BISEDË ME ARTISTEN EMA BREGU
INTERVISTOI: GRESA HASA
Ema Bregu (Remy) është nxënëse në vitin e parë të ciklit të mesëm arsimor në Tiranë, pikturat e së cilës kanë rrokur vëmendjen e shumëkujt. Kjo për arsye se krijimtaria e Emës është jokonvencionale, sfiduese dhe artistikisht grishëse. Imazhet dhe portretet, një pjesë e të cilave së fundmi janë ekspozuar për publikun në Tiranë dhe së shpejti do të udhëtojnë në qytete të tjera të vendit, reflektojnë një maturi shoqërore dhe politike të hershme. Ato përcjellin mesazhe fuqizuese lidhur me aspekte të trupit, gjinisë dhe seksualitetit dhe në të njëjtën kohë e bëjnë çdo subjekt më të afërt, duke i jehuar të njerëzishmes së tyre. Kjo përshfaqje e guximshme vizuale i kontribuon gjithashtu diskursit feminist, që në Shqipëri ndodhet ende në fazë embrionale.
Si lindi dëshira për pikturën?
Piktura më ka shoqëruar prej një kohe shumë të gjatë. Kam nisur të pikturoj kur isha ende fëmijë. Përmes pikturës jam përpjekur kryesisht të komunikoj marrëdhënien me botën përreth, ndjesitë e mia për të. Imazhet e para kanë qenë të nxitura nga filmat me kartona ose video-lojërat. Animacionet japoneze më kanë tërhequr gjithashtu shumë. Megjithatë, imazhet e para, atyre të cilave fillova t’u dedikohem në shkollën fillore, kanë pasur natyrë abstrakte. Më pas, subjektet u zhvilluan dhe konkretizuan ndryshe deri në imazhet apo portretet me të cilat punoj sot.
A janë këto krijime spontane apo të planifikuara paraprakisht në bazë të një teme ose mesazhi që ti dëshiron të përçosh?
Varet. Në pjesën dërrmuese të kohës janë të planifikuara, veçanërisht ato piktura, ideja për të cilat është të ftuarit e publikut drejt një reflektimi më gjithpërfshirës dhe përtej normave aktuale shoqërore lidhur me gjininë, seksin apo trupin. Unë mund të kem një imazh në kokë ose më saktë, idenë për një imazh, planifikimi për të cilin kërkon kohë të konsiderueshme deri kur më në fund, ai manifestohet në telajo. Në raste të tjera, në varësi të gjendjes emocionale, imazhe të ndryshme janë njëfarë shkarkimi i atypëratyshëm i ndjesive të mia atyre çasteve. Megjithatë, këto imazhe janë të një natyre më intime, një lloj ditari vizual imi. Ato nuk janë materiale për t’u publikuar.
“Trupi si subjekt politik” është një cikël pikturash që përcjellin mesazhe fuqizuese për marrëdhënien që ne kemi me trupat tanë. Si nisi ky projekt?
Standardi i bukurisë mbetet një problem madhor në shoqërinë tonë. Ideja e përsosjes fizike, rëndom e nxitur nga vështrimi heteronormativ dhe patriarkal mashkullor, nxit shumë vajza dhe djem të kërkojnë të rrokin ato forma, përmasa apo të atillë dukje që i shkon më për shtat kësaj imagjinate. Shpeshherë, kjo përpjekje vjen me një sërë ndërlikimesh shëndetësore, fizike dhe emocionale. Uri e tejskajshme për të humbur peshë. Ndërhyrje të hershme për ta afruar trupin tek imazhet e dhunshme që propagandohen në mënyrë të rregullt në media. Depresion. Ankth. Jam e mendimit që është e rëndësishme për t’i paraqitur tiparet e dikujt me veçantinë e natyrshme që ato gëzojnë, të pabazuar në standardin e përditshëm diskriminues që jemi mësuar të hasim. Ne jemi të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo nuk i bën disa prej nesh më të bukur e të tjerë më të shëmtuar. Të qenit ndryshe nuk duhet parë si “fat” apo “fatkeqësi” por si kontribut i pavullnetshëm në botën e larmishme ku të gjithë përkasim.
Për herë të parë nisa të mendoj në këtë perspektivë në fillim të 2020. Kisha filluar ndërkohë të eksploroja me pikturimin e tipareve dhe trupave jashtë standardit aktual të “bukurisë”. Dëshiroja të krijoja një varg pikturash, veçanërisht duke menduar se sa e shtresëzuar është dhuna patriarkale në shoqërinë shqiptare ku ata/o të cilë/at nuk përkasin në kategorinë, e cila në mënyrë të supozuar “pranohet” shoqërisht, janë të përjashtuar. Ata/o shndërrohen në “të tjerë”, subjekte të dehumanizuara. Unë dëshiroja që pikërisht këto subjekte jo vetëm ta gjenin veten në artin tim por gjithashtu, të ndiheshin të bukur/a dhe të fuqizuar/a.
Çfarë teknike përdor kur pikturon?
Në përgjithësi përdor bojërat e ujit dhe ato akrilike sepse u rrita mes tyre dhe di t’i përdor ato më mirë. Bojërat e ujit nisa t’i eksploroj më tej rreth dy vite më parë. Doja të provoja dorën por njëkohësisht doja edhe të tregoja se diçka kaq e lehtë sa bojërat e ujit mund të ketë rezultat intensiv sikurse ka qenë përfundimi i një numri të madh prej pikturave që kam sjellë në jetë.
“Androgjinia”, të cilën e kam përfunduar në 2021, është një shembull i tillë. Këtë pikturë e kam krijuar për të përshfaqur ndërthurjen e elementëve femërorë dhe mashkullorë brenda së njëjtit portret, që është në mënyrë të qëllimtë ekstravagant dhe pothuajse i karikaturuar. Doja të jepja imazhin e një lloj glamuri androgjen. Kam përdorur dy ngjyra stereotipike për telajon në përgjithësi, veçanërisht në flokë, si roza dhe bluja.
Ndërsa te piktura me titull “Efekti i standardit ekstrem të bukurisë dhe vështrimi mashkullor”, përfunduar në 2021, kam dashur të shfaq një version abstrakt të “gruas së dëshiruar”. Mungesën e identitetit të saj vetjak e kam paraqitur duke ia shkulur majën e kokës, një mënyrë për të portretizuar shtypjen e autonomisë femërore dhe atë identitare. Përmes theksimit të ngjyrës së kuqe kam dashur të theksoj atë që rëndom objektifikohet nga vështrimi heteronormativ dhe patriarkal mashkullor. Njëkohësisht, doja të theksoja mungesën e zërit të saj përmes ngjyrosjes me të zezë të zonës përreth fytit të saj, për të përçuar idenë e një zbrazëtie gjithëpërfshirëse, gati-gati mbytëse.
Ndërsa te kjo pikturë, pa titull, gjithashtu e përfunduar në 2021, doja të eksperimentoja me dizenjimin karakterial përmes bojërave të ujit. Doja të portretizoja një grua me ferexhe e njëkohësisht ta ndërthurja këtë aspekt identitar të sajin me disa nga elementët më femërorë dhe intim të mundshëm, ngjyrimin pothuajse nudist të pjesës së sipërme të trupit të saj dhe qëndrimin vetëafirmues, të sigurtë e madje, moskokëçarës.
Kurse kjo pikturë, gjithashtu pa titull dhe gjithashtu e përfunduar në 2021, është një lloj thirrje mbi dashurinë dhe pranimin për trupin. Doja të paraqitja dy trupa realistë, të ngjyrosur, në një pozicion modelesh dhe të tregoja se një trup model nuk vjen vetëm në një formë, i kyçur brenda një standardi shpesh të pavërtetë. Ne vijmë në të gjitha format dhe ngjyrat.
Cila është kategoria shoqërore e synuar për t’u rrokur përmes këtyre pikturave?
Mua më duket se arti im i dedikohet publikut të gjerë. Nuk kam një demografi specifike në lidhje me të. Megjithatë, nëse dikush ndihet i/e vështruar, i/e dëgjuar, i/e kuptuar përmes pikturave të mia, ndihem se ia kam arritur qëllimit. Unë dëshiroj që pikërisht “të përjashtuarit”, “të papranuarit”, “të ndryshmit” e kësaj shoqërie të ndihen të vlerësuar. Në një prizmë më të ngushtë, do të thosha se minoritetet, personat LGBTQ+ janë në vëmendjen time të vazhdueshme. Ky ka qenë edhe qëllimi i ciklit “Body Positivity”.
A është piktura vetëm një pasion apo projekt për t’u zhvilluar më tej në të ardhmen, në formën e studimeve të larta, për shembull?
Piktura është pasion, padyshim. Por, unë nuk arrij dot ta shoh atë si projekt. Piktura është pjesë e pandashme imja dhe do të doja të vazhdoja të pikturoja sepse ndihem mirë kur pikturoj. Besoj që e gëzoj këtë talent dhe dua ta vë atë në përdorim, për veten tim dhe të tjerët; të ndërtoj ura komunikimi dhe botë më të paqta, më pranuese, më të sigurta.
Në portretin që ju i keni bërë Shote Galicës, imazhi i saj është larg atij që jemi mësuar të shohim kryesisht, ku Shota paraqitet në një perspektivë agresive. Në portretin tuaj, Shota të jep përshtypjen e një adoleshenteje, që pa frikë mund të themi se e takojmë kudo mes nesh. A ka qenë kjo e qëllimshme?
Figurat e rëndësishme, që kanë luajtur një rol vendimtar në histori, shpesh mitizohen. Nuk mendoj se ka nevojë për mitizimin e tyre se jo vetëm që një gjë e tillë nuk na shërben por i zhvesh këto personazhe nga njerëzorja e tyre. Qerime Halili ka qenë njeri. Grua. Ajo ka pasur shpresë. Dëshira. Ëndrra. Përpara se të shndërrohej në Shotë por edhe më pas ndoshta. Besoj se një portretizim i tillë i Shotës ndihmon për ta sjellë atë më afër nesh si person. Njëkohësisht, kjo i ndihmon njerëzit për ta humanizuar atë, për ta trajtuar atë si të barabartë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që trajtimi i saj do të ishte më i barabartë, më i njerëzishëm por gjithashtu, shumëkush mund të provojë ta vendosë veten në vendin e saj dhe shumë të tjerave si ajo—luftëtare, intelektuale, punëtore, artiste etj. Ne jemi njerëz, pavarësisht se ku mund të na shpien rrethanat në jetë dhe besoj se është e rëndësishme të mos e harrojmë këtë për veten.
Si është të jesh adoleshente në Shqipëri?
Më vjen shumë keq të pohoj se të qenit adoleshente në Shqipëri nënkupton të kesh të përbrendësuar dëshirën për t’u arratisur nga vendi. Shqipëria gëzon potencial të jashtëzakonshëm por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe mundësitë që i ofrohen të rinjve janë të pamjaftueshme. Të rinjtë kërkojnë të largohen jo vetëm për arsye ekonomike paçka se kjo është shtysa kryesore por gjithashtu sepse pjesa dërrmuese e tyre kërkojnë të jetojnë në një shoqëri më tolerante, më pranuese ndaj diversitetit, më të hapur dhe të dashur. Shqipëria për shumëkënd ofron ankth, depresion, monotoni. Shteti ka përgjegjësi që nuk i zbaton ose bën sikur i zbaton. Ky vend i vogëlth ka një kulturë të jashtëzakonshme por asnjë perspektivë. Në Shqipëri nuk ka hapësira për artistë, nuk ka dëshirë dhe as vullnet për t’i ndihmuar të rinjtë që duan t’i dedikohen artit për ta zhvilluar kreativitetin e tyre.
Për pasojë, të qenit adoleshente në Shqipëri është sfidë më vete…
A flitet lirshëm mes adoleshentë/eve për çështje të seksualitetit, gjinisë, trupit etj.?
Unë kam pasur privilegjin që për një kohë të gjatë të jem pjesë e rretheve më të larmishme shoqërore, përsa i përket aspektit të kombësive, gjuhëve që fliten, edukimit, orientimeve apo identiteteve të pjesëtare/ëve ku të rinjtë flasin disi më hapur për këto tema. Megjithatë, në hapësira më lokale, të përditshmërisë, janë shumë elementë brenda grupit që përcaktojnë drejtimin që mund të marrë diskutimi për këto çështje, si për shembull, niveli i informimit mbi temat në fjalë, eksperienca shoqërore, mënyra e rritjes brenda familjes etj.
Përgjithësisht, çështjet e seksualitetit, gjinisë, trupit etj. mbyllen pa nisur mirë ende çka e bën tepër sfiduese përpjekjen për të diskutuar. Këto tema në shumë raste mbeten ende tabu. Në raste të tjera ato mund të shndërrohen në tema të rrezikshme, në sensin që bashkëbiseduesit mund të reagojnë dhunshëm, në çastin që ballafaqohen me informacione të pahasura më parë, për shembull, nëse flitet për dashurinë LGBTQ+, personat trans; biseksualizmin, homoseksualizmin, dashurinë lezbike etj. Vetë personat LGBTQ+ ende shihen si tabu shoqërore.
Teksa shkolla ime është disi më e hapur, pjesa dërrmuese aty hezitojnë të flasin për të tilla çështje shoqërore. Do të thosha se shkollat nuk janë ende hapësira të sigurta në Shqipëri. Të gjithë ata/o që perceptohen ndryshe mund të bien pre e bullizmit e formave të tjera të dhunës, të sulmohen, të trajtohen si të sëmurë etj. Ne kemi kaq nevojë për hapësira të sigurta, ku askush të mos frikësohet se të qenit vetvetja mund të përkthehet për të në një cikël dhune sistematike.
Si është komunikimi me mësuesi/et?
I çalë. Komunikimi ndodh deri në njëfarë pike por nuk është kurrë personal, aq sa një nxënës/e të ndihet i/e sigurt se mund të ndajë një eksperiencë personale dhe të përftojë një këshillë apo ndihmë konkrete. Edukimi Seksual nuk ekziston. Unë nuk kam marrë kurrë edukim seksual në jetën time. Shkollat janë të papërgatitura për t’iu folur të rinjve, veçanërisht atyre që sapo kanë nisur rrugëtimin në adoleshencë, mbi tema të rëndësishme si gjinia, seksualiteti, etj., tema të cilat janë kaq personale për shumë nxënës/e. Është zhgënjyese. Në shkollën time stafi pedagogjik përpiqet që të mos lejojë përdorimin e një gjuhe urrejtje në klasë por ata/o nuk janë ende të hapur/a për të folur konkretisht për këto tema. I konsiderojnë bisedat që mund të lindin “çrregulluese” të qetësisë së klasës…
Çfarë mendojnë prindërit e tu për këto tema, që ti i manifeston në krijimet e tua vizuale?
Prindërit e mi janë mendjehapur. Megjithatë, ne e edukojmë vazhdimisht njëri-tjetrin. Ata më kanë mësuar mbi çështje dhe aspekte nga të cilat shkolla më ka privuar. Unë, nga ana tjetër, jam përpjekur t’i informojë dhe edukojë ata për tema që rëndom, për brezin e tyre janë jo domosdoshmërisht tabu por të pacekura më parë. Si për shembull, kauza LGBTQ+. Padyshim, biseda fillimisht ka qenë sfiduese. Është sfiduese të bisedosh me prindërit… Ankthi i ballafaqimit me autoritetin e tyre është i rrënjosur thellë brenda teje. Megjithatë, prindërit e mi janë treguar të gatshëm të më dëgjojnë e të angazhohen në komunikimin me mua dhe të dy më kanë përkrahur përgjatë rrugëtimit artistik.
Jam e sigurt që çfarëdo t’u rrëfeja, ata do të më pranonin pa drojë. Gjithsesi, në fund të ditës, nuk është e rëndësishme se çfarë mendojnë prindërit por sesi ndihesh ti brenda vetes dhe se ç’hapësira i krijon vetes për të mos bërë asnjë kompromis mbi lirinë dhe individualitetin tënd.
Cili do të ishte një mesazh që do të doje të përcillje tek ata/o që të lexojnë?
Nuk bëhet kompromis mbi veten me hipokrizinë e shoqërisë. Liria është e shenjtë. Përpara se të bindim dikë mbi atë se kush jemi, ne meritojmë që fillimisht të bindim veten tonë, ta përqafojmë dhe duam atë, pavarësisht nëse disa mund të mos na përqafojnë e duan njëlloj, pavarësisht se kush janë ata/o. E nëse dikush ka zgjedhur artin për të komunikuar, mos mendoni se si mund t’i duket ai të tjerëve, nëse është mjaftueshëm i përsosur apo jo. Ky është instrumenti juaj. Zëri juaj. Përdoreni atë. Mos hiqni dorë! Pikturoni, këndoni, shkruani, recitoni, bërtisni nëse është e nevojshme…