Si të shkruash një artikull për trupin, gjuhën e trupëzuar dhe pëlqimin seksual në një vend ku akoma stigmatizohet të flasësh për seksin dhe seksualitetin, ku edukata seksuale në arsim është një fantazmë e kurrikulës shkollore dhe përqindja e dhunës ndaj grave kap shifra të frikshme?
Trupi si një fushëbetejë politike në tërësinë e funksioneve dhe limiteve të tij është mishërimi i cënueshmërisë, ekspozimit dhe transformimit, gjithmonë në kërkim të kontaktit dhe hapësirës për manifestim. Ky manifestim materializohet në mënyra të ndryshme nëpërmjet sjelljes dhe instrumenteve gjuhësorë të gdhendura nga kultura në të cilën formohen dhe përcakojnë pëlqimin, hezitimin, refuzimin apo afrimin si forma komunikimi midis trupave. Megjithatë, në një botë ku mbizotërojnë pabarazitë dhe marrëdhëniet mbi baza gjinore, gjuha në një trajtë a tjetrën bëhet i vetmi përçues transmetues i ideologjive të institucionalizuara dhe atyre kulturore.
Përjashtim nuk bën as kategoria e sjelljeve seksuale apo komunikimi që përcillet gjatë marrëdhënies seksuale ku burrat dhe gratë kanë të përcaktuara role të veçanta. Në këtë mënyrë, komunikimi filtrohet me anë të lenteve gjinore, ku burri është nismëtari i aktit dhe gruaja ajo e cila duhet të japë pëlqimin. Mirëpo, në të njëjtën kohë si përgjegjësja e dhënies së pëlqimit, gruaja është përgjegjëse edhe për zgjedhjen e saj në tejçimin e pëlqimit drejt palës tjetër.
Autorja Milena Popova (2009) në librin e saj “Sexual Consent,” shpjegon se burrat dhe gratë komunikojnë dhe e interpretojnë pëlqimin seksual në mënyra të ndryshme, ku burrat kanë për tendencë të nisin kontaktin seksual dhe të lëvizin drejt mjediseve më private, ndërsa gratë përdorin mekanizma jo-verbale të komunikimit si: prekjet apo puthjet, dhe tregohen më së shumti pasive në veprime: si psh. nuk i thonë partenerit të tyre (nismëtar) të ndalojë kur nuk duan që avancimi seksual të vazhdojë.
Nga ana tjetër, aprovimi i një avancimi seksual mund të shtrihet në disa shtresa kulturore dhe politike, të cilat e detyrojnë gruan të pranojë nismën me karakter seksual si; turpi, vazhdimësia e marrëdhënies, frika, detyra, akti si rutinë (lista mund të jetë edhe më e gjatë).
Duke patur parasysh që këto forma komunikimi qofshin ato verbale apo jo, janë të formuara dhe riprodhuara nga struktura gjinore fuqie, çfarë mënyrash mund të përdorim për të kuptuar nëse pasiviteti, një “po” ose një “po vendimtare” nuk është e korruptuar apo e manipuluar nga situata? Çfarë e bën pëlqimin seksual moralisht të pranueshëm?
Përpara se të kuptojmë se çfarë është pëlqimi seksual, dhe cili është qëllimi i tij në marrëdhëniet seksuale, është e rëndësishme të theksohet se argumentimi i artikullit është teorik dhe synon të shpalosë një anë të seksualitetit, për të cilën nuk diskutohet shpesh në hapësirën publike, mirëpo përfaqëson një pjesë të madhe të mënyrës mbi të cilën marrëdhëniet tona më intime arrijnë të formohen. Në këtë pikë, interesante është të diskutohet për format e ndryshme të dhënies së pëlqimit sepse çdo formë tjetër e cila implikon një ‘Jo’ të fortë dhe të qartë, konsiderohet plotësisht dhe automatikisht e papranueshme ose përdhunim.
Pëlqimi seksual mund të kuptohet shkurtimisht si një marrëveshje informale midis dy (apo më shumë) palëve përpara apo gjatë aktit seksual që kërkon një detyrim moral nga ana e palëve për tu respektuar. Pra, pëlqimi nga ana e të dyja (apo më shumë) palëve ka karakter transformues, mund të kthejë një veprim të pranueshëm etik në joetik dhe moralisht të papranueshëm (dhe anasjelltas) ose pëlqimi ka fuqinë të transformojë një veprim të dëmshëm, në një veprim të padëmshëm (ndoshta edhe pa e hequr efektin e dëmit të shkaktuar) dhe anasjelltas. Rrjedhimisht, pëlqimi seksual është moralisht transformues: mund të kthejë një akt seksual në një akt të forcuar ose të padëshiruar, çka mund të çojë deri në dhunë seksuale apo përdhunim.
Problemi që ngrihet në këtë rast është mënyra si merret ky pëlqim dhe nëse dhënia e pëlqimit e mjaftueshme për t’u marrë parasysh. Marrëdhëniet seksuale duken në pamje të parë shumë komplekse, por kjo për shkak të formës që janë trajtuar prej shumë kohësh, përpara se gratë të kishin mundësi të flisnin hapur për to. Sistemi shtypës dhe mbytës patriarkal që përfshinte çdo aspekt politik dhe shoqëror dhe që nuk i linte gratë të paraqisnin perspektivën e tyre mbi trupat dhe seksualitetin, bëri të mundur shpëndarjen e informacionit të shkruar vetëm nga perspektiva e burrave sikur të ishte një perspektivë e universalizuar për gratë dhe për personat jo-binarë (non-binary).
Në këtë mënyrë, u normalizuan shumë sjellje që për burrat konsideroheshin të pranueshme dhe në funksion të tyre, por për gratë përfaqësonin një realitet që duhet ta pranonin pa kushte. Në kategorinë e këtyre sjelljeve përfshihet edhe seksualiteti dhe sjellja seksuale që nga premisa se akti seksual simbolikisht është i barazuar me penetrimin, si një veprim që paraqet pushtim dhe sundim, lapidari i fuqisë burrërore. Personi nismëtar dhe subjekti seksual në këtë rast ndërmerr një mision drejt palës së penetruar që simbolikisht përfaqësohet nga një figurë e nënrenditur dhe e feminizuar.
Pikërisht, kjo sjellje e universalizuar mashkullore përcakton të gjithë elementet përbërës gjatë një akti seksual, përfshirë këtu edhe pëlqimin seksual. Jo rastësisht gruaja në këtë situatë rezulton pasive, por njëkohësisht edhe përgjegjëse për pasojat.
Autoret feministe si Carole Pateman dhe Susan Brownmill qenë ndër të parat të cilat diskutuan për marrëdhëniet seksuale të padëshiruara. Të dyja e shohin pëlqimin seksual si një kontratë informale midis palëve, por në forma të ndryshme: e para e konsideron si një veprim vullnetar angazhimi midis individëve racionalë dhe autonomë, ndërsa e dyta si një veprim që do t’i mbrojë gratë nga dhuna seksuale. Mirëpo, deri ku mund të arrijë pëlqimi të mbrojë gratë nga cenimi i autonomisë trupore dhe dhuna seksuale?
Lëvizja “Me Too” nxiti një valë që do të ndihmonte në rikonceptimin e marrëdhënieve midis partnerë/eve seksualë, si dhe ngriti pyetje që më parë as nuk ishin marrë parasysh, duke hedhur dritë mbi mënyrën sesi i përjetojmë marrëdhëniet seksuale dhe si e transmetojmë këtë eksperiencë tek të tjerë/at. Kjo bëri të mundur denoncimin e shumë rasteve të ngacmimeve seksuale, nga abuzimi i fuqisë deri në marrëdhënie seksuale të padëshiruara duke i turbulluar akoma më shumë diferencat midis hapësirës publike dhe asaj private, ku gratë trajtohen si objekte dhe trupat e tyre instrumentalizohen. Këtë fenomen e shohim lehtësisht në mënyrën si trajtohen trupat e grave nëpër media, në rrugë, në punë, në shtëpi. Seksualizimi i trupit të gruas dhe seksualiteti janë dy koncepte, të cilat shpeshherë ngatërrohen midis tyre, ndonëse janë të ndryshme si dita me natën.
Nëse trupi seksualizohet, ai zhvishet nga çdo lloj subjektiviteti, autonomie dhe vetëvendosjeje; trupi kthehet në pasiv, nuk ka më përkatësi, por kthehet në një objekt kundrimi dhe cenueshmërie në sytë dhe duart e një fuqie objektifikuese, e cila e redukton gruan në një instrument trupor seksual dhe asgjë më tepër se kaq.
Ndërkohë që seksualiteti vlen më shumë të shihet si një manifestim autonom, dëshirë, preferencë, sjellje e pavaruar nga një marrëdhenie seksuale. Shumë lehtë këto fenomone shfaqen si pashmangshmërisht të ndërlidhura në një marrëdhënie seksuale, por nëse njëra tregon objektifim, tjetra është mishërimi i subjektivizimit.
Ndryshimi midis tyre është thelbësor, objektifikimi dhe subjektivizimi janë dy të kundërta që përplasen shpesh ashtu si: racional/emocionale, aktiv/pasive, publik/private, subjekt/objekt, mjet/qëllim duke e limituar botëkuptimin në një dualitet të ngurtë, monokromatik, i cili qëndron larg realitetit dhe fsheh pabarazi të tjera sociale përtej gjinisë. Pikërisht këto shtresa fenomenesh i mbivendosen një marrëdhëniejeje dhe ku pëlqimi seksual mbështillet në këtë vorbull që në fakt supozohet të përqëndrohet mbi intimitetin dhe respektin reciprok midis partnerë/eve.
Si për ta komplikuar akoma më shumë çështjen, një tjetër element kyç i pëlqimit është komunikimi midis palëve. Nëse trupi instrumentalizohet dhe autonomia individuale është e cenuar, si mund të presim që komunikimi të jetë e vetmja metodë që ka aftësi transformative duke kthyer një veprim të papranueshëm moralisht dhe të dënueshëm, në një veprim moral dhe të pranueshëm? Kështu rikthehemi atje ku nisëm; si mund të kuptojmë nëse pëlqimi është dhënë në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të lirë, pa cenuar autonominë dhe subjektin?
Për ta kuptuar më qartë, pëlqimin seksual mund ta ilustrojmë me disa shembuj rastësor, hipotetikë. Qëllimi për të treguar pëlqimin seksual në një çift është vetëm për të kontestuar dhe demitizuar parimin që një partner/e mund t’i detyrohet tjetrit marrëdhënie seksuale. Marrëdhënia seksuale nuk është një produkt që mund të kërkojë diçka në shkëmbim (gjithmonë kur termat e marrëveshjes për fillimin e një marrëdhënieje nuk përcaktojnë punë, çka do të kërkonte diskutim të posaçëm) dhe as detyrim. Pëlqimi është miratim që ndërmerret me vullnet të lirë dhe për hir të marrëdhënieve të shëndetshme, le të shërbejë ky pohim si një aksiomë e nevojshme.
Për ta konkretizuar pjesën teorike, mund të marrim si shembull rastin e një cift X dhe Ytë cilët do t’i paraqesim në situata të ndryshme që kërkojnë pëlqimin e palëve të përfshira. Le të supozojmë se X dhe Y ndodhen së bashku në një lidhje prej disa kohësh, ushqejnë ndjenja dhe respekt reciprok. XY janë një çift hulumtuesish që ndajnë interesa të përbashkëta shkencore dhe bashkëveprojnë në mënyrë konstruktive si në marrëdhënien e tyre, ashtu edhe në punë. X po kryen një kërkim të ri shkencor me dy kolegë dhe kështu i duhet të shkruajë një punim për procesin e realizuar. Ndërkohë Y përveç punës që ka për kërkim shkencor, angazhohet edhe në një punë me kohë të pjesshme. X i kërkon ndihmë për të shqyrtuar dhe komentuar punimin e ri. Deri më tani Y ka lexuar dhe diskutuar çdo punim të X, por një moment në kohë, energjia kryesore e Y duhet të shkojë në afatet e punës që duhet të përmbushë.
Pavarësisht kohës së pamjaftueshme për vete dhe për X, sërish Y ndihet keq ta refuzojë edhe pse është po aq e pamundur t’i thotë “Po.” Y ndihet nën presion dhe nën efektin e detyrës meqë janë një lidhje pranon që t’i japë ndihmë X, edhe pse “Po-ja” nuk është plotësisht e sinqertë. Y në këtë po përdoret në mënyrë instrumentale, ku zgjedhjet dhe dëshirat nuk merren parasysh edhe pse nuk po i shkelet domosdoshmërisht autonomia. Ky shembull kundërfaktual është thjesht një nxitje për imagjinatën si mundet pëlqimi të jetë i pamjaftueshëm edhe kur është dhënë me vullnet të lirë. Por, le të marrim një shembull më konkret.
Kemi të njëjtin çift X dhe Y të cilët janë në një bar me shoqërinë për të festuar. Përpara dy ditësh, Y arriti të publikonte një punim për një revistë shumë prestigjioze, i cili i kishte marrë shumë kohë dhe si pasojë kishte neglizhuar marrëdhëniet e njerëzit përreth, përfshirë edhe X. Pavarësisht krenarisë që ndjen, ende Y nuk i ka treguar shoqërisë për suksesin. X e inkurajon Y ta ndajë lajmin e mirë, por sërish Y ngurron dhe kështu X fillon ta lavdërojë atë për aftësitë e admirueshme të shkrimit dhe aftësitë analitike dhe e uron publikisht për suksesin e korrur.
Në moment e sipër edhe nën ndikimin e emocioneve, Y i pëshpërit X që mezi pret të ndodhen vetëm për vetëm. Orë më vonë, pas disa pijesh X dhe Y mbërrijnë në shtëpinë e tyre dhe ndërsa përgatiten për të fjetur, X fillon të bëjë avancime seksuale drejt Y. Y thotë që dehja nuk e lejon të veprojë dhe të mendojë qartë dhe se lodhja po e kapit, por X shpejton t’i kujtojë premtimin e bërë në bar. Gjithashtu, nuk harron t’i përmendë kohën kur Y e ka lënë pas dore duke punuar dhe refuzuar dëshirat e X. Në këtë mënyrë, duke u vendosur në pozicion të sikletshëm, Y ndihet keq dhe e lejon X të vazhdojë me atë çfarë nisi. Mirëpo, në këtë rast, X nuk e cënoi autonominë e Y, e mori pëlqimin, por pëlqim që i është dhënë në mënyrë të heshtur dhe nën presion (qoftë ai i butë). Pra Y po përdoret instrumentalisht nga një partner/e egoist/e.
Le të marrim një shembull të fundit, A dhe B një tjetër çift janë duke parë një film në TV dhe pas disa minutash, A duket se po mërzitet me çfarë po sheh dhe kështu fillon të puthë dhe prekë B duke treguar që kërkon që B ta lërë filmin për të kryer me të marrëdhënie. B i përgjigjet me reciprocitet dhe nxiton të marrë një prezervativ. A duket që mërzitet dhe insiston që me prezervativ seksi nuk ndihet i vërtetë dhe nuk mundet dot të japë maksimumin e mundshëm. B ndihet e frikësuar për një shtatëzani të padëshiruar apo ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme. Ka dëgjuar shumë histori nga shoqet e saj dhe nuk do që asnjëri nga rastet t’i ndodhë asaj. Mirëpo, A vazhdon të këmbëngulë që deri më tani, B i ka ecur e saja dhe gjithmonë kanë kryer marrëdhënie të mbrojtur dhe tani njëherë që ai po ia kërkon, ajo nuk bie dakord. Madje, A shkon deri në atë pikë sa duket sikur e kërcënon, duke i thënë që nëse asnjëherë nuk merren parasysh dëshirat e tij, është më mirë që të ndahen. Kështu që B e gjendur përpara presioneve të së dashurit dhe frikës se do ta humbasë, vendos të kryejë me të marrëdhënie edhe pse termat e marrëdhënies nuk janë në përputhje me dëshirat e të dyja palëve, madje njëra palë mund të përfundojë e dëmtuar.
Tri shembujt si më lart kanë të përbashkët dhënien e pëlqimit, por në situata të ndryshme njëri/a nga partnerë/et ndihet nën presion dhe në detyrim ndaj palës tjetër dhe duket sikur “vetëlejohet“ të përdoret në mënyrë instrumentale. Kjo është një formë instrumentale e butë, e cila pavarësisht dhënies së pëlqimit, sërish është problematike sepse dëshirat e të dyja palëve nuk respektohen në mënyrë reciproke. Enkas nuk janë përdorur shembuj të përdorimit instrumental të fortë sepse aty refuzimi është i qartë dhe në shumicën e rasteve përfundon në përdhunim.
Çfarë e bën dhënien e pëlqimit të pamjaftueshme është pikërisht, trajtimi i aktivitetit seksual si një produkt që mund të shkëmbehet, si një kontratë ku partnerë/et ndihen të detyruar të përmbushin rolet e caktuara shoqërore dhe pritshmëritë që njëra ka ndaj tjetrës. Njerëzit kanë pritshmëri dhe pretendime të ndryshme, por çka na intereson janë pikërisht përcaktimi i faktorëve që ndikojnë zgjedhjet tona.
Catharine McKinnon (1989) në librin “Toward a Feminist Theory of State” shpjegon se seksualiteti në shoqëri është një produkt shoqëror i përkufizuar nga burrat dhe i forcuar mbi gratë. Sipas saj, duke patur parasysh hierarkinë e fuqisë gjinore, gratë kanë ngecur në një qark ku kryejnë marrëdhënie në mënyrë që të marrin miratimin e burrave dhe ky miratim te burrat përkthehet në vëmëndje apo ndoshta dashuri.
Nëse reagimi më i shpejtë pas paraqitjes së shembujve do të ishte se përse partnerë/et nuk arritën të komunikojnë hapur, në anën tjetër nuk duhet harruar se refuzimi është një sjellje jo fort e tolerueshme dhe e pëlqyeshme në shoqëri. Tendenca e pranimit në mënyrë që të mos lëndosh ndjenjat e të tjerë/ave apo të komunikimit pasiv dhe/ose indirekt janë forma të cilat iu ushqehen vajzave që të vogla, ashtu siç “u ka hije.”
Përndryshe rrezikojnë të penalizohen në shoqëri nga sjelljet ballafaquese, sfiduese dhe refuzimi i drejtpërdrejtë i atyre që konsiderohen si sjellje jofemërore. Në këtë mënyrë, gratë zbusin refuzimet, i justifikojnë ato apo thjesht i pranojnë për të evituar lëndimin e ndjenjave të palëve të tjera dhe për t’u mbrojtur nga paragjykimet. Është pikërisht komunikimi dhe gjuha një mjet që shërbejnë për të transmetuar zgjedhjet dhe dëshirat tona, por faktorë të tjerë të brendshëm shoqërorë e kthejnë komunikim në pasiv dhe e sforcojnë miratimin, duke i kthyer “Jo-të” në “Po” të heshtura dhe pajetë.
Ndaj është i nevojshëm demaskimi i trajtave shoqërore që na burgosin në pasivitet apo forma të reja të tejçimit të pëlqimit seksual. Është e nevojshme perspektiva femërore dhe e personave jo-binarë në marrëdhënie seksuale, ku fjala “penetrim” të ketë të barazvlefshmen përkatëse gjuhësore dhe gruaja të mos ndihet e tjetërsuar në një veprim ku edhe ajo merr pjesë.
Është kështu i domosdoshëm çlirimi nga ligjërimi seksual i dominuar nga burrat alfa, ku eksperiencat e palëve të tjera të përfshira në ndërshëmbim seksual të konsiderohen po aq të rëndësishme. Subjektiviteti i tyre në marrëdhënie duhet përcjellë në mënyrë të njerëzishme, jo mekanike por dinamike, ashtu siç ndjell dhe vetë liminaliteti i seksualitetit njerëzor.