i randë është trupi çdo mëngjes
kur në asnjë natë nuk ka prehje.
por,
të paktën mua nuk më kanë vrarë.
të mërzitshme janë bisedat sipërfaqësore
kur nuk është etike ta çosh në të s’ëmës çdo të dytin.
por,
të paktën mua nuk më kanë vrarë.
perëndimet dhe kangët për dashni
janë ende aty,
por,
ty
të kanë vrarë.
toka rrotullohet njëlloj.
njerëzit njëlloj mezi e shtyjnë muajin
dhe vazhdojnë të mbajnë inat për cikërrima.
të rinj vdesin
të tjerë linden.
por për mua,
Vetëm ty të kanë vrarë.
Festojmë
e biejmë.
krejtësisht mërzitshëm.
e papërballueshme është lehtësia
e jetesës në një botë.
ku ty të kanë vrarë
e mua më kanë lënë
të vdes
për së gjalli.
Prishtinë, Janar 2021.
Në kujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës me bazë gjinore.