- I përkas asaj klase njerëzish që njihen si gra. Jam Gruaja. Dhe, po ashtu, jo krejt pa dashje, jam nënë.
- Jo shumë kohë më parë, një miku im u rishfaq në qarkullim i freskët pas një divorci. Ka një fëmijë i cili, sigurisht, jeton me ish bashkëshorten e tij. Miku im po kërkon grua tjetër. Po mendoja për të një mbrëmje tek hekurosja rrobat, dhe befas kuptova se edhe unë do të doja të kisha pasur një grua. Ç’e dua gruan?
- Ma ka ënda t’i kthehem shkollës, që të jem e pavarur ekonomikisht, të mbaj veten dhe, po të jetë nevoja, të mbaj edhe këdo që varet prej meje. Dua një grua që do të punojë dhe do të më çojë në shkollë. Dhe teksa shkoj në shkollë, dua një grua që të kujdeset për fëmijët e mi. Dua një grua që të merret me vizitat e fëmijëve tek mjeku dhe dentisti. Si edhe për të miat. Dua një grua e cila kujdeset se fëmijët e mi janë ushqyer siç duhet dhe janë pastruar. Dua një grua që të lajë dhe të arnojë rrobat e fëmijëve. Dua një grua që të jetë edukatore e mirë e fëmijëve, e cila merret me shkollimin e tyre, kujdeset që të kenë jetë të përshtatshme shoqërore me shokët dhe shoqet, që i çon në park, në kopshtin zoologjik, etj. Dua një grua që kujdeset për fëmijët kur janë sëmurë, një grua që është pranë tyre kur fëmijët kanë nevojë për kujdes të veçantë, sepse, sigurisht, unë nuk mund të mungoj në shkollë. Gruaja ime duhet të kujdeset që të largohet herët nga puna, por të mos e përjashtojnë nga puna. Kjo mund të nënkuptojë edhe ulje të pagës herë pas here, po këtë edhe do ta toleroj. S’është nevoja të them se gruaja ime do të kujdeset për të paguar edhe dadon e fëmijëve, teksa gruaja punon.
- Dua një grua që do të kujdeset për nevojat e mia fizike. Dua një grua që do ta mbajë shtëpinë pastër. Një grua që do të mbledhë sendet që fëmijët dhe unë hapërdajmë nëpër shtëpi. Dua një grua që do të më lajë rrobat, do t’i hekurosë, do t’i arnojë, do t’i zëvendësojë kur duhen, dhe që do të kujdeset që sendet e mia vetjake të jenë në vendin e duhur, kështu që të arrij t’i gjej sa herë më duhen. Dua një grua që të gatuajë vaktet, një grua që të jetë kuzhiniere e mirë. Dua një grua që do të mendojë për menunë e të ngrënit, do të bëjë pazaret e nevojshme, do të përgatisë ushqimin, do ta shërbejë këndshëm, e pastaj do të lajë pjatat, teksa unë ulem për të studiuar. Dua një grua që do të kujdeset për mua kur të sëmurem dhe do të bashkohet me dhimbjen time dhe shqetësimin për humbjen e orëve të mësimit. Dua një grua që të vijë me mua kur të shkojmë për pushime me familjen, në mënyrë që të vazhdojë të kujdeset për mua dhe fëmijët, kur të më duhet pak pushim apo ndryshim atmosfere.
- Dua një grua që nuk do të më çajë veshët me ankesa për detyrat e gruas. Por dua edhe një grua që do të më dëgjojë kur të kem nevojën të shpjegoj ndonjë çështje të vështirë që kam ndeshur gjatë studimeve. Si dhe dua një grua që do të daktilografojë detyrat e kursit, kur t’i kem përfunduar.
- Dua një grua që do të kujdeset për hollësitë e jetës sime shoqërore. Kur gruan dhe mua të na ftojnë miqtë për të dalë, dua një grua që kujdeset se kush do të qëndrojë me fëmijët. Kur të takoj njerëz të këndshëm në shkollë dhe dëshiroj t’i argëtoj, dua një grua që do ta ketë gati shtëpinë e pastër, që do të përgatisë ndonjë gatim të veçantë, të cilin do t’ua shërbejë miqve dhe mua, dhe pastaj të mos na ndërpresë kur miqtë e mi dhe unë flasim për çështjet që na interesojnë. Dua një grua e cila do të kujdeset që fëmijët të jenë ushqyer dhe të kenë shkuar në shtrat para se të mbërrijnë miqtë, që fëmijët të mos na rrinë nëpër këmbë. Dua një grua që do të kujdeset për nevojat e miqve, që të ndjehen rehat, dua një grua që do të kujdeset se miqtë i kanë afër tavllat e duhanit, që nuk do t’ua lërë pjatën bosh, që gotat e verës t’u mbushen sapo të jetë e nevojshme, që kafeja t’u vijë siç e duan ata. Dhe dua një grua e cila duhet ta kuptojë se, ndonjëherë, ma ka ënda ta kaloj natën jashtë shtëpisë.
- Dua një grua të ndjeshme ndaj nevojave të mia seksuale, një grua që di të bëjë dashuri gjithë pasion dhe është e gatshme sa herë dëshiroj, një grua që kujdeset për kënaqësinë time. Dhe, sigurisht, dua një grua që nuk do të kërkojë vëmendje seksuale kur mua s’ma ka ënda. Dua një grua që merr përsipër çdo përgjegjësi për të mos mbetur shtatzënë, se unë nuk dua fëmijë të tjerë. Dua një grua që do të më qëndrojë seksualisht besnike, se nuk dëshiroj ta trondit jetën time intelektuale me çështje xhelozie. Dua një grua që do ta kuptojë se nevojat e mia seksuale i kalojnë caqet e ngushtë të monogamisë. Në fund të fundit, unë duhet të krijoj lidhje të tjera sa më shumë të jetë e mundur.
- Dhe, nëse rastësisht takoj dikë tjetër, që më duket se është grua më e përshtatshme se gruaja që kam, dua të kem lirinë që gruan e tanishme ta zëvendësoj me një tjetër. Natyrisht, pres që jeta e pastajme të jetë krejt e re; gruaja do të marrë fëmijët dhe do të jetë vetë ajo përgjegjëse për ta, në mënyrë që unë të shijoj lirinë time.
- Kur të kem mbaruar shkollën dhe të kem gjetur punë, dua që gruaja të mos punojë më dhe të qëndrojë në shtëpi, kështu që gruaja mund të merret plotësisht dhe tërësisht me detyrat e gruas.
- O Zot, e kush nuk do ta donte një grua?
*Marrë nga: Literature for Composition (Third Edition), përgatitur nga: Sylvan Barnet, Morton Berman, William Burto, Marcia Stubbs. Botuar nga HarperCollins Customs Books, 1993, fq. 775-776.
Përktheu: Sokol Çunga
Sokol Çunga punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, specialist i gjuhës dhe paleografisë greke në Sektorin e Gjuhëve të Rralla të Drejtorisë së Arkivit Qendror Shtetëror. Më 2017 fitoi çmimin “Kërkuesi i ri më i mirë në shkencat albanologjike”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për botimin monografik “Katërungjillëshi i Korçës, Kodiku i Korçës nr. 93” (në bashkautorësi). Është anëtar i Akademisë së të Rinjve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Veç përkthimeve letrare në revista dhe periodikë të përkohshëm, ka përkthyer Zemra vërtitëse, roman, Donal Ryan (Pegi 2017), 1984, roman, George Orwell (Pegi 2020) dhe 1001 net, përralla arabe (Aeditions, parashikuar 2021)