Elife (Eli) Krasniqi është antropologe, aktiviste feministe dhe shkrimtare. Poezitë e saj janë botuar në revista dhe antologji letrare në Kosovë dhe Shqipëri si Antologjia Rome II (2015), Prishtinë; Poeteka (2015), Shqipëri. Po ashtu, poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në revista letrare ndërkombëtare si Beton International (2017), Greqi; Ausreisser (2019), Austri; Transletter (2020), Austri. Në vitin 2010 drama e saj "Citycide" u shpërblye nga Teatri Kombëtar i Kosovës me çmimin e dytë "Katerina Josipi". "Citycide" u botua më 2017 nga Qendra Multimedia dhe së shpejti do të botohet edhe përmbledhja e saj me poezi. Në vitin 2009 Elife (Eli) Krasniqi bashkëthemeloi dhe udhëhoqi (2009 - 2010 dhe 2016 - 2018) Institutin Feminist për Studime në Shoqëri dhe Kulturë "Alter Habitus". Prej vitit 2018 ajo është ligjëruese dhe hulumtuese shkencore në Institutin e Historisë në Universitetin e Graz-it.
zotin e paç me veti më thotë nana
po unë hyjnitë moti i kam lanë
e pashë që nuk asht zoti
asht burri në tokë
që e krijoi zotin për me më shtypë mue
ku me gjetë një zot që nuk ka gjini
që nuk e shtron pushtetin mbi mue
si një burrë seksist
si një burrë me ego
që kërkon veç atë me adhuru
ose, si një grue burrneshë, që patriarkun e ka përbrendësu
më thotë ‘imani i grues asht shtaga’
më thotë ‘mos e qit kambën mbi kambë se sundon te baba’
më thotë ki frikë zotin e burrin
a ka zot që nuk më vjen si burrë patriark
po t’ishte zoti feminist
kisha me besu.
2013