Kriza sanitare e shkaktuar nga koronavirusi nxori në pah rolin thelbësor të riprodhimit social për shoqërinë.
Pandemia e koronavirusit tregoi shpejtësinë marramendëse, me të cilën shoqëria mund të ndryshojë dhe nxori në pah se cilat janë gjërat e domosdoshme – dhe ato të panevojshme – për jetën tonë. Në kohë krize, zbuluam se paskësh qenë e mundur t’i vihej fre ekonomisë kapitaliste, për t’i dhënë prioritet sistemit shëndetësor. Në këtë kohë u bënë të mundura lirimi i të burgosurve, pezullimi i qirave dhe kredive, pagat dhe shpërblimet me para në dorë, e plot elemente të tjera, të cilat konsideroheshin të parealizueshme deri përpara pandemisë.
Njëri prej akseve studimore të Titi Bataçarjas (Tithi Bhattacharya) është ekzistenca e një shoqërie, në të cilën prioritet i jepet jetës dhe nevojave njerëzore, përtej të “plotfuqishmit” – tregut të lirë. Historiane, pedagoge dhe drejtuese e departamentit të “Global Studies” në universitetin e Purdue-së, ajo është gjithashtu bashkëautore e librit “Feminizmi për 99%. Një manifest.”, redaktore e librit “Teoria e Riprodhimit Social: Rishikim i çështjes së klasës dhe shtypjes”, si dhe pjesë e bordit editorial të revistës Spectre. Në intervistën e mëposhtme, u përpoqëm të sjellim për lexuesin disa njohuri bazë të teorisë së riprodhimit social dhe sesi kjo teori na ndihmon të analizojmë krizën sanitare të shkaktuar nga Covid-19 dhe katastrofën klimatike që kërcënon planetin tonë.
Sara Jafe (Sarah Jaffe) është reportere për “Type Media Center”, dhe autore e “Necessary Trouble: American in Revolt”. Ajo është animatore e emisionit të mirënjohur “Dissent’s Belabored”.
Si fillim, a mund të na shpjegosh shkurtimisht, se çfarë është teoria e riprodhimit social?
TITI: Mënyra më e mirë për të shpjeguar se çfarë kuptojmë me riprodhim social është duke marrë si shembull aktivitetet dhe institucionet, të cilat sigurojnë krijimin e jetës njerëzore, vazhdimësinë dhe zëvendësimin e saj ndër breza. Këto mund t’i quajmë ndryshe procese “jetëbërëse ose prodhuese të jetës”.
Kuptimi i parë i “prodhimit të jetës” i referohet procesit të lindjes. Megjithatë, zhvillimi dhe vazhdimësia bëhen të mundura në saje të një sërë aktivitetesh të tjera si: të pastruarit, të gatuarit, të ushqyerit, të larët, etj,. Nevojiten gjithashtu; një shtëpi për të jetuar, transport publik për të qarkulluar, hapësira publike si parqet dhe këndet e lojrave, programe rekreative dhe aktivitete jashtëshkollore etj. Shkollat dhe spitalet janë dy institucionet kryesore, të domosdoshme për riprodhimin e jetës njerëzore. Këto institucione mund t’i quajmë “institucione të riprodhimit social” dhe aktivitetin e kryer prej tyre “punë të riprodhimit social”. Riprodhimi social është gjithashtu një kornizë, ose gjyzlykët, përmes së cilës mund të lexojmë botën që na rrethon dhe ta kuptojmë atë. Këta gjyzlykë na lejojnë të identifikojme burimin kryesor të prodhimit të të mirave në shoqërinë tonë, që janë: jeta dhe puna njerëzore.
Korniza, ose gjyzlykët kapitalistë janë e kundërta e kornizës sonë.
Mbi riprodhimin dhe vazhdimesinë e jetës, vendoset në fakt prodhimi i mallrave dhe nxjerrja e fitimit. Kapitalisti pyet veten “Sa më tepër mallra do të duhet të prodhoj sot, për të nxjerrë fitimin e parashikuar?”. Ai nuk e vret mendjen, se ç’ndikim kanë këto mallra te njerëzit. Ajo që i intereson është t’i shërbejë plot zell mbretërisë nekromane të produkteve, ku kapitalizmi luan rolin e sunduesit suprem.
Të mos harrojmë gjithashtu se shumica e punëve, që i përkasin sektorit të riprodhimit social- si infermieria, mësimdhënia, pastrimi, etj. – kryhen nga gratë. Në sistemin kapitalist, ku përparësi ka prodhimi i mallrave mbi riprodhimin e jetës, këto punë janë tërësisht të zhvlerësuara. Punonjëset e sektorit të riprodhimit social janë nga punëtoret më të keqpaguara. Perveç frikës së vazhdueshme të humbjes së vendit të punës, shpeshherë atyre iu duhet të përballen me ngacmime seksuale e ndonjëherë edhe me ushtrimin e dhunës në mjediset e punës.
Një shembull i mirë për të ilustruar reagimin e kapitalistëve ndaj krizës është qëndrimi i disa “specieve në zhdukje” si Glen Bek, që pohojnë se do të ishin të lumtur të jepnin jetën për të siguruar mbarëvajtjen e kapitalizmit.
Për mendimin tim, kriza e koronavirusit nxori qartazi në pah dy gjëra:
Së pari, vërtetësinë e teorisë feministe të riprodhimit social, sipas së cilës punët e domosdoshme për shoqërinë janë punët që lidhen me riprodhimin e jetës njerëzore. Kur e gjithë shoqeria u vendos në karantinë, askush nuk thirri për ndihmë aksionerë/et dhe drejtorë/et e bankave. Të gjithë i kthyem sytë nga infermieret dhe infermierët, nga pastruesi/et nga punonjësi/et e sektorit ushqimor dhe u kërkuam atyre të mos e ndërprisnin punën. Ushqimi, karburanti, strehimi, pastrimi: këto janë shërbimet e domosdoshme për shoqërinë.
Së dyti, kriza tregoi në mënyrë tragjike, sesa i paaftë është ky sistem (kapitalizmi) për t’i bërë ballë një pandemie botërore. Fitimi përpara jetës. Kapitalistët pretendojnë se viktima kryesore e kësaj krize nuk janë miliona jetë njerëzore të humbura, por goditja e rëndë që mori ekonomia. Ekonomia, kjo foshnje delikate që shumëkush, nga Trampi deri te Boris Xhonson, i dalin në mbrojtje me shpatë në dorë. Në një kohë që, sistemi mjekësor i SHBA-ve është rrënuar nga privatizimet dhe masat shtrënguese që synojnë “rimëkëmbjen ekonomike”. E tillë është shkalla e degradimit të kushteve spitalore, sa infermiereve iu desh t’i prodhojnë vetë maskat në shtëpi. Unë gjithmonë kam thënë se kapitalizmi e privatizon jetën dhe riprodhimin e saj. Që nga sot mund të themi se kapitalizmi e privatizon jetën dhe shoqërizon vdekjen.
Le t’i rikthehemi zhvlerësimit që i bëhet punëve që lidhen me riprodhimin social. Guvernatori i Pensilvanisë prezantoi një listë të bizneseve që ofrojnë shërbime jetësore, të cilëve iu lejua të vazhdojnë aktivitetin edhe gjatë pandemisë. Ndërkohë, punëtorët e kanalizimeve ndaluan punën për të protestuar ndaj mungesës së mjeteve mbrojtëse. Mund të themi se mosvlerësimi i këtij sektori lidhet ngushtë edhe me diskriminimin ndaj punëtorëve të tij.
Shërbimi i asistencës mjekësore mbulon rreth 4 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumica e tyre janë pjesë e programit Medicare.
Gazeta New York Times raportoi së fundmi, se 380,000 pacientë/e vdesin çdo vit nga sëmundje infektive. Shkak për to bëhen mungesa e investimeve në sherbime mjekësore dhe produkte sanitare. Këto institucione luajnë një rol thelbësor në përshkallëzimin e pandemive. Le t’i shtojmë kësaj faktin se në Shtetet e Bashkuara 27 milion njerëz nuk perfitojnë sigurim shëndetësor.
Afërsisht 90 për qind e të punësuarve të sistemit shëndetësor në SHBA janë gra. Më shumë se gjysma e tyre janë gra me ngjyrë. Nuk mund të them (askush nuk mund të thotë) sa prej tyre janë emigrante dhe pa dokumente. Ato i druhen vazhdimisht heqjes nga puna dhe përndjekjes nga policia. Ato fitojnë mesatarisht 10 dollarë në orë dhe shumica e tyre nuk kanë sigurim shëndetësor. Këto janë gratë, të cilat mbajnë në këmbë një pjesë të mirë të shërbimit mjekësor në vendin tonë.
U përpoqa të analizoj disa nga aktivitetet dhe shërbimet esenciale që figurojnë në listën e paraqitur nga shteti i Indianës dhe Pensilvanisë dhe të krahasoj rrogat e të punësuarve të tyre, me rrogat e CEO-ve të vendit tonë. Diferenca është astronomike. Punëtorët e këtyre shërbimeve të domosdoshme për mbijetesën e shoqërisë fitojnë më pak se 10 dollarë në orë, në një kohë që bankierët pushojnë në shtëpitë e tyre.
Mendoj se, për ta tejkaluar krizën do të na duhet të marrim masa drastike.
Të kërkojmë që punëtorë/et e sektorëve esencialë të shoqërisë të shpërblehen me atë, që unë e quaj “pagë e posaçme për shkak të pandemisë”. Ata/ato po vendosin jetët e tyre në rrezik konstant. Ata/ato meritojnë të paktën një rritje rroge. Na duhet të investojmë pa humbur kohë në sistemin shëndetësor në tërësi dhe duke marrë shembull nga vende, si Spanja duke shtetëzuar spitalet private. Të sigurojmë asistencë financiare dhe shërbime të kujdesit për fëmijë dhe të rritur, veçanërisht për punëtorë/et që vazhdojnë të punojnë edhe gjatë periudhës kulmore të krizës sanitare. Të ndalohet deportimi i emigrantë/eve, frika ndaj së cilës i shtyn këta të fundit të refuzojnë ndihmën mjekësore. Irlanda dhe Portugalia miratuan ligje për zgjatjen e vizave dhe heqjen e statusit të emigrantit të jashtëligjshëm. Ja cilat janë modelet që do të duhet të ndjekim.
Një nga shkaqet kryesore të shpërthimit të epidemisë në shtetin e Uashingtonit ishte fakti se infermierë/et punojnë në disa qendra shëndetësore njëherësh, ku dhe u bënë shkak për përhapjen e virusit. A mund të themi se pagat e ulëta që na detyrojnë të bëjmë punë të dyfishtë ndikojnë në përhapjen më të shpejtë të epidemive?
Mund të them se virusi është demokratik në një farë mënyre. Ai preku edhe Princin Çarls. Por të mos na gënjejë mendja, se qasja në kurat për ta luftuar virusin do të jetë demokratike.
Niveli i varfërisë dhe aksesi në shërbimet mjekësore do të përcaktojë, se kush vdes dhe kush jeton. Kjo vlen për çdo sëmundje në sistemin kapitalist.
Në vendin tim, Indi, për shembull, pasojat do të jenë katastrofike. Kryeministri fashist Narendra Modi, sapo shpalli vendosjen e karantinës 21-ditore. Në të gjithë vendin bizneset janë mbyllur plotësisht. Cfarë do të ndodhë me punëtorë/et emigrantë? A ka menduar Modi për një alternativë? Sigurisht që jo. Me miliona punëtorë/e janë duke ecur në këmbë drejt fshatrave të tyre të origjinës. Radhë të tëra njerëzish po enden nëpër rrugë nga perëndimi në lindje. Modi mbylli çdo formë të transportit publik dhe privat për t’i ndaluar njerëzit të kthehen në vendet e tyre, nga frika për përhapjen e virusit. Në një kohë që i mundësoi kthimin në Indi të gjithë indianëve (klasës së mesme të lartë), që jetojnë jashtë shtetit. Për ta u vendosën në dispozicion fluturime dhe viza të veçanta, pavarësisht deklaratave për mbylljen e gjithë linjave të transportit ajror.
Ja sesi do ta trajtojë pjesa më e madhe e vendeve kapitaliste të Jugut Global, shtresën më të varfër të popullsisë. Sëmundja do të përhapet me shpejtësi në getot e Kalkutës, të Mumbait, të Johanesburgut, ndërkohë që drejtuesit e vendit deklarojnë se virusi është një mundësi e mirë për rigjenerimin e planetit, dhe heqjen qafe të të padëshiruarve. Kjo është një thirrje evgjenike për të spastruar më të dobëtit.
Kjo situatë na bëri të kuptojmë, se bota mund të jetë një vend shumë më i shëndetshëm nëse njerëzit kryejnë vetëm punët e domosdoshme për jetën.
Argumenti se koronavirusi do të shërbejë si buton rindezjeje për tokën është argument kryekëput eko-fashist. Ajo për të cilën kemi nevojë, në të vërtetë është një buton rindezjeje për riorganizimin social të shoqërisë. Nëse i rikthehemi jetës normale, pasi virusi të jetë zhdukur, do të thotë se nuk nxorrëm asnjë mësim prej kësaj krize.
U desh të qëndrojmë në shtëpi me detyrim, për të gjetur pak kohë për t’u kushtuar atyre me të cilët jetojmë. Por të mos harrojmë se në kapitalizëm, “shtëpia” mund të jetë hapësirë sigurie dhe rehatie për disa dhe burim dhune për të tjerë. Dy ditë më parë mora një telefonatë nga një strehë për viktimat e dhunës në familje, në të cilën kam qenë vullnetare. Më pyetën nëse kisha bërë në plan të rikthehesha, sepse numri i personave, që paraqiten së fundmi po rritet ndjeshëm.
Shoqet e mia feministe në Brazil, Sri Lanka dhe Indi raportojnë të njëjtën situatë: shifra alarmante të abuzimit në familje, si pasojë e presionit të shkaktuar nga izolimi në shtëpi. Ne nuk kemi nevojë për izolim social. Ne kemi nevojë për izolim fizik dhe solidaritet social. Ne nuk mund të mos i dalim krah komshiut të moshuar, që rrezikon jetën duke shkuar në dyqanin ushqimor. As të injorojmë kolegen, e cila vjen në punë me sytë e nxirë dhe thotë se goditi kokën të dera. Ne duhet t’i mbështesim ata/ato, nëse kuptojmë se ka diçka që nuk shkon.
Njerëzit po ndihmojnë njëri-tjetrin në një kohë, që udhëheqësit po bëjnë minimumin e mundshëm.
Mësuesi/et po shkojnë në shtëpitë e studentë/eve për t’u dhëne forcë e për t’u thënë se “çdo gjë do të shkojë mirë!”. Shkolla e lagjes sime, si shumë shkolla të tjera ofron vakte për të gjithë personat nën 18 vjeç. Në disa raste ushqimet shpërndahen edhe nëpër shtëpi. Këto iniciativa nuk u ndërmorën as nga qeveria dhe as nga ndonjëri prej liderëve, por nga vetë mësuesi/et dhe nxënësi/et. Të shumta ishin aksionet e solidaritetit, dashurisë dhe përkujdesjejes që lulëzuan gjatë kësaj krize. Ato janë burimet që e mbajnë shpresën tonë gjallë.
Të ndalemi pak te punët e shtëpisë. Një pjesë e mirë e atyre, që i quajmë punë “esenciale”, pra të domosdoshme për t’u kryer edhe gjatë kohës së pandemisë janë punë që kryhen kryesisht nga gratë. Gjatë kohës së karantinës, disa bashkëshortë filluan të kontribuojnë në këto punë. A çoi kjo periudhë në lindjen e perspektivave të reja lidhur me ndarjen gjinore të punëve të riprodhimit social?
Një studim interesant i publikuar së fundmi nga Xhoan Uilliams tregon, se burrat e klasës punëtore i kushtojnë më tepër kohë përkujdesjes së fëmijëve, sesa burrat e klasës së mesme. Ndërsa burrave të klasës së mesme u pëlqen ta vënë në dukje këtë, burrat e klasës punëtore tentojnë ta fshehin faktin se merren me të ashtuquajturat “punë grash”. Pyes veten nëse këto paragjykime do të lëkunden sado pak. Në SHBA gratë punojnë në shtëpi rreth 9-orë në javë më shumë sesa burrat. A do të vijë dita, kur burrat do të ndihen krenarë të kujdesen për familjen, ndërsa partneret e tyre do të kujdesen për mbarëvajtjen e shoqërisë?
Një nga arsyet përse burrat nuk e pranojnë se bëjnë punë shtëpie është sepse ato konsiderohen si punë grash. Në shumicën e rasteve ndarja e këtyre punëve nuk është vetëm gjinore por edhe racore. Një pjesë dërrmuese e tyre kryhet nga gra emigrante, me ngjyrë.
Është e vërtetë për vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës se ndarja e punëve të riprodhimit social është edhe racore. Në vende të tjera të botës, marrim rastin e Indisë, këto punë i kryejnë gratë e varfra të ardhura nga zonat rurale, kryesisht pjesë e kastave të ulëta. Me pak fjalë, në çdo rast këto punë i takojnë shtresave më të dobëta të shoqërisë. Këtë e vërtetojnë pagat e tyre të ulëta.
Po t’i referohemi teorisë së riprodhimit social mund të themi se shumë nga shërbimet themelore të jetës së përditshme – gatimi, kujdesi ndaj femijëve dhe të moshuar/ave, pastrimi i shtëpive dhe hoteleve – kryhen nga gra të varfra me ngjyrë. Sistemi kapitalist refuzon t’i njohë këto si punë të mirëfillta.
Po dëgjojmë shpesh për këtë krizë të trajtohet si “gjendje lufte”. Megjithatë ekonomisti Xhejms Miduej sugjeroi se gjendja ekonomike, në të cilën ndodhemi sot është e kundërta e asaj të kohës së luftës. Ajo që duhet të bëjmë tani është ngadalësimi i prodhimit, në vend që ta përshpejtojmë atë. Shpresoj që më në fund do të kuptojmë, se cilat janë punët e domosdoshme për shoqerinë: ato që janë nëpërkëmbur për qindra vite me radhë, apo ato që jemi mësuar të fetishizojmë, si për shembull “trupat paqeruajtës”.
Jam dakord me Xhejmsin, se prodhimi duhet të ngadalësohet. Por jo, çdo lloj prodhimi. Prodhimi i ilaçeve për shembull, i ushqimeve apo produkteve te tjera të domosdoshme duhet të rritet. Në SHBA, shtetin më të pasur në botë, infermierë/et nuk pajisen me mjetet mbrojtëse të nevojshme.
Le të marrim tani shembullin e blerjeve në rrjet. Është mirë të porosisim rroba dhe këpucë në internet. Por të mos harrojmë, se çdo palë këpucë që porosisim kalon nëpër disa hallka dhe vende pune përpara se të arrijë në shtëpinë tonë. Mendoni për shoferët, punëtorët e magazinave, pastruesit e tyre. Nëse duhet të porositni ilaçe bëjeni, por një palë këpucë edhe mund të presin… Ne nuk mendojmë asnjëherë për punën e padukshme që fshihet pas çdo produkti. Nuk mendojmë për njerëzit që punojnë për prodhimin dhe shpërndarjen e tyre, deri në shtëpitë tona. A është e drejtë që në këtë kohë pandemie, t’i vëmë jetët e tyre në rrezik? Kjo do të thotë të mendojmë më parë për punën njerëzore, përpara se të mendojmë për mallrat.
Për sa i përket “trupave mbrojtës”, mendoj se duhet të rishikojmë konceptin në vetvete. Trupat e vërtetë mbrojtës janë punonjësi.et e shëndetësisë, punonjësi/et e prodhimit ushqimor, pastruesi/et, etj. Këta janë njerëzit, të cilët duhet të vlerësojmë dhe të mbështesim.
Në vend të trupave që marrin jetë, le të ngremë trupa që sigurojnë vazhdimësinë e saj.
Prej vitesh me radhë betejat kundër ngrohjes globale po ndeshen me refuzimin e gjithanshëm për të shpallur si fajtor kapitalizmin. Gjatë muajve të fundit industritë e medha si Fordi, u treguan të gatshme për t’ju përshtatur krizës së pandemisë, duke prodhuar xhel dezinfektues apo respiratorë. Çfarë na mëson kjo për luftën kundër kapitalizmit dhe për katastrofën klimatike?
Kërkesat tona për shërbime më cilësore dhe infrastrukturë më të mirë janë të nevojshme, por të pamjaftueshme. Ne duhet të luftojmë për një ndryshim rrënjësor të organizimit të shoqërisë. Sigurisht, kjo do të jetë më e vështirë se fitorja e betejave të vogla demokratike. Është e ditur tashmë se rritja e temperaturave do ta vështirësojë kapacitetin e prodhimtarisë ushqimore në rang botëror.
Në mungesë të kontrollit të nevojshëm temperaturat do të rriten aq shumë sa në vende si Azia e Jugut dhe Afrika kultivimi bujqesor do të bëhet i pamundur dhe blegtoria do të vdesë. Sot, në qytetin, ku jeton familja ime në Delhi, shkollat qëndrojnë të mbyllura në pjesën më të madhe të vitit: në verë për shkak të temperaturave të larta, ndërsa në dimër për shkak të ndotjes. Rreziku i rënies së prodhimitarisë ushqimore shoqërohet me rrezikun e rritjes së seksizmit dhe dhunës ndaj grave, duke qënë se janë krysisht ato që përgjigjen për prodhimin dhe sjelljen e ushqimit në shtëpi. Që tani kanë filluar të ndihen pasojat e mungesës së ujit të pijshëm dhe mesa duket, gjendja do të shkojë duke u përkeqësuar.
Me pak fjalë, për aq kohë sa nuk do të luftojmë ngrohjen globale me të njëjtin zell që po luftojmë pandeminë, kriza sanitare me të cilën po përballemi sot do të na duket si shaka, krahasuar me atë çfarë na pret në të ardhmen. Apokalipsi klimatik nuk do të jetë i përkohshëm dhe shumica prej nesh nuk do të gjejnë skutë për t’u fshehur prej tij.
Sot shtetet kapitaliste po ndërmarrin masa drastike për t’i bërë ballë krizës sanitare dhe ekonomike. Qeveria Britanike mbuloi gati 80 % të rrogave të pjesës dërrmuese të punëtorë/eve ndërsa qeveria e SHBA-ve parashikon të shpërndajë tollona për familjet në nevojë. Nëse masat e marra sot dhe mbështetja, që po i jepet sektorëve themelorë të shoqërisë nuk vazhdojnë pas zhdukjes së pandemisë, atëherë nuk do ketë asnjë rrugë shpëtimi prej krizës klimatike. Pas Covidit-19, kapitalizmi do të përpiqet t’i rikthehet jetës së mëparshme të biznesit. Lëndët djegëse do të vazhdojnë të përdoren në mënyrë të shfrenuar. Detyra jonë është të mos i lejojme sistemit të harrojë të kaluarën.
Shkrimi origjinal botuar në Dissent Magazine
Përktheu: Stela Muçi
Stela Muçi identifikohet si aktiviste feministe dhe antikapitaliste. Ajo është diplomuar në Arkitekturë dhe Sociologji Urbane në “Ecole d’Urbanisme de Paris”. Aktualisht, Stela vijon studimet e nivelit Master në Shkenca Politike në universitetin “Paris VIII Vincennes-Saint Denis”. Stela është gjithashtu e angazhuar në dy organizata civile për të drejtën e strehimit dhe të drejtën për qytetin në Paris, si DAL (Droit au logement) dhe “Right for Housing”. Njëkohësisht, ajo është e angazhuar vullnetarisht në nisma të ndryshme lokale dhe socio-politike.