HASAN HASANOVIÇ: TË JETOSH PËR TË RRËFYER

Intervistoi: Gresa Hasa

Hasan Hasanoviç është i mbijetuar i gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në korrik 1995 teksa enklava e Srebrenicës, nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, iu dorëzua prej këtyre të fundit forcave serbo-boshnjake pa kurrfarë rezistence, më shumë se 8000 djem dhe burra boshnjakë u masakruan në atë që më pas do të njihej si akti më makabër i kryer në Evropë pas Holokaustit. Asokohe, Hasani ishte 19 vjeç. Së bashku me të atin dhe vëllain e tj binjak, atë korrik të përgjakur, 28 vite më parë, ai iu bashkua vargut prej rreth 15 mijë djemsh e burrash në marshin drejt Tuzlës, i njohur më pas si “Marshimi i Vdekjes”. Në një terren të vështirë dhe me një distancë prej 100 kilometrash, civilët boshnjakë qenë nën shënjestrën e vazhdueshme të ushtarakëve serbo-boshnjakë, të cilët nuk hezituan asnjë çast për të qëlluar mbi turmën e paarmatosur të civilëve. Xhaxhai i Hasanit ishte gjithashtu pjesë e marshimit.

Gjatë marshimit, Hasani dhe familjarët e tij e humbën njëri-tjetrin. Megjithatë, Hasani e dinte se vendimi për t’u kthyer pas, në kërkim të vëllait dhe babait, ishte dënim me vdekje. Kësisoj, ai vazhdoi përpara pa u ndalur. Teksa ushtarët serbo-boshnjakë qëllonin mbi turmën e pambrojtur dhe plumbat fshikullonin mes pemëve, ai dhe të tjerë burra ia dolën megjithatë të mbeteshin gjallë edhe për një natë e të fshiheshin përkohësisht në pyll.

Hasani mundi t’i bashkohej pjesës së burrave që kryesonin vargun e marshit vetëm vonë, në mbrëmjen e datës 12 korrik. Marshimi drejt Tuzlës vijoi të nesërmen me pjesën e mbetur tashmë të refugjatëve. Mirëpo forcat serbo-boshnjake sulmuan sërish, duke i marrë jetën me mijëra vetëve vetëm në një ditë. Hasani ishte ndër të paktët fatlumë.

Të dërrmuar nga lodhja, uria dhe etja, burrat ia dolën të mbërrinin gjallë në luginën e Baljkovicës. Atje iu desh të prisnin derisa të pushonin të shtënat mes një pakice burrash myslimanë të armatosur dhe palës serbo-boshnjake. Me t’u vendosur armëpushimi, Hasani dhe të mbijetuarit e tjerë kapërcyen në territorin e lirë të Zvornikut prej nga ku, pas pesë ditësh e gjashtë netësh ecje, u transportuan në Tuzla. Prej 15 mijë djemve dhe burrave, vetëm Hasani dhe 3500 vetë të tjerë mbijetuan. I ati, vëllai i tij binjak dhe xhaxhai nuk patën të njëjtin fat. Trupat e tyre u gjetën vite më pas, mes shumë të tjerëve, në varre masive. Hasani mundi ta varroste të atin në varrezën e Qendrës së Memorialit të Srebrenicës vetëm në vitin 2003 dhe në 2005, ai u rikthye atje sërish për të varrosur edhe eshtrat e vëllait binjak.

Hasani u zhvendos përfundimisht në Srebrenicë në vitin 2009. Ai është drejtor i Programit të Historisë Gojore në Qendrën e Memorialit—punë të cilën e konsideron detyrë dhe po aq një përvojë katartike. Ai ka krijuar një familje të tijën tashmë dhe është i bekuar me një vajzë të vogël. Intervistën më poshtë e zhvilluam virtualisht, përmes një telefonate me video, ndërmjet Vjenës dhe Srebrenicës, në prill 2023.

Gresa Hasa: Si ishte për ju jeta në Jugosllavi, përpara luftës?

