RRITJA E MBROJTJES PËR PUNËTORË/ ET DHE TË DREJTAT E TYRE
Situata e pandemisë, ku pushimet nga puna dhe/ose uljet e pagave janë identifikuar nga vetë kompanitë si strategji për t’u përballur me krizën (Albania Investment Council 2020), kërkon masa shumë të forta nga ana e qeverisë për të frenuar sadopak ritmet e rënies ekonomike. Ashtu siç u diskutua më sipër, ulja e pagave në situatë krize, jo vetëm do të rrisë akoma më shumë varfërinë, por do të sjellë një përkeqësim të kërkesës së përgjithshme dhe rrjedhimisht të situatës së punësimit. Për këtë arsye do të jetë shumë e rëndësishme ndalimi me ligj i uljes së pagave dhe rishikimi sa më i shpejtë i pagës minimale, në mënyrë që ajo të luajë rolin e duhur për zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë.
Paga minimale mund ta luajë ketë rol vetëm nëse rritet substancialisht dhe kombinohet me forcimin e institucionit të kontraktimit kolektiv për të siguruar zhvillimin pozitiv të pagave. Duke pasur parasysh dominimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla e të mesme, objektivi duhet të jetë forcimi i kontraktimit kolektiv në nivel sektorial, dhe rrjedhimisht i themeleve të kontraktimit kolektiv: organizata të forta e përfaqësuese të punëtorë/eve dhe të punëdhënës/eve. Më përgjithësisht, kontraktimi në nivel sektorial duhet synuar në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo do të jetë një mënyrë efikase jo vetëm për të hequr mundësinë e konkurrencës përmes uljes së pagave por edhe për të nxitur zhvillimin teknologjik, gjë që do të përshpejtonte transformimin strukturor të ekonomisë. Rritje e veçantë e pagave do të duhet për ata/o punëtorë/e të konsideruar esencialë/e gjatë pandemisë.
Ndërkohë, shteti duhet të ofrojë skema të cilat dekurajojnë aktivisht heqjet nga puna. Këtu mund të eksplorohen skema si ndarje e punës (job sharing) midis dy apo tre punëtorë/eve, apo punë e shkurtuar (Kurzarbeit), ku shteti subvencionon për pjesën e shkurtuar të punës. Kjo është një skemë që ka rezultuar shumë e vlefshme në ruajtjen e vendeve të punës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë gjatë krizës financiare në Europë. Shkurtimi i orëve të punës do të ishte një skemë veçanërisht e përshtatshme kur konsiderohet se punëtorë/et shqiptarë/e punojnë orë më të gjata (42.9 orë/javë) se punëtorë/et në vendet e tjera të Europës (Monitor 2018). Në çdo rast, punëtorë/eve që humbasin vendin e punës, iu duhet garantuar një skemë e plotë mbrojtjeje shoqërore.
Në të njëjtën kohë, shëndeti dhe siguria në punë duhet të mbetet prioritet kryesor duke pasur parasysh që vendet e punës janë bërë shpesh qendra të përhapjes së Covid-19. Ne veçanti, punëtorët/et informalë/e e me kontrata afat- shkurtra kanë më shumë gjasa të punojnë edhe kur mungojne masat e sigurisë, duke qenë kështu më të rrezikuari/at për t’u infektuar nga Covid-19. Këtu nuk flitet për më shumë rregullore, por për gjetjen e formave më të mira për të siguruar zbatimin efektiv të masave të shëndetit dhe sigurisë në punë.
Nga njëra anë, ka një nevojë urgjente për të forcuar Inspektoriatin Shtetëror të Punës, që të sigurohen inspektime masive dhe aplikimi i masave të forta e të menjëhershme për mbrojtjen maksimale të punëtorë/eve. Kjo do të kërkojë rritjen e numrit të inspektorëve dhe forcimin e kompetencave të tyre. Mosrespektimi i masave të sigurisë në punë nga pronarët duhet ndëshkuar si krim. Duke pasur parasysh që ndërmarrjet mikro e të vogla mund të kenë vështirësi për aplikimin e masave shtesë, qeveria do të duhet të ofrojë ndihmë të veçantë për sigurimin e mjeteve të nevojshme të mbrojtjes personale, si edhe për transportin e punëtorë/ eve gjatë pandemisë.
Nga ana tjetër, siç u përmend edhe më sipër, duhet punuar sa më parë drejt një tjetër modeli të sigurisë në punë që ndryshon nga modeli aktual i fokusuar në ndjekjen e rregulloreve (behavioural-based safety), i cili rezulton gjithmonë në deklarimin e punëtorë/ eve fajtorë për aksidentet në punë. Eksperienca botërore sugjeron se modeli më efikas është ai që siguron dhe përfshin punëtorë/et kolektivisht në zbatimin e rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Kështu, këshillat e mbrojtjes dhe sigurisë në punë me përfaqësues të sindikatës ose punëtorë/eve, kur nuk ka një organizim kolektiv në vendin e punës, duhen bërë funksionalë në të gjitha vendet e punës. Këto këshilla duhet të hartojnë protokolle të veçanta për situatën e pandemisë duke përfshirë punëtorë/et në hartimin e rregullave. Ata duhet të evidentojnë punëtorë/et me probleme shëndetësore dhe t’i japin prioritet ruajtjes së shëndetit të tyre. Në të njëjtën kohë, punëtorë/et duhet të kenë të drejtën të refuzojnë punën nëse rregullat e sigurisë në punë nuk respektohen.
Efikasiteti i gjithë këtyre masave, është ngushtësisht i lidhur me krijimin e sindikatave të vërteta dhe demokratike që i japin zë punëtorë/eve në vendin e punës. Në veçanti, shteti shqiptar duhet të sigurojë infrastrukturën e nevojshme shtetërore për të garantuar ushtrimin e së drejtës për sindikalizim dhe kontraktim kolektiv për të gjithë punëtorë/et pavarësisht statusit të punësimit. Kjo infrastrukturë përfshin lehtësimin e procedurave për njohjen e sindikatave në ligj e sidomos në praktikë. Për shembull, numri i nevojshëm i punëtorë/eve për themelimin e një sindikate është shumë i lartë (20), veçanërisht kur konsiderohet dominimi i ndërmarrjeve të vogla e mikro në ekonominë shqiptare.
Gjithashtu, procedura e regjistrimit të sindikatave, veçanërisht përfshirja e noterëve dhe e gjykatës, përbën një barrë të konsiderueshme financiare për sindikatat në formim. Kohëzgjatja e procedurës (60 ditë) është po ashtu problematike. Për më tepër, në praktikë, ka pasur raste kur procedura ka zgjatur nga 100 në 150 ditë, çka për sindikatat e reja mund të vërë në rrezik anëtarësinë themeluese. Në praktikë, gjithashtu, gjyqtarët kanë gjithë lirinë e veprimit për të zvarritur procesin e regjistrimit duke anuluar procedurën për mungesë dokumentacioni.
Në të njëjtën kohë, pjesë e infrastrukturës për garantimin e së drejtës për organizim dhe kontraktim kolektiv është edhe vendosja e masave të ashpra që frenojnë diskriminimin e sindikalistë/eve, si edhe ndërhyrjen në veprimtarinë e sindikatave dhe në procesin e kontraktimit kolektiv. Në veçanti, eksperienca e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës tregon qartazi hendeqet serioze ligjore të cilat lënë vend për shkelje të së drejtës për kontraktim kolektiv
në praktikë. Të gjitha këto masa do të jenë kritike për të siguruar mbrojtjen e punëtorë/eve në kohë krize.
MASA QË SHËNJESTROJNË GRATË NË VEÇANTI
Edhe pse masat e propozuara më sipër do të kenë efekt pozitiv edhe mbi gratë, ka gjithsesi nevojë urgjente për masa të veçanta për to. Ashtu si edhe në vende të tjera, efekti i pandemisë mbi gratë është shumë më i fortë, kjo veçanërisht sepse normat shoqërore i japin atyre barrën më të rëndë për përkujdesje në familje. Është puna e grave e cila, siç tregojnë edhe studime të shumta, subvencionon mungesën e infrastrukturës së nevojshme në shkolla dhe në sistemin shëndetësor. Covid-19 e intensifikoi edhe më shumë këtë punë pa pagesë, ku sipas raportimeve të UN Women Albania, gratë bëjnë 8 herë më shumë punë të papaguar se burrat26. Ky rol i caktuar nga shoqëria për gratë shkon përtej familjes, siç manifestohet edhe nga dominimi i grave në sektorë si shëndetësia, arsimi, punët me karakter përkujdesës ose higjieno-sanitar në banesa, hotele, apo restorante.
Adresimi i këtyre problemeve kërkon masa politike në disa rrafshe, duke filluar nga rroga më të larta në sektorë të dominuar nga gratë, si arsimi dhe shëndetësia. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme aplikimi i orareve të punës më fleksibël për burrat dhe gratë në mënyrë që ata/o të kenë mundësinë të vendosin një ekuilibër më të mirë midis jetës familjare dhe punës. Lidhur me sa më lart, burrat dhe gratë duhet të kenë një numër të garantuar ditësh leje për t’u kujdesur për anëtarët e familjes. Këto ndërhyrje duhen kombinuar me forcimin e infrastrukturës për kujdesin për fëmijët, të moshuarit, dhe për personat me nevoja të veçanta.
Sistemi i sigurimeve shoqërore duhet të njohë kontributin e grave në punën e papaguar të kujdesit për anëtarë të familjes jo vetëm përmes pagesës financiare, por edhe njohjes së kësaj pune për efekt të llogaritjes së kontributeve të pensionit. Përfitimet e shtatëzanisë duhet të mbrojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe leja e lindjes e paguar duhet të lejojë si nënat dhe baballarët të shpenzojnë të njëjtën kohë me fëmijët.
Këto masa do të ndihmojnë në ndryshimin e normave shoqërore që i përcaktojnë grave përgjegjësinë për kujdesin në familje. Masa më të cilësuara (UN Women 2020b) duhen për gratë e dhunuara dhe fëmijët e tyre, për të adresuar kushtet që i mbajnë ato në marrëdhënie të dhunshme gjinore, si papunësia e varfëria.
Shkëputur nga studimi i botuar në nëntor 2020 nga FES: http://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/16878-20201124.pdf
Edlira Xhafa është Drejtore Ekzekutive e Akademisë Online të Global Labour University. Ajo ka përfunduar masterin në Politikat e Punës dhe Globalizimit në Global Labour University (Gjermani) dhe doktoraturën në Studime të Punës në Universitetin e Milanos, Itali. Prej vitit 2000, ajo është angazhuar me lëvizjen punëtore fillimisht në Shqipëri, e më pas në Filipine, Bangladesh, Kamboxhia dhe Burma. Ajo ka punuar në Organizatën Botërore të Punës (ILO) dhe sindikatën ndërkombëtare të arsimit (Education International), si edhe ka bashkëpunuar me sindikatat ndërkombëtare të shërbimeve publike (Public Services International) dhe të ndërtimit dhe pyjeve (Building and Wood Workers’ International).
* * *
Liri Kuçi, bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës “Shota”. Diplomuar në Master Shkencor për “Teori Politike” në Universitetin e Tiranës. Prej vitesh është angazhuar në çështjet gjinore, organizimin studentor dhe atë sindikal si aktiviste feministe. Gjatë studimeve të larta dhe eksperiencës në punë hulumtuese, ajo është thelluar në ligjërimin feminist progresist, fushën e seksualitetit dhe të drejtat e punëtoreve të seksit në Shqipëri. Liria ka punuar si kryeredaktore e medias online “Historia Ime” (2019) dhe një vit më pas, ka shërbyer në pozitën e këshilltares politike, për politikat sociale dhe gjinore në qeverinë e Kosovës në periudhën Shkurt – Qershor 2020.