QASJA NË SHËRBIMET MJEKËSORE “NDRYSHE” GJATË PANDEMISË.
Intervistoi Gresa Hasa
Lend Mustafa është aktivist për të drejtat e individëve LGBTQ+ në Kosovë dhe i pari burrë transgjinor, i cili e ka shpallur publikisht këtë identitet tijin në shtetin fqinj, çka ka sjellë në mënyrë të rregullt ballafaqimin e tij me një shoqëri ende të papjekur, përsa i përket çështjeve gjinore, edukatës seksuale dhe larmishmërisë identitare e klasore të qytetarëve. Së bashku me Blert Morinën (gjithashtu aktivist për të drejtat LGBTQ+ në Kosovë dhe koleg i Lendit në qendrën CEL), këta burra të rinj kanë qenë ndër të parët individë në hapësirën shqipfolëse, përsa i përket nisjes së terapisë hormonale transgjinore. Përpjekja e tyre për njohjen dhe përmbushjen e të drejtave dhe nevojave të komunitetit transgjinor, zakonisht është lënë në hije nga institucionet shtetërore kosovare. Ky ka qenë sërish rasti gjatë krizës së COVID19. Në një mjedis thellësisht shtypës, patriarkal, transfob dhe ku njohuritë mbi komunitetin transgjinor vijnë të fragmentuara dhe plot keqkuptime, këta të rinj janë përballur me sfida të shtuara. Në këtë intervistë ekskluzive, Lend Mustafa na informon në mënyrë të hollësishme mbi atë se çfarë është terapia hormonale dhe se cilat kanë qenë ngërçet e përftimit të këtij shërbimi gjatë këtyre muajve.
Çfarë do të thotë “terapi hormonale transgjinore”?
“Terapi hormonale trangjinore” është lloji i shërbimit mjekësor, që ofrohet për individët transgjinorë ose jo binarë, me qëllim arritjen e përputhshmërisë së karakteristikave seksuale dytësore me identitetin gjinor të një individi. Kjo lloj terapie ndihmon, kryesisht në theksimin e tipareve fizike të dikujt duke i përafruar ato me identetitetin gjinor të tyre. Ekzistojnë dy mënyra se si ofrohet ky shërbim bazuar në qëllimin përfundimtar të terapisë, që mund të jetë feminizimi ose mashkullarizimi i personit.
Terapia hormonale feminizuese përdoret për gratë transgjinore ose njerëzit transfemërorë dhe përmban kryesisht estrogjen. Ndërsa terapia hormonale mashkullarizuese përdoret për burrat transgjinorë ose njerëzit transmashkullorë dhe përmban kryesisht testosterone. Në disa raste, terapia ofron transformimin e plotë fizik të dikujt përfshirë për shembull, mastektominë te femrat ose phalloplasty-në te burrat transgjinorë.
Cilat janë disa nga sfidat e përftimit të një shërbimi të tillë?
Kërkuesit shkencorë në fushën e mjekësisë kanë arritur në përfundimin se terapia hormonale transgjinore është përgjithësisht e sigurt dhe nuk e rrezikon shëndetin e njeriut, nëse ndiqet nën udhëzimet e përpikta dhe mbikqyrjen e një stafi mjekësor të kualifikuar. Megjithatë, ajo mund të shkaktojë ulje ose humbje të fertilitetit, ndaj këshillohet që përpara fillimit të terapisë, individët të marrin parasysh mundësinë e ruajtjes së aftësisë për t’u riprodhuar. Në botën e zhvilluar ofrohen një sërë mundësish për këtë çështje si për shembull, ngrirja e spermës ose e vezëve etj.
Megjithatë, përtej sferës së shkencës dhe mjekësisë mendoj, se sfidat janë së pari, të lidhura ngushtë me pozitën gjeografike, ekonomike dhe shoqërore të gjithsekujt, çka përcakton qasjen tonë ose mungesën e saj në këto shërbime. Për shembull, të jetuarit në një vend si Kosova ose Shqipëria, ku shteti nuk i ofron këto shërbime; ku informacioni vjen i përçudnuar ose mungon; ku vetë shteti dhe mendësia patriarkale ende na e mohojnë ekzistencën; ku rrogat mujore të pjesës dërrmuese të qytetareve nuk dalin as për t’u pajisur me aspirinë, çdo përpjekje drejt aktualizimit të plotë të identitetit tonë, has vazhdimisht shkopinj nën rrota.
Burokratikisht terapia hormonale nuk ka shumë ndërlikime por financiarisht, në një shtet që nuk të ofron kurrfarë lehtësie – madje as sigurim shëndetësor nuk të ofron – çdo procedurë mjekësore vështirësohet e kjo vlen për të gjitha shërbimet mjekësore. Xhepi ynë nuk është aq i gjerë sa nevojat tona…
Pavarësisht ngërçeve sistemore, ju jeni ndër të rrallët burra të komunitetit transgjinor në hapësirën shqipfolëse, që megjithatë e keni nisur terapinë hormonale, duke hapur kësisoj shtegun për të tjerë burra dhe gra në shoqëritë tona. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Terapinë hormonale e kam nisur dy vite më parë, përkatësisht në mars 2018. Duke qenë se ishte e pamundur që ky shërbim të merrej në Kosovë, unë e kryej mbikqyrjen mjekësore në Shkup. Endokrinologet në Kosovë nuk janë të liçensuara dhe as kanë eksperiencë mbi këtë shërbim. Kur jam përpjekur të kërkoj informacion për këtë gjë te mjeket kosovare, jam hasur me reagime të ndryshme. Disa syresh janë treguar profesioniste, të sinqerta dhe modeste duke m’u shprehur se nuk janë të kualifikuara për të ofruar një shërbim të tillë. Të tjera, jo vetëm që nuk kishin kurrfarë ideje mbi terapinë hormonale transgjinore, por as nuk besonin se diçka e tillë ekziston. Nga këtu binin në paragjykime e hamendësime të pabaza, duke u shprehur sesi një gjë e tillë “nuk mund të funksionojë”.
Cilat janë disa nga hapat që duhen ndjekur gjatë terapisë hormonale?
Së pari, këshillimi me një psikologe të aftë që mund të vlerësojë gatishmërinë për ndërmarrjen e një hapi të tillë është i domosdoshëm. Zakonisht është psikologja ajo që lëshon një rekomandim të shkruar çka shërben si dritë jeshile për fazat e mëtejshme. Më pas, endokrinologja përcakton llojin e kurës në terma të sasisë së hormoneve që nevojiten dhe medikamenteve të tjera bashkëshoqëruese, në një periudhë mbikqyrjeje që varet kryesisht nga individët. Me të nisur terapia, kontrollet mjekësore vijojnë çdo tri apo gjashtë muaj, në varësi të nevojave që mund të lindin. Më duhet të theksoj se seancat me psikologen janë të rëndësishme edhe gjatë kësaj periudhe. Aq më tepër, teksa ndryshimet që pësohen nuk janë thjesht fizike, si trashje e zërit apo ndalim i ciklit menstrual etj., në rastin e burrave transgjinorë. Ndryshimet janë gjithashtu emocionale, sepse kemi të bëjmë me një çast tejet të rëndësishëm në jetën e një individi transgjinor. Për disa njerëz terapia hormonale do të thotë gjithçka, teksa për të tjerë nuk do të thotë asgjë. Ky është padyshim një vendim personal, sikurse nuk është e domosdoshme për individët transgjinorë që ata/o të detyrohen të tejkalojnë secilin nga këto hapa për t’iu përshtatur ndoshta pritshmërive stereotipizuese të shoqërisë ose rëndom, atyre të vetë komunitetit. Gjithsesi, për ata/o që e ndërmarrin këtë hap si një tjetër mënyrë për ta aktualizuar plotësisht vetveten, për t’u ndjerë më mirë, për të reduktuar ankthin, etj., ky proces vjen me një intensitet emocional të papërshkrueshëm pasi për disa vetë, kjo nënkupton edhe shkëputjen nga e shkuara, për pasojë, shkëputjen nga presioni dhe dhuna heteronormative.
Çfarë do të thotë për ty personalisht ndjekja e terapisë hormonale?
Terapia hormonale është një proces i gjatë në kohë, që mund të vazhdojë edhe përgjatë gjithë jetës, nëse individi vetë vendos kështu. Disa individë e ndërpresin terapinë pas heqjes së vezoreve për shembull, ose pas kryerjes së mastektomisë. Asnjë metodë nuk është “e duhura”. “Metoda e duhur” përcaktohet nga marrëdhënia me vetveten. Për mua personalisht, mastektomia sikurse ndjekja hap pas hapi e terapisë hormonale kanë pasur rëndësi madhore. Nuk jam i sigurt, nëse dua t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale së phalloplasty-së, kryesisht për shkaqe ekonomike, pasi ndërhyrje të tilla kushtojnë mjaft shtrenjtë dhe nuk ofrohen në Kosovë. Ndër të tjera, në mungesë të një shteti mirëfilli social dhe politikave sociale që do të garantonin shëndetësi falas dhe cilësore për të gjithë, ky hap mbetet një pikëpyetje e madhe për mua.
Është e rëndësishme të kuptohet se këto shërbime nuk janë “luks”, por një e drejtë e të gjithë individëve transgjinorë, që s’duhet kushtëzuar nga pabarazitë ekonomike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës na njeh neve, personave me identitet gjinor të këtillë. Për këtë arsye, ne duhet të na njihen edhe nevojat që na burojnë nga e drejta fillestare: ajo e ekzistencës. Terapia hormonale ndikon në mirëqenien fizike dhe emocionale të individëve transgjinorë, të cilët gjatë rritjes, veçanërisht në kushte si këto të ofruara në Ballkan, nuk kanë pasur as edukimin dhe as instrumentat e duhur gjuhësorë për të adresuar parehatinë e identitetit të imponuar, brenda trupave, ku mund të jenë ndjerë rregullisht të tëhuajsuar.
Nëse terapia hormonale fillon herët, gjatë pubertetit për shembull, gjasat janë që shumë individë transgjinorë ta reduktojnë ndjeshëm ankthin dhe stresin në jetën e tyre. Por edhe nëse ajo fillon vonë, duhet pasur parasysh se terapia hormonale është trajtimi i parë që individët transgjinorë mund të kërkojnë ose trajtimi i vetëm që mund t’u nevojitet. Ofrimi i mundësisë për të reduktuar ankthin, stresin ose depresionin në disa raste, nëpërmjet terapisë hormonale, nënkupton mirëqenie emocionale, mendore dhe fizike jo vetëm për individët transgjinorë, por për të gjithë shoqërinë, sepse jeta dhe përditshmëria e secilit/ës prej nesh e tejkalojnë individualitetin tonë – ato burojnë, zhvillohen ose transformohen në kolektivitet.
Çfarë ndodh nëse ju e ndërprisni trajtimin papritur? A shoqërohet ndërprerja me efekte anësore?
Terapia hormonale mund të ndërpritet në çdo çast për aq kohë sa ajo ndiqet sipas udhëzimeve mjekësore, nën mbikëqyrjen e endokrinologes dhe psikologes. Ajo mund të ndërpritet gradualisht (gjë që vjen me pakësimin e ndjeshëm të dozave hormonale dhe kurave të tjera) ose befasisht. Megjithatë, ndryshimet e paparashikuara mund të shkaktojnë ndërlikime ose vështirësi fizike dhe emocionale. Ndaj mbikqyrja është e domosdoshme; ndaj sugjerohet këshillimi me profesioniste të fushës për çdo rast.
Si ka ndikuar COVID19 në përftimin e këtyre shërbimeve në Kosovë?
COVID-19 ka sjellë sfida mjaft të madha për individët transgjinorë në disa perspektiva, përfshirë ata/o që aktualisht janë në terapi hormonale. Në rastin tim, endokrinologu nga spitali, ku po ndiqem në Maqedoni doli në pension dhe unë mbeta pa këtë shërbim. Të gjithë ata/o si puna ime e vazhduan terapinë siç na ishte këshilluar përpara periudhës së karantinës. Nga ana tjetër, të gjithë/a ata/o që mund të kishin planifikuar ndërhyrje kirurgjikale paraprakisht, janë detyruar ta shtyjnë këtë veprim për më vonë çka mund të përkthehet në zgjatje të vuajtjes emocionale. Po ashtu, risku i ekspozimit ndaj virusit; jo në pak raste, heqja nga puna dhe ndalimi i të ardhurave mujore, kanë ndikuar në intensifikimin e mëtejshëm të ndjenjës së frikës dhe të pasigurisë (që për individët transgjinorë kanë qenë ekzistuese edhe përpara pandemisë) dhe/ose ndalimin e seancave me psikologen ose vetë kurën e përllogaritur në terapi apo fundja, ndalimin edhe të vetë terapisë hormonale. Izolimi në shtëpi (për fatlumët/et që ende kanë një çati mbi krye), në raste të tjera e ka zgjatur procesin e shpalljes së identitetit gjinor në familje apo te të tjerë persona të dashur, duke ngulfatur ndoshta çdo grimë kurajoje të fituar. Të gjithë ata/o individë transgjinorë që janë punëtorë/e dhe të pambrojtur/a, kanë qenë të rrezikuar/a nga virusi, nga të qenit inekzistentë/e në tregun e punës dhe po aq, nga dhuna për të mos e shfaqur vetveten akoma, për një kohë ende të papërcaktuar…
Cili do të ishte apeli juaj ndaj individëve transgjinorë dhe pjesës tjetër të shoqërisë në Kosovë dhe Shqipëri?
Tranzicioni për individët transgjinorë ose jo binarë nuk ka një fillim apo mbarim fundja, sikurse zhvillimi dhe njohja e vetvetes nuk kanë një kohë të përcaktuar për askënd prej nesh.
Ky tranzicion është i larmishëm dhe manifestohet ndryshe te çdokush. Nëse ndiheni rehat në trupin tuaj edhe, kur identiteti juaj gjinor nuk përkon me karakteristikat seksuale dytësore tuajat, ruajeni qetësinë, që vjen me këtë rehati. Ideja nuk është të shndërruarit në një person krejt tjetër, por në të zhvilluarit e versionit më të mirë të vetes sonë. Ky është një proces i gjatë dhe jo aq i vështirë sa mund të duket, por mbi të gjitha, ky është një proces që meriton të aktualizohet në paqe. Zhvillimi identitar dhe njohja si kategori intelektuale e njerëzore, për të cilën jemi të aftë të gjithë, ka nevojë për mirëkuptim, pranim, solidaritet dhe dashuri, sepse bota është më e ngrohtë në larmishmëri.