Kapitalizmi është një sistem agresiv prodhimi që penetron në të gjitha marrëdhëniet shoqërore, rëndom duke i tjetërsuar ato ose duke i intensifikuar, si në rastin e marrëdhënieve patriarkale të cilat kanë qenë ekzistuese në shoqëritë para-moderne dhe që nën kapitalizmin, thjesht fituan justifikime të reja. Kapitalizmi e ka justifikuar shfrytëzimin e fëmijëve në shekullin e XIX në emër të “zhvillimit ekonomik” dhe ai vijon të justifikojë shfrytëzimin e krahut të lirë të punës dhe punën e papaguar të grave sot, në emër të të njëjtit “zhvillim ekonomik” nga i cili përfiton vetëm 1% e shoqërisë. Ideja e gënjeshtërt për “inferioritetin e natyrshëm” të grave justifikon refuzimin për paga të dinjitetshme dhe të barabarta ndaj tyre ose pushimin e tyre nga puna dhe ndrydhjen brenda sferës private…
Strukturat historike shtypëse mbahen gjallë në kapitalizëm.
Kësisoj refuzohen shpërndarja e drejtë ekonomike dhe detyrat shoqërore. Arsyeja se përse sot kemi një sistem shëndetësor të rrënuar dhe përse gratë ndodhen rishtazi në vijën e parë të përkujdesjes, me punë të shtuara dhe role patriarkale të intensifikuara, duhet kërkuar te kapitalizmi.
Nëse këtij sistemi do t’i jepja një formë antropomorfe, atëherë ai do t’i përngjante një burri të bardhë, në moshë të mesme e me status të lartë ekonomik dhe shoqëror, i cili pasiguritë i fsheh pas dhunës dhe në dhunë e konfirmon vetveten. Ky burrë nuk di të shërbejë. Ai është i paaftë t’i ofrojë një gotë ujë të sëmurit/ës që dergjet në shtratin e spitalit, një spitali pa kushte, pa mjete, madje edhe pa mjekë/e që janë sakrifikuar në mënyrë që burri-sistem ta mbajë veten me gajret e të mos e ndryshojë asnjë centimetër pozitën e tij të pushtetit. Ai thith me grykësi oskigjenin e secilit prej nesh dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur është t’ia shkëpusësh tubat, që e mbajnë të lidhur me mushkëritë tona, ajrin, energjinë dhe vitalitetin e të gjithëve ne.
E lejoj veten të përhumbem në përsiatje të tilla, të cilat në fakt i përngjajnë maktheve në situatën ku ndodhem. COVID19 i ka shtrirë duart në grykën e familjes sime dhe e shtrëngon atë çdo ditë me më shumë forcë. Është një luftë me shumë fronte që nuk më lejon asnjë çast armëpushim.
Nëna ime është sëmurë dhe dhimbjen e saj e ndiej në çdo qelizë timen. I qëndroj pranë, i shërbej, e ushqej, i jap ilaçet në kohën e duhur dhe i mas vazhdimisht temperaturën. Afërmendsh, maskën dhe dorezat sanitare nuk i ndaj. Ato janë bërë tashmë pjesë e pandashme imja, njëlloj si dhimbja që buron nga të vërejturit e njeriut më të dashur tëndit në vuajtje.
Kjo grua, që tanimë ka mbledhur forcat e po lufton parreshtur me virusin, paguan siguracione prej 35- vitesh, por ditën që asaj i nevojitet më shumë përkujdesja mjekësore, në krah i ndodhem unë, motrat e saj dhe fqinjët e lagjes ku jetojmë, të cilët na bëjnë pazarin e gatuajnë, në përpjekje për të na ndihmuar si të munden, duke shfaqur një solidaritet të pashoq, që ma rivitalizon shpresën në shoqërinë shqiptare.
Pandemia nuk na mësoi diçka të re, ajo thjesht na ndihmoi të shquanim problemet e mbartura në shoqërinë tonë ku veçanërisht, sistemi shëndetësor tash e tri dekada është shkatërruar sa nga moskokëçarja shtetërore, po aq nga politika të gabuara dhe një ideologji, që përpara jetës së njeriut, favorizon kapitalin.
Ky s’është fenomen shqiptar, por ekonomiko-shoqëror, që vende të varfëra si Shqipëria i dërrmon ndoshta në mënyrë të pakthyeshme. Kemi qenë dëshmitare të çdo investimi të ngutshëm, të kryer keq e në mënyrë korruptive në rrugë e autostrada, në qiellgërvishtës pa shije, që i shërbejnë pastrimit të parave dhe lëmimit të egos së rioshave pasunarë shqiptarë; të betonizimit të çdo hapësire të gjelbër dhe shkatërrimit të lumenjve për hidrocentrale të panevojshme, ndërkohë që shëndetësia mbeti pa mjekë, pa infermierë, pa mjete, pa ilaçe; ndërkohë që arsimi mbeti pa biblioteka, pa profesorë/e dhe shoqëria, pa mendim kritik.
Kërkoj një mjek/e për time ëmë dhe shërbim profesional por nuk e gjej, as në spital. Mjekë/et kanë emigruar drejt vendeve, që ofrojnë kushte dhe paga të dinjitetshme.
Infermierë/et po ashtu. Ata/o pak që kanë mbetur janë ose duke luftuar vetë me COVID19, ose të tejngarkuar/a për t’i shërbyer një numri të jashtëzakonshëm pacientësh.
Kryeministri i një shteti prej pambuku bëlbëzon për “armikun e padukshëm” në një kohë kur “armiku” mund të shihet qartë e me sy të lirë: ai është mungesa e shtretërve në spital, mungesa e ngrohjes për pacientët/et me ndërlikime në mushkëri; rryshfeti nën dorë në këmbim të jetës; ushqimi i ftohtë e pa shije, që të kujton se shteti të ka reduktuar në një krijesë që pak përngjan me njeriun… Ky armik është era e fortë e acidit të banjove të palara dhe makina e oksigjenit që më kërkohet të blej… Janë të gjitha paratë që nuk i kam, por që duhet t’i gjej, t’i shpik po të jetë e nevojshme, për nënën time që më garantoi jetën, të cilën tani unë ndihem e paaftë t’ia mbroj.
Sistemi-burrë është mbrujtur që në gjenezë me idenë për të akumuluar sa më shumë fitim. Ai nuk mendon për askënd veç vetes. Ashpërsia e tij në treg tejkalon çdo përmasë të së pranueshmes dhe njerëzores. Ne kërkojmë ngrohtësi, dashuri, përkujdesje por burri-sistem është i paaftë të na i ofrojë ato. Burri-sistem e sistemi-burrë na ofrojnë vetëm lodhje, tëhuajsim dhe një gjendje dëshpërimi klinik, nga ku humbasim çdo grimcë energjie për të ngritur krye… Ai na konformon në gjirin e tij të akullt, ku jetët shuhen. Deri kur?
Në shtëpitë tona, vuajtja e shkaktuar nga patriarkalizmi i menaxhimit të shoqërisë, po intensifikohet mbi shpatullat e grave, ku në mënyrë të përsëritur manifestohet riprodhimi shoqëror. Kjo është një gjendje lufte të përhershme, jo të përkohshme, ku ofensiva vjen nga shkrirja e kapitalizmit me patriarkalizmin në terma konkret, madje, të prekshëm…
Koka më buçet gjatë vrapit për të ushqyer nënën, larë rrobat dhe enët e njëkohësisht, teksa tentoj të ruaj vendin e punës, duke e tërhequr mbinjeriun nga nuk-e-di-se-cila skutë imja, mendoj: Si mund të përballohet një pandemi, që kërkon investime afatgjata në shëndetësi e burime njerëzore, brenda një sistemi që këto nevoja nuk i shquan aspak?
Nëse tipikisht në shoqëritë tona burrat janë farkëtuar për të sjellë fitim dhe gratë për t’u kujdesur për jetën, atëherë, kjo mënyrë të funksionuari ka dështuar dhe COVID19 vetëm sa na e ka bërë (më) të qartë këtë. Ndoshta një përditshmëri të tillë, pas pandemisë do ta kthejmë përmbys, së bashku me këto role gjinore të çartura.
Nga këtu nuk mund të ketë më kthim mbrapa, por hedhja përpara e një hapi të qenësishëm, një hapi që e shkelmon tutje njëherë e përgjithmonë një degradim sistemik të këtyre përmasave.
Mbrëmje. Me një buzëqeshje fuqidhënëse e fik për sonte makinën që e mban atë gjallë, pasi mbarova punët e fundit që kisha në dorë. Derisa të nesërmen, që vjen ngadalë, do të refuzojmë të gjitha ta vëmë në punë nga e para mekanizmin që grin jetët tona në makinën e stërmadhe-sistem.