SI LIDHET DASHURIA ME SEKSIN DHE PËLQIMIN

JJ BOLA

JJ Bola është shkrimtar dhe poet britanik i lindur në Kinshasa dhe me banim në Londër. Ai ka shkruar tri përmbledhje me poezi, si dhe dy romane: "No Place to Call Home" dhe "The Selfless Act Of Breathing". Ai gjithashtu ka botuar edhe librin joletrar rreth maskulinitetit dhe patriarkatit për rininë: "Mask Off: Masculinity Redefined".

Nëse emocionet janë kaq të dobëta, ne jemi ata\ato që ia mbathim prej tyre. – Rhael

Unë jam rritur me këngë dashurie; RnB, Slow Jams, Pop, Rumba kongoleze, muzikën e të 2000-tave të hershme ku temat si dashuria, malli dhe dhimbja ishin normë; duke dëgjuar artistë dhe grupe si Jugged Edge, Joe, Boys II Men, Backstreet Boys, N-Sync, Eternal, Destiny’s Child, En Vogue, Marvin Gaye, Okay Jazz, Papa Wemba, Shola Ama, Craig David, Another Level, Daniel Bedingfield dhe Maxwell. Do të dëgjoja këngë të tilla si: Boys II Men’s “End of the Road” duke i kënduar sikur të isha unë ai që po përjetoja një proces ndarjeje. Ose “Let’s Get Married’ nga Jagged Edge, duke përfytyruar ditën kur edhe unë do të ecja në altar. Kultura e dashurisë romantike ishte e pashmangshme virtualisht.

Kur isha në shkollë fillore, kisha një tërheqje të madhe ndaj një shoqeje klase, me të cilën ndodheshim edhe në një lagje; ajo jetonte në të njëjtin bllok pallatesh, por banesa jonë ishte një ose dy kate sipër të sajës. Një mëngjes pranvere, vendosa t’i shkruaj një letër duke i shprehur ndjenjat e mia. Për ta dërguar letrën tek ajo, palosa një aeroplan prej letre dhe e hodha në mënyrë të tillë që të binte ngadalë e drejt e në ballkonin e saj. Letra fluturoi, duke zbritur në kopshtin e pasmë e të përbashkët të ndërtesës. Kështu që i shkrova edhe një letër tjetër.

Vijoja t’i rishkruaja, i hidhja dhe prapë nuk qëlloja në shenjë, derisa më në fund, rreth tentativës së dhjetë, aeroplani prej letre zbriti në ballkonin e saj. Disa orë më pas, ajo doli të shëtiste qenin, ndërsa unë qëndrova në pritje të shihja se si do të reagonte ndaj letrës. Më vonë zbulova se kujdestari i pallatit i kishte marrë dhe i kishte hedhur përpara se ajo t’i gjente. Kalova shumë mbëmje duke vështruar drejt ballkonit të saj, duke pyetur veten nëse ajo e dinte vallë. U përpoqa të gjeja kurajon për t’ia shprehur dashurinë, por nuk e bëra kurrë.

Duke u kthyer pas në kohë, e kuptova se në fakt të gjitha këngët e dashurisë me të cilat u rrita duke i dëgjuar si djalë i ri, më kishin inkurajuar dhe ushqyer një ndjeshmëri emocionale dhe hapje në shprehje, çka më vonë do të shkurajohej rrënjësisht përgjatë viteve të adoleshencës dhe rinisë sime së hershme. Isha një djalë emocionalisht ekspresiv, dhe shumica e djemve në shkollën time fillore ishin të tillë. Por në vitet e shkollës e mesme, unë zura të thoja se dashuria ishte diçka për të cilën nuk isha i interesuar, se nuk kisha ndjenja, apo se ishte diçka për djemtë e dobët – diku përgjatë rrugës edhe unë u shndërrova në një burrë në dukje i fortë, ashtu siç bënë shumica e djemve me të cilët u rrita. Ka dritëhije të ndyshme për përvojën mashkullore, siç do ta zbërthejmë më vonë, por nga një perspektivë direkte mashkullore, ndihej se burrat po socializoheshin jashtë mjedisit të dashurisë, ndërsa gratë socializoheshin me dashuri.

Burrat shpesh socializohen jashtë dashurisë, në kuptimin që ndjeshmëria emocionale nuk është më një normë, madje as tipar i dëshirueshëm, ndërsa shkëputja emocionale është diçka për të cilën duhet aspiruar. Gratë priren të socializohen me dashuri, ose me idenë e saj – shpesh si një mënyrë për të përforcuar rolet tradicionale gjinore. Që nga fëmijëria, gratë përgatiten shpesh nga familjet e tyre ose nga rrethi i gjerë shoqëror, që të jenë gratë e dikujt: ato janë familjare, të mësuara ose të prirura të gatuajnë dhe pastrojnë, çka shpesh ka të bëjë pak me vetëmjaftueshmërinë, më shumë se ç’ka të bëjë me të përgatiturit për të qenë një “grua e mirë” për bashkëshortin e ardhshëm hipotetik. Aq sa, shpesh mund të gjesh një djalë dhe një vajzë që janë rritur në të njëjtën vatër, dhe në kohën kur të dy bëhen të pavarur, vajza është duke kryer detyrat e shtëpisë, ndërsa djali ndonjëherë mezi vë dorë në to. Aq sa bartjen e barrës së kësaj pune fizike, me presionin e ushtruar mbi gratë për t’u kujdesur për burrat, duke sakrifikuar ambiciet e tyre ose gjunjëzimin për ta bërë një mashkull të ndihet më i fortë ose më inteligjent – kërkojnë punë “emocionale”.

Vetëm lojtarë

Burrave u jepen disa privilegje brenda dinamikave të dashurisë, lidhjeve dhe  veçanërisht marrëdhënies seksuale. Sjellja e njëjtë seksuale e cila është përjashtuese për gruan në anën tjetër, për burrat jo vetëm që konsiderohet e pranueshme por edhe e lavdërueshme. Kemi parasysh burrat që ekspozohen si të pabesë në sytë e publikut: janë ata që falen shumë më lehtë nga shoqëria, kurse gratë damkosen me njollë të kuqe. Miti se burrat “kanë një dëshirë më të lartë seksuale” përdoret shpesh për të shpjeguar sjelljen e tyre, ndërkohë që gratë që konsiderohen si jobesnike, shpesh e kanë jetën e tyre të njollosur dhe emërtimi u qëndron për një kohë të gjatë, zakonisht fare pa falje. Burri beqar me shumë partnere konsiderohet si lojtar, tutor, kazanovë, zemërthyes. Në anën tjetër gruaja konsiderohet si kurvë, zuskë, e përdalë, prostitutë, etj,. Lista është e pambarimtë dhe duket se pasurohet me fjalë të reja çdo vit.

Gratë janë përpjekur t’i zotëruar këto etiketa – P.sh, Amber Rose krijoi “Paradën e kurvave” më 2011; një lëvizje që bën thirrje për t’i dhënë fund kulturës së përdhunimit, fajësimit të viktimës, dhe stigmatizimit të “zuskave”. Emërtimet mizogjiniste përdoren për t’i dekurajuar dhe turpëruar gratë, duke u hequr të drejtën për të qenë qenie seksuale të lira, ndërsa burrave u jepet gjithmonë e më shumë kontroll mbi seksin: “çdo gjë në botë ka të bëjë me seksin, përveç seksit. Seksi ka të bëjë me pushtetin”. Në fund të fundit, çdo lloj etiketimi për t’i stigmatizuar njerëzit për  t’u përfshirë në një marrëdhënie konsensuale seksi është një  tjetër mënyrë mëse e shpeshtë që i ndihmon burrat të përforcojnë dinamikat gjinore shtypëse.

Seksi si hyrje në burrëri

Unë nuk dua një ritual hyrës në burrëri, sepse nuk është diçka që e konceptoj për veten time. – Tom

Pritshmëritë rreth seksit dallojnë nga burrat te gratë. Gratë dhe burrat janë nën presion për seksin, por në mënyra të ndryshme. Që në vitet e hershme të jetës së tyre, shumë djem janë nën presion të mendojnë për seksin, të duan të kryejnë seks dhe të hyjnë në marrëdhënie seksuale sa më parë të jetë e mundur. Shpesh, janë djemtë ose burrat e tjerë që e ushtrojnë këtë presion ndaj më të rinjve, ku seksi bëhet një ritual drejt hyrjes në burrëri dhe është gati e papranueshme për një djalë që të mos ketë kryer marrëdhënie seksuale teksa të ketë mbërritur një moshë të caktuar. Vajzat, në të shumtën e rasteve pritet të mbesin “të pastra” dhe të virgjëra sa më gjatë të jetë e mundur, shpeshherë deri në martesë – edhe pse ky pikëvështrim varet nga pritshmëritë dhe normat kulturore.

Presioni i ushtruar te djemtë e rinj, për të kryer marrëdhënie seksuale mund të çojë drejt fshehjes së rasteve, ku këta të rinj kanë kryer marrëdhënie seksuale nën moshën e lejuar. Kur një djalë nën moshën e lejuar (miratimit) kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë më të rritur, ne zakonisht nuk arrijmë ta konceptojmë atë si rast përdhunimi apo abuzimi seksual. Nocionet më të hershme të maskulinitetit na tregojnë se djemtë nuk mund të shfrytëzohen seksualisht nga gratë e moshuara. Sa më i ri  të jetë djali, dhe më i arrirë dhe më “burrëror” bëhet, duke u nxitur të bëjë seks me një vajzë apo grua më të madhe në moshë. Lavdërimi zakonisht vjen nga burrat e moshuar.

Në një intervistë për Daily Mail më 2013, këngëtari, tekstshkruesi dhe aktori amerikan, Chris Brown, rrëfeu se e “humbi virgjërinë” kur ishte vetëm tetë vjeç, teksa e krahason veten me Princin (këngëtar). Brown tregon se e humbi virgjërinë me një vajzë e cila ishte rreth katërmbëdhjetë vjeçe. Ai pohoi se në atë moshë, ai tashmë shihte pornografi. Vlen të përmendet gjuha e mediave rreth kësaj ngjarjeje. Të gjitha mediat e raportojnë moshën tetë vjeçnë kur ai humbi virgjërinë por pa e përmendur faktin se ai ishte përdhunuar, abuzuar apo shfrytëzuar seksualisht. Një vajzë tetë vjeçare që kryen marrëdhënie seksuale me një djalë katërmbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç konsiderohet si rast përdhunimi i ligjshëm – por, vini re se si reagimi dhe gjuha janë të ndryshme kur bëhet fjalë për djalin tetëvjeçar. Kjo tregon kushtëzimin e djemve në të menduarit se seksi është diçka për t’u festuar kur këta të fundit përfshihen, në vend që të kundërshtohet.

Chris Brown deklaroi “të jesh në gjendje ta bësh atë në moshën tetëvjeçare, sikur të përgatit për të ardhmen, derisa të bëhesh bishë fare… shumica e grave nuk do të kenë asnjë ankesë, nëse kanë qenë me mua. Vërtet që nuk mund të ankohen. Gjithçka është mirë”. Ky citat tregon shumë, specifikisht, sesi në atë moshë, Brown ishte i ekspozuar ndaj marrëdhënies seksuale dhe idesë se burri duhet ta kënaqë gruan. Gjithashtu, tregon sesa shumë identiteti dhe vlera e një burri priren të jenë të lidhura me idenë se sa të mirë janë në performancën seksuale; se seksi është pika kulminante e marrëdhënies së tyre me gratë dhe kjo është ajo që i rrënjos fort ata si burra.

Pornografia si realitet

Ka shumë njerëz që mësojnë të bëjnë seks direkt nga pornografia – Julie

Ky perceptim mbi seksin si detyrim për të hyrë në fazën e burrërisë, ka ekzistuar me shekuj, por është përshkallëzuar me zhvillimin teknologjik dhe lehtësueshmërisë me të cilën mund të konsumohet përmbajtja seksuale. Më shumë burra se asnjëherë tjetër shikojnë pornografi, ndërsa edhe më shumë djem janë duke u ekspozuar ndaj pornografisë që në moshë të hershme, gjë që po çon drejt varësisë seksuale, problemeve me intimitetin, dëshirë për t’u izoluar dhe marrëdhënie jo të qëndrueshme. Shumë të rinj janë lënë të mësojnë për seksin dhe edukimin seksual përmes pornografisë, nga ku duket se buron problemi.

Raportet na tregojnë se 90% e djemve janë të ekspozuar ndaj pornografisë rreth moshës 18 vjeçare, me moshë mesatare të ekspozimit fillestar që me vetëm 11 vjeç, si dhe se burrat kanë më shumë gjasa të shikojnë pornografi sesa gratë (kjo nuk do të thotë se gratë nuk shikojnë pornografi, pasi raportohet se një në tre shikues/e të pornografisë është grua). Klinika One Harley Street në Londër ka vërejtur një rritje me 100% të referimeve për varësi ndaj pornografisë në gjashtë vitet e fundit. Ish-aktori dhe lojtari profesional i NFL-së, ylli i shfaqjes së famshme televizive “Everybody Hates Chris and Brooklyn 99”, Terrry Crews në 2014 në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, të shikuar nga mëse 3 milion njerëz, deklaroi se pornografia i kishte prishur ritmin e jetës. Ai tha:

“Disa njerëz thonë, “Ej robo, nuk mund të jesh i varur nga pornografia”. Por po ju them diçka: nëse dita bëhet natë dhe ju akoma jeni duke parë porno, me siguri keni një problem. Dhe ky isha unë… Ajo (pornografia) të ndryshon mënyrën se si mendon për njerëzit. Njerëzit shndërrohen në objekte. Njerëzit shndërrohen në pjesë trupi; Shndërrohen në gjëra për tu përdorur në vend që të përjetohen si njerëz për t’u dashur.”

Shumica e përmbajtjes pornografike e prodhuar nga industria, është e përqendruar në masë të madhë  rreth fantazisë dhe kënaqësisë seksuale mashkullore, çka shpesh mbështetet në sjellje mizogjine ose raciste. Pornografia nuk është reflektim i vërtetë në lidhje me seksin për një person mesatar; nuk është gjithaq as reflektim i trupit që ka një person kushdo. Gjuha e folur që përdorin burrat për ta përshkruar seksin, e pasqyron këtë përkeqësim të dhunës dhe mizogjinisë edhe në pornografi. Ja disa shembuj të mënyrave të ndryshme sesi burrat i referohen përgjithësisht të bërit seks: rrah, copëtoj, shkel , shtyp, mbush, shtrëngoj, kërcas, godas – janë vetëm disa prej tyre për të kuptuar sa e dhunshme është gjuha. Përdorimi i këtij fjalori e zbeh intimitetin dhe e dehumanizon aspektin personal të tij, duke e reduktuar kështu seksin në një veprim të thjeshtë, fizik dhe agresiv, të pershtatur si diçka që një burrë i bën një gruaje dhe jo si një ndërveprim i përbashkët a si një akt që gruaja gjithashtu e shijon.

Virgjëria dhe Incel-ët*

*Incel –  anëtar/e të një subkulture online të njerëzve që e definojnë veten e tyre si të paaftë për të gjetur një partner\e seksi apo romance, pavarësisht dëshirës për ta pasur një të tillë.

Në vitin 2014, një 22- vjeçar nga Santa Barbara në Kaliforni, i quajtur Elliot Rodgers, kreu të shtëna në masë duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur katërmbëdhjetë të tjerë. Ai la nga pas një seri filmimesh dhe një “manifest” të ngarkuar në YouTube, të titulluar “Ndëshkimi i Rodgers-it”. Në pamjet filmike, Rodgers dëshmonte urrejtjen e tij për gratë. Kjo urrejtje buronte nga refuzimet ndaj tij nga vajza, të cilat ishin seksualisht aktive me djem të tjerë. Ai gjithashtu shfaqi pakënaqësi dhe zemërim të thellë për statusin e tij të virgjërisë, dhe në fund  të shtënat vdekjeprurëse i nënkuptoi si ndëshkim për sa më sipër. Menjëherë pas publikimit të lajmit, Rodgers u identifikua nga mediat, rrjetet sociale dhe bota e internetit si pjesë e kulturës Incel, bazuar kryesisht në filmimet e tij. Ai u quajt hero nga disa dhe përbindësh nga  të tjerët. Incelët vetëpërcaktohen si “beqarë të pavullnetshëm” dhe kultura e incelit është kryesisht një nënkulturë në internet që ka ardhur duke u rritur me intensitet të lartë përgjatë viteve të fundit. Ndonëse paraqet një pamje të tmerrshme, kjo shfaqje përshtatet në mënyrë të përkryer me maskulinitetin toksik të ditëve moderne.

Incelët besojnë se kanë të drejta të veçanta kur bëhet fjalë për të qenit burrë dhe seksualisht aktiv: të drejta të cilat qëndrojnë në kontrast të plotë me ato që u japin grave. Ata besojnë në rishpërndarjen e seksit, e cila bazohet mbi supozimin se u detyrohen dhe kanë të drejtë për seks nga gratë dhe duhet të jenë në gjendje ta marrin atë sipas kërkesës. Reagimi jonë i parë mund të jetë argumentimi se asnjë qenie njerëzore nuk beson në të vertetë se ka të drejtë mbi trupin e një qenieje tjetër njerëzore. Por, mizogjinia dhe kultura e përdhunimit lulëzojnë nga ideja se burrat kanë të drejë mbi trupat e grave, një ide që është përforcuar nga patriarkati përgjatë historisë, që prej kur s’mbahet mend.

Sot, kultura e përdhunimit merr trajtë dhe formë tjetër, e fshehur në tekstet e muzikës pop, mesazhet e saj të kamufluara me “batuta” në programet televizive, etj., por, mendësia e vjetër dhe e dëmshme është ende aty. Në titujt e mediave përdoret gjuhë dehumanizuese kur bëhet fjalë për gratë që janë temë e diskutimit dhe ne pastaj pyesim veten, pse njerëzit janë të paedukuar kur bëhet fjalë për mizogjininë dhe kulturën e përdhunimit. Edukimi minimal që njerëzit mund të marrin për këto fenomene, përmes bisedave me gratë, prindërit apo mësuese/it shpesh zhbëhet nga normalizimi i maskulinitetit toksik në diçka interesante. Media, Hollywoodi liberal dhe industria e muzikës, sigurisht do të shprehë zemërim për incidente të tilla si të shtënat e Rodgersit, por ato janë shumë më të ngadalshme për të dënuar rolin që kultura pop, e cila mund të përfshijë edhe filmat e tyre, programet televizive dhe këngët, kontribuon në këto incidente.

Fakti se incelët po lëvizin nga sfera online në jetën reale është pasqyrim i epokës sonë të rrezikshme moderne, ku aktualisht përballemi me rrezikun gjithnjë e në rritje të dhunës mizogjine ndaj grave, me pasoja fatale. Mediat e karakterizuan sulmin e Rodgers-it, të nxitur nga problemet e shëndetit mendor. Edhe pse shumica nuk do ta kontestonte se Rodgersi vuante nga një lloj problemi i shëndetit mendor, fakti qëndron se nuk ka të dhëna të ngjashme të grave me probleme të shëndetit mendor që kryjnë akte masive dhune ndaj burrave.

Duke përdorur frazën “burrat janë një gropë plehrash”, gratë kanë shkaktuar reagime publike deri në pikën ku burrat argumentojnë se maskuliniteti i tyre është në krizë dhe duhet mbrojtur. Por të folurit kundër idealeve shoqërore mizogjine nuk ka rezultuar në vrasje masive të burrave nga gratë. Nuk është fushë loje aspak e barabartë, siç do të sugjeronin disa burra. Sa më shumë që dhuna mizogjine i nënshtrohet një mentaliteti individual të “ujkut të vetmuar”, në vend që të identifikohet si e shkaktuar nga ideologjitë e dëmshme të përhapura, aq më pak shanse kemi për ta kapërcyer atë. Sulmi i Elliot Rogers-it ishte i neveritshëm, por këtu e shohim se kultura e përdhunimit, mizogjinia dhe patriarkati bëjnë që disa burra të humbasin në fund – Rodgers vdiq duke bërë vetëvrasje në vendin ku kreu sulmin.

Kultura e përdhunimit dhe miratimi

Kultura e përdhunimit nuk ka të bëjë me daljen e çdo burri dhe kryerjen e një sulmi të tmerrshëm seksual, por ka të bëjë me atë se si burrat në këtë botë janë bashkëfajtorë në lejimin e burrave të tjerë që t’i kryejnë këto krime – Elrick

Prania e incelëve ngre pyetje rreth kulturës së përdhunimit: nocionet e gabuara të pëlqimit\miratimit, luajnë një rol jetik në këtë çështje. Pas lëvizjes #MeToo, shumë njerëz kanë argumentuar se pëlqimi\miratimi është një temë që duhet të fillojë të diskutohet që në moshë të hershme: në pikëpamjen time, duhet të mësohet si pjesë e edukatës seksuale. Pëlqimi\miratimi në fjalorin e Oksfordit është përcaktuar si leje për për të ndodhur diçka, ose pajtueshmëri për të bërë diçka. Në lidhje me seksin, do të thotë dakordësi e vazhdueshme për aktivitet seksual me dikë. Është e rëndësishme të theksohet se pëlqimi\miratimi është prezenca  e një po-je. Ka shumë mënyra kur njerëzit mund të shtangen dhe mund të mos thonë dot “jo” me zë të lartë. Psikologu James Hopper shprehet se: “Në mes të një sulmi seksual, në tru dominon qarku i frikës… shtangia është reagim i bazuar në tru ndaj rrezikut të shfaqur”.

Shumë viktima të sulmeve seksuale kanë dalë dhe e kanë përshkruar këtë reagim. Çështja e pëlqimit\miratimit shtrohet edhe përsa i përket aktit të përdhunimit, por edhe në ndërveprim të përditshëm, psh. prekja e papërshtatshme ose pasthirrmat ngacmuese: pëlqimi\miratimi i grave cënohet çdo ditë përmes abuzimit të pushtetit nga burrat. Një shoqëri patriarkale i mëson burrave dy gjera thelbësore në lidhje me seksin me gratë:

  1. Seksi është transaksional – që seksi mund (dhe gjoja me të drejtë) fitohet përmes blerjes. Për shembull, mendoni një skenar ku një burrë beson se pagesa në një takim duhet të çojë drejt marrëdhënies seksuale. Ose që çdo lloj shpenzimi material\financiar i shpenzuar për gruan – apo thjesht të qenit i mirë (i butë)– duhet të shpërblehet me seks. Natyrisht, në masë të madhe, burrat nuk e kanë këtë sjellje në mënyrë absolute – megjithatë, ky lloj mendimi mbizotëron ende.
    Shumë burra nuk mendojnë në këto terma, por (edhe) ata që mendojnë, mund të mos e dallojnë lidhjen.
  2. Seksi është i negociueshëm – që seksi mund të negociohet. Që “jo” nuk do të thotë “jo”. Përkundrazi, do të thotë demek se duhet punosh më fort që t’i bësh ato të thonë “po”. Ky lloj mendimi paraqitet veçanërisht në shfaqjet televizive, komeditë romantike dhe mediat e tjera dominante; Që burri që i cili është insistues, përfundimisht e fiton gruan (në vend që të ishte njeriu që e ka lodhur ose e ka cenuar autonominë dhe miratimin e saj – gjë e cila tingëllon shumë më pak romantike apo e përkryer).

Është e rëndësishme ta theksojmë se nuk është ideja nëse një burrë mund të bëjë seks apo jo, përkundrazi, ka të bëjë me dinamikat e pushtetit brenda të cilave ndodh marrëdhënia seksuale.

Për shembull, puna e seksit është një skenar ku burri zakonisht paguan gruan për të bërë seks. Transaksioni, në këtë pikë, ndryshon nga konceptimi i seksit si transaksional kur paguan në një takim. Ndërsa ka probleme me punën e seksit e konsideruar si e pasigurtë për gratë – një faktor i rëndësishëm i kësaj, është kriminalizimi i punës së seksit, gjë që krijon kushte të pasigurta pune – është një formë pune për shumë gra, zakonisht gra të klasës punëtore, në të gjithë botën.

Shumë burra refuzojnë të shkojnë te punëtoret e seksit, me arsyetimin se nëse paguajnë një grua për seks, kjo do ta komprometonte maskulinitetin e tyre. Megjithatë, burrat janë të lumtur të presin për kryerjen e marrëdhënies seksuale, pasi paguajnë kur dalin në një takim – shumë prej tyre nuk duan të paguajnë për seks nga asgjëja, duke dashur që të duken sikur gruaja ka një tërheqje për ta, megjithëse në fund presin të bëjnë seks nëse “hedhin” para për gratë. Ideja se seksi mund të negociohet, pasqyrohet në të dhënat për industritë me nivelet më të larta të raportimit për sulme seksuale. Gratë të cilat janë të cenueshme, të margjinalizuara apo në situatë të pasigurtë pune, pa mbrojtje adekuate, përjetojnë abuzim disproporcional. Industria e kujdesit shëndetësor dhe asistencës sociale, përbën 11.5% të pretendimeve për ngacmim seksual, në masë të madhe sepse sektori dominohet nga gratë dhe veçanërisht nga gratë me ngjyrë.

Pëlqimi\miratimi është i vështirë për t’u kuptuar nga shumë burra, sepse vë në pikëpyetje një ndjesi mekanike të së drejtës, ku burrat nuk e ndjejnë se duhet t’i kenë parasysh sinjalet. T’u jepet e drejta nga gratë për të vazhduar, nuk ua pret mendja, në një shoqëri ku burrave u thuhet se trupat e grave janë të arritshëm për ta – se në shumë mënyra, trupat e grave funksionojnë për argëtimin e burrave. Por shumë burra duket se e kuptojnë rëndësinë e pëlqimit\miratimit kur pyeten përsa i përket grave të jetës së tyre; nënat, motrat, vajzat etj. Disa burra bëhen aktivistë të fortë për barazi gjinore dhe trajtim të barabartë të grave në momentin që bëhen prindër të një vajze (të paktën për vajzën e tyre) – shpesh baballarët i tërheqin vërejtjen vajzave të tyre që të jenë të kujdesshme me burrat lakmitarë apo burrat në përgjithësi. Ata kanë një ndjesi përgjegjësie ndaj tyre, ndërsa më parë, kjo ndjeshmëri nuk do të ekzistonte brenda tyre – por zakonisht varet nga pozicioni relativ i të paturit apo jo. Burrat janë shumë të vetëdijshëm për sjelljet e burrave të tjerë, edhe burrave që ata njohin, kur bëhet fjalë për seksin dhe mosbalancimin e pushtetit në marrëdhënie.

Kur nuk ka pëlqim\miratim nga gruaja, nuk ka diskutim se akti është përdhunim. Por përdhunimi si i tillë është shpesh i debatueshëm, edhe kur nuk është dhënë pëlqimi\miratimi. Deklaratat pasuese janë shembull i asaj që thuhet shpesh nga njerëzit: Çfarë kishe veshur? A ishe e dehur? A e provokove? A ke qenë në lidhje me të? Kjo e zhvendos përgjegjësinë nga dhunuesi te viktima, dmth është fajësim i viktimës. A i shtrojmë këto pyetje kur kryhen krime të tjera? P.sh kur dikujt i vidhet pasuria, pyeten “a jeni mirë?” ose “çfarë ndodhi?” dhe jo çfarë kishe veshur apo mos kishe pirë shumë? Për më tepër, duke sugjeruar se përdhunimi mund të shmangej përmes masave të sigurisë si të mos veshurit në formë “provokative”, mosdalja natën vonë vetëm apo të mos dehurit, përforcojnë idenë se burrat janë grabitqarë sepse u jepet kjo mundësi; sikurse përdhunimi të jetë pjesë e përbërjes gjenetike të burrave, që do të thotë se ata nuk mund të ndihmohen nëse rrethanat u përshtaten atyre. Edhe njëherë, kjo përforcon idenë e fajësimit të viktimës, duke vënë përgjegjësinë mbi gratë që të mos bien viktima, sikur ky të jetë një fat i pashmangshëm për to.

Të dhënat mbi përdhunimet në Britaninë e Madhe janë të frikshme. Organizatat të cilat mbledhin të dhënat e përdhunimeve në Angli dhe Uells, raportojnë si në vijim:

  • Përafërsisht 85,000 gra dhe 12,000 burra janë përdhunuar në Angli dhe Uells çdo vit. Kjo është e barabartë me 11 përdhunime për çdo orë.
  • 1 në 5 gra të moshës 16-59 vjeç kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale prej moshës 16 vjeç.
  • Përafërsisht 90% e atyre që janë përdhunuar, e kanë njohur përdhunuesin para veprës penale.
  • Afërsisht 15% e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale kanë zgjedhur të raportojnë rastin në polici (vetëm 1 përdhunim në çdo 14 të raportuar në polici përfundon me të dënuar).

Përdhunimi është një çështje që i prek gratë në të gjithë botën dhe gratë e të gjitha moshave. Duhet marrë në konsideratë edhe çështja shumë serioze e burrave si viktima të përdhunimit. Zakonisht, kjo tejkalohet për arsyen se burrat të cilët janë përdhunuar ndihen të turpëruar sepse u është cenuar maskuliniteti i tyre. Duket sikur ata janë më pak burra, të dobët dhe jorehat për marrëdhënien e pavullnetshme apo të qenit të dominuar, kështu që ka shumë raste që burrat nuk e raportojnë krimin. Burrat kanë raportuar gjithashtu incidente të shkuarjes në stacion policor dhe të mosmarrjes seriozisht nga ana e tyre.

Në një tregim të vitit 2018 të telenovelës britanike “Coronation Street”, njëri nga personazhet kryesorë të shfaqjes, David Platt, i luajtur nga aktori Jack Shepherd, ishte përdhunuar nga trajneri i tij personal Josh Tucker, i luajtur nga aktori dhe ish-lojtari profesional i ragbit Ryan Clayton, pas një mbrëmjeje jashtë. Tregimi rrëfeu udhëtimin e Davidit dhe përvojën e turpit e të qenit i përdhunuar (nga një burrë), frikës (së marrjes së vitusit HIV), sikletit dhe zemërimit, si dhe disa nga ndërlikimet e ngritjes së një akuze dhe vështirësive të ballafaqimit me përdhunuesin. Ishte një histori sy-hapëse, e cila shkaktoi shumë bujë dhe diskutime, sa kohë që kjo çështje flitet shumë rrallë, e lëre më të prezantohet në televizionet kombëtare.

Fakti se spektakli punoi me burra të mbijetuar nga përdhunimi në jetën reale, e bën atë të jashtëzakonshëm, pasi nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e një historie të diskutueshme ose të bujshme si një rrugë që shfaqja mund ta zgjidhte, por mbi të gjitha për paraqitjen e eksperiencës së përditshme të njerëzve të vërtetë. Gjysmë shekulli më parë, përdhunimi i burrave as nuk mund të konsiderohej si i vërtetë, e lëre më të paraqitej në një telenovelë kombëtare.

Në fund të fundit, përdhunimi vazhdon të ekzistojë në këto ritme, kryesisht sepse jetojmë në një shoqëri që e normalizon kulturën e përdhunimit, që do të thotë, e redukton abuzimin seksual. Nëse epidemia e përdhunimit do të marrë fund, të rinjtë dhe të rejat duhet të mësojnë për pëlqimin\miratimin si pjesë e edukatës së tyre seksuale dhe në anën tjetër, duhet të sigurohet mbështetje si kundërshtim ndaj turpërimit që bëhet kur ndodhin ngjarje të tilla.

Ky kapitull është shkëputur nga libri “Mask Off: Masculinity Redefined” i autorit J J Bola, nga shtëpia botuese PLUTO PRESS (2019).

Përkthyen: Dardan Konjufca dhe Liri Kuçi

KTHEHU NË KRYE TË FAQES

error: Përmbajtja është e mbrojtur