“Ne zgjedhim të emigrojmë”, shprehet me njëfarë shkujdesjeje njëra nga mikeshat e mia teksa diskutojmë në një qytet multikulturor, të zhurmshëm dhe jo aq të lehtë, si Parisi, mbi krizat që kanë kapluar botën së fundmi. “Nëse unë zhvendosem matanë oqeanit e bëj këtë vetëm sepse kam dëshirë të njoh një sistem edukimi ndryshe dhe nëpërmjet tij, një shoqëri e kulturë tjetër”, vijon ajo e bindur në argumentet e saj.
Më kredhin në mendime këto fjalë.
Si mund të jetë emigrimi zgjedhje?
E kam të vështirë ta pranoj këtë qëndrim dhe përpiqem të kuptoj pse. Ndoshta të mbrujturit në një shoqëri ku krizat e njëpasnjëshme ekonomike dhe politike, shpesh nuk u kanë lënë qytetarë/eve asnjë rrugë tjetër veç mërgimit, sikurse gjendja e vazhdueshme jo e stabilizuar e një familjeje punëtore si imja, më ndikojnë aq sa emigrimin të mos e shoh dot si fenomen të romantizuar.
Në perspektivën time ekziston një dallim mes të qenit “emigrante” dhe “flâneur”. Emigrimi mbart në vete dramën e pamundësisë për të zgjedhur. Shumë njerëz emigrojnë për t’i shpëtuar rrezikut që u kanoset prej luftës, urisë apo në përgjithësi varfërisë e skamjes. Shumë emigrojnë për një jetë më të mirë, jo domosdoshmërisht për të shuar kureshtjet kulturore.
Shqiptarët/et e viteve ‘90 emigruan fillimisht për t’i shpëtuar terrorit të diktaturës e më pas, konfliktit të armatosur të vitit 1997. Në vazhdimësi, thellimi i krizës ekonomike, rënia në skamje e shumë familjeve që s’kishin më asnjë mundësi për të qenë të mbrojtur e për të siguruar të drejtat e tyre bazike si punën, ushqimin e strehimin, bëri që shumë vetë t’i masnin me sy detrat e Mesdheut e të kalonin kufij të padukshëm, vetëm e vetëm që të mund të shkelnin në tokën “e premtuar” europiane… Aty, ku besohet shpeshherë, në mënyrë krejt naive, se e drejta e jetës dhe trajtimi si qenie njerëzore të dinjitetshme garantohen pa vështirësi.
Emigrantët/et nuk janë të gjithë/a njëlloj, paçka se të gjithë/a mund të kenë emëruesin e përbashkët të “tjetrit/ës” apo “të të huajit/ës”. Disa përkasin në kombësinë “e duhur”, fenë “e duhur”, grupin etnik “të duhur”, gjininë “e duhur”; ata/o flasin gjuhën “e duhur” dhe ngjyra e tyre e lëkurës, ashtu si dhe statusi shoqëror dhe ekonomik i tyre janë “të duhurit”. Disa janë a priori të pranueshëm, madje të dëshirueshëm, “flâneur” modernë të sistemeve socio-ekonomike që i shërbejnë pakicës, statusit sipëror, parasë, idesë së rreme të mirëqenies. Të tjerët, emigrantët/et, janë qenie të çuditshme që mbartin probabilitetin për t’iu “vjedhur punën”, vendasve. Ata/o janë “kriminelë/e” ose “terroristë/e”. Ata/o duhen “zbutur” e nënshtruar; atyre u duhet bërë i qartë vendi në shoqërinë “e dytë” ose do të kthehen andej nga kanë ardhur…
Europa, ne shqiptareve, pas një sërë peripecish, na ka pranuar si emigrantë/e, që “të duhur” mund të kemi ndoshta vetëm ngjyrën e lëkurës krahasimisht me të tjerë qytetarë të botës, të cilët ikin e vijnë, por kategoria ku jemi profilizuar qysh në krye të herës është padyshim, ajo “e gabuara”, jo për fajin tonë, por për shkak të diskriminimit, racizimit dhe stereotipeve konservatore, që i mbajnë ende gjallë strukturat e vjetëruara europiane edhe karshi vendeve kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së, si Shqipëria.
Vras mendjen, nëse pagat në Shqipëri do t’u ofronin qytetarëve një jetesë të bollshme, ku frutat në tavolinë nuk janë luks; ku shkollimi nuk çon në borxh një familje të tërë por ai u garantohet njëlloj të gjithëve, pavarësisht statusit të tyre ekonomik dhe shoqëror; ku shërbimi shëndetësor është falas, profesional dhe i njerëzishëm; ku në vend të betonizimit të hapësirës publike për egon e pangopur të një grushti pushtetarësh, investohet në fakt, në gjelbërim, lule dhe ajër të pastër; ku zgjedhjet janë vullnet i popullit e manifestim i një demokracie që rritet dita-ditës, jo lojë dashakeqe mes bandave partiake, në kurrizin tonë… Nëse pra, Shqipëria do të punonte vërtetë për të garantuar një shtet social mbi themele të forta demokratike, a do të iknin shqiptarët/et e veçanërisht të rinjtë, në masë kësisoj? Sipas gjasave, jo. Por Shqipëria ka kohë që qytetarë/et e veta i trajton, siç bëjnë qeveritë e djathta me emigrantë/et në Europë dhe kompromisi ku dikush e gjen veten dikur në kohë është pikërisht ky: emigrant/e në tokë të huaj apo emigrant/e në tokën amë?
Unë u largova, si shumë të rinj e të reja shqiptare, pas provës së dështuar dhe tëhuajsuese të studimit në Universitetin e Tiranës, ku kostoja e shkollës së lartë dhe ajo e jetesës ishin të papërballueshme, pavarësisht punës me kohë të plotë, edhe fundjavave.
Kërkoja dhe ende kërkoj, jo vetëm që të përmbush nevojat ekzistenciale të miat, por që veçanërisht të gjej një perspektivë mbi të ardhmen, që në Shqipëri më mungonte e që, nuk e kisha durimin, metodën e veçanërisht luksin për ta krijuar vetvetiu. Bursa e shkollimit dhe jetesës në një qytet të botës së parë, krahas punës herë me kohë të plotë e herë me kohë të pjesshme, më ka ndihmuar që të fitoj kohë, kohë për të ribalancuar ambiciet, dëshirat dhe sigurinë në jetën time, me pengun e përhershëm për të kontribuar nga një pozitë tjetër në Shqipëri. Mbase, fill tani, duke ofruar një përvojë të shëndoshë për atë se si universiteti mund të bëhet.
Fillimi i pandemisë më gjeti midis Italisë dhe Francës. Fillimisht u integrova në Universitetin e Triestes nëpërmjet bursës së programit Erasmus+, në një kohë kur Italia po përjetonte një tragjedi të përmasave të jashtëzakonshme sa i përket fataliteteve njerëzore për shkak të COVID19. Megjithatë, atje sistemi arsimor i konsoliduar nuk la vend për kaos dhe panik në botën akademike. Universiteti na krijoi menjëherë kushtet për t’iu përshtatur programit virtual duke nisur nga pyetja kyç: nëse ne gëzonim mjetet për një ndryshim të tillë të befasishëm të mësimbërjes. Patëm garancinë që asnjë prej nesh të mos mbetej pa një mjet mësimor ( kompjuter ose tabletë). Vetëm pas tejkalimit të këtij ngërçi potencial, mësimi rrodhi normalisht. Provimet u kryen dhe njohuritë u filtruan, u testuan dhe u përqafuan siç do duhej. Improvizimi i menjëhershëm u përballua profesionalisht e në përputhje si me kapacitetet universitare, ashtu dhe me pritshmëritë e studentë/eve, pavarësisht sfidës botërore me COVID19.
Nga ana tjetër, Universiteti në Francë ku do të zhvendosesha në semestrin pasardhës, ruante një kontakt të vazhdueshëm me mua dhe studentët e tjerë, duke u interesuar se ku po qëndronim atyre çasteve, nëse kishim një vend të përshtatshëm dhe mjaftueshëm resurse për të përballuar izolimin; nëse posedonim mjetet informatike të posaçme për procesin e ri mësimor dhe nëse situata aktuale po na ndikonte psikologjikisht dhe emocionalisht. Ndër të tjera u njoftova se universiteti ofronte ndihmë financiare mbi kriteret sociale të studentëve/eve të tij, që nuk e përballonin dot për shembull, një kompjuter, tabletë apo lidhjen e internetit. Njëkohësisht, zyra e sigurimeve shoqërore më kontaktonte rregullisht për të më pyetur nëse kisha nevojë për ndonjë seancë psikologjike.
Gjithashtu, universiteti brenda mjediseve të fakulteteve, është i pajisur me mjekë/e, psikiatër/e, psikologë/e, infermierë/e dhe punonjës/e sociale. Nga ana tjetër, strukturat universitare ofrojnë edhe qasje në çdolloj sporti. Gjatë karantinimit, qendra e sportit u vendos në gatishmëri nëpërmjet rrjeteve sociale, për të na ofruar ushtrime sportive online. Ndërkohë, shoqata të ndryshme u mobilizuan për t’u ofruar ushqim e të tjera lehtësira studentë/eve, të cilë/at nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe kryesisht studentëve/eve të huaj/a.
Aktualisht ndodhem në Francë dhe në karantinë prej disa javësh.
Që nga shtatori e deri më tani, kemi zhvilluar leksione dhe seminare totalisht në prezencë, me mbajtje strikte të maskave, me dezinfenktues të disponueshëm në hyrje të fakultetit, të bibliotekës dhe të mensës. Studentë/eve me bursa ekonomike u ofrohen maska falas dhe çmimi i një dreke të bollshme për ta është vetëm 1 euro. Mbi të gjitha, pas një lufte të gjatë për të pasur tamponë dhe peceta higjenike falas nëpër universitete, vajzat dhe gratë franceze tashmë e kanë fituar këtë të drejtë jo vetëm për vete, por rrjedhimisht dhe për të gjitha ne, që në fakt do të kemi të njëjtat përfitime prej shkollimit në këto institucione. Po ashtu, sigurimet shëndetësore studentore ofrojnë rimbursime.
Nga ana tjetër, duke qenë se kjo emergjencë shëndetësore u bë shkak për intensifikimin e dhunës në familje në mjaft raste, qeveria franceze krijoi një platformë për të komunikuar me shërbimet sociale në mënyre diskrete dhe të sigurtë. Po ashtu, aplikacioni App Elles lejon të dërgohet një mesazh ndihme, shoqëruar me pozicionin GPS dhe një foto të marrë automatikisht nga telefoni. Nuk mbaron me kaq, pasi gratë dhe vajzat viktima të dhunës mund të japin një sinjal dhe në farmaci.
Për të gjitha këto arsye dhe më shumë, gjatë një karantinimi të radhës, unë ndihem e qetë. E në rast kontakti me persona të infektuar nga virusi, e di se nuk do të paguaj as për testin dhe as për mjekimin.
Ndihem se jam pjesë e një fakulteti, ku çdo student/e ka rëndësi, ku shërbimet administrative dhe pedagogë/et përgjithësisht janë të sjellshëm/e e të gatshëm/e për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje dhe cilësdo problematikë që mund të has.
Gjatë verës u ktheva në Shqipëri, ku sërish pashë e përjetova keq sakrificat që kalojnë shoqet e mia me arsim të lartë tashmë, por pa perspektivë, si punëtore rastësore butiqesh ose skllave kompanish telefonike që i nënpaguajnë. Dëgjova prej tyre për një sistem gati të kolapsuar arsimor, jofunksional përgjatë periudhës së karantinës dhe ende tanimë, gjatë pandemisë e cila si duket do të na bashkëshoqërojë për goxha gjatë dhe që në këtë rast premton të prodhojë breza të mangët në formimin akademik e për pasojë, të pakualifikuar për tregun e punës. Në mos, sa syresh janë detyruar ta braktisin shkollën e lartë për shkak të pamundësisë ekonomike; për shkak të tarifave kaq të larta, më të lartat në rajon, që kërkohen të paguhen edhe kur mësimi është krejt i pamundur të zhvillohet. E bashkëndjeva vuajtjen, trishtimin dhe demoralizimin e tyre.
Teksa kjo gjendje mund të duket si përvojë e lënë pas në rastin tim është në fakt, një përvojë që më shoqëron ngado, një peshë që s’do të doja ta mbartja, por që nuk kam mësuar ende si ta shkarkoj apo si të bashkëjetojë me të.
Unë emigrova si studente, në rrugë akademike, ligjërisht dhe nëpërmjet atyre që konsiderohen “programe shkëmbimi” nga vetë BE-ja, programe që përzgjedhin mes të shumtëve që kërkojnë të prehen në gjirin e Europës.
Emigrova se nuk m’u duk të kisha zgjedhje tjetër.
Emigrova sepse nuk pashë asnjë zgjidhje, përpos maturimit intelektual në institucione të shëndosha akademike, si mënyrë për ta integruar këtë përvojë më pas, në një të ardhme të afërt, në shoqërinë shqiptare që një ditë, të gjitha vajzat e kësaj shoqërie, ato që s’mund t’i kapërcejnë kufijtë shtetëror si unë, të mos arratisen në institucione jashtë universitetit, si martesa e detyruar ose braktisja e shkollimit, për të mbijetuar e vetëm mbijetuar…