ANTIGONA, DËSHMORJA 18-VJEÇARE E KOSOVËS

antigona- shota4

FITIM SALIHU

Fitim Salihu është politolog. Ai është përqëndruar kryesisht te Studimet Kulturore dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, veçanërisht Lindjen e Mesme, SHBA dhe Amerikën Latine. Për një periudhë të konsiderueshme ka punuar si redaktor kulturor pranë gazetës kosovare "Zëri". Salihu është i angazhuar si kolumnist në gazetën kroate "Bilten" dhe njëkohësisht punon si hulumtues shkencor në institute të ndryshme brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Porsi e frymëzuar nga Antigona e tragjedive greke të Sofokliut, më 1981, një vajzë të posalindur në Drenicë do ta pagëzonin me emrin e saj. Antigona e Kosovës, e emërtuar si Antigona e tragjedive greke, sapo arriti moshën madhore do të bëhej heroinë e tragjedisë së Kosovës.

Në një betejë të ashpër të brigadës së saj me forcat pushtuese serbe, Antigona do të binte heroikisht, vetëm një muaj e pak ditë përpara çlirimit të Kosovës.

Antigona Fazliu u lind më 11 mars 1981 në Gradicë të Skënderajt nga prindër që vinin nga familje të persekutuara prej regjimit jugosllav. Ditën që ajo lindi, Kosova kishte hyrë tashmë në një vorbull, spiralja e së cilës nuk do të ndalej deri me përfundimin e luftës së vitit 1999, kur vetë Antigona do të binte dëshmore. Më 11 mars 1981 patën filluar demonstratat masive të studentëve, fillimisht në Prishtinë dhe më pas edhe në qytetet e tjera të Kosovës. 

Fëmijëria e saj duhet të ketë qenë tipike e shumë fëmijëve kosovarë të viteve ’90 – të dëbuar nga objektet shkollore, me prindër të pushuar nga puna, të vetëdijshëm se diçka nuk shkon. Një fëmijëri e vjedhur nga shqetësimet e temat e politikës, dëshmitare padrejtësish dhe persekutimesh. Shtuar kësaj edhe prejardhjen nga një familje të shënjestruar nga regjimi, politizimi i fëmijërisë bëhet edhe më i pranishëm e i dallueshëm.

Ndikuar nga gjithë sa e rrethonte dhe mënyra e saj e rritjes, Antigona dikur do t’i bashkëngjitej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas rënies heroike të familjes Jashari, Antigona do të braktiste Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe do të inkuadrohej në moshën 17-vjeçare, fillimisht si infermiere dhe më pas luftëtare e UÇK-së në Brigadën 114.

“Zë kushtrimi nga Gradica / Thonë se u ngjall Shote Galica,” jehojnë vargjet e këngëtarit Ilir Shaqiri në këngën kushtuar heroinës Antigona Fazliu, kësaj Shote të radhës që dha Drenica. Që kjo shpluhurosje historike për revistën “Shota” të mund të kuptimësohet më tej dhe gjithashtu, për të njohur më mirë një heroinë ndryshe, bashkëbiseduam me Elheme Hetemin, ish-luftëtare të Brigadës 112 të UÇK-së.

“Antigonën e kam takuar për herë të parë në manifestimin e parë “Epopeja e UÇK-së” më 5 mars të vitit 1999 në fshatin Prekaz. Ne ishin ushtare në brigada të ndryshme,” kujton 24 vjet më vonë Elhemja.

“Atë ditë patëm rastin të ishim bashkë në ngritjen e flamurit. Në dukje të parë, Antigona të tërhiqte me pamjen e saj shtatëhedhur dhe me qëndrimin krenar.”

Elhemja e kujton Antigonën si një grua të re të kalitur për të qenë e fortë dhe e vendosur: “Mosha e saj e re nuk e pengonte për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të saj, por gjithsesi përvoja e saj e re jetësore e kufizonte të jepte aq sa ajo dëshironte dhe aq sa rrethanat e kërkonin.”

Elhemja na sjell edhe një rrëfim njerëzor për Antigonën; për Antigonën njeri, vajzën e re dhe me ëndrra shumë.

“Antigona kishte synime në jetë. Ajo synonte të bëhej mjeke dhe i gjithë angazhimi i saj si nxënëse e shkollës fillore dhe të mesme ishte të merrte maksimumin e dijes drejt këtij profesioni. Përpjekjet edukative të saj iu patën shpërblyer me vlerësimin si nxënësja më e mirë e brezit të saj në të gjithë shkollën.

Elhemja vijon rrëfimin duke shtuar se ngjarja që i kujtohet dhe e mallëngjen sa herë sjell ndërmend Antigonën është momenti kur gjatë një ofensive të forcave armike ishin pozicionuar së bashku për t’i zënë pritë forcave serbe dhe për t’i mos i lejuar ato që të mbërrinin deri te popullata civile, e cila ishte strehuar në një luginë në malet e Qyqavicës.

“Isha e pozicionuar pranë Antigonës dhe patëm mundësi të bisedonim derisa u afruan forcat serbe. Më kujtohet sesi gjatë bisedës, Antigona shpalosi planet e saj të jetës pas përfundimit të luftës. Më foli për fakultetin, muzikën dhe familjen. E dëgjoja me ëndje dhe çdo fjalë e saj rëndonte sa toka në kokën time.

Pyesja veten: “A e kupton kjo që ne jemi të pozicionuara për të luftuar ballë për ballë me forcat armike?” Kishim pak municion. Me ushtrinë serbe nuk mateshim dot as me numër ushtarësh. Ne ishim shumëfish më pak. E gjithë zona ku ishim përqëndruar sulmohej me lloj-lloj armatimesh. Pak përpara rënies së muzgut mbërriti edhe këmbësoria e forcave serbe dhe tashmë qemë duke shkëmbyer plumba të dyja palët. Gjatë kësaj kohe, herë pas herë vështroja Antigonën së cilës nuk i luante as qerpiku i syrit.”

Mëpastaj, Elhemja kujton sesi më 28 prill 1999 u nda me Antigonën. Në këtë kohë ushtaraket ndodheshin në fshatin Prekaz: “Unë kisha në plan të shkoja në fshatin tim, në Burojë, pasi nuk kisha asnjë informacion për familjarët e mi. Mësova se ata ndodheshin në shkollën e fshatit Kllodernicë të rrethuar nga forcat serbe dhe se ishin duke mbijetuar me kokrra misri. Doja patjetër të shkoja për t’i takuar, t’i ndihmoja apo edhe të vdisja bashkë me ta.”

Ndërsa Elhemja mbërriti në fshatin Çubrel, brigada e Antigonës lëvizi nga malet e Çiqavicës. Ajo kujton sesi më 30 prill, forcat serbe ndërmorrën një nga ofensivat më të ashpra dhe gjatë këtyre luftimeve ranë heroikisht shumë ushtarë dhe u masakruan një sërë civilësh.

“Mësuam për luftimet atjepari nga fshati Çubrel. Njëri nga bashkëluftëtarët, Fadil Rrustemi, po provonte të komunikonte me komandantin [e Brigadës 114] Ilaz Kodra. Megjithatë, në lidhjen përmes radios u përgjigj dikush tjetër që na informoi se nuk kishte asnjë komunikim më nga Ilaz Kodra. Aty kuptuam se diçka e keqe kishte ndodhur por nuk mund ta pranonim faktin se së bashku me trupat e tjerë kishte rënë edhe komandanti.”

Atë ditë, të cilën Elhemja e kujton sot, ra heroikisht jo vetëm komandanti i Brigadës 114, Ilaz Kodra, por edhe heroina jonë, 18-vjeçarja Antigona Fazliu. Ishte data 30 prill 1999. 

Antigona u lind kur po shkruhej historia dhe ra dëshmore duke u bërë vetë pjesë e historisë.

Shumë gra dhe vajza të Kosovës iu bashkuan radhëve të UÇK-së, në përpjekjen për liri, si Antigona dhe Elhemja. Por, një pjesë e tyre nuk e shijuan dot lirinë për së gjalli. Sikurse Antigona, ato sakrifikuan rininë e jetën e tyre për një jetë më të mirë. Ato ranë dëshmore për idealin e lirisë, dinjitetin dhe një të ardhme pa robëri, pa shtypje, ku vajza dhe djem, breza të rinjsh e të rejash, të mund të frymonin në paqe.

__________________________

©

Ky botim është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Böll në Shqipëri. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit/es dhe revistës “Shota” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur