Në tetor të vitit 2020, vendosa të marr pjesë në një program të filmbërjes në Kosovë. Tingëllonte si një mundësi tejet e mirë, për të ma lëkundur paksa zonën time të rehatisë. Ç’është e vërteta, dija pak për prodhimin e filmave, për kamerën a për audion përgjatë procesit. Por isha plot entuziazëm, për të portretizuar gjithë ç’kisha vrojtuar prej një kohë të gjatë.
Kishte të bënte për marrdhënien, që gratë kishin me veten e tyre. Këtë mundësi përgatitore isha mëse e vendosur t’ia kushtoja pasqyrimit të aspekteve, në të cilat gratë funksiononin në raport me të afërmit e tyre, shoqet, fëmijët, brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Mirëpo, marrdhënia e grave me veten e tyre, është e shumëfishtë dhe mbart në vete një mori nuancash që e ndërlikojnë trajtesën, aq sa bëhet e vështirë të përqendrohesh vetëm në një aspekt të sajin të shkëputur nga e tëra e domosdoshme.
Kisha shumë dëshirë të reflektoja në ekran të madh rutinën e tyre të përditshme. Shpesh kam menduar gjatë, sesi nanë e imja zgjohej gjithmonë herët n’mjes, për të planifiku’ ditën e saj duke llogaritur të na ushqejë, veshë, të na ndihmojë në detyra të shtëpisë, të sigurohet që të shkojmë në shkollë, dhe pas këtyre punëve, të vazhdojë punën e saj të radhës, si mësimdhënëse.
Rreth mbrëmjes, kthehej dhe vazhdonte turnin e saj të kushedi-se-sa-të brenda ditës, për darkën, enët, dhe përgatitjen e mësimeve tona e të sajat, për të nesërmen.
E përsëris në mendjen time shpesh rutinën e saj, me ritëm të shpejtë, si të ishte një film bardh e zi, pa zë i viteve ‘60-të. Prandaj planifikoja ta portretizoja po kështu. Pas secilës punë sajës, që përfundonte, mendoja si të gjeja një metodë për të llogaritur pagën mesatare që gratë merrnin në punën e tyre si pastruese, mësimdhënëse, kujdestare fëmijësh, kuzhiniere, psikologe dhe mjeke. Në fund, pastaj do të llogarisja shumën e plotë të këtyre pagave – aq sa do të duhej të paguhej nëna ime për punët, që kryente çdo ditë të lume. Vazhdon t’i bëjë në fakt, po të njëjtat, por me intensitet të zvogëluar sipas saj, meqenëse ne “të vegjlit” i jemi hequr këmbësh dhe gjithë ç’ka mbetur nga rutina e saj e zhveshur, është zakoni.
Ky zakon i saj për t’u brengosur çdo herë që ajo nuk përgatit drekën, sa herë që ne e vizitojmë, por qëllon se nuk i ka të lara enët ndaj fillon të arsyetohet, përkundër faktit që është rraskapitur nga 6 orë punë me 30 çamarroke/ë.
Ne, të vegjëlit e saj jemi bërë tashmë të mëdhenjtë, por sensi i saj i përgjegjësisë ka mbetur po ai i mëparshmi. Më lëndon përbrenda kjo nevojë e saja për t’u arsyetuar, sikur do ta gjykojmë për një përgjegjësi, që as nuk është e saja!
Nejse, në fund që vendosa që të mos e bëj këtë tematikë filmi, për shkak se në horizont doli një tjetër akumulim vrojtimesh, me të cilat fillova ta portretizoja atë përmes filmit. Nërkohë ende kam në mendje, dinamikën e rutinës së grave si nëna ime,të cilat i njoh dhe të atyre grave, që nuk i njoh por të cilat kam mësuar t’i bashkëndjej…
Më trishton puna e tyre e vazhdueshme në shtëpi, që as nuk u emërtohet dhe as u llogaritet si punë. Një trishtim i tillë m’u shumëfishua sidomos gjatë organizimit të Marshit të 8-Marsit të këtij viti. Më duheshin disa ballkone për të vendosur parullat e marshimit, ku rastisi të trokas në disa dyer të banesave përballë.
Ora 12:00 mesditë, të katërta dyert që m’u hapën ishin prej grave, që të katërta nën të njejtin regjim: Njëra bënte bukën, tjetra kishte fshesën në dorë, ndërsa dy të tjerat merreshin me fëmijët. Burrat e tyre nuk ishin prezentë, ishin në punë – atë punën që paguhet. Të katërta syresh, pranuan të hyja dhe të vendosja parullat e Marshit në ballkonet e tyre. “Ne gratë duhet të mbështesim njëra tjetrën” – më thonin, “nëse nuk e mbështesim njëra-tjetrën, si të presim të na mbështesin burrat” – pastaj qeshnin. Por të paktën atë ditë ndiheshin të fuqizuara, përkundër rutinës që i kishte mpirë.
Në politikbërje dhe diskurs publik, vazhdon të anashkalohet puna e papaguar, e cila iu është mveshur grave gabimisht dhe padrejtësisht si dicka e natyralizuar, si punë që bëhet “për shkak të dashurisë” dhe që “duhet t’i përmbushë gratë”. Puna e papaguar mbetet njëra ndër dinakëritë më të njohura të kapitalizmit, i cili përdor pagën për të bërë ndarjen e punëtorë/eve nga të tjera/ët dhe sipas të cilit, gratë janë vetëm një kategori vulnerabël dhe plotësisht e varur nga burrat. Kur flasim për punën e papaguar, nuk mund të mos citoj Sivia Federicin, aktivisten dhe shkollaren feministe, e cila këtë temë e trajton thelbësisht përmes librit të saj “Wages for housework”, duke hedhur dritë mbi rrënjët dhe pasojat e punës së shtëpisë.
“Punët e shtëpisë janë shumë më shumë sesa mirëmbajtja e shtëpisë. Janë shërbim fizik, emocional, seksual, kundrejt punëtorëve që paguhen, për t’i bërë ata gati për një ditë tjetër të punës. Puna e shtëpisë është kujdesi për fëmijët tanë – punëtorët e ardhshëm – ndihma dhe udhërrëfimi, që u jaapim atyre prej viteve të para të lindjes deri në vitet shkollore, për tu siguruar që edhe ata do të performojnë brenda pritshmërive të kapitalizmit. Kjo nënkupton se pas cdo fabrike, shkolle, zyre apo miniere ekziston puna e papaguar e miliona grave, të cilat e kanë shterrur jetën e tyre, e kanë konsumuar punën e tyre, për të prodhuar fuqinë punëtore e cila punon mbrapa atyre fabrikave, shkollave, zyrave apo minierave.” – Silvia Frederici, “Wages for Housework”, 1975
Mirëpo, rolet e kujdesit, që u janë mveshur grave dhe vajzave, nuk mbesin vetëm brenda kornizës së punës së papaguar. Stereotipet dhe rolet gjinore ndikojnë edhe jetët e grave, të cilat janë pjesë e tregut formal të punës. Kjo gjë u shpërfaq sidomos përgjatë pandemisë COVID-19, përderisa në front të kujdesit për nevojtare/ët, ishin gratë (lexo: doli në sipërfaqe). Recesioni i shkaktuar nga COVID-19, së pari preku sektorin e shërbimeve, ku gratë janë të mbipërfaqësuara për shkak të segregacionit gjinor të profesioneve. Përgjegjësitë e kujdesit qenë shkaktare të humbjes së punës për shumë gra, duke prekur sidomos ato, të cilat janë të përfshira në sektorin e ekonomisë joformale dhe punojnë pa kontrata, me orar të tejzgjatur, të ekspozuara ndaj rreziqeve shëndetësore dhe shkeljeve të të drejtave të punës. Por pabarazia strukturore shoqërore dhe ekonomike, që prek gratë punëtore ka qene e pranishme kaherë, zaten.
Pandemia vetëm sa ka gërryer në plagë të hapura, për të ekspozuar pasojat e një sistemi morbid kapitalist, të kalitur tash e sa kohë.
Vajzat dhe gratë qysh herët janë të kufizuara në pjesëmarrjen e tyre të barabartë në treg të punës. Në tekstet shkollore, ende promovohen rolet gjinore dhe diskurs seksist i cili kultivon të menduarit absurd të “inferioritetit” të vajzave ndaj djemve. Gratë diskriminohen prej kur janë fëmijë, në të drejtën për të pasur ëndrra të barabarta me djemtë, qoftë në fushën e shkencës, ndërmarrësisë, teknologjisë, astronomisë, fizikës. Më pas, këto vajza rriten për të vazhduar konfrontimin me ciklin e diskriminimit në procedura të punësimit, në proces të rekrutimit dhe intervistimit, në rritje në detyrë, në të drejtën për të përftuar nga leja e lindjes, me ç’rast u ndërprehen kontratat, u ndërrohet pozita e punës, apo nuk u ofrohet fleksibilitet i mjaftueshëm për të balancuar punën dhe jetën private, gjë që i vendos ato në pozitë zgjedhjeje mes të qenit gra në karrierë apo vetëm nëna. Kolegët e tyre burra, paguhen më shumë, për po të njëjtën punë. Në vendet e tyre të punës, gratë vuajnë nga ngacmimet seksuale të cilat rrallë herë dënohen apo ndiqen.
Politikat sociale dhe ligjet hartohen duke pasur në mend stimulimin e lindshmërisë, inkurajimin e grave për të mbetur brenda guaskës së rolit të tyre riprodhues, duke bërë ndarje të pabarabartë të përgjegjësive të kujdesit. Në Kosovë, Ligji i Punës në fuqi u lejon baballarëve vetëm dy ditë pushim me pagesë, me rastin e lindjes së fëmijës ose adoptimit të fëmijës. Kaq, sipas sistemit patriarkal, duhet të marrë pjesë babai në formësimin edhe rritjen e fëmijëve.
Mendimet dhe komplimentet për një “burrë që ndihmon gruan me fëmijët” janë ende të zëshme, sikur fëmijët të ishin vetëm të gruas, dhe burri të ishte një asistent i cili në mënyrë vullnetare, ndonjëherë kur është në humor, asiston në rritjen dhe kujdesin e tyre. Edhe pse një draftligj është diskutuar qysh prej vitit 2019, me tendenca për të ndryshuar modelin e lejes së lindjes, lejen atësore dhe prindërore, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ndërkohë, si pasojë e barrës së kujdesit, planifikimeve familjare, mungesës së qendrave të kujdesit ditor, sidomos në zonat rurale, niveli i punësimit të grave vazhdon të mbetet i ulët, me vetëm 15% të grave pjesëmarrëse në fuqinë punëtore.
Ndarja e pabarabartë e përgjegjësive te kujdesit dhe barra e punëdhënësve për të paguar pushimin e lehonisë për gratë, listohen si arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët të grave në fuqinë punëtore. Kosova bën pjesë në vendet e ballkanit, në të cilat punëdhënësit ende paguajnë lejen e lindjes për gratë, gjë që vazhdon të paraqesë problem të madh sidomos në sektorin privat, ku konsiderohet se janë të punësuara më së shumti gra.
Ende nuk ekziston një incentivë e mjaftueshme institucionale dhe shoqërore për të normalizuar rritjen e lejes së lindjes edhe për baballarët, në mënyrë që këta të fundit të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve te tyre, gjë që do te çonte drejt transformimit të normave tradicionale gjinore në terma afatgjatë. Përqindja e punësimit të grave është pak më e mirë në vendet në rajon në të cilat leja e lindjes paguhet nga fondi i sigurimit shëndetësor. Por thuajse në mënyrë uniforme, gratë janë vazhdimisht të detyruara të shtjellojnë planet e tyre familjare përballë punëdhënësve potencialë.
Pyetje të tilla personale janë shëndrruar në normë duke mbërrirë deri në pikën, ku grave u kërkohet të dërgojnë teste të shtatzënisë për të dëshmuar që nuk janë shtatzënë, në mënyrë që të konsiderohen për vendin e punës.
Ndërsa këta punëdhënës vazhdojnë të mos dënohen dhe inspektoriatet vazhdojnë të përmirësohen sa i përket trajtimit të rasteve të diskriminimit në punë, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit për të prioritizuar rastet e tilla.
Pjesa dërrmuese e grave angazhohen si punëtore në sektorët e ekonomisë joformale. Mungojnë të dhënat për të ditur saktësisht përqindjen e grave dhe burrave të përfshirë në këtë sektor. Mekanizmat shtetërorë dështojnë të kuptojnë logjikën e të mbledhurit të të dhënave të ndara sipas gjinisë, ndonvse kjo është një kërkesë e legjislacionit kombëtar për barazi gjinore. Si në drejtësi, punësim, shërbime sociale, ekonomike – të dhënat e ndara sipas gjinisë do të tregonin dallimin në aspektin e qasjes së (pa) barabartë në këto shërbime. Mirëpo ndërhyrjet e pabazuara në analiza gjinore rezultojnë të jenë të verbra për nga perspektiva gjinore, duke mos marrë fare parasysh nevojat e grave, duke përfillur aq më pak nevojat e grave të punësuara apo të pa punësuara. Grave të zonave rurale, me aftësi të kufizuara, grave Rome, Ashkalike, Egjiptiane, grave lesbike, queer dhe transgjinore.
Një zgjidhje me karakter gjithëpërfshirës mbetet ende utopike përballë nesh. E vetmja zgjidhje thelbësore mbetet bashkimi i të gjitha grave: për të luftuar për pagë të barabartë për punë të barabartë; për politika sociale të cilat na e lehtesojnë qasjen dhe trajtimin e dinjitetshëm në punë; për dënim të diskriminimit të çfarëdolloj forme të bazuar në gjini – bashkë! Duke mbështetur njëra tjetrën dhe duke bërë thirrje deri në njohjen e punës së papaguar – për ta refuzuar atë. Vetëm në këtë mënyrë, do të arrijmë të çlirojmë veten dhe njëra-tjetrën nga përgjegjësia e të qenit të lidhura përjetësisht pas kësaj “pune të fshehur” që nuk e kemi zgjedhur.
Gra punëtore, bashkohemi!