1997, NJË VËSHTRIM FEMINIST

Bashkëbisedim me Elvira Dones

Intervistoi: Gresa Hasa

Skemat piramidale në vitet e para të tranzicionit në Shqipëri, zëvendësuan dhunshëm ëndrrat për liri të shoqërisë, që sapo ishte çliruar nga kthetrat e diktaturës socialiste. Stalinizmi Enverist rezultoi të ishte regjimi më i ashpër totalitar në bllokun (jug)lindor. Me rënien e perdes së hekurt, në vend të kamjes, gjindja humbi edhe ato pak plaçka, që ia doli të siguronte nën një sistem, i cili nuk i ofroi shumëçka tjetër veç terrorit.

Legalizimet e apartamenteve dhe shtëpive, manifestimi i parë i jetës tashmë në kontekstin e ri, ku prona private ishte realitet i njëmendtë dhe jo ëndërr kolektive, nuk u gëzuan gjatë për shumëkënd, që i humbi ato te “fajdet”. Organizimi i jetës së re politike, etja për pushtet dhe mundësitë që ofronte tashmë kjo “terra nova” e pas diktaturës, sollën krahas krijimit të partive të reja edhe krijimin e grupeve të para kriminale, ku vija ndarëse mes njërës dhe tjetrës, dikur do të vagullohej derisa të mos shquhej dot më.

Lufta për pushtet solli konkretisht luftë nga e cila me mijëra qytetarë shqiptarë mbetën të vrarë. Ishte koha kur shteti ra në duart e bandave; kur, ditës me diell, vajzat tërhiqeshin prej flokëve nga bankat e shkollës dhe degdiseshin në gomone, që i trafikonin ato në brigjet italiane; kur përdhunimi u normalizua dhe shndërrua në rutinë.

Ndërtimi i shtetit–kartel ku Shqipëria ka degraduar deri më sot u krye veçanërisht mbi trupat femërorë, që u shndërruan në fushëbetejat e lojës perverse të patriarkatit.

Flitet pak ose aspak për 1997 në Shqipëri. Plagët mbeten të hapura sepse nuk ka patur asnjëherë përpjekje serioze në nivel institucional dhe shoqëror për t’i mbyllur ato. Kryesisht sepse ata që e shkaktuan 1997 vazhdojnë të jenë në pushtet ende sot.

Shkrimtarja, regjisorja dhe producentja Elvira Dones zgjodhi ta sfidojë këtë heshtje të imponuar përmes botimit të romanit “Yjet nuk vishen kështu” dhe të tjera projekte dedikuar kërkimit të drejtësisë për të gjitha vajzat dhe gratë shqiptare, që u trafikuan drejt Evropës. Një dëshmi e mizorisë së atyre viteve, që i jep zë të gjitha vajzave dhe grave, së cilave jeta iu shkatërrua ose iu mor padrejtësisht nga kriminelë të përkrahur nga shteti shqiptar dhe po aq nga shpërfillja e autoriteteve italiane. Elvira i ngre nga varri këto gra, që rezistuan me dinjitet deri në çastin e fundit. Ajo iu vë atyre emër, iu jep zë dhe i shndërron papritur në karaktere, me të cilat në një çast apo një tjetër, qëllon të kemi shkëmbyer udhë.

Elvira ka dokumentuar jetët e grave të trafikuara, ka transkriptuar bisedat reale me to dhe privaten e tyre e ka sjellë në formë proteste në agoran tonë publike. Ajo na ka ftuar në një reflektim kolektiv, duke na nxitur që jo vetëm të flasim për ‘97, por të kërkojmë drejtësinë e vonuar për të. Bisedën më poshtë e zhvilluam virtualisht, një pasdite prilli drejt Zvicrës, ku Elvira jeton dhe punon prej më shumë se tri dekadash tashmë.

Gresa Hasa: Si erdhi në jetë romani “Yjet nuk vishen kështu?”

Elvira Dones: Unë nuk doja ta shkruaja atë libër. Ndërsa ‘97 po gatuhej dhe nuk kishte ditë që gazetat zvicerane, italiane dhe franceze të mos raportonin për vajzat e trafikuara shqiptare dhe tmerrin, që e kishte gllabëruar Shqipërinë, unë ndodhesha në Zvicër. Punoja në televizion asokohe dhe kujdesesha për dy fëmijët, që i kisha në rritje. Pavarësisht faktit që përpiqesha ta mbaja veten sa më të zënë, në punë dhe shtëpi, si një mënyrë për t’iu arratisur dhimbjes që më shkaktonte situata në Shqipëri, e kisha të pamundur t’i injoroja lajmet.

E gjeja vazhdimisht veten duke prerë titujt dhe tekstet e gazetave ku flitej për horrorin, që po pësonin vajzat shqiptare. Nuk e dija se ç’do të bëja me këto materiale. Mendoja që dikush duhej të shkruante për këtë gjë. Thjesht nuk e kisha menduar që do të isha unë ajo që do të shkruante… Deri kur një ditë, në 1996, më mbërriti një letër në derë nga një grua shqiptare, nënë e një vajze. Nuk jam e sigurt se nga e kishte gjetur ajo grua adresën time të shtëpisë. Ndoshta nga ndonjë e njohur apo familjar imi. Nuk e mësova dot asnjëherë.

“Shumë e nderuar shkrimtare,” niste letra e zonjës në fjalë, një adresim që më rrëmbush ende sot. “Ti që je një njeri i rëndësishëm atje jashtë në botë, ndoshta më ndihmon. Më kanë rrëmbyer vajzën, përpara katër muajsh, përpara gjimnazit. Quhet Laura. Kjo është fotografia e saj. Kam shkuar në polici por policia nuk po bën asgjë. Unë atje jashtë në botë nuk njoh asnjë njeri. Ti që je një njeri i rëndësishëm andej, të lutem, më ndihmo që të gjej vajzën time!”

Brenda në zarf gjendej fotografia e së bijës. Ajo letër më ka mbetur vragë në shpirt ende sot. Diçka ngacmoi tek unë. Nuk mund të heshtja më. Nuk mund të mos shkruaja. Isha vetë nënë. Nisa të lëviz gurët, duke vrarë mendjen se ç’mund të bëja. Si mund të ofroja ndihmë në kushtet ku ndodhesha? Po të mos e kisha marrë atë letër, sipas të gjitha gjasave, nuk do ta kisha shkruar atë libër.

Kësisoj, iu riktheva copëzave të gazetave që kisha prerë dhe nisa të shkruaj. Një proces i llahtarshëm, që më ndau në dysh emocionalisht dhe mendërisht. Gjatë ditës shkoja në punë, ndërveproja me koleget e kolegët e mi, të cilët më pyesnin vazhdimisht mbi situatën në Shqipëri. Më pas, kthehesha në shtëpi, përgatisja darkën, vendosja në gjumë fëmijët dhe në fund, ulesha të shkruaja mbi vrerin, që po rridhte prej Shqipërisë.

Bocën e parë të atij libri e kam shkruar pa u ndalur për 78 netë. Ishte njëfarë procesi katartik. Pasandaj, për muaj me radhë nuk e preka më me dorë. Ndieja se kisha nevojë të pastrohesha.

Megjithatë, denoncimi për trafikimin e vajzave dhe grave shqiptare nuk u përmbyll tek ajo bocë fillestare e librit “Yjet nuk vishen kështu”. Disa vite më vonë, ju u angazhuat për prodhimin e dokumentarit “Cercando Brunilda” (“Duke kërkuar Brunildën”) për radiotelevizionin zviceran RSI (“Radiotelevisione della Svizzera Italiana”). Si ndërlidhen dokumentari dhe libri?

Dokumentari e ka zanafillën gjithashtu te një letër. Kësaj here ishte një burrë, i cili u vu në kontakt me mua, përmes një mikeshës sime në Shqipëri, duke më dërguar fotografinë e së bijës e të tjera të dhëna për të. Gomonja në të cilin kishte përfunduar e bija ishte mbytur. Megjithatë, ky burrë nuk donte kurrsesi ta besonte që e bija nuk jetonte më. “Brunilda ime është notare e shkëlqyer”, thoshte. “S’ka mundësi që Brunilda të jetë mbytur. Ajo do të kishte notuar për të dalë në breg.”

Në këtë mënyrë, “Duke kërkuar Brunildën”, ishte një përpjekje për të lidhur fijet, për të mësuar rrugëtimin nëpër të cilin kishte kaluar Brunilda, që më ktheu deri në Zvicër. Kolegu im, asokohe producent në televizionin ku punonim së bashku, kishte mësuar prej bashkëshortit tim se unë kisha shkruar një libër mbi temën e trafikimit të vajzave dhe grave shqiptare dhe shfrytëzimin e tyre si skllave seksi në Itali. Ndaj, një ditë, më sugjeroi që t’ia nisja punës për xhirimin e një dokumentari investigativ dhe kështu filloi gjithçka…

Kolegët e mi italianë në fushën e drejtësisë, sikurse punonjës/e socialë/e e të tjerë persona gjatë rrugës, më ndihmuan që ta materializoja dokumentarin.

Nëpërmjet Brunildës, tregova historitë e shtatë vajzave të tjera shqiptare të trafikuara, me njërën prej të cilave, A.I., jemi tashmë mikesha.

Kur nisa punën investigative nuk isha e sigurt nëse do ia dilja vërtetë të vihesha në kontakt me vajza dhe gra, që do të pranonin të flisnin me mua. Natyrisht, këto takime më vonë ndodhën në kushte të jashtëzakonshme dhe nën tmerrin e këtyre të rejave nga kriminelët, që i shfrytëzonin.

Libri dhe dokumentari ndërlidhen në atë që të dyja këto projekte, veçanërisht libri, janë një përkthim i këtyre rrëfimeve që unë mblodha, të ripërpunuara më pas letrarisht dhe të integruara në libër.

Dokumentari u nominua në 2004 për çmimin për gazetarinë televizive italiane “Ilaria Alpi”. Ndërkohë, çfarë ndodhi me librin, që kishte mbetur në hije?

Zgjodha që t’i rikthehesha librit dhe përktheva vetë, me italishten time të asaj kohe, së cilës i mungonte rrjedhshmëria dhe saktësia e tanishme, rreth 30 faqe, me qëllimin që t’ia dërgoja shtëpisë botuese italiane “Feltrinelli”. Bashkëshorti im ishte skeptik kur mësoi për këtë gjë, gjithnjë duke u nisur nga fakti se “Feltrinelli” është një ndër shtëpitë më të mëdha botuese në Itali dhe ai dyshonte se unë do të mund të merrja ndonjëherë një përgjigje prej tyre. Prandaj, më këshilloi që t’ia çoja përkthimin një tjetër shtëpie botuese në Itali, më të vogël por gjithsesi prestigjioze dhe e cila botonte kryesisht libra për Ballkanin.

Nuk hoqa dorë nga “Feltrinelli”. Megjithatë, bocën e përkthyer ua dërgova të dyja shtëpive botuese. “Feltrinelli” m’u përgjigj brenda 10 ditëve. Ata ishin të interesuar për ta botuar librin tim dhe të gatshëm që të vinin të më takonin në qytezën ku jetoja. Ishte mundësia ime që më në fund, zëri i këtyre vajzave të jehonte. Libri më pas u botua dhe u përkthye në disa gjuhë.

Puna juaj letrare dhe gazetareske rreth temës së pasojave që lufta civile në 1997 pati, veçanërisht te vajzat dhe gratë shqiptare, përbën një denoncim të fuqishëm të atyre krimeve makabre. Kujt i drejtohet ky denoncim?

Shtetit shqiptar por edhe atij italian. Qeverive që pasonin njëra-tjetrën në Shqipëri, pa garantuar asnjëherë një alternativë, në pamundësi për të ofruar ndryshim. Opozitës. Institucioneve të drejtësisë.

Shqipëria udhëhiqet nga një forcë politike jo serioze e kam frikë se kjo është mënyra më me edukatë për t’iu referuar atij pushteti. Unë nuk gëzoj respekt për asnjërën palë.

Nuk pati kurrë një “mea culpa” nga shteti ynë për të analizuar plotësisht atë që ndodhi në 1997, me qëllimin për të vënë drejtësinë në vend.

Padyshim, që diçka e tillë të ndodhë, nevojiten politikanë me integritet por në Shqipëri, tutorët e djeshëm u shndërruan në biznesmenë të shkathët, që ditën të blinin e të financonin fushatat elektorale të sërës, që sot banon parlamentin e Shqipërisë.

Për aq kohë sa këta kriminelë lihen jo vetëm të lirë por gjithashtu nuk zhvishen nga pushteti ekonomik dhe politik që gëzojnë, një pushtet, tentakulat e të cilit i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, zor se ne si shoqëri dhe veçanërisht të gjitha ato vajza dhe gra, trupat e të cilave u përdorën për të ndërtuar kapitalin e shtetit shqiptar gjatë tranzicionit, do të mund të përftojmë shpagimin e merituar.

Shqipëria ka njerëz të jashtëzakonshëm, të cilët vazhdojnë të rezistojnë me dinjitet. Megjithatë, këta të fundit nuk janë ende një forcë e fuqishme politike. Do të doja shumë t’i shihja, më në fund, qytetarët tanë të organizuar, në një forcë të fuqishme politike, që e sfidon njëmend këtë pushtet, i cili e ka fundosur dhe vazhdon ta fundosë më tej Shqipërinë. Por unë jam e vetëdijshme për sfidat që e shoqërojnë jetesën në Shqipëri dhe i kuptoj sidomos ata që në një çast zgjedhin të mbledhin plaçkat e t’ia mbathin nga sytë këmbët, në pamundësi për të mbijetuar më tej. Është vërtetë gjunjëzuese të dëgjosh deri edhe qytetarët në moshë më të shkuar, të thonë teksa largohen nga vendi se “kudo tjetër është në fakt më mirë sesa aty”. Ky është dështimi më i madh i qeverisë në pushtet sot dhe opozitës, që kontribuon po aq në intensifikimin e autoritarizmit në vend. Kjo është përgjigjja e vetme e pyetjes se në ç’gjendje ndodhet Shqipëria. Asnjë propagandë, sado e sofistikuar, nuk e mbulon dot të vërtetën e dështimit të shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të vet. Mbi të gjitha, Shqipëria nuk i ka bërë ende llogaritë me komunizmin, lëre më deri kur të mbërrijë te ‘97 e çka ndodhur pas ‘97.

Keni patur ndonjëherë mundësi për t’u njohur gjatë punës suaj me Adelina Sejdinin, aktiviste e të drejtave të njeriut, gjithashtu e mbijetuar e trafikimit dhe dhunës seksuale gjatë ‘97?

Fatkeqësisht, jo. Me Adelinën u njoha, si shumë persona të tjerë, përmes lajmit të largimit të saj nga jeta. Do të kisha dashur ta njihja. Adelina zgjodhi të çonte përpara drejtësisë kriminelët që e trafikuan atë dhe shumë vajza e gra të tjera si puna e saj.

Ajo ishte një aktiviste e pashoqe, e cila nuk e fshehu asnjëherë identitetin e saj, në përpjekjen për të ndihmuar kaq shumë të reja sidomos nga Shqipëria, Ballkani dhe Evropa Lindore, të cilat përfunduan rrugëve të Italisë dhe tejendanë Evropës nga përbindësha, të etur për gjak, pushtet dhe para. Megjithatë, shteti shqiptar dhe ai italian, së bashku me institucionet e drejtësisë, nuk patën as minimumin e integritetit të Adelinës; të empatisë, të dashurisë së saj për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe drejtësinë. Të dyja këto shtete e lanë atë në baltë, pasi e shfrytëzuan.

Këto shtete u sollën me Adelina Sejdinin si dy tutorë të radhës.

Adelina e bëri të pamundurën të mundur me aktivizmin e saj, me zërin e saj. Na takon ne tashmë që ta çojmë përpara luftën e saj për drejtësi. Mikesha ime A.I., njëra nga shtatë gratë që i kontribuoi dokumentarit “Në kërkim të Brunildës”, ende sot kur më takon në Romë, sa herë që shkoj, më kërkon që në kafenenë apo restorantin ku do të ulemi, të zgjedhim një tavolinë larg syrit kurioz të publikut, të atij që mund ta identifikojë dhe riekspozojë tek ish-tutorët apo klientët e saj.

Adelina na mësoi të gjithave rëndësinë e lirisë. Ajo e kuptimësoi kolektivisht konceptin e lirisë së gruas, nevojën e pakompromis për një realitet ku askujt të mos i duhet të fshihet më nga frika apo turpi sepse turpi është damkë vetëm e agresorit.

A mendoni se ka ardhur koha që një lëvizje e ngjashme me #MeToo, që nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të solidifikohet edhe në Shqipëri?

Nuk dua të tregohem pesimiste përsa i përket Shqipërisë. Ai vend është i bekuar me vajza dhe gra inteligjente, të guximshme, që marrin gjak në vetull kur i thonë, e të cilat rregullisht viteve të fundit e kanë rifituar me forcat e tyre vendin që u takon në hapësirën publike, duke u bërë njëkohësisht shembull për çdo vajzë e grua tjetër, veçanërisht ato të periferive kur vjen puna tek organizimet shoqërore.

Megjithatë, vajzat dhe gratë në Shqipëri janë të braktisura nga shteti, i cili rastet e dhunës i përkëdhel, në vend se t’i ndëshkojë.

Aktivizmi është i vlefshëm por ai ka nevojë për një vesh, që ta dëgjojë, për një ndërgjegjje, që t’i përgjigjet me veprime të njëmendta.

Unë kam besim te guximi dhe forca e vajzave dhe grave në Shqipëri. Duke parë sesi ato rregullisht i kanë zëvendësuar institucionet shtetërore kur vjen puna te çështje të përkujdesjes, një barrë kjo padyshim, që reflekton dështimin e shtetit, besoj që dikur do ia dalin jo t’i zëvendësojnë por t’i banojnë siç u ka hije, institucionet më të larta shtetërore në vend, për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë, që nën sistemin shtypës ekonomik e patriarkal nuk ka gjasa të manifestohen.

__________________________

©

Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur