Artikulli është botuar fillimisht në blogun e Shkollës së Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës, në 10 shkurt 2023.
Përktheu nga anglishtja Gresa Hasa.
Protestat aktuale në Iran janë të rëndësishme. Ato sfidojnë njëkohësisht sistemin politik të Republikës Islamike dhe hamendësimet ekzistuese në politikën globale. Këto protesta theksojnë faktin se iranianët janë qytetarë globalë. Ato refuzojnë dhunën me bazë gjinore, fetare dhe racore e kërkojnë dinjitet dhe respektimin e të drejtave njerëzore, si shumë protesta dhe lëvizje të tjera shoqërore rreth globit.
Këto protesta u ndezën nga vdekja e 22-vjeçares kurde Jina Mahsa Amini, pas arrestimit paraprak të saj, nën justifikimin e asaj që Republika Islamike e Iranit e konsideron mbajtje të pavend të hixhabit (shamisë së kokës). Pas vdekjes së Jinës, vajzat dhe gratë e shkollave të mesme, së bashku me djemtë dhe burrat, që iu bashkuan në solidaritet, dolën për të protestuar jo vetëm vdekjen e Jinës por edhe mbajtjen e detyrueshme të hixhabit.
Vajzat dhe gratë e flakën tutje hixhabin në shenjë rebelimi. Ato prenë flokët dhe kënduan njëzëri “gra, jetë, liri”. Ky slogan i ka rrënjët në lëvizjen kurde për çlirimin e grave. Gjatë protestave në Iran, ai haset në gjuhën kurde, persiane, baloke dhe azere çka reflekton mbi larmishmërinë e Iranit, që përbëhet nga kombe (“mellat”) dhe kategori gjuhësh të shumta.
Protestat janë parë si kryengritja e parë feministe e Iranit, përgjigjigje ndaj një sistemi politik, që i shtyp gratë, referuar ndryshe si aparteid gjinor.
Shpejt, ato morën trajtën e një dëshire të përgjithshme për revolucion. Protestat u udhëhoqën fillimisht nga i ashtuquajturi “brezi Z” por me përkrahjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Protestuesit kërkojnë liri në jetën e tyre të përditshme. Ky brez, sikurse bashkëmoshatarët e tyre tjetërkund në glob, dëshiron që të jetojë në liri. Ai kërkon respektimin e të drejtave LGBTQ+ dhe preokupohet me çështjet mjedisore. Protestat janë gjithashtu edhe një reflektim i situatave tejet të ndryshme ekonomike dhe diskriminimit me të cilin, ndër të tjera, përballen komunitetet kurde, baloke, bahai dhe azere. Për pasojë, vdekja e Jinës është simptomë e një sistemi politik që s’do t’ia dijë për të drejtat bazike njerëzore. Përgjigjja e Republikës Islamike ndaj protestave ka qenë ushtrimi në masë i dhunës mizore, përfshirë ekzekutimet.
Irani ka një histori të gjatë protestash dhe revolucionesh, që shtrihen përpara dhe gjatë ekzistencës së Republikës Islamike. Në mënyrë thelbësore, gratë kanë qenë agjente politike aktive, përkrah burrave, jo vetëm nën pushtetin e Republikës Islamike por edhe në pikënisjen e revolucionit të vitit 1979 dhe më pas, në Revolucionin Kushtetues të Iranit.
Përcaktimi i revolucionit si i tillë është i diskutueshëm. Nga njëra anë, ai mund të shihet si ndryshim i sistemit politik dhe nga ana tjetër, si një sfidë domethënëse ndaj status-kuosë ekzistuese. Në Iran janë vërejtur të dyja këto përcaktime. Revolucioni i 1979, që solli rrëzimin e monarkisë Palavi dhe instalimin e teokracisë, atë të Republikës Islamike, solli një ndryshim në sistemin politik sikurse njihej deri në ato çaste. Kryengritjet popullore në vitete 2009/2010 nisën me protesta, të cilat erdhën si përgjigje ndaj mashtrimit në procesin zgjedhor, të evidentuar në “rizgjedhjen” e presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Asokohe nuk u shqua ndonjë dëshirë e popullit në masë, për një revolucion të ri por më shumë, njëfarë shprese për reformim. Sidoqoftë, Lëvizja e Gjelbër e sfidoi ndjeshëm sistemin politik, aq sa Republika Islamike iu përgjigj asaj me dhunë.
Ndryshe nga 2009/2010, protestat aktuale shfaqin dëshirën e përgjithshme të qytetarëve për një revolucion të ri dhe ato e sfidojnë ndjeshëm status-kuonë.
Ekziston një dëshirë e qartë për ndryshimin e sistemit politik, përmes rrëzimit të Republikës Islamike, refuzimin absolut të reformimit të saj dhe nevojën për ta rifituar Iranin. Kjo vërehet në konsistencën e sloganeve kundër Republikës Islamike, në protestat e përhapura në të gjithë shtetin dhe mes grupeve të ndryshme socio-ekonomike, breznore, politike, gjinore dhe identitare, të cilat vazhdojnë rezistencën, pavarësisht dhunës së ushtruar nga forcat e rendit. Në zemër të kësaj dëshire për një revolucion të ri gjenden politika progresive, që përfshijnë të drejtat e punëtorëve dhe ato bazike njerëzore.
Integriteti i iranianëve, në gjithë diversitetin dhe shumëllojshmërinë e tyre identitare, për të refuzuar politika autoritariste dhe të dhunshme nuk është diçka e re. Këto ide as nuk janë unike për Iranin. Dëshira dhe shpresa të tilla kolektive janë reflektuar edhe gjatë revoltave arabe të dekadës së fundit; në politikat kurde, në lëvizjen irakiane “Tishren” dhe ndër të tjera, gjatë kryengritjes libaneze në 2019. Megjithatë e veçanta e këtij revolucioni të ri qëndron te fakti se ky i fundit po udhëhiqet njëherësh nga gra, që po kërkojnë pronësi mbi trupat e tyre, duke vënë në dukje kësisoj dëshirën për politika progresive, në një shtet kryesisht mysliman, të ndodhur në Lindjen e Mesme dhe ku po refuzohet islami politik.
Kësisoj, ky projekt i ri politik, sfidon edhe fuqitë e tjera rajonale, të cilat e përdorin të kuptuarit e islamit, për të justifikuar mbijetesën e një sistemi politik autoritarist. Përtej Lindjes së Mesme, një revolucion i tillë, sfidon hamendësimet mbi atë se kush e “zotëron” demokracinë, politikat progresive dhe feminizmin. Nuk është pra vetëm “Perëndimi”.
Refuzimi i Republikës Islamike si një sistem politik, gjithashtu reflekton edhe refuzimin e narrativës mbi anti-imperializmin e Republikës Islamike. Kjo sfidon edhe projekte të tjera postkoloniale, të ndërtuara mbi “anti-imperializmin” dhe “anti-perëndimin”, si ato të Vladimir Putinit dhe Bashar al Asadit. Në fakt, Republika Islamike e konsideron veten si udhëheqëse të “anti-imperializmit”. Kjo është një narrative e fuqishme në një kontekst postkolonial ku kolonializmi ka qenë ose është ende i perceptuar si europian. Megjithatë, roli që kanë luajtur në Siri, Rusia dhe Republika Islamike; përdorimi i dronëve iranianë nga Rusia për të sulmuar infrastrukturën ukraninase si dhe dhuna e ushtruar kundër protestuesve në Iran, e kontradiktojnë këtë narrativë, nëse do ta kqyrnim anti-imperializmin dhe postkolonializmin si çlirim nga shtypja. Për më tepër, protestat aktuale dhe kërkesat e paraqitura tregojnë se trashëgimia kolonialiste mund të vlerërsohet dhe adresohet krahas dëshirës njerëzore për dinjitet. Kjo nuk nënkupton mohimin e trashëgimisë kolonialiste europiane apo ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në politikat e brendshme të Iranit.
Andaj, revolucionet në njërën anë të botës, në këtë rast, në Iran, janë të rëndësishme për pjesën tjetër të saj. Revolucioni i vitit 1979 dhe më pas, themelimi i Republikës Islamike ishin të rëndësishme përtej Iranit. Tashmë, kryengritja “gra, jetë, liri” nxjerr në pah betejat ekzistuese, që udhëheqin rendin botëror dhe politikat globale.
__________________________
©
Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.