QASJA NË PRODUKTET E HIGJIENËS MENSTRUALE TE VAJZAT DHE GRATË E MINORITETEVE ROME DHE EGJIPTIANE

JETA PERA

Jeta Pera ka mbaruar studimet e larta për Gjeografi në Univeristetin e Tiranës. Prej gjashtë vitesh, ajo është aktiviste për të drejtat e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane ku advokon lidhur me problemin e strehimit, punësimit dhe qasjes në shërbimet publike. Dy vitet e fundit, Pera është angazhuar me krijimin e modeleve të punësimit formal të tregëtare/ëve rome/ë dhe egjiptiane/ë, si për shembull, ofrimin e ndihmës në dixhitalizimin e tregut të veshjeve të përdorura, në bashkëpunim me qendrën “Treja”.

Hulumtimi rreth kësaj teme bëri që të udhëtoja pas në kohë, në një çast intim dhe po aq pështjellues, sikurse ka qenë ballafaqimi me atë që ndryshe ma kishin përshkruar si “rritje”. Ardhjen e menstruacioneve ose periodave. Asokohe, në adoleshencën e hershme timen, ky proces biologjik, mes grave njihej ndryshe nën filtrin “ato”. Kur kam dëgjuar fillimisht të flitej për “ardhjen e atyre” nuk e kam kuptuar menjëherë se për çfarë bëhej fjalë. Andaj, mendja ime ende fëmijërore degdisej në përfytyrime të forta mbi ca qenia mistike, që njiheshin si “ato” ose “tezet”, personazhe pa emër, pa fytyrë apo njëmend lidhje familjare me dikë. Do të shtangesha deri në kufirin e frikës kur të mësoja se “ato” apo “tezet” nuk ishin njerëz por gjaku im teksa rrëshqiste mes këmbëve, nga ai çast e tutje, çdo muaj, për rreth një javë.

Kur më erdhën menstruacionet, fillimisht, mendova të mos i tregoja kujt, duke mos e ditur çfarë të bëja por shpejt, kjo ide më rezultoi e pamundur. Si mund të fshihet hemorragjia periodike? Kisha shumë pyetje dhe pothuajse asnjë përgjigje. Dilemat që më patën përfshirë nuk ishin të lehta. Akoma më pak të lehta ishin dhimbjet fizike që vinin si pasojë e këtyre ndryshimeve të befta hormonale dhe procesit të natyrshëm biologjik, së cilit tashmë trupi im po i nënshtrohej. Dhimbje të forta, të reja, të paprovuara më parë. Konsultimi me time ëmë ishte sipërfaqësor.

Çdo tentativë për të më informuar nga ana e saj, përfundonte gjithmonë në të njëjtin qerthull: se tashmë unë konsiderohesha “e rritur” (një nocion ende i panjohur e me të cilin s’dija se ç’lidhje të vendosja); se nëse dikush (një djalë apo burrë) do të më ngacmonte, do të duhej t’ia rrëfeja këtë ngjarje menjëherë nënës dhe se tashmë unë kisha hyrë në “radhët e grave”. U mësova të jetoj me atë që ma përcollën si “turp të pashmangshëm”. Kësisoj fillova t’i bindem edhe unë si shumë të tjera bashkëjetesës me “ato”, në tëhuajsim të plotë, me boshllëk informacioni, pa edukim seksual apo ndonjëfarë orientimi në të ashtuquajturën “botë të grave”.

Ndonëse nëna ime nuk përdorte peceta higjienike gjatë ciklit por “napa”, pëlhura të gjata e të holla që gratë i kishin ricikluar sa në “peceta tezesh” po aq në shami koke apo trasta për të kulluar djathin ose gjizën, unë ndieja nevojën të përdorja pecetat e gatshme që shiteshin në dyqan. I ndieja ato më të rehatshme dhe më reduktonin ankthin se mos njollosja pantallonat në publik. Megjithatë, dëshpërimi ishte i papërshkrueshëm sa herë më duhej të kthehesha nga dyqani i lagjes duarbosh sepse pas banakut ishte një burrë që shiste dhe mua më kishin mësuar se ishte e turpshme që një burrë ta dinte se unë po menstruoja edhe nëse ky burrë ishte shitësi i produktit që mua më nevojitej medoemos.

Në rastin e një shitëseje grua, situata ishte ngushëlluese: asaj jo vetëm që mund t’ia blija pa kurrfarë sikleti produktin por në një mirëkuptim të heshtur mes të dyjave, zonja do ta paketonte atë me një copëz gazete e më pas do ta fuste në qesen plastike, që askush tjetër të mos e dinte se unë kisha blerë lines. Madje, as babai në shtëpi, që gjithashtu nuk do duhej ta dinte kur unë menstruoja, siç më kishin këshilluar gratë e familjes dhe fqinjet, mikesha të nënës. Kësisoj, çdo muaj, përvjedhjet e shkurtra të miat mes dyqanit dhe shtëpisë, përfunduan duke qenë operacione sekrete, pothuajse çdo herë të suksesshme e njëkohësisht, përplot ankth dhe drojë.

Rrugëtimi drejt së vërtetës ishte i gjatë, i mundimshëm dhe dramatik. Procesi i të çmësuarit të nocionit të turpit nga jeta ime, po ashtu. Në dhjetëvjeçarin e fundit, me qarkullimin e shpejtë të informacionit dhe qasjen më të lehtë ndaj tij, për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, do të doja të besoja se realiteti për vajzat dhe gratë është përmirësuar dhe se shumë syresh gjenden sot në një situatë më të leverdisshme. Por realiteti është i leverdisshëm për ato që gëzojnë privilegjin për t’iu qasur informacioneve bazë mbi menstruacionet, shëndetin seksual e atë të riprodhimit; për ato që nuk janë të kushtëzuara nga ekonomi gjunjëzuese dhe praktika sociale patriarkale, që prekin veçanërisht vajzat e gratë rome dhe egjiptiane.

Është jo i vogël numri i vajzave e grave rome dhe egjiptiane që nuk gëzojnë një strehë përmbi krye apo të cilat edhe në rastin e të pasurit të një strehe nuk kanë të holla, furnizim me ujë të bollshëm e të pastër 24 orë, energji elektrike, ushqimin e duhur apo të mjaftueshëm në tryezë, garancinë për të vazhduar të gjitha ciklet shkollore; qasjen në edukimin e përgjithshëm e po ashtu, edukimin seksual; qasjen në psikologe/ë, punonjës/e socialë/e etj.

Në biseda, veçanërisht me vajza dhe gra të reja të komunitetit, më përshfaqet trauma ime personale, ende ekzistuese në realitetin shqiptar.

“Kur isha fëmijë, njëherë pashë mamin të njollosur me gjak në zonën intime dhe e pyeta për këtë. Ajo m’u përgjigj shkurt se kështu iu ndodh të gjitha vajzave kur rriten. Edhe mua do të më ndodhte e njëjta gjë”, më rrëfen A.Z., 21 vjeç, gjithashtu nënë dhe banore në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

“Kam qenë 11 vjeç kur më erdhën periodat për herë të parë. Vetë nuk e kisha kuptuar se ç’kishte ndodhur. Edhe sikur nuk do ta kisha patur idenë. Mami më pati vënë re që isha bërë pis dhe më vendosi një pecetë. Jo nga këto të blerat. Një nga copat e saj. Më tha të bëja kujdes nga çunat dhe se të tjerët s’do duhej të më shihnin me gjak sepse ishte turp. U frikësova kur më tha ashtu.”

A.Z. jeton në një barakë, në kushte vërtetë sfiduese ekonomike dhe mëmësia është status që e ka fituar herët në jetë. E pyes për çastin kur e kuptoi që ishte shtatzënë. “Kam qenë shumë e re”, më përgjigjet. “Vjehrra më pyeti nëse më kishin ardhur periodat muajt e fundit e kur iu përgjigja se jo, shkuam te mjeku. Më ka ardhur kaq zor kur shkuam atje. Nuk kisha qenë asnjëherë. Akoma më vjen zor”, rrëfen ajo.

E pyes nëse ka dijeni për shumëllojshmërinë e produkteve të higjienës menstruale dhe se çfarë përdor ajo gjatë ciklit. Përgjigja e A.Z. është trishtuese. “E di që ekzistojnë pecetat e gatshme. Blej ndonjë pako kur vijnë. Njëherë, një shoqatë na solli disa pako dhe me ato e kam shtyrë ca muaj me thënë të drejtën. Por ka patur raste të tjera që nuk i kam blerë dot sepse s’kam pasur para e kam qenë pa punë. Në ato kushte jam detyruar të pres ndonjë rrobë pambuku e ta përdor në vend të pecetës.”

A.Z. nuk përfaqëson një rast të izoluar por zërin e një shumësie vajzash e grash rome dhe egjiptiane. Të rritura në familje të varfra dhe pa një edukatë bazë, të braktisura nga shteti, në mungesë të një marrëdhënieje të afërt me nënat e tyre ose të tjera gra në rrethin familjar apo shoqëror, këto vajza e gra janë mbrujtur përplot sfida dhe drama të panevojshme rreth çështjes së menstruacioneve e seksualitetit në përgjithësi, që përndryshe do të ishin evituar.

B.M., 25 vjeç, nga komuniteti rom në Selitë, më konfirmon: “Nuk kam patur asnjë informacion rreth kësaj teme. Marrëdhënia ime me mamin nuk ka qenë asnjëherë e ngushtë apo mjaftueshëm e çlirët për të folur mbi tema që konsiderohen “të sikletshme”.

“Madje edhe në lagjen ku jetonim e që ishte e përbërë nga shumë gra, asnjëherë nuk flitej për çështje të tilla si menstruacionet. Patjetër që unë e kam dëgjuar shpesh termin “ato” gjatë rritjes por s’dija asgjë mbi të apo ciklin në vetvete. Kur më kanë ardhur periodat për herë të parë kam qenë 11 vjeç. Jam trembur shumë fillimisht. Madje nisa të kontrolloj veten se mos isha vrarë diku dhe teksa nuk gjeja asnjë gjurmë lëndimi, gati më pushtoi paniku mbi atë se çfarë po më ndodhte. Ka qenë motra e madhe ajo që më ka ardhur në ndihmë dhe e cila më pati treguar se edhe ajo kishte përjetuar të njëjtën gjë e se s’duhej të shqetësohesha. Ajo më bleu peceta dhe më mësoi si të kujdesem për veten. Nuk e harroj kur më tha në mënyrë hokatare: “Hajde se u bëre gocë e madhe tani!” Kisha frikë t’i tregoja mamit. Kam pritur dy ditë deri kur gjeta guximin për t’i treguar. Kur më në fund ia thashë, ajo më këshilloi vetëm që të kisha kujdes nga djemtë apo burrat dhe nëse dikush do më ngacmonte, t’ia rrëfeja asaj këtë gjë menjëherë.

Gjithashtu, mami më tregoi edhe si të laja mbathjet e bëra pis sepse sipas saj ishte turp që dikush edhe në familje t’i shihte ato apo pantallonat me njolla në tualet. Ishte tronditëse e gjitha. Për një javë nuk shkova në shkollë.”

Tashmë më e informuar dhe me frikëra të lëna pas paçka se të paharruara, B.M. më flet e sigurt, si të ishim shoqe të vjetra. E pyes nëse ka dijeni për larmishmërinë e produkteve higjienike menstruale. B.M. më tregon që pasi e motra i bleu një pako me peceta higjienike në dyqan, ajo u mësua me to dhe vazhdoi t’i përdorte. Megjithatë, në ato çaste kur familja ka qenë ngushtë ekonomikisht, e ëma e ka udhëzuar si të përdorë dhe pastrojë napat shumëpërdorimshme. “Me kalimin e kohës kam vënë re që ekzistojnë edhe produkte të tjera për kujdesin gjatë ciklit por së bashku me motrën jemi drejtuar gjithmonë te pecetat, veçanërisht sepse ato kanë çmim më ekonomik”, më informon ajo.

E pyes nëse kryen vizita të rregullta te gjinekologu/ja. “Herën e parë, cikli më zgjati më shumë nga ç’ishte normale dhe mami u shqetësua. Ajo më çoi te mjeku ku dhe mora trajtimin e duhu. Tani, në këtë moshë, patjetër që kujdesem vetë për veten dhe herë pas here bëj kontrolle mjekësore, paçka se jo të shpeshta.”

Turpi është i pranishëm thuajse në çdo bisedë, me çdo vajzë dhe grua. Ai vjen si një nocion abstrakt, i pakuptueshëm, i pajustifikueshëm por me një rëndesë të hatashme. Fuqia e tij është gravitacionale. Edhe në rastin kur këto vajza dhe gra nuk duan të flasin për turp apo ta inkuadrojnë atë në bisedat tona, ai shfaqet tinëz, përmes një nënqeshjeje të sikletshme, ulje sysh, tjetërsim në tonin e zërit, përskuqje. Në fjalë specifike si “pis”, “njollë”, “njollosur” etj.

Gjatë rrugës ai ngatërrohet me nderin, një tjetër konstrukt patriarkal, që i atribuohet vajzave dhe grave si peshë që ato duhet ta mbajnë. Peshë për djemtë dhe burrat në jetët e tyre, së cilëve imagjinarja patriarkale u mëson se i ashtuquajturi “nder i gruas” është tagër i tyre, për aq kohë sa marrëdhënia me vajzat dhe gratë është e konceptuar në mënyrë katërcipërisht të dhunshme, si zotërim apo shkëmbim prone, ku njerëzorja e individualiteti i vajzës apo gruas janë inekzistente.

Çdo këshillë e trashëguar dhe e përcjellë brez pas brezi ndaj vajzave dhe grave, për t’u mbrojtur nga ngacmime të mundshme seksuale apo përdhunimi, nuk ofrohet për mirëqenien e tyre por për një rregull të pashkruar: mbrojtjen e virgjërisë si kusht i mbrojtjes së purifikimit të emrit të familjes tradicionale patriarkale që e ndihmon këtë të fundit ta “shesë” plaçkën e saj (vajzën apo gruan) më shtrenjtë. E teksa përdhunimi i vajzave dhe grave u njihet burrave si një e drejtë “natyrore”, kësisoj, akt i pandëshkueshëm, performimi i këtij krimi ndaj trupave të vajzave dhe grave, dhunimi i tyre, konsiderohet si faj i viktimave ose të mbijetuarave potenciale. Prandaj ardhja e menstruacioneve nuk përcillet me një doracak oral të higjienës menstruale dhe kujdesit të shëndetit seksual, emocional e mendor të vajzave, por si ogur që zyrtarizon rolin e tyre në të tilla shoqëri.

Ndoshta është ky rasti për të ngritur pyetjen se pse u imponohet vajzave dhe grave ky kujdes hipokrit, duke i edukuar ato për të qenë viktima të përkryera, teksa djemtë dhe burrat edukohen me lirinë e pakufijshme–që sipas normave ende aktuale shoqërore, u garanton atyre një “të drejtë” imorale ndaj trupave të vajzave dhe grave; një krim paraprakisht të pranuar?

Si mund të jenë menstruacionet, ky proces kaq intim, kaq natyral, kaq i shëndetshëm, ftesë për dhunë, depresion e izolim për vajzat dhe gratë?

“Unë kam qenë tepër e vogël kur dëgjoja gjyshen dhe kushërirat që na vizitonin në shtëpi, të flisnin për “zakonet” e më rrallë për “periodat”. Më thoshin se do t’i kisha edhe unë një ditë. Çfarë më ka mbetur në mendje nga ato biseda është kujdesi që më imponohej të tregoja pasi “të bëhesha grua”. Një turp që duhej ta integroja në përditshmërinë time, i lidhur ngushtë me “nderin” e vajzave. Veshët e mi supozohej të mpriheshin që atëherë për kujdesin absolut që duhej të tregoja.” E ndan me mua këtë rrëfim, L.Z., një grua rome 35 vjeç, e cila ka mundësinë të punojë dhe të ketë akses në produktet bazë të higjienës menstruale si pecetat ose tamponët. Si shumë vajza e gra të tjera, edhe L.Z. është informuar vonë dhe vetiu mbi ciklin menstrual dhe këto informacione i ka përdorur për të krijuar një disipline vetjake kontrollesh të rregullta dhe analizash gjinekologjike.

M.C, 30 vjeç, gjithashtu nënë e pjesë e komunitetit egjiptian në Shqipëri, që jeton në zonën e Shkozës, duke mos dashur që e bija, L.C., 13 vjeç, të pësonte të njëjtën traumë si ajo, u kujdes që ta informonte atë që herët mbi ndryshimet që trupi i vogëlth i së bijës do të pësonte gjatë fazës së adoleshencës. Tashmë L.C. e ka kaluar eksperiencën me menstruacionet e para dhe me të ëmën bisedon haptazi, për tema që mes tyre nuk konsiderohen tabu.

“Unë kam qenë e informuar në lidhje me ciklin menstrual ndaj kur e përjetova atë për herë të parë nuk u habita. Thjesht njoftova mamin, që më kishte përgatitur e mësuar paraprakisht edhe si të përdorja peceta higjienike. Nuk njoh akoma shumë produkte të higjienës menstruale por pecetat i kam ndërruar disa herë derisa gjeta ato që ishin më të përshtatshme për mua. Kur mendoj se kam ndonjë problem apo dhimbje ndryshe, shkoj menjëherë te mami dhe ajo kujdeset për mua. Kur e sheh që s’mundet, atëherë më dërgon te mjeku.”

Rasti i L.C. mund të konsiderohet i sukseshëm në kushtet aktuale por qartazi, rrugëtimi femëror për pjesën dërrmuese të vajzave dhe grave të komunitetit rom dhe egjiptian është një rrugëtim i vështirë e që ndodh në verbëri. Shumë syresh ende nuk gëzojnë mjaftueshëm të holla për të blerë produkte bazë si pecetat higjienikë, teksa ekzistenca e tamponëve dhe kupave menstruale rëndom nuk njihet. Ka shumë pak ose aspak informacione për ciklin, kohëzgjatjen e tij, ovulimin, shtatzaninë; kujdesin nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe të tjera infeksione apo çrregullime që cenojnë mirëqenien e vaginës apo mitrës etj. Kjo mungesë informacioni shtrihet edhe në marrëdhënien seksuale, për seksin si miratim palësh apo në përgjithësi si praktikë, nevojë, kënaqësi dhe shëndet.

Si është e mundur që në 2022 vajzat dhe gratë shqiptare jetojnë në të tillë realitet të prapambetur, në këtë izolim të pajustifikueshëm? Përse ka kaq pak respekt për jetën dhe trupat e vajzave dhe grave në shoqëri si e jona? Por mbi të gjitha, kur do të vendoset përpara përgjegjësisë e gjithë struktura shtetërore për këtë krim të ngadaltë, pasojat e së cilit janë afatgjata dhe rëndom fatale?

Duke qenë e vetëdijshme se ndryshimi kërkon kohë dhe durim, ndoshta për të gjitha pyetjet më lart do të krijohet mundësia për t’u përpiluar një përgjigje e kjo përgjigje do të vijë atëherë si reagim konstruktiv dhe masiv. Do të doja të besoja se këto biseda të hapura janë një fillim i frytshëm pavarësisht se rruga e emancipimit dhe çlirimit seksual e shoqëror mbetet e gjatë…

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur