Elife (Eli) Krasniqi është antropologe, aktiviste feministe dhe shkrimtare. Poezitë e saj janë botuar në revista dhe antologji letrare në Kosovë dhe Shqipëri si Antologjia Rome II (2015), Prishtinë; Poeteka (2015), Shqipëri. Po ashtu, poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në revista letrare ndërkombëtare si Beton International (2017), Greqi; Ausreisser (2019), Austri; Transletter (2020), Austri. Në vitin 2010 drama e saj "Citycide" u shpërblye nga Teatri Kombëtar i Kosovës me çmimin e dytë "Katerina Josipi". "Citycide" u botua më 2017 nga Qendra Multimedia dhe së shpejti do të botohet edhe përmbledhja e saj me poezi. Në vitin 2009 Elife (Eli) Krasniqi bashkëthemeloi dhe udhëhoqi (2009 - 2010 dhe 2016 - 2018) Institutin Feminist për Studime në Shoqëri dhe Kulturë "Alter Habitus". Prej vitit 2018 ajo është ligjëruese dhe hulumtuese shkencore në Institutin e Historisë në Universitetin e Graz-it.
qyteti lëviz çuditshëm
në njëtrajtshmëninë e vet
rrugët flasin me mue
sa herë shpëtimin nuk e kam gjetë
jam grue e s’më kanë hije rrugët, më thonë
burri asht i bamë për dynja
e fëmijëve u asht heqë të kuqtë e faqeve
ikin prej shpijave të veta
me gjetë pak bukë e rehati
hapësinat ngushtohen, bahen një me mue
sokaqeve gurët u hiqen e më godasin
jam fajtore unë që nuk mora kurrë një copë dashni.
as nuk ma dhanë si fëmijë e as si e rritun
“kur t’shkojsh n’fis t’huej”, “n’derë t’huej”.
m’u ba me dije qëmoti se nuk jam e shpisë
as e fisit të huej, e as e derës së huej.
çikave, që me të kuqtë e faqeve
u matet rrita
u maten rrugët
u maten dërrasat.
i huptë fara fisit…!
(2012)
Kushtu grave, viktima të dhunës në familje.