Hasan Hasanoviç: Gjatë periudhës së Jugosllavisë, bashkëjetonim nën idenë e unitetit dhe vëllazërisë. Identiteti jugosllav ishte më i fortë se përkatësia etnike çka krijonte stabilitet dhe harmoni mes grupeve të ndryshme shoqërore. Jeta nën sistemin jugosllav nuk ishte domosdoshmërisht e keqe, pavarësisht limitimeve që vinin me formën e regjimit. Njerëzit ishin të punësuar. Fshati im (Sulice, Bosnjë dhe Herecegovinë) ishte i vogëlth por i civilizuar. Padyshim, që atje mbizotëronte një mentalitet disi më konservator se në zona të tjera të vendit por fundja, si në çdo fshat tjetër, njerëzit edhe këtu kishin tendencën të ishin disi më paragjykues se normalisht e po aq, të përfshiheshin më shumë në jetët e njëri-tjetrit.

Fëmijëria ime ka qenë e lumtur.

Jam mbrujtur në një mjedis paqësor dhe të dashur, së bashku me vëllain binjak dhe vëllain e vogël. E ndanim shtëpinë me gjyshërit. Kujtoj orë të tëra pune në fusha. Kishim kaq shumë pemë frutore, veçanërisht kumbulle. Pavarësisht se pjesa dërrmuese e kohës kalonte me punë, puna shërbente edhe për t’u socializuar, përtej kohës që kalonim të gjithë bashkë në vatrën familjare apo me bashkëfshatarët e tjerë.

Megjithatë, më duhet të pohoj se dikur, në fillimet e adoleshencës, më ishte krijuar përshtypja se s’do të largohesha kurrë nga ai fshat dhe kjo ide më trishtonte sepse kisha një kuriozitet të pamatë për të parë botën. Gjithsesi, sot, teksa kthej kokën pas, dëshiroj që vajza ime të ketë mundësinë ta përjetojë sikur edhe shkurtimisht atë lloj jete. Lirinë, sigurinë dhe paqen që e karakterizonte deri kur paqja na u vodh…

Kur ndryshuan gjërat?

Lufta apo gjenocidi nuk ndodhin papritur e papandehur. Janë disa stade që çojnë deri në atë ekstremitet kriminal.

Vdekja e Titos në 1980 erdhi me një rivitalizim të nacionalizmit në Jugosllavi. Ndërsa Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë nisi të shkërrmoqej, dolën në pah interesa të menjëhershme ekonomike dhe politike. Fundja, kush do ta merrte pushtetin?

Nga perspektiva boshnjake dhe si boshnjakë myslimanë, ne ishim të vetëdijshëm se një periudhë e ndërlikuar historike po fillonte, e atillë që do të na vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën tonë.

Nacionalistët serbë erdhën në pushtet duke advokuar interesa shumë eksplicite dhe përjashtuese, përmes një gjuhe urrejtjeje dhe dehumanizuese. Ndër të tjera, ushtria jugosllave ishte plotësisht nën kontrollin e Sllobodan Millosheviçit.

Kur nisi lufta, unë ndodhesha në Srebrenicë. Pothuajse i gjithë territori lindor i Bosnjës dhe Hercegovinës ishte i pushtuar nga forcat serbo-boshnjake, të cilat ishin të asistuara dhe të udhëhequra nga Beogradi, nën tutelën e Millosheviçit. Të vetmet hapësira rezistente ishin tri enklavat e Srebrenicës, Zhepës dhe Gorazhdes. Ne rezistuam në Srebrenicë për rreth një vit, duke mos qenë të pajisur me armë, duke mos pasur thuajse asgjë. E kur rezistenca u bë e pamundur, Kombet e Bashkuara u përqëndruan aty, duke i cilësuar këto tri vendodhje “zona të sigurta”.

Gjatë kësaj periudhe, Srebrenica u mbipopullua. Kishte kaq shumë njerëz dhe pak ose gati aspak burime për të mbijetuar. Njerëzit po vdisnin urie. Unë isha me fat sepse familja ime ia dilte të garantonte të paktën një vakt në ditë për t’u ushqyer, për shkak të punës sonë në fusha dhe rezervave që kishim grumbulluar. Megjithatë, ne e ndanim vaktin me të tjerë, me sa mundeshim. Është e pamundur të mos e ndash bukën e gojës me tjetrin në ato kushte. Është detyrë madje! Janë këto çaste solidariteti që na veçojnë si qenie njerëzore. Për mua, ky është edhe një prej kujtimeve më mbresëlënëse nga ajo kohë. Shtëpia jonë ishte e mbushur me kavanozë reçeli molle. Më kujtohet një ditë kur ime ëmë zgjodhi që njërin syresh t’ia dhuronte fqinjëve, në vend se thjesht ta ndante atë me ta. “Ata kanë një foshnjë të vogël”, më tha. “Kanë më shumë nevojë se ne.”

Lufta është dëshpëruese. Jo vetëm që nuk ke asgjë por nuk ke as qasje në gjërat më bazike. Janë pikërisht këto ndërveprime, në dukje të vogla, që bëjnë diferencën dhe krijojnë shpresë. E shpresa është kusht për mbijetesë.

Prania e Kombeve të Bashkuara krijoi gjithashtu njëfarë shprese mes boshnjakëve por shpejt kjo shpresë u zëvendësua nga zhgënjimi dhe tmerri, pasi forcat serbo-boshnjake u lejuan prej tyre të merrnin në dorëzim të ashtuquajturat “zona të mbrojtura”, në të cilat mbi 8000 djem dhe burra u masakruan, përfshirë këtu vëllain tim binjak, tim atë dhe xhaxhain, trupat e të cilëve u degdisën në varre masive, që autoritetet serbe u munduan t’i fshihnin. Më duhet të sjell në vëmendje këtu, një mik të mirë timin: Ramiz Nukiçin. Ramizi ndërroi jetë vitin e shkuar. Ai kaloi vite me radhë duke kërkuar skeletet e të vrarëve nëpër pyje. I vetëm, ai ia doli të mbledhë me duart e tij mbi 300 pjesë skeletore, që i përkasin trupave të djemve dhe burrave të ndryshëm, që u masakruan nga forcat serbo-boshnjake.

Këtyre burrave të pafajshëm nuk iu garantua kurrfarë mbrojtjeje nga Kombet e Bashkuara. Përkundrazi, ata iu dorëzuan forcave gjenocidale të Ratko Mlladiçit. Familja ime e hodhi në gjyq qeverinë hollandeze për këtë arsye. Ne e fituam atë gjyq por jetët e vëllait, babait dhe xhaxhait nuk na i kthen dot asnjë kompensim gjyqësor.

Si ka ndihmuar rikthimi në Srebrenicë dhe puna me Memorialin, për të ballafaquar përvojën tuaj me të shkuarën?

U riktheva përfundimisht në Srebrenicë në 2 shkurt 2009. Jetoj këtu prej 15 vitesh tashmë, që prej përfundimit të luftës. Janë të shumta arsyet se pse ndodhem këtu sot.

Im vëlla, im atë dhe xhaxhai im u vranë këtu, bashkë me shumë miq të mitë. Unë doja që njëfarësoj, të shndërrohesha në zërin e tyre. Njëkohësisht, dëshiroja të kontribuoja në kujtesën kolektive, duke u kujdesur që kjo tragjedi të kujtohet gjithmonë drejtë.

Fillimisht, ka qenë shumë e vështirë për të folur. Të mbijetuarit kanë tendencën që të mos e ndajnë atë që kanë pësuar, atë që iu ka ndodhur… Kanë frikë prej saj sepse kjo është e frikshme. Trauma është një peshë kaq e rëndë saqë ata/o hezitojnë ta ndajnë atë. Mua më ndihmoi tejmase puna si kurator në Qendën e Memorialit. Iu dedikova asaj për 11 vite. Atje kam takuar me qindra dhe mijëra njerëz. Çdo ditë, teksa ndaja pak e më pas, pak më shumë e gjithnjë e më shumë me ta, të folurit u bë më i lehtë, më i natyrshëm. Zbulova se diçka e tillë ishte terapeutike për mua dhe nuk e kisha ditur se kësisoj isha duke ndihmuar veçanërisht veten.

Viteve të fundit jam duke punuar si drejtues i Programit të Historisë Gojore në Qendrën e Memorialit. Qëllimi është të ofruarit e edukimit përsa i përket çështjeve si gjenocidi, spastrimi etnik, gjuha e urrejtjes etj. Së bashku me skuadrën time bëjmë gjithçka duke nisur nga filmimi i dokumentarëve, përkthimi, transkriptimi i materialeve etj. Gjatë punës sonë kemi përfshirë edhe ndihmën profesionale psikoterapeutike si praktikë dhe jemi munduar ta promovojmë atë si një shërbim që njëmend ndihmon sepse mund ta lehtësojë dhimbjen dhe të ofrojë mekanizma për ta përballuar atë më mirë.

Trauma nuk zhduket ndonjëherë. Ajo qëndron gjithnjë me ty por me të mund të bashkëjetohet ndryshe.

Përpara disa muajve, iu dedikova një interviste tuajës me organizatën e të drejtave të njeriut “Aegis” ku ndër të tjera ju theksuat se “nuk bartni ndenja hakmarrëse për çfarë ju ka ndodhur”. Kjo më risolli në mendje shkrimtarin dhe kimistin italian Primo Levi, i mbijetuar i Aushvicit, i cili flet për të njëjtën mungesë hakmarrjeje në librin e tij “A është vallë njeri?”. A do të kishit mirësinë ta elaboroni më tej këtë çështje?

Besoj se një ndjesi e tillë ka të bëjë ndoshta me mënyrën e edukimit, kulturën por gjithashtu fenë. Kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve i kontribuon njëfarësoj kësaj ndjenje. Ne boshnjakët i kemi mbijetuar shumë gjërave përgjatë historisë, pushtimeve, masakrave, gjenocidit. Nuk morëm kurrë hak si shoqëri për padrejtësitë që na u bënë.

Hakmarrja nuk është pjesë e kulturës sonë. Edhe sikur të ishte, unë nuk besoj te hakmarrja por te drejtësia.

Kam kaluar shumë kohë duke e bluar këtë gjë vetmevete. A do të doja unë të shndërrohesha në një kriminel? Të bëhesha si ata që na shkatërruan dhe morën jetën? Apo do duhet që të mbroj të njerëzishmen brenda meje, siç edhe kam bërë?

Unë e kam bërë zgjedhjen time, për të qëndruar një qenie humane, pavarësisht gjithçkaje.

Mbi të gjitha, çfarë do të mendonte im atë, vëllai im, xhaxhai im, shokët e mi, të gjithë këta burra të pafajshëm që u vranë në gjenocid? Kush do të donin ata që unë të isha? Ia bëj këto pyetje vetes gjatë gjithë kohës dhe gjykimin e tyre e konsideroj më të lartë se çdo moral tjetër.

Rruga e paqes, e dashurisë, në vend të asaj të urrejtjes, nuk është veçse rruga ime por edhe e të mbijetuarve të tjerë. Kjo është edhe rruga e nënave të Srebrenicës, që kanë treguar forcë, guxim dhe një karakter të pashoq në përpjekjen e tyre për drejtësi. Ato janë një shembull për t’u ndjekur anembanë botës.

Po të mos ishte për këto gra, gratë e Srebrenicës, unë nuk do të isha duke folur me ju këtyre çasteve, Memoriali nuk do të ekzistonte, gjenocidi nuk do të ishte identifikuar si i tillë.

Të gjitha këto kanë ndodhur me vullnetin e hekurt dhe përkushtimin e këtyre grave dhe nënave, të cilat nuk hoqën kurrë dorë. Kjo meriton kërkim më vete.

Ne të gjithë duam të provokojmë ndryshim. Çështja është si të mbërrijmë drejtë tek ai realiteti i shumëdëshiruar, ku mbizotëron paqja dhe dashuria. Unë dua të besoj se kësisoj, pas vitesh e vitesh punë, mbase diçka po ofrojmë në këtë drejtim.

Jam e mendimit se ju jeni duke kryer një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht, në një kontekst ku mohimi i gjenocidit është ende pjesë e diskursit politik në rajon.

Nuk më surprizon mohimi i gjenocidit nga Republika e Serbisë dhe satelitët e saj. Nuk është asgjë e re. Është pikërisht i njëjti mentalitet, që e shkaktoi gjenocidin. Trashëgimia e Millosheviçit për Serbinë e Madhe vazhdon të jetë projekt politik i Serbisë. Presidenti Vuçiç ishte Ministër i Informacionit gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit, gjatë kohës që boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët po masakroheshin prej forcave serbe. Ndaj gjenocidi mohohet, minimizohet, shndërrohet në diçka që nuk ndodhi kurrë, pavarësisht faktit që ne jemi gjallë pikërisht për të vërtetuar të kundërtën.

Kriminelët e luftës vijojnë të gëzojnë pushtet ende sot. Në Serbi, ata ftohen në media për të analizuar aktualitetin politik, shesin libra nëpër panaire etj. Atyre u garantohet hapësira publike vetëm për ta helmuar më tej atë, për të helmuar mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kjo nuk ndodh rastësisht por me bekimin e regjimit të Vuçiçit.

Serbia s’është ballafaquar ende me të shkuarën e saj. Prej këtu burojnë të gjitha problemet (edhe) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë e tjetërkund në rajon.

Koha në të cilën jetojmë mbetet e trazuar… Nuk e di nëse diçka do të ndryshojë. Duhet të ndryshojë sepse nëse nuk ndryshon, e ardhmja jonë është e pasigurtë për të gjithë ne. Ajo që ne pamë dhe përjetuam këtu në vitet ‘90 mund të ndodhë sërish.

Si ndiheni kur sot në Bosnjë dhe Hercegovinë përballeni me të njëjtën retorikë fashiste, me të njëjtin ultranacionalizëm? Kujtoj këtu manifestimet publike fashiste në Prijedor, në 2022, glorifikimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të tjera ngjarje të ngjashme.

Ekziston një term që quhet “viktimizim për së dyti” ose e shprehur ndryshe: ritraumatizim i të mbijetuarve. Kjo gjë ndodh me ne në mënyrë të rregullt. Këto nuk janë raste të izoluara. Iu ndodh grave që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës. Ne mund të flasim gjatë për këtë, ndoshta në një bisedë tjetër por do të ripërsëris se ajo se çka po ndodh aktualisht në Serbi ka një ndikim të madh këtu. Praktika politike e Beogradit transferohet këtu përmes një atmosfere të dhunshme, përçarëse dhe armiqësore.

Si bashkëjetues në këtë rajon dhe pjesëtarë të shoqërisë njerëzore, çfarë mund të bëjmë më mirë për ta ballafaquar këtë të keqe që shfaqet në formën e mohimit të gjenocidit, ultranacionalizmit, glorifikimit të simboleve fashiste dhe kriminelëve të luftës?

Secili prej nesh mund të bëjë aq sa mundet për të ndërgjegjësuar të tjerët, pjesëtarët e familjes së vet, fqinjët, kolegët në punë, të njohur e të panjohur. Nevojitet edukim i vazhdueshëm, mësim dhe me raste çmësim të ideve fikse dhe përçarëse që na kanë ngulitur në kokë. Gjithashtu, nevojitet më shumë komunikim, më shumë shtrim urash dhe ndërveprim mes nesh. Një ndër punët që kryejmë te Memoriali është edhe të mbajturit shënim të rasteve të mohimit të gjenocidit në rrjetet sociale dhe të luftuarit e keqinformimit.

Si e shihni të ardhmen në Ballkan?

Do të doja shumë të isha optimist por e kam të vështirë. Mos më keqkuptoni, unë jam thuajse gjithmonë optimist. Po të mos isha, s’do gjendesha këtu sot, veçanërisht, në këtë hapësirë gjeografike. Megjithatë jam i mendimit se nëse gjërat vazhdojnë të mos ndryshojnë, e ardhmja do të jetë e zymtë dhe kjo më frikëson. Sidomos kur mendoj për brezin e ri dhe sesa të papërgatitur janë shumica e tyre në rast se e shkuara përsëritet.

Mendoni se ekziston njëmend mundësia që e shkuara të përsëritet?

Patjetër që mundësia ekziston. Përpara se të fillonte lufta në Ukrainë, patëm diskutime të shumta këtu në Srebrenicë, nëse një luftë tjetër mund të na përfshinte sërish edhe ne. Pata menduar se në jetën time, nuk do të ekzisonte kurrë më, asnjë realitet, as i hamendësuar, për një tjetër mundësi lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë. Por shqetësimet e mia, shqetësimet tona, janë konkrete. Mjafton të vëreni zhvillimet e fundit politike në Bosnjë.

Nëse Ukraina nuk ia del ta mbrojë dot veten, rreziku është i lartë edhe në Ballkan. Nëse Ukraina del fituese nga kjo luftë, që e uroj me gjithë zemër, do të jemi mirë edhe ne këtu.

__________________________

©

Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur