“Sa do të kushtojë?” dhe “ A e përballojmë dot?” janë pyetjet, të cilat Karolina Kriado Perez i shtron në hyrje të kapitullit kushtuar punës së papaguar në librin e saj “Gra të padukshme – të dhënat e njëanshme në një botë të krijuar për burrat”.
Më shumë sesa zgjedhje e vullnetshme, këto pyetje përvijohen si shigjetime të pashmangshme të mekanizmave të tregut në shërbim të plotë të ruajtjes së status quo-së. Nuk janë të parat pyetje “mbrojtëse” të teknicienëve të ekonomisë, por thuajse të gjithkujt tjetër që i zë gafil përpjekja sfiduese për barazi, pasuar me të tjera pyetje si “Po ku i keni parë ju këto qiqra në hell?” apo “Hë, më thuaj një vend ku ka barazi gjinore të plotë?”.
Për dikë mund të jetë gati-gati interesante – sikur të mos ishte për gjysmën e popullsisë irritues praksisi i pabarazisë – sesi merret e mirëqenë që bota do vazhdojë të ngelet e pabarabartë, vetëm sepse ende nuk kemi shembuj mjaftueshëm, prandaj le të rrimë në vend numëro! Sidomos kur bëhet fjalë për potenciale të ndrydhura historikisht dhe në bashkërendim me mendësi shoqërore arkaike – të rrënjosura deri në atë çka dikur përbën dhe “normat” – për të gjeneruar sa më shumë të ardhura në ekonomi, me sa më pak kosto dhe pavarësisht mjeteve.
Konkretisht, izolimi i grave dhe kontributit të tyre të shumanshëm përbrenda hapësirës shtëpiake, ngërthen si shkaktarë në zanafillë si konservatorizmin shoqëror, ashtu dhe faktorë ekonomikë të një sistemi, të cilit i leverdis që konceptin e pronës private dhe riprodhimit “të trashëgimtarëve” t’ia mirëmbajë një shërbëtore pa pagesë. Mandej, mbi të ngre e përdor struktura të bollshme morale, sa për të siguruar (ri)prodhimin e të njëjtit cikël.
Cikël në vetvete shfrytëzues, që i vyen më së tepërmi rendit ekonomik aktual, duke pasur një shtresë të tërë punëtoresh, që puna e tyre ndonëse prodhon vlerë, as nuk u njihet dhe as nuk llogaritet nëpërmjet mekanizmave ekonomikë si Prodhimi i Brendshëm Bruto. PBB-ja ose GDP-ja përpilohet prej të dhënave të mbledhura për sektorë të ndryshëm dhe përfaqëson vlerën totale të mallrave (sa këpucë janë prodhuar) dhe të shërbimeve (sa vakte janë shërbyer në restorante) që prodhon një vend. Në përllogaritje përfshihen dhe pagesat e shpenzimet tona, si dhe qeveritë e bizneset gjithashtu. Deri këtu, gjitha tingëllon shumë shkencore, por e vërteta është se PBB ka një problem me gruan.*
Formulimi i shifrës zyrtare të PBB-së së një vendi është një proces i qenësishëm subjektiv, shpjegon Dajana Koil*, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Mançesterit. Ajo teorizon se përllogaritja e PBB-së nuk është si të matësh lartësinë e një mali, porse më shumë ky proces i përngjason një cope ëmbëlsire, ku ndërhyjnë gjykime dhe pasiguri të tilla që shkaktojnë boshllëqe të dukshme në të dhënat e përdorura për nxjerrjen e shifrave. “Kur të shihni tituj që proklamojnë se ‘PBB-ja u rrit me 0,3% këtë tremujor’, duhet të kujtoni se pikërisht ky 0.3%-sh është i zhvlerësuar nga sasia e pasigurisë në shifra”, paralajmëron profesorja e ekonomisë. Teksa vijon të shpjegojë prapavijën historike dhe kontekstuale të kësaj përllogaritjeje, ajo qartëson se qëllimi kryesor ishte të kuptohej se sa prodhohej dhe çfarë konsumi duhej sakrifikuar, për t’u siguruar që kishte mjaftueshëm në dispozicion sa për të mbështetur përpjekjen e luftës së dytë botërore. “Për ta bërë këtë ata numëruan gjithçka që u prodhua nga qeveria dhe bizneset dhe kështu, ajo çka bënin qeveritë bizneset u konsiderua si përkufizimi i ekonomisë.”*
Më tej u vu re se kishte një aspekt kryesor të prodhimit që përjashtohej nga ajo që rezultoi të ishte “konventa ndërkombëtare për mënyrën si e mendojmë dhe matim ekonominë”, dhe ky element i munguar ishte pikërisht kontributi i punës së papaguar shtëpiake, si gatimi, pastrimi dhe kujdesi për fëmijët.
Të gjithë e pranojnë se ka vlerë ekonomike në atë punë, thjesht nuk është pjesë e ‘ekonomisë’,” kujdeset të shpjegojë Dajana duke arsyetuar më tej, se kjo nuk është thjesht një mbikëqyrje pas në kohë, por qëlloi të ishte një vendim i qëllimshëm, pas një debati mjaft të fuqishëm që zuri vend asokohe.
Derisa në saje të atyre gabimeve të qëllimshme dikur, vijojmë të kemi ende dhe sot përllogaritje të përçudnuara e jo reale ekonomike të PBB-së.
Po sikur… ta ekspozojmë punën e padukshme?
Vërehet se ndër vite ekzistojnë përpjekje për të përkthyer në të dhëna, punën e kryer në sferën e padukshme dhe të feminizuar shtëpiake. Që në vitet ‘70 kur teoricienia socialiste Shila Robotam* artikulon për sfidat e feminizmit edhe brenda së majtës dhe fillon të hedhë dritë mbi punën e papaguar. Ajo hamendëson dhe skematizon metoda matjeje të kësaj pune “të padukshme”, çka zë fill me orët e punës nga zgjimi i mëngjesit deri në gjumin e darkës. Prej asaj periudhe, pak është bërë për të zhvilluar një teori gjithëpërfshirëse të përllogaritjes së PBB-së, apo zëvendësimit të saj nga ndonjë formulë më barazimtare të dhënash.
Cili është ndryshimi midis gatimit të një vakti në shtëpi dhe prodhimit të softuerit në shtëpi? E para është bërë kryesisht nga gratë, dhe e dyta është bërë kryesisht nga burrat.
Megjithatë, sot, mund të renditim një sërë studimesh e botimesh, që nuk u nënshtrohen logjikës së pamjaftueshme, të pabarabartë (dhe burrërore) të mësipërme, porse propozojnë formula dhe bazuar në studime sasiore e cilësore, kuantifikojnë të dhëna që i qasen më pranë realitetit të punëve të padukshme në shtëpi; orët, koha, përfshirja psikologjike e fizike në proces, si dhe paga për të vlerësuar në ekonomi kohën shoqërore të nevojshme në (ri)prodhimin e këtyre të mirave.
Kështu, për ta ndërlidhur sërish me librin e Karolinë K.P, e cila me rigorozitet mbreslënës dhe profesionalizëm ka mbledhur, dokumentuar dhe ndërthurur dëshmi shoqërore me studime shkencore, për të vërtetuar hendekun e të dhënave në lidhje me dështimin për të matur shërbimet e papaguara të familjes, që përbëjnë mbase hendekun më të madh të dhënave gjinore nga të gjithë sektorët e tjerë. Vlerësimet sugjerojnë që puna e kujdesit (e papaguar) mund të përfshijë deri në 50% të PBB-së në vendet me të ardhura të larta dhe deri në 80% të PBB-së në vendet me të ardhura të pakta. Nëse këtë e faktorizojmë, del se PBB-ja e Mbretërinë e Bashkuar në 2016 ishte rreth 3.9 trilionë dollarë (krahasuar me shifrat e Bankës Botërore “$ 2.6 trilionë), ndërsa PBB-ja e Indisë 2016 ishte rreth 3.7 trilionë dollarë (krahasuar me shifrën e Bankës Botërore prej $ 2.3 trilionë dollarë).
Në 2015, kujdesi i papaguar dhe puna shtëpiake në Meksikë u vlerësua 21% – ‘më e lartë se prodhimi, tregtia, pasuritë e paluajtshme, minierat, ndërtimi dhe transporti dhe magazinimi. Ndërsa një studim Australian zbuloi se kujdesi i papaguar për fëmijët, në fakt duhet konsideruar si Industria më e madhe Australiane që gjeneron (në terma të vitit 2011) 345 miliardë dollarë, ose ‘pothuajse tri herë sa industria e shërbimeve financiare dhe e sigurimeve, industria më e madhe në ekonominë zyrtare. Shërbimet financiare dhe të sigurimeve, nuk zunë as vendin e dytë në këtë analizë; ato u zhvendosën në një vend të tretë nga fundi“ krahasuar me “shërbime të tjera të papaguara në shtëpi”.
Çka me keqardhje mund të vërejmë është se gjithë sa më lart janë vetëm vlerësime, sepse asnjë vend aktualisht nuk i mbledh sistematikisht të dhënat. Dhe kjo nuk vjen sepse mungojnë mënyrat për ta bërë. Pasi mënyra më e zakonshme për të matur sasinë e punës së papaguar, që kryhet prej grave është nëpërmjet anketave të shpenzimit të kohës. Atyre u kërkohet të mbajnë një ditar të lëvizjeve të tyre gjatë gjithë ditës – çfarë bëjnë, ku dhe me kë. Nëpërmjet kësaj forme të gjurmimit të të dhënave – shkruan ekonomistja e mirënjohur Nensi Folbre* – tanimë e dimë se pothuajse kudo, gratë ndërmarrin një pjesë shproporcionale të të gjithë barrës së punës së patregëzuar (lexo: të papaguar jo vetëm në shtëpi, por edhe me orët shtesë në punë), gjithashtu dhe kanë tendencë të punojnë me orë më të gjata se burrat.
Sondazhet standarde të gjurmimit të kohës në punët e shtëpisë, u krijuan kryesisht për të matur aktivitete të qarta si përgatitja e vaktit, pastrimi i shtëpisë ose ushqyerja e një fëmije. Prej kësaj, duket se këto anketa apo sondazhe, shpesh nuk arrijnë të përkthejnë në të dhëna “përgjegjësi” të tjera për gratë, të tilla si detyrimi për të mbajtur një sy hapur për fëmijët, ose të qenit në gatishmëri për një të rritur të sëmurë, ndërsa u duhet të vazhdojnë punën me diçka tjetër. Këto dhe punë të tjera të kujdesit shpesh humbasin brenda të “dhënave personale” dhe “kohës së lirë” – të burgosjes së pavullnetshme prej të qenit grua.
Pra një tjetër boshllëk të dhënash, që afërmendsh shkojnë përtej pamundësisë së matjes, por drejt e në mendësi.
Të qenit grua është barrë e disafishtë dhe sërish, asnjë prej ngarkesave të kësaj barre nuk i ekspozohet botës si problem publik.
Mendësia: Gratë (duhet të) sakrifikojnë!
Nevojat për përkujdesje ndikojnë në aftësinë e grave për të punuar. Kujdestaret gra kanë pothuajse 7- herë më shumë gjasa sesa burrat që të shkurtohen nga puna me kohë të plotë, në të pjesshme. “41% e grave amerikane të moshës nga 55-67 vjeç që kujdesen të papaguara për prindërit e tyre, ulin orët mesatare të punës së tyre, ndërsa 10% e grave amerikane që kujdesen për dikë me çrregullime mendore sistematike, i kanë humbur përfitimet e punës.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 18% e grave që kujdesen për dikë me çrregulllime mendore kanë marrë pushime të shpeshta nga puna, dhe gati 19% prej tyre u është dashur të heqin dorë nga puna për t’u bërë kujdestare me kohë të plotë, sepse detyrat e kujdesit u bënë përparësi. Ndërsa 20% e grave janë transferuar nga puna me kohë të plotë në të pjesshme, krahasimisht me burrat kujdestarë ku vetëm për 3% e tyre kanë pasur ‘fatin’ e njëjtë.”
Jo më kot u ngulitet brezave të rinj mendësia e sakrificës së grave “prej natyre”.
Si zgjidhje, ekonomistja Nensi Folbre propozon që puna e papaguar e grave, jo vetëm të shpërblehet në mënyrë zyrtare, pasi ekzistojnë edhe premisat ekonomike për të ndodhur, por edhe të shkohet përtej.
Ajo teorizon se është domosdoshmëri rritja e punësimit të paguar për gratë (dhe për këtë arsye PBB) duke krijuar në mënyrë aktive vende të reja pune për to jashtë shtëpisë. Gjithashtu, investimi në infrastrukturën sociale (të përkujdesit të fëmijëve, të moshuarve, me aftësi ndryshe etj.,) mund të rrisë punësimin e paguar për gratë dhe të ulë sasinë e punës së papaguar që kryejnë ato. Duke qenë se sektori i kujdesit është (aktualisht) një industri e mbizotëruar nga gratë, shumë nga këto punë të reja do t’u shkojnë atyre, çka rrjedhimisht do të ndikonte dhe në rrijen e PBB-së famëkeqe (deri më tash).
Dëgjojmë shpesh tentativa të shpeshta, por të dështuara, që rreken të shpjegojnë se puna e papaguar që bëjnë gratë ka të bëjë vetëm me raste individuale të grave që kujdesen për anëtarët e tyre të familjes për përfitimet dhe kënaqësinë personale tyret. Nuk është e vërtetë! Puna e papaguar e grave është punë nga e cila varet dhe përfiton shoqëria në tërësi. Kur qeveria shkurton shërbimet publike – për të cilat të gjithë ne paguajmë taksa – kërkesa për këto shërbime nuk ndalon nga hiçi. Puna thjesht transferohet te gratë, me të gjitha ndikimet negative shoqëruese për to si në nivelin e pjesëmarrjes në punë, por rrjedhimisht dhe PBB. Prandaj pra, puna e papaguar që bëjnë gratë nuk është çështje “zgjedhjeje”. Porse është e integruar në sistemin që ne kemi krijuar – dhe po aq lehtë mund të nxirret prej tij.
Siç thotë dhe K.K.Perez: “Na duhet vetëm vullneti për të filluar mbledhjen e të dhënave dhe më pas le ta modelojmë ekonominë tonë sipas realitetit, jo si ëmbëlsirë të gatuar për burrat.”
*Caroline Criado Perez
*Diane Coyle
*Nancy Folbre
Referenca të tjera:
* Invisible Women. Exposing data bias in a world designed for men.
* Po aty, cit.fq 321