtëpia, teksa njëkohësisht atyre iu desh të përkujdeseshin për fëmijët, të ndiqnin së bashku me ta hapat e zhvillimit të mësimit online, t’i ushqenin, t’i lanin, t’i argëtonin e në anën tjetër edhe të gatuanin e pastronin. Një pjese iu desh të ndiqnin mbledhjet online (për fatlumet që ende mund të përftonin një rrogë) e të vijonin “normalisht” punën e tyre të paguar. E megjithatë, këto gra konsiderohen “të privilegjuara” e problemet e tyre “luks”, krahasimisht masës së gjerë të grave të tjera, të cilat gjatë periudhës së shtetrrethimit në Shqipëri, ishin të detyruara të ngriheshin më herët se zakonisht nga gjumi, për të ecur në këmbë deri në fasonerinë, call center-in apo magazinën ushqimore, ku qenë të punësuara, pasi shteti sikurse punëdhënësi privat nuk u garantuan së paku, as mbulimin e transportit deri te dhe nga mjedisi i punës. Sakrifica për mbajtjen e frymës gjallë për veten dhe familjen vinte me ekspozimin e tyre ndaj virusit dhe po aq, shfrytëzimit të një sistemi që krahun e tyre të punës e shpërblen nën pagën minimale, që zakonisht nuk ofron kurrfarë mbrojtjeje apo përkrahje. Nuk ishin të pakta edhe ato gra të cilat humbën vendin e punës, nën justifikimin e pandemisë dhe përballë detyrës së imponuar të kujdesit ndaj familjes.

Në një shkrim të datës 28 shtator, botuar te “The Guardian”, theksohet pikërisht rritja e shkallës së varfërisë te gratë për shkak të ndërprerjes së aktivitetit ekonomik. Përfaqësuese të UNDP-së apo të të tjera institucioneve, theksojnë se barra e përkujdesjes shtëpiake bie mbi gratë, për arsye se kriza ekonomike rrezikon të prekë më së shumti sektorët e ashtuquajtur “femërorë”.

Një nga sektorët më të prekur për shembull, është ai i punëtoreve shtëpiake (sanitare, kujdestare fëmijësh etj.) që vijnë kryesisht nga vendet dhe shtresat më të varfra. Jo vetëm kaq, por për shumë nga këto punëtore, të cilat janë gjithashtu imigrante, vendi i punës lidhet ngushtë me lejen e qëndrimit në një shtet, ndaj, humbja e tij i vendos këto gra menjëherë në një situatë të brishtë dhe tërësisht të pasigurtë. 

Sektori i punëve përkujdesëse është një ndër treguesit e pabarazive strukturore gjinore.

Në mënyrë që të punësohen ose ruajnë vendin e punës, shumë gra punësojnë të tjera gra për t’u marrë me punët e shtëpisë, apo kujdesin e fëmijëve të tyre. Rolet gjinore nuk transformohen drejt një ndarjeje të barabartë të punëve dhe kujdesit shtëpiak mes grave dhe burrave, por thjesht roli përkujdesës i grave i transferohet një gruaje tjetër, në shumicën e rasteve, migrante ose imigrante. Ky sektor, i cili mbush boshllëkun e lënë nga shteti social është zakonisht informal dhe i pasigurtë. Megjithatë, shumë shteteve u intereson ta lejojnë ekzistencën e një sektori të tillë, dhe shembujt më të afërt i gjejmë në Greqi dhe Itali, ku shumë emigrante shqiptare apo ukrainase plotësuan boshllëqet e lëna nga politikat e mangëta sociale në lidhje me kujdesin për fëmijët apo të moshuarit.

Ndër të tjera, kjo situatë ka prodhuar rëndesë psikologjike për gratë, krahasimisht me burrat, të cilët kishin më tepër kohë në dispozicion për t’u përqendruar te puna apo vetja e tyre, sikurse ilustron edhe anketa e UN Women mbi impaktin socio-ekonomik të COVID19 te gratë dhe burrat në Shqipëri (publikuar në korrik 2020), sipas së cilës gratë ishin shumë më të prekura nga lodhja dhe ngarkesa psikologjike. Anketa tregon gjithashtu, se shumë më tepër gra se burra dhanë dorëheqjen nga puna për t’u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë gjatë karantinës. Sipas UN Women, në Shqipëri, gratë e vetëpunësuara të grupmoshës 45-54 vjeç, ishin ato që e vuajtën më së tepërmi humbjen e punës për shkak të punëve të papaguara shtëpiake. Ndërkohë, kur bëhej fjalë për të zgjedhur për të punuar nga shtëpia apo jo, rezultonte se 51% e grave dhe vetëm 27% e burrave pranonin të punonin në këto kushte, duke arsyetuar se kjo zgjedhje vinte për shkak të kujdesit për fëmijët dhe mirëmbajtjes së shtëpisë. Kjo dëshmi nuk është vetëm specifikë e Shqipërisë, por e të gjitha vendeve të analizuara nga UN Women. 

Teksa një situatë e këtillë do të nxiste pritshmërinë kolektive për marrjen e disa masave nga ana e qeverive, që do të ndihmonin në një ndarje më të barabartë të punëve, në rastin e Shqipërisë, këto pritshmëri hasën në terren të djerrë për disa arsye: 

Së pari, qeveria aktuale në Shqipëri, pavarësisht se vetëidentifikohet si një qeveri “socialiste” ndjek politika thellësisht neoliberale. Jo vetëm që asaj i mungon një vizion dhe strategji e majtë për të menaxhuar krizën, por rolet patriarkale gjinore u legjitimuan edhe më tej nga kryeministri Rama, teksa qarkullimin e qytetarëve në hapësirën publike gjatë shtetrrethimit e e përshkruante (edhe) në VKM zyrtare si “leje për nënat me fëmijët” dhe “leje për burrat”, duke përforcuar kësisoj reduktimin e grave në rolin e tyre amësor/riprodhues dhe izolimin e tyre brenda sferës shtëpiake.

Së dyti, në tri dekada demokracie të çalë, shërbimet publike, përfshirë këtu spitale, shkolla, çerdhe, kopshte, qendra sociale, shtëpi për të moshuar etj., janë shkatërruar duke bërë që shërbimet dhe nevojat të priten apo kërkohen në rrethe të ngushta individuale, jo në hapësira kolektive solidariteti, që ndajnë me njëra-tjetrën peshën e përkujdesjes shoqërore. Fatkeqësisht, ky është një realitet që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Në sisteme të tilla, qeverive iu intereson që barra të bjerë mbi gratë (ato vendase apo emigrante) si për shembull, në rastin e kujdesit ndaj fëmijëve ose të moshuarve, pasi e përkthyer në terma ekonomikë, një gjë e tillë nënkupton kosto shumë herë më të ulët, sesa investimi konkret në programe qeveritare sociale, të rrokshme për 99%-shin e shoqërisë.

Së treti, përpjekja drejt politikave progresive kërkon emancipim të shoqërisë në çdo sferë, përfshirë përmbysjen e marrëdhënieve patriarkale brenda familjes dhe në shoqëri. Padyshim, ndryshime të një natyre të tillë, kërkojnë kohë, durim dhe veprimtari konkrete. Artikulimi dhe reagimi kundër sistemeve ekonomike shtypëse nuk mund të ndodhë pa artikulimin dhe reagimin e njëkohshëm kundër sistemeve patriarkale, pasi ndërthurja mes këtyre sistemeve i ushqen ato veçmazi. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të kuptohet, se çdo përpjekje rezistente ndaj kësaj kandrre tëhuajsuese, është detyrë e përbashkët e grave dhe burrave. Kapitalizmi, sikurse patriarkalizmi, nuk shtypin vetëm gratë, paçka se i shtypin gratë në mënyrë më specifike.

Pavarësisht përpjekjeve emancipuese që kanë zënë fill në Shqipërinë pas viteve ‘90, një mobilizim feminist progresiv nga poshtë ka munguar në historinë e vendit tonë.

Kjo gjë mbart pasoja të atilla shoqërore, që pandemia vetëm sa i shpluhurosi ngapak. 

Arsyeja pse sot vajzat dhe gratë janë të punësuara në të ashtuquajturat “profesione femërore” si infermiere, mësuese, edukatore, arkëtare etj., nuk është pse ekzistojnë njëmend “profesione femërore” në shoqëri, por sepse pabarazia e ndarjes së punës pasqyrohet në strukturën e shoqërisë dhe tregun e punës, po aq sa në familje. A priori, shoqëria e ka më të kollajtë të përfytyrojë gratë në pozita përkujdesjeje, sesa burrat. Ishte pikërisht ky rol që duartrokitej nga ballkonet gjatë karantinës.

Nëse mbyllja e shkollave dhe kopshteve u përballua më së tepërmi nga gratë edhe kriza shëndetësore u përballua prej tyre: ishin gratë ato që e mbajtën mbi supe dhe vijojnë ta mbajnë ende këtë punë, sepse përbëjnë rreth 70% të forcës së punës në shëndetësi dhe në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Në sektorin shëndetësor, numri i grave të prekura nga COVID19 ishte dy-tri herë më i lartë, se ai i burrave. Andaj, do të kishte qenë më e sinqertë dhe vërtetë përkrahëse, nëse duartrokitjet e zjarrta nga ballkonet apo ahengjet e një spektakli bosh dhe absurd do të përktheheshin në kushte pune dinjitoze dhe pagesa më të mira.

Ky sistem nuk lindi me pandeminë COVID-19, por pandemia mund të na ndihmojë ndoshta për të reflektuar mbi të, gjithmonë, me qëllimin për ta ndryshuar atë. 

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur