PANDEMIA PATRIARKALE

MIRISHAHE SYLA

Mirishahe Syla është studiuese e çështjeve gjinore. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës në vitin 2014 për Shkenca Politike dhe studimet Master në University of Northern Iowa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka studiuar mbi Gjinitë dhe Gratë. Aktualisht është e angazhuar si Këshilltare për çështje Gjinore dhe si konsulente në projekte që adresojnë të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës në bazë gjinore. Dekonstruktimi i gjinisë si konstrukt social dhe shtjellimi i normave gjinore në kontekstin e Kosovës është interesi i saj i veçantë. Fusha të tjera me interes për Mirishahen janë ekofeminizmi, feminizmi në kontekstin rural, studimet mbi maskulinitetin dhe sesi kjo lidhet ne normalizimin e dhunës, feminizmi transnacional dhe feminizmi i ndërthurur. Mirishahja beson fuqishëm se dija feministe përpos në akademi, prodhohet në rrugë përmes praktikës feministe dhe se feminizmi si teori dhe feminizmi si lëvizje, jo vetëm që e plotesojnë njëra-tjetrën, por edhe mund të mbijetojnë vetëm duke u zhvilluar si të pandara.

Dhuna ndaj grave gjatë pandemisë është vetëm simptomë; sëmundja është dhuna patriarkale.

Dhuna ndaj grave e shkaktuar nga burrat ndodh brenda një sistemi shoqëror shtypës të quajtur patriarkat. Përderisa sistemi patriarkal në origjinat e tij njihej si një strukturë organizimi në komunitet, ku udhëheqja i takonte burrit më të vjetër të fisit. Përgjatë valës së dytë të lëvizjes feministe, ky definicion u zgjerua nga aktivistja dhe teoricienia feministe Kate Millet në librin e saj Politika e Seksit të vitit 1970, duke shpjeguar shtypjen e institucionalizuar të të gjitha grave prej burrave. Patriarkati, pra u paraqit si një institucion politik që legjitimon dhe e mirëmban këtë shtypje që bëhet në emër të një identiteti, kryesisht atij gjinor

Sot, përderisa shumica e shoqërive në botë janë akoma patriarkale, dhuna ndaj grave aq sa shkaktohet si pasojë e këtij sistemi, po aq dhe e mirëmban atë. Shtypja dhe dhuna stukturore ndaj grave brenda këtij sistemi ndodh në forma të ndryshme. Për të kuptuar pozitën e tyre, ne duhet t’i analizojmë të gjitha këto forma të dhunës; atë fizike, seksuale, verbale, emocionale dhe ekonomike, si të ndërthurura. Në këtë mënyrë mund të analizojmë dhe të kuptojmë më mirë pozitën e grave dhe të identiteteve të tjera gjinore, që mbeten dytësore në krahasim me burrat.

Roli i grave në zhvillimin shoqëror e ekonomik: Dhuna në këtë kontekst

Kur flasim për zhvillimin shoqëror, që lidhet ngushtë me zhvillimin ekonomik, fokusi kryesisht bie në atë çfarë ndodh në domenin publik; puna e paguar jashtë shtëpisë, prodhimi i mallrave dhe posedimi i mjeteve për prodhimin e këtyre mallrave, janë njëkohësisht dhe ndër faktorët kryesorë të mënyrës sesi e masim zhvillimin ekonomik. Këto terrene të dominuara nga burrat përbëjnë numrin më të madh të punëtorëve që prodhojnë mallra, si dhe numrin më të madh të atyre që posedojnë mjetet e prodhimit dhe burime të tjera materiale, që do të duhej të shpërndaheshin barazisht mes të gjithë individëve në shoqëri.

Rrjedhimisht, puna që bëjnë burrat dhe hapësira që okupojnë ata shërben si matësi i vetëm i zhvillimit ekonomik e shoqëror. Jashtë këtyre përllogaritjeve mbetet riprodhimi shoqëror, që ndodh kryesisht në domenin privat; puna e papaguar, riprodhimi i jetës së fuqisë punëtore që mundëson prodhimin e mallrave, puna e kujdesit që mundëson ekzistencën e punës në domenin publik, të gjitha këto aktivitete me rëndësi jetike në zhvillimin shoqëror e ekonomik ngelen të ngujuara në domenin privat, ashtu siç mbeten dhe gratë si bartëse të barrës më të madhe për kryerjen e këtyre aktiviteteve. Mosllogaritja e kontributit të grave në zhvillimin shoqëror e ekonomik, jo vetëm që u pamundëson atyre qasje të barabartë me burrat në të mirat publike dhe përfitim nga puna e tyre – duke e dobësuar kështu fuqinë e tyre ekonomike dhe duke i bërë ato të varura nga burrat, të cilët kanë qasje në burimet e të ardhurave dhe përfitojnë prej punës së kryer – por edhe i vendos gratë në një pozitë më të ulët shoqërore në krahasim me ta.

Puna që bëhet në domenin privat, riprodhimi social, është me rëndësi të veçantë në mendimin dhe aktivizmin feminist, sepse e kategorizon punën në shtëpi; përfshirë përkujdesjen për të tjerët, përgatitjen e ushqimit, pastrimin e të tjera, si punë në vetvete dhe jo si zgjatje e natyrshme e rolit të gruas si amvisë apo nënë. Kontribut në njohjen e punës në shtëpi si punë më vete, ka dhënë sociologia Ann Oklej, e cila e ka prezantuar idenë e ekzaminimit të punës në shtëpi si punë që duhet të lokalizohet në kontekst më të gjerë ekonomik, social, e politik. Kur analizojmë punën në shtëpi, në këtë kontekst vërejmë gjithashtu përse ngarkesa e grave me këto punë, në fakt ndikon në përcaktimin e rolit dhe pozitës së tyre socio-ekonomike në shoqëri. 

Puna në shtëpi duket se e ka humbur vlerën, meqenëse nuk është përkthyer në terma ekonomikë dhe rrjedhimisht, kjo punë nuk është konsideruar produktive për ekonominë, ndryshe nga ç’ndodh jashtë shtëpisë. Paskëtaj, ndarja në punë të kryera në shtëpi dhe jashtë saj, gjë që ka ndodhur sidomos si rrjedhojë e revolucionit industrial, ka mundësuar një ndarje edhe më të thellë gjinore, e cila vihet në pah sidomos në kohë krizash siç po ndodh aktualisht me pandeminë. Kjo ndarje ka mundësuar krijimin e raporteve jo të barabarta mes atyre që mbizotërojnë në domenin publik,  të cilët janë burra, teksa gratë  kufizohen në domenin privat. Raport ky që reflektohet pastaj edhe në mundësinë që burrat të përdorin dhunën ndaj grave; fizike, seksuale, verbale,  emocionale e ekonomike, si mënyrë për ta mirëmbajtur këtë raport shtypës.

Edhe në këtë kohë krize,  puna që në fakt paguhet jashtë shtëpisë u kalon si përgjegjësi grave, pa pagesë. Sërish edhe pse gratë kanë rolin kryesor në ofrimin e shërbimeve esenciale në kohë të tilla, puna e tyre sipas standardeve te PBB-së konsiderohet si joproduktive, madje siç e thotë ekonomistja feministe Merlin Uoring në një ligjërim të sajin, në terma ekonomikë, gratë në shtëpi konsiderohen të jenë “në pushim”.

Edhe në kohën kur nuk përballemi me kriza të tilla, gratë bëjnë punë shtëpie më shumë se burrat.

Me nevojën e shtuar për punët e kujdesit shtohet edhe puna e grave. Kështu shtohen edhe pritshmëritë ndaj tyre e bashkë më to dhe presioni, që gratë të vazhdojnë ta mirëmbajnë jetën në domenin privat

Nuk mund të flasim për zhvillim shoqëror e ekonomik, duke llogaritur vetëm atë çka ndodh në domenin publik e duke anashkaluar punën e riprodhimit që bëhet në domenin privat, ku siç nënvizon dhe Titi Bataçarja, për të gjitha ato punë që kryhen para orës shtatë në mëngjes dhe pas orës pesë në mbrëmje. Po njësoj nuk mund të flasim për pozitën e grave dhe dhunën ndaj tyre gjatë pandemisë, pa folur për pozitën dhe dhunën strukturore e sistematike ndaj tyre para pandemisë. Ashtu siç është puna që bëhet në domenin privat, që e mundëson zhvillimin e atij publik, po ashtu është dhe shtypja ndaj grave para pandemisë, që çon në shtypjen e tyre edhe përgjatë saj. Dhuna e burrave ndaj grave, që ndodh kryesisht në domenin privat përbën edhe një mjet më shumë që shërben për të mirëmbajtur pushtetin e burrave dhe për të nënshtruar gratë. Prandaj, për të analizuar dhe problematizuar dhunën ndaj grave gjatë pandemisë, së pari duhet kuptuar dhuna paraprake dhe e vazhdueshme.

Vëmendja në hapësirën private, në shtëpi, përgjatë pandemisë ka krijuar momentin e nevojshëm, që në diskursin publik të shpërfaqet ajo që ndodh në shtëpi si çështje me interes të veçantë për organizimin shoqëror dhe vetë përballjen me pandeminë. Në këto kohë është me rëndësi që të tentojmë të përcaktojmë dhe ridefinojmë raportin e grave me domenin privat, e po njësoj edhe raportin e burrave me të, raport ky, i cili  ende vazhdon të jetë autoritar. 

Gratë, për të cilat domeni privat nuk është i panjohur, pasi në shumicën e kohës ato janë të ngujuara aty dhe pandemia i gjen në një pozitë më të ulët socio-ekonomike në krahasim me burrat, për të cilët domeni privat në të shumtën e rasteve mbetet i panjohur. Raporti i burrave me këtë hapësirë mbetet kryesisht autoritar; burrat e shohin veten si autoritet në domenin privat për shkak të fuqisë së tyre në domenin publik, kurse raporti i grave me këtë domen mbetet ai i nënshtrimit, sepse përkundër faktit se ato mundësojnë mbarëvajtjen e jetës në këtë hapësirë, si dhe atë jashtë saj, ato gjithsesi nuk përfitojnë nga puna e tyre. Koha dhe puna e tyre merren si të mirëqena, për shkak të normave gjinore shtypëse, që përcaktojnë se gratë janë të vetmet përgjegjëse për punën e riprodhimit social në përgjithësi. Prandaj themi se burrat, të cilët përbëjnë numrin më të madh të atyre që ushtrojnë dhunë ndaj grave, gjatë pandemisë detyrohen që nga një terren i njohur për ta, nga ai publik, të kthehen në terrenin e panjohur për ta, në atë privat. Pikërisht brenda këtij terreni, dhuna ndaj grave normalizohet, sepse dhuna brenda domenit privat e ushtruar nga burrat mbi të gjitha shërben si mënyrë për të mirëmbajtur pozitën dominuese të tyre, pozitë të cilën tashmë e gëzojnë në domenin publik. Ajo që ndodh gjatë pandemisë është përplasje mes dy kategorive, njëra që shtyp dhe tjetra që shtypet, të dyja shkaktuar para pandemisë. 

Realiteti i grave para pandemisë: Rasti i Kosovës

Gjysma e popullsisë në Kosovë janë gra. Nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë në vitin 2011, numri i përgjithshëm i popullsisë ka rezultuar të jetë 1.739.825. Prej tyre 863.925, apo 49.6% janë gra. Sidoqoftë, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në jetën publike dhe shpërndarja e të mirave materiale nuk e reflekton këtë përbërje të popullsisë. Burrat janë ata që dominojnë jetën publike përmes pjesëmarrjes në politikbërje, në tregun e punës, mbizotërim që reflektohet nga sfera publike dhe në atë private. Po ashtu, burrat zotërojnë shumicën e të mirave materiale në vendin tonë, duke zotëruar shumicën e pronave, si dhe duke qenë në shumicën e rasteve, trashëgimtarët e vetëm në familje.

Punësimi

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shumica e grave në Kosovë nuk janë të angazhuara në tregun e punës, me vetëm 13.9% të tyre të punësuara në vitin 2019. Ky numër përbën edhe numrin më të ulët të punësimit të grave në Evropë. Në raportin “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë” të institutit GAP tregohet që në 2019, “shkalla e punësimit të burrave në Kosovë ishte 45.9%, kurse ajo e grave ishte 13.7%”. Ndërkaq, shkalla e papunësisë te burrat më 2019 ishte 22.8% apo 6.3 pp më e ulët se në vitin 2018, kurse shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7% apo 2.1 pp më e lartë se në vitin 2018. Pra, përderisa papunësia te burrat ka shënuar rënie, për gratë ka sjellë të kundërtën. Ndërsa në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave. Në këtë raport, po ashtu tregohet se në institucionet qendrore në Kosovë të punësuar janë gjithsej 5,965 persona. Prej tyre 67% apo 4,011 janë burra dhe vetëm 33% apo 1,954 janë gra. Kurse në administratën komunale prej 6103 të punësuarve, vetëm 2022 apo 33% janë gra, ndësa shumica e tyre 67% (4081) janë burra.

Nga të dhënat e grumbulluara në Sondazhin për Fuqinë Punëtore në Kosovë, që u zhvillua në vitin 2014, detyrat familjare dolën të ishin ndër arsyet më të theksuara për pasivitetin e grave në tregun e punës.

Trashëgimia

Vetëm 3.8% e grave në Kosovë trashëgojnë pasuri nga familjet e tyre. Shoqëria kosovare është në përditësim të ligjeve të aplikueshme, siç është ligji për trashëgiminë, që përcakton se gratë duhet të jenë trashëgimtare të barabarta me burrat. Në nenin 1.4 të këtij ligji thuhet “emrat në gjininë mashkullore nënkuptojnë edhe emrat në gjininë femërore dhe anasjelltas, pa diskriminim. Po ashtu, në nenin 3.1 thuhet që “të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi. Kështu edhe pse në aspektin teorik, ky ligj rregullon çështjen e të drejtës në pronë, duke u garantuar grave të drejtën e tyre për trashëgimi, por implementimi i këtij ligji mbetet shumë i dobët, sepse ligjet e pashkruara dhe të ngurtësuara në norma kulturore e përcaktojnë edhe vetë gruan si pronë në shumicën e rasteve. Këto ligje të pashkruara mbeten në fuqi ende sot dhe rregullojnë marrëdhëniet familjare, shoqërore dhe ekonomike, të cilat bien ndesh me ligjet e shkruara.

Këtë e dëshmon edhe një hulumtim i realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në vitin 2011, ku “40.61% e grave të anketuara pranuan se trashëgimia ndonëse e rregulluar me ligj, në fakt në familje funksionon dhe rregullohet vetëm sipas traditës”. Kurse, një numër i madh i qytetarëve nuk janë të informuar për të drejtat e tyre në pronë. Të dhëna të mbledhura nga USAID tregojnë që 73% të qytetarëve në Kosovë nuk kanë njohuri themelore për të drejtat e tyre pronësore. Përpos faktit që gratë nuk trashëgojnë nga familja e tyre, ato po ashtu nuk posedojnë prona të paluajtshme në emrin e tyre, me vetëm 19% të grave në Kosovë që posedojnë prona.

Dhuna në numra

Pozita e pafavorshme socio-ekonomike e grave në Kosovë, megjithatë nuk përbën tablonë e plotë të vështirësive, me të cilat ato përballen. Dhuna sistematike ndaj tyre mbetet një ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në Kosovë. Dhuna e vazhdueshme që ushtrohet ndaj grave në çdo formë dhe vetëm pse janë gra, si në sferën private ashtu në atë publike vazhdon t’u pamundësojë atyre që të jetojnë të lira dhe të sigurta. Në shumë raste, kjo dhunë është shkaku dhe pasoja e gjendjes së rënduar socio-ekonomike të grave.

Të dhënat në numra për raportimet e dhunës ndaj grave, që në të shumtën e rasteve ndodh si dhunë në familje janë pasqyrë e mirë e shkallës së lartë të dhunës ndaj grave në Kosovë. Megjithatë, këto të dhëna janë njëdimensionale dhe të mangëta, pasi nuk e paraqesin kontekstin e kësaj dhune, si dhe përbëjnë vetëm një përqindje të ulët të përmasave të vërteta të dhunës ndaj tyre, duke qenë se ende shkalla e raportimit të dhunës vazhdon të mbetet e ulët. Në të shumtën e rasteve kjo vjen për shkak të normave kulturore dhe gjinore në shoqërinë tonë, të cilat e normalizojnë dhunën ndaj grave. Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, disa nga arsyet përse numri i rasteve të raportuara në polici, apo në anketa është më i ulët sesa numri real i rasteve të dhunës reale janë: frika nga stigma që vazhdon t’i rrethojë gratë që përjetojnë dhunë; turpi, fajësimi i viktimës, varësia ekonomike, mungesa e besimit në institucione, frika e dhunës së vazhdueshme, hakmarrja, ose humbja e kujdestarisë së fëmijëve.

Po ashtu, faktorët ekonomikë përpos që rëndojnë pozitën e grave në përgjithësi, po ashtu u pamundësojnë atyre që të raportojnë dhunën, apo të largohen nga mjediset e dhunshme, pasi shpeshherë ato janë të varura ekonomikisht pikërisht nga dhunuesi i tyre –  që në shumë raste është bashkëshorti i tyre –  apo burrat e tjerë në familje. Sipas KIPRED, dhuna në familje mbetet forma më e shprehur dhe më e raportuar e dhunës me bazë gjinore në Kosovë. Nga numri i përgjithshëm, 76.21% e rasteve të raportuara të dhunës në familje për vitin 2017 janë nga gratë dhe vajzat, ndërsa rastet e mbetura janë të raportuara nga burrat.

Sipas një studimi të bërë nga Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2018, dhuna në familje në Kosovë mbetet fenomen i përhapur, duke treguar edhe për raportet gjinore me dhunën ku “62% të kosovarëve (56% e burrave dhe 68% e grave) që kanë përjetuar njëfarë forme të dhunës në familje gjatë jetës së tyre; 41% e grave dhe 20% e burrave kanë raportuar se kanë pësuar dhunë në familje në vitin 2014. Për më shumë, mbi 1,000 raste të dhunës kundër grave janë raportuar për çdo vit që nga viti 2011, por numri i arrestimeve për këtë krim ka qenë më i vogël se gjysma e numrit të rasteve të raportuara. Vetëm përgjatë tre viteve, janar 2017 – shtator 2019, janë raportuar 4,226 raste të dhunës në familje, prej tyre 3,394 kanë qenë viktima gra. Vetëm në vitin 2018, kur edhe u vranë gjashtë gra kishte 1,533 raste të dhunës të raportuara, prej tyre 1,228 viktima gra, por kishte vetëm 499 arrestime për të njëjtin numër. Të dhënat që tregojnë se 338,000 gra kanë përjetuar një formë të ngacimit seksual, përndjekjes, dhunës nga partneri intim, ose nga jo partneri që nga mosha 15-vjeçare dëshmojnë për shkallën shqetësuese të dhunës kundër grave në Kosovë.

Nga të dhënat e mundësuara nga policia e Kosovës për rastet e dhunës vërehet një rritje e numrit të raportimeve, ku raportimet gjatë vitit 2020 vetëm për muajt janar-qershor tregojnë për 1000 raste të raportuara, ndërsa numri i arrestimeve për po të njëtët muaj është 434. Teksa në vitin 2019 të dhënat e policisë tregojnë se ka pasur gjithsej 1,915 raste të raportuara. Prej të dhënave vihet re fare mirë se pandemia dhe mbyllja në shtëpi ka ndikuar ndjeshëm që dhuna ndaj grave të rritet. Krahasimi në shifra për muajt shkurt-maj për vitin 2019 dhe 2020 është si vijon: 2019 – 156 raste; 2020 – 239 raste

Pandemia në vetvete nuk është shkaku i rritjes së dhunës ndaj grave, porse padrejtësia, shtypja dhe dhuna strukturore ndaj grave vetëm sa thellohen përgjatë këtyre muajve krize. Sikur pandemia t’i gjente gratë në një pozitë më të mire socio-ekonomike dhe sikur dhuna ndaj tyre të mos ishte strukturore dhe e normalizuar – sidomos kur ajo ndodh në shtëpi – dhe  sikur burrave të mos u mësohej dhuna si formë e komunikimit, apo si mjet i nevojshëm për të mirëmbajtur pushtetin, përvojat e grave gjatë pandemisë ndoshta do të kishin qenë ndryshe nga bilancet e sotme shqetësuese

Pandemia nuk është armik i grave si të tilla. Pandemia është armik i përbashkët dhe i të gjithëve.

Në fakt ajo që ndodh në terrenin privat dhe ngelet e padukshme është në të vërtetë, armiku kryesor i grave. Është pikërisht ky terren, në të cilin ndodh shfrytëzimi i grave si punëtore dhe dhuna ndaj grave si gra. Krizat e mundshme që ndodhin jashtë terrenit privat, siç është pandemia, vetëm sa i bëjnë të dukshme këto padrejtësi, por nuk i shkaktojnë ato. 

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur