NJË MENOPAUZË FEMINISTE

JEN GUNTER

Prof. Dr. Jen Gunter është mjeke obstretike-gjinekologe dhe autore e librave “Manifesti i Menopauzës” dhe “Bibla e Vaginës”.

Për një kohë të gjatë menopauza është trajtuar si një proces paraprirës ndaj vdekjes; shndërrimi i gruas në “plakë”; bileta pa kthim drejt fundit. Kjo ka ardhur për shkak se përgjithësisht, vlera e një gruaje është matur me aftësinë e saj riprodhuese e gjithashtu sepse feminiteti i saj është paracaktuar nga një standard mendjengushtë dhe mizogjin.

Gjuha mjekësore mbi menopauzën ende vazhdon ta reflektojë këtë qasje. Për shembull është mëse e zakonshme të thuhet se vezorja është “rraskapitur” por i njëjti koncept dështimi apo lodhjeje nuk i mvishet penisit. Përndryshe do të dëgjonim më shpesh fraza si “dështim i penisit” apo “rraskapitje penile”, në vend të eufemizmit “mosfunksionim erektil”.

Për shumë gra menopauza është pasqyrim i së njëjtës llahtari që provojnë vajzat e reja kur në mungesë totale informacioni, një ditë zgjohen të mbuluara me gjak. Së paku, kjo ka qenë përvoja e nënës sime në vitet ‘40. Për shumë gra menopauza është zbulimi i gjithfarë simptomave të papritura, të konsideruara të turpshme për t’u diskutuar haptazi.

Ne mund t’ia dalim mbanë më mirë nëse përqafojmë idenë për një menopauzë feministe. Gratë meritojnë të jenë të pajisura me fakte, të çliruara nga frika, turpi apo fshehja përballë ndryshimeve që pësojnë trupat e tyre. Një menopauzë feministe nënkupton të refuzuarit e konceptit patriarkal që vlerën e gruas e mat me funksionin e vezoreve të saj. Fundi i jetës riprodhuese të gruas nuk përfaqëson gjithashtu fundin e jetës së saj prodhuese. Komuniteti mjekësor duhet t’i ofrojë grave shumë më tepër informacion për mënyrën sesi hormonet e tyre ndryshojnë në moshë të mesme, që gratë të dinë se ç’të presin dhe për çfarë konkretisht t’u nënshtrohen trajtimeve mjekësore.

Fjala “menopauzë” vjen nga greqishtja dhe është e përbërë prej fjalëve “muaj” dhe “ndërprerje”. Ajo i referohet periudhës së fundit menstruale në jetën e një gruaje. Në të vërtetë menopauza nënkupton një tranzicion biologjik të ngjashëm me pubertetin, në kuptimin e ndryshimeve hormonale, që çojnë nga një fazë biologjike femërore te një tjetër. Menopauza ndodh si pasojë e ndryshimeve që pësojnë vezoret dhe truri. Gratë gëzojnë një numër të fundëm vezësh ose ovocitesh dhe dekada të tëra ovulimi shkaktojnë gradualisht uljen e numrit të cilësisë së ovociteve, duke ndikuar kësisoj në prodhimin e estrogjenit dhe progesteronit. Në këtë proces truri i përgjigjet ndryshimeve nëpër të cilat rrugëtojnë këto hormone. Shkencërisht kjo periudhë njihet ndryshe edhe si “tranzicion menopauzal”. Ndryshime të tilla hormonale, rëndom, fillojnë te gratë në mes të të dyzetave. Ato mund të zgjasin me vite dhe simptomat më tipike përfshijnë çrregullimin menstrual, afshet, thatësinë vaginale, depresionin, pagjumësinë dhe episodet e përkohshme të harresës.

Shenja më dalluese e menopauzës është cikli i fundit menstrual që ndodh te një grua. Megjithatë kjo ngjarje luan një rol pak a shumë të vogël. Cikli i fundit menstrual mund të jetë i rëndësishëm për të ditur për shembull, se kur duhet ndaluar përdorimi i pilulave kontraceptive si dhe për të përcaktuar nga ana mjekësore mënyrën e investigimit të hemorragjisë anormale menstruale. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë njerëzit e pajisur me vezore fillon vite përpara se të ndodhë cikli i fundit menstrual dhe duket sikur zgjat një jetë sepse ky tranzicion hormonal mund të rrisë te gratë rrezikun për sëmundje të zemrës, arrest kardiak, dementia dhe osteoporozë. Padyshim, në një tjetër perspektivë, gratë mund të çlirohen nga dhimbjet e përmuajshme menstruale, intensiteti i periodave, ciklet e çrregullta apo frika e një shtatzanie të padëshiruar.

Megjithatë, shumë gra janë të pandërgjegjshme në lidhje me aspektet kryesore të menopauzës. Në çastin që nuk iu vijnë më menstruacionet, ato nuk dinë ç’të presin dhe ç’të bëjnë… Përvoja me afshet pritet me drojën e djersitjes dhe sikletit që kjo mund të shkaktojë në mjedisin e punës. Njëkohësisht, thatësia vaginale për shumë syresh mund të shkaktojë parehati në marrëdhënien seksuale me partneri/en, sidomos kur mes palëve nuk ka komunikim të lirshëm. Cila grua dëshiron të pranojë në një kontekst patriarkal se ajo tashmë është duke luajtur në atë skuadër, që shoqëria e konsideron “të parëndësishme”? Shto këtu faktin që menopauza ndodh kryesisht “aty poshtë” dhe boshllëku informativ nuk ka se si të jetë befasues.

Ndërthurja e kësaj mungese informacioni me tabutë që ekzistojnë rreth menopauzës do të thotë shumë. Gratë janë më të prirura të mos i diskutojnë simptomat me një mjek/e, duke hamendësuar gabimisht mbi mungesën e terapive të sigurta dhe të efektshme. Si mjeke dhe autore që shkruan dhe flet vazhdimisht për shëndetin e grave kam dëgjuar nga shumë prej tyre të shprehen se në konsulta gjinekologjike kanë ndjerë se mjekët ose nuk mund ose nuk do t’u përgjigjeshin shqetësimeve të tyre mbi ndryshimet, që po u ndodhnin. Ato janë përcjellë me moskokëçarje dhe shprehje të tipit: “Hajt se nuk është kushedi se çfarë!” ose “Ky është taksirat i gruas!” dhe në ca raste të tjera janë këshilluar të kthehen për konsultë kur të jenë “vërtet në menopauzë”. Pse nuk thotë askush që disfunksionaliteti erektil “nuk është kushedi se çfarë” apo që ai është thjesht “taksirat i burrit”?

Është kaq i thellë hendeku i njohurive për menopauzën, saqë shumë gra as që e dinë se cilat janë shenjat e menopauzës. A janë ato njëmend në menopauzë apo e kanë mbyllur atë kapitull?

Ky pështjellim mund të gjurmohet te keqorientim me të cilin trajtohet cikli i fundit menstrual si dhe në terminologjinë e përdorur: tranzicioni menopauzal, periudha që çon deri te cikli i fundit menstrual, shpesh quhet “faza para-menopauzë” ose “perimenopauzë”. Perimenopauza përshkruan tranzicionin menopauzal plus vitin e parë pa menstruacione. Por nuk ekziston ndonjë shpallje për ciklin e fundit menstrual. Kësisoj, një grua mund të konsiderohet në fazën e pas menopauzës ose ndonjëherë “në menopauzë” në çastin që ka kaluar rreth një vit pa perioda. Duke qenë se periodat e fundit nuk ndikojnë në mënyrën sesi ne e menaxhojmë përvojën në menopauzë, zakonisht, i gjithë procesi përshkruhet si menopauzë.

Pritja për ndalimin e menstruacioneve si kusht për të përftuar një diagnozë mund të jetë frustruese. Për këtë arsye nuk është aspak befasuese që një sërë kompanish kanë nisur të shesin teste, që premtojnë t’u tregojnë grave se në ç’fazë të tranzicionit menopauzal ndodhen. Ç’është e vërteta, asnjë pikë gjaku, sekrecioni apo urine që kalon përmes një testi të tillë nuk mund të përcaktojë saktë nëse dikush është apo jo afër ciklit të fundit menstrual. Kaosi hormonal në këtë fazë tranzitore është kaq i madh saqë niveli i hormoneve në një muaj mund të sugjerojë mbërritjen në menopauzë dhe dy muaj më vonë të rezultojë normal. Teste të tilla janë të pakuptimta sepse e vetmja gjë që ato ofrojnë është një informacion i çastit për gjendjen e hormoneve, të cilat janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe terapia për simptomat shqetësuese nuk varet nga niveli i hormoneve. Teste të tilla thjesht i kontribuojnë shfrytëzimit me qëllim përfitimin monetar në fushën e mjekësisë.

Ekzistojnë trajtime të provuara shkencërisht dhe efektive për shumë simptoma të menopauzës. Ndoshta trajtimi më i njohur është terapia hormonale e menopauzës ose T.H.M (Anglisht: “Menopausal Hormonal Therapy” ose “M.H.T.”) që shpesh njihet edhe si “terapia e zëvendësimit të hormoneve” (një frazë që duhet hedhur poshtë sepse sugjeron abnormalitet kur diçka e tillë nuk ekziston). T.H.M. është zakonisht një lloj estrogjeni dhe grave me mitër gjithashtu do t’u nevojitet edhe progesteron ose një lloj hormoni i përafërt me progesteronin për t’i mbrojtur ato nga rreziku i shtuar i kancerit. Paçka se të dhënat shkencore tregojnë se T.H.M. përbën rrezik të vogël për gratë, të cilat e nisin këtë terapi përpara moshës 60-vjeçare, shpesh ekziston një lloj ngurrimi ndërmjet mjekëve për ta dhënë atë si mjekim dhe mes grave për ta marrë atë.

Në dy dekadat e fundit është vënë re një rritje premtuese në kërkimin shkencor mbi menopauzën. Shkencëtarë/et kanë mësuar se disa tipe antidepresantësh dhe të tjera trajtime mund t’i reduktojnë afshet. Trajtimet hormonale mund të ndihmojnë me simptomat gjenitalo-urinare të menopauzës (thatësia vaginale dhe dhimbja gjatë penetrimit). Kërkimi shkencor ka treguar gjithashtu se harresa është simptomë e vërtetë, jo e hamendësuar, por gjithsesi e përkohshme. Ne jetojmë në epokën e një rilindjeje mjekësore përsa i përket njohurive për menopauzën dhe trajtimeve të përditësuara, që ekzistojnë për simptomat dhe prapësëprapë shumë gra nuk përfitojnë nga ky fakt.

Për pasojë, gra të cilat kërkojnë të informohen, shpesh e gjejnë veten në të atilla burime informacioni, që mund të duken të sakta por në fakt i orientojnë ato kah atyre produkteve, që ose janë të patestuara shkencërisht ose shkaktojnë dëme shëndetësore. Kësisoj kemi një treg gjithmonë e në rritje, që ofron me lehtësi suplemente të cilat shenjëstrojnë pikërisht gratë në menopauzë duke u premtuar atyre lehtësim të simptomave si afshet apo pagjumësia. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës suplementet nuk testohen nëse janë të rrezikshme apo jo dhe disa “suplemente për menopauzën” përmbajnë përbërës që ose nuk janë provuar nëse realisht i lehtësojnë simptomat ose shkaktojnë dëme serioze.

Një treg gjithashtu në rritje është edhe ai i hormoneve të ashtuquajtura bioidentike ose të përbëra. Këto produkte nuk i nënshtrohen mbikqyrjes së duhur rregulluese dhe një raport i fundit nga Akademitë Kombëtare të Shkencave për Mjekësinë dhe Inxhinerinë Mjekësore arriti në konkluzionin se ekziston një informacion tejet i limituar për sigurinë dhe efektivitetin e këtyre produkteve. Personalisht, do t’ia besoja shëndetin tim vetëm një pilule estrogjeni të aprovuar nga Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimit. Unë dua të di ekzaktësisht se ç’është duke absorbuar trupi im dhe një siguri të tillë nuk mund ta kem te një produkt i patestuar. Fakti që shumë gra ndihen më rehat të përdorin produkte që nuk janë të këshilluara nga ekspertë të menopauzës, tregon shumë si për hendekun e komunikimit që ekziston në mjekësi, po aq edhe për ato subjekte, të cilat shënjestrojnë gratë me qëllimin për të përfituar ekonomikisht nga shëndeti i tyre. Boshllëqe të tilla janë shqetësuese, veçanërisht marrë parasysh faktin që kontributi shkencor aktualisht nuk mungon.

Mjekësia perëndimore ka gjetur tashmë mënyra për t’i edukuar pacientet/ët mbi ndryshimet  hormonale domethënëse. Ndër të tjera, mjekë/et pediatër/re në mënyrë rutinore diskutojnë mbi pubertetin me pacientë/et e tyre dhe i kornizojnë bisedat në kontrolle vjetore bazuar te mosha dhe simptomat. Mjekë/et duhet të zhvillojnë diskutime të ngjashme me gratë në të tridhjetat e vona, në mënyrë që pacientet të jenë të përgatitura. Çrregullimet menstruale, afshet, depresioni dhe episodet e harresës mund të fillojnë disa vite përpara ciklit të fundit menstrual, që tipikisht ndodh te një grua në të pesëdhjetat e hershme. Biseda të tilla mund t’i nxisin gratë që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur shëndetin e tyre gjatë menopauzës duke shtuar për shembull ushtrimet fizike apo dozën e kalciumit.

Për një kohë shumë të gjatë, grave iu është dashur të luftojnë për t’i mësuar të gjitha faktet mbi menopauzën. Atyre iu është dashur të përvishnin mëngët për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor. Biseda për shqetësimet apo ndryshimet në trupin femëror duhet të konsiderohet diçka normale, jo e guximshme.

Menopauza nuk është dënim me vdekje. Ne duhet ta rrëzojmë konceptin mizogjin se vlera e një gruaje është e lidhur me nivelin e estrogjenit dhe moshën e saj. Në vend të kësaj, ne duhet ta mendojmë menopauzën si një tjetër fazë jete dhe ciklin e fundit menstrual, thjesht si një pikë referimi përgjatë rrugës. Në çastin që gratë kanë nevojë të zbulojnë më shumë mbi simptomat e tyre dhe implikimet shëndetësore të menopauzës, qartazi, informacioni jo-seksist dhe terapitë e provuara shkencërisht do duhet të jenë të disponueshme për to. Në njëfarë mënyre, të kërkosh ndihmë mbi menopauzën nuk nënkupton domosdoshmërisht manifestimin e një akti feminist por nëse ne heshtim, kjo ndihmë nuk ka për të ardhur kurrë.

Ky artikull është botuar në origjinal në të përditshmen amerikane “The New York Times”, në 25 maj 2021. 

Përktheu: Gresa Hasa

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur