EDHE BURRAT MENSTRUOJNË

BLERT MORINA

Blert Morina është një aktivist transgjinor nga Kosova për të drejtat LGBTI+ dhe personi i parë transgjinor që i është nënshtruar terapisë hormonale në shtetin kosovar. Prej vitesh, Blerti ka lobuar për avancimin e të drejtave LGBTI+ në shoqërinë kosovare. Ai gëzon pozicionin e drejtorit ekzekutiv pranë organizatës CEL në Prishtinë.

Seksualiteti, identiteti gjinor, heteronormativiteti etj. mbeten koncepte të pazbërthyera në shoqëritë tona. Prandaj, togfjalëshi “burra që menstruojnë” për shumëkënd mund të tingëllojë paradoksal, madje absurd. Vështirë që dikush në hapësirën shqipfolëse të ketë dëshmuar, sikur edhe rrallë, ekzistencën së bashku të fjalëve “burrë” dhe “menstruacione”. Aq më tepër kur vetë fjala “menstruacione” nuk shprehet lirshëm në hapësirën publike por ajo i nënshtrohet censurimit ose tjetërsimeve të vazhdueshme, që “menstruacionet” i paraqesin si diçka të “turpshme” apo të “pistë”. Në liri dhe madje, me krenari, përmendet kryesisht fjala “burrë” e gjithçka perceptohet si “burrërore” në imagjinatën patriarkale.

Ky realitet gjendet i ulur këmbëkryq në Kosovë. Një nga shkaqet e intensifikimit të tij është ndoshta hierarkia e të ashtuquajturave “prioritete shoqërore”, që u zhvilluan brenda një konteksti historik dhe politik të ndërlikuar. Përgjatë viteve ‘90, lufta për mbijetesë dhe rezistenca ndaj regjimit gjenocidal të Millosheviçit, u shndërruan në prioritetin kryesor të të gjithë popullatës shqiptare në Kosovë çka më vonë u pasua nga përpjekja për shtetndërtim, demokraci dhe arritjen e njëfarë stabiliteti ekonomik. Shumë çështje, jo më pak prioritare (të drejtat njerëzore nuk njohin hierarki), në mos u lanë në harresë, në mënyrë krejt evazive u zhvendosën për t’u trajtuar “më vonë” në kohë. Ato nuk u panë si pjesë integrale e mirëqenies mbarëshoqërore të dëshiruar. Kjo preku ndjeshëm jetët e disave prej nesh, që njëkohësisht kanë qenë duke i mbijetuar edhe një tjetër lufte: asaj të të qenit vetvetja, njëlloj të lirë dhe të përfshirë në procesin e ndërtimit rishtas të shoqërisë së pasluftës.

Njohuria dhe informacionet lidhur me të drejtat LGBTQI+, çështje të gjinisë dhe seksualitetit kanë munguar ose kanë qenë të mangëta. Teksa ky realitet mbizotëron akoma sot, në fshatrat e Kosovës në vitet ‘90, terri edukativ dhe kulturor ishte pashmangshmërisht i thellë. Menstruacioneve iu rezervohej një hapësirë jo vetëm private por mundësisht e fshehtë. Referenca gjuhësore ndaj këtij procesi biologjik ofronte përemrin dëftor “ato” si alternativë ndaj fjalës “menstruacione”. Bisedat e grave-cis silleshin rreth ndarjes së eksperiencës së tyre me “ato”, me zë të ulët, në skaje të shtëpisë. Diskursi i sotëm e ruan me fanatizëm përemrin “ato”, pavarësisht përpjekjes feministe për ta thyer këtë standard shtypës, reduktues dhe fyes. Njëkohësisht, grave-cis akoma u ofrohet mundësia që pecetat higjienike ose produktet e tjera të higjienës menstruale, t’iu mbështillen me gazetë në dyqan pas blerjes, në mënyrë që një çështje e cila konsiderohet “private” apo “e neveritshme”, të mos i bjerë në sy kujt. Në shkollat fillore dhe të mesme, gjatë orës së biologjisë, në kapitujt ku flitet për trupin dhe riprodhimin (seksualiteti nuk është ende pjesë e planit mësimor), faqet shfletohen me shpejtësi dhe siklet, rëndom nga vetë arsimtarë/et.

Në këtë perspektivë diskutimi për menstruacionet te burrat është temë e vështirë dhe shpesh, e pamundur. Ajo ngjall të njëjtat reagime që do të ngjallte përpjekja për të shtruar një diskutim lidhur me “njerëzit që fluturojnë”. Aq më tepër kur gjithashtu, burrat-cis nuk kanë qenë të përfshirë në temën mbi menstruacionet. Madje edhe përftimi i produkteve të higjienës menstruale për gratë-cis në jetët e tyre ka ndodhur rrallë në mos kurrë.

Diskutimi për higjienën, shëndetin dhe kulturën menstruale meriton të jetë i hapur, gjithpërfshirës, edukativ dhe pa komplekse. Në shoqëritë tona ky diskutim është jo vetëm i munguar por i vonuar. Prandaj, ideja dhe fakti që ekzistojnë burra të cilët gjithashtu menstruojnë sepse menstruacionet nuk janë ekskluzivitet i njërës gjini por fakt biologjik i lidhur me trupin femëror, mbeten një ide dhe fakt tëhuajsues. Në mënyrë që ky tëhuajsim të tkurret derisa të mos jetë më i pranishëm mes nesh, për të na paracaktuar kësisoj jetën dhe atë se kush jemi, nevojitet një dekonstruktim i koncepteve klasike (patriarkale) “burrë” dhe “grua”. Këto identitete, në kuptimin tradicional të tyre, janë çimentuar në nëndërgjegjjen e shumëkujt dhe janë shndërruar kësisoj në “normalitetin” e pakontestueshëm që njohim, në të cilin ndërtohen të gjitha marrëdhëniet mes nesh.

Në Kosovë diskutimi për të drejtat e individëve LGBTQI+ ka nisur vonë, përfshirë këtu përmendjen e vetë ekzistencës së individëve LGBTQI+. Madje edhe kur ka patur përçapje për një gjë të tillë, sikurse ka qenë tentativa e revistës KOSOVO2.0 përmes botimit të numrit “Seksi” (2012), reagimet kanë qenë të dhunshme. Asokohe aktivistë/et dhe redakisa e K2.0 janë sulmuar fizikisht nga një grup i organizuar burrash-cis. Perceptimi mbi individët LGBTQI+ dhe forma publike e diskutimit të organizuar nga K2.0 u perceptuan si përpjekje për të normalizuar një “anomali” shoqërore, një “sëmundje” po aq të rrezikshme sa një tumor malinj. Ne jemi etiketuar si “të dëmshëm”, “të sëmurë”, “të padurueshëm”. Ekzistenca jonë është paraqitur si “kusht për vdekjen e shoqërisë”. Pavarësisht që tashmë kanë kaluar 10 vjet, perceptimi ndaj individëve LGBTQI+ nuk ka njohur përmirësim të ndjeshëm megjithëse disa gjëra, të sipërfaqshme kryesisht, kanë ndryshuar.

E ndërsa tërheqja e paraleles mes të drejtave LGBTQI+ dhe edukatës seksuale mund të tingëllojë si përpjekje për të lidhur dy çështje të ndryshme, këto të fundit janë pjesë përbërëse e njëra-tjetrës, që garantojnë informimin dhe më pas, diskutimin e pranimin deri edhe të faktit që disa burra menstruojnë.

Megjithatë rezistenca e organizuar kundër diskriminimit të individëve LGBTQI+, për garanci së pari të mirëqenies sonë fizike dhe sigurisë për jetën, ka ndikuar që çështje po aq të rëndësishme si këto të seksualitetit, posaçërisht menstruacionet dhe higjiena menstruale, të mos pasurohen e zhvillohen më tutje. Kjo është e rëndësishme sepse kur flasim për individët LGBTQI+, jemi duke folur për një grup divers përbrenda, me nevoja dhe aspirata të ndryshme, të cilat mund të artikulohen saktë dhe drejtë së pari, nga vetë individët e komunitetit dhe më pas të gjejnë shtrirje më tutje.

Gjithsesi, çdo përpjekje, sado e vogël, për ta sjellë vëmendjen te çështje si edukata menstruale, kultura seksuale, njohja e individëve dhe të drejtave LGBTQI+, informimi i saktë mbi gjininë dhe seksualitetin etj. është e vlefshme sepse përpara se ajo të zërë vendin e merituar në hapësirën publike, duhet të përshkojë një rrugëtim përplot pengesa, jo rrallë të rrezikshëm e që kërkon guxim dhe forcë.

Ndoshta një analizë kritike e realitetit në shoqëritë në Kosovë dhe Shqipëri, që përmban evidentimin e problemeve dhe sfidave për t’i adresuar këto probleme, është po aq e rëndësishme sa përpjekja për të ofruar zgjidhje të shëndosha dhe të drejta. Fundja, nga diku duhet nisur, jo?

Nga ana tjetër, teksa ne rregullisht patologjizohemi e na thuhet se nuk jemi “normalë”; teksa çdokush jashtë kontureve të heteronormativitetit dhe standardit patriarkal konsiderohet “i/e neveritshëm/me”, një gjë është e sigurt: ne ekzistojmë, jemi këtu dhe identiteti ynë në trupat tanë është fakt i pazhbëshëm. Ekzistenca jonë dhe mungesa e kompromisit për identitetin tonë i paraprijnë çdo diskutimi apo debati shoqëror pavarësisht pëlqimeve apo mospëlqimeve të shumëkujt.

Ne jemi burra që menstruojnë.
Krenarë, të guximshëm dhe njëlloj të barabartë.

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur