Reportazh mbi familjen e parë LGBTQ+ me fëmijë në Shqipëri dhe sfidat e saj.
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara gëzojnë 12-vite dashurie të ndërsjelltë për njëra-tjetrën, që në 18 janar 2021 u ripërtëri me ardhjen në jetë të dy vogëlusheve të tyre. Fillimisht, të ëndërruara dhe më pas, protagoniste të këtij rrugëtimi, që përbën një risi në shoqërinë shqiptare. Nënat e reja janë shpresëplotë dhe besojnë se fëmijët e tyre do të rriten në një kontekst tjetër nga ai ku ato vetë u mbrujtën. Sipas tyre, brezat e rinj gëzojnë potencialin për ta ndryshuar strukturalisht shoqërinë dhe për të garantuar një mjedis më të shëndoshë dhe pranues ndaj diversitetit.
Megjithatë, konteksti aktual mbetet sfidues për familjen e parë LGBTQ+ në Shqipëri, fëmijëve të së cilës shteti shqiptar nuk ua njeh ekzistencën dhe për pasojë, as të drejtat bazike, përfshirë këtu të drejtën për të përftuar shërbime shëndetësore apo për t’u arsimuar. Paçka se homoseksualizmi është dekriminalizuar në Shqipëri prej vitit 1995 dhe diskriminimi në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual tashmë njihet dhe dënohet me ligj, personave LGBTQ+ ende iu mohohen të drejta të barabarta shoqërore. Mes tyre e drejta për t’u martuar apo për të prindëruar. Refuzimi institucional për të njohur amësinë e dyfishtë të vajzave, që do të përmbushte kushtin për regjistrimin dhe pajisjen e tyre me një mjet identifikimi, i ka hapur rrugën prej një viti tashmë, një beteje ligjore në Gjykatën Administrative të Tiranës.
“Ne duam që vajzat të regjistrohen në emër të të dyjave ne sepse ato kanë lindur dhe po rriten në një familje me dy prindër. Ne nuk jemi të martuara, jo sepse nuk duam por sepse ligji nuk na e garanton këtë të drejtë. Ndërkohë, çështja jonë po ndiqet nga gjyqtarja Arbena Ahmeti e cila dikur kërkoi edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit për njohjen e amësisë së dyfishtë. Megjithatë, procesi është tashmë në fazë apelimi por apeli mund të zgjasë mesatarisht 4-5 vite dhe shëndeti e mirëqenia e vogëlusheve tona janë prioritet. Ne nuk mund të presim 4-5 vite. Vajzat ndër të tjera kanë nevojë të shkojnë në çerdhe, në shkollë dhe të socializohen me bashkëmoshatarë/e në këto mjedise.” – shprehet Alba teksa vogëlushet lodrojnë rreth nesh gjatë zhvillimit të kësaj bisede, të pavetëdijshme për sfidën që ekzistenca e tyre i shkakton një sistemi të tërë shoqëror.
16 shtete të Bashkimit Evropian njohin ligjërisht të drejtën e çifteve homoseksuale për t’u kurorëzuar teksa shtete të tjera brenda unionit si Kroacia, Greqia, Sllovenia, Italia etj. lejojnë forma më të kufizuara të marrëdhënies dhe bashkëjetesës homoseksuale. Ndërkohë 23 prej këtyre shteteve, përfshirë Kroacinë dhe Maltën, u njohin çifteve homoseksuale të drejtën për të prindëruar, përmes adoptimit të fëmijëve por jo vetëm kësisoj. Shqipëria, një shtet që aspiron t’i bashkohet në të ardhmen familjes së madhe evropiane, nuk garanton të njëjtat të drejta për qytetare/ët e saj.
Por teksa shteti i ngecur mes traditës heteronormative dhe presioneve të modernizmit të pashmangshëm kërkon kohë për t’i njohur vogëlushet e Albës dhe Edlirës, fqinjët e tyre e kanë mirëpritur këtë familje pa hezitim. Gratë në lagje interesohen për shëndetin e vajzave dhe nënave të tyre, të rejat e familjes dhe të tjera çështje rutinore, që në anët tona puqin zakonisht bashkëndarësit e së njëjtës hapësire banimi. Ato përpiqen të ofrojnë ndihmë, këshilla apo të ndajnë me nënat eksperiencën e tyre të amësisë.
“Njerëzit që na njohin nuk kanë qëndrim negativ”, rrëfen Edlira. “Ndoshta sepse ajo që shohin janë thjesht dy prindër që i duan fëmijët e tyre, i rrisin njëlloj me sakrifica, mundohen t’u garantojnë atyre çdo të mirë të mundshme dhe t’u falin dashuri. Kjo nuk është aspak diçka e jashtëzakonshme. Thjesht e natyrshme…” – vijon ajo.
“Personi i parë që na uroi të dyjave për ardhjen e vajzave në jetë ka qenë mamia në spital, ditën kur do të ktheheshim në shtëpi, çka na suprizoi dhe mua më çoi në qiellin e shtatë nga gëzimi.” – tregon Alba.
Ndërsa fqinjët dhe të tjerë persona që janë në kontakt të vazhdueshëm me Albën dhe Edlirën e kanë thyer barrierën e habisë dhe paragjykimit fillestar, familjarët e çiftit nuk ia kanë dalë ende ta menaxhojnë homofobinë e tyre.
“Familja ime ka akoma vështirësi për të na pranuar, qoftë si çift apo si nëna në këtë kontekst. Që kur nisëm të bashkëjetojmë, në vitin 2015, prindërit më komunikuan se kishin nevojë për më shumë kohë për ta përpunuar këtë fakt.” – tregon Alba. “Shqetësimi i tyre kryesor është presioni shoqëror, ankthi se ç’do të mendojë bota… Unë i kam vajtur në shtëpi me vajzat. Më kujtohet kur isha vetëm me H. e cila hyri në shtëpi këmbadorazi. Shihja në sytë e time ëme dëshirën për t’iu qasur vajzës e për ta marrë në krahë por nuk e bëri. Rezistenca qëlloi përfundimisht më e fortë, pavarësisht sa e rrëmbushur ishte ajo nga dhembshuria. Këto fëmijë janë engjëj. Si mund të mos të të bëjnë për vete?” – thotë ajo. Edlira nga ana tjetër, prindërit e së cilës nuk jetojnë, përgjigjet shkurt se tezja e saj, e cila është në dijeni të marrëdhënies së tyre dhe pasurimit të saj me dy bija, nuk e pranon këtë lidhje dhe familje.
A. dhe H., binjake që për nga njëra-tjetra dallojnë veçanërisht nga çapkënllëku, janë dy fëmijë të dëshiruar dhe të planifikuar gjatë. Shtatzania, fillimisht një ëndërr e menduar e parealizueshme, u konkretizua nga përkujdesi obstretik i stafit mjekësor të njërit prej spitaleve private në Tiranë. Edlira iu nënshtrua procesit të fertilizimit in vitro, ku vezët e shëndosha tërhiqen nga vezoret dhe fertilizohen nga sperma e dhuruesit jashtë habitatit të tyre biologjik (në laborator), për t’u rikthyer më pas në mitër ku dhe zhvillohet embrioni, në rast se ngjizja ka qenë e suksesshme.
“E kishim menduar që në mos unë, Alba do ta mbarste fëmijën, që na rezultoi fëmijët. Vezët e mia do t’i kalonin Albës ose e kundërta. Por duke marrë parasysh disa ndërlikime shëndetësore të Albës, as që i hymë fare asaj rruge.” – tregon Edlira. Ajo vazhdon të më rrëfejë e ngazëllyer sesi të dyja bënë përzgjedhjen e dhuruesit të spermës.
“Spitali bashkëpunonte me bankën ndërkombëtare daneze të spermës “Cryos” dhe ne kishim mundësinë të zgjidhnim një dhurues përmes kësaj banke. Pasi pamë me vëmendje të gjitha analizat gjenetike dhe detaje të tjera të dhuruesit, përfshirë tiparet dhe grupin zero pozitiv të gjakut, siç është edhe Alba (sikurse kanë dalë dhe vajzat), zgjodhëm që të ndërmerrnim hapin e mëtejshëm. Procedura u zgjat pak sepse i gjithë ky proces po ndodhte paralelisht me pandeminë COVID19.
Megjithatë, pasi u krye fertilizimi, mjekja më njoftoi që të bëja një test shtatëzanie pas dy javësh por duke qenë se unë nuk prisja dot, testin e kreva menjëherë pas 10 ditësh. Kur pashë rezultatin nuk iu besoja dot syve. Për pasojë, bleva disa teste të tjera të shpejta por në secilin prej tyre rezultati ishte i njëjtë: kisha mbetur shtatzënë! Telefonova menjëherë mjeken e cila fillimisht më uroi dhe më pas më këshilloi të bëja testin HCG përmes gjakut (“human chorionic gonadotropin” është hormoni që prodhon trupi femëror gjatë shtazanisë, niveli për të cilin matet përmes një testi gjaku ose urine dhe përcakton nëse dikush është apo jo shtatzënë). Ishte ky testi që jo vetëm konfirmoi faktin që isha shtatzënë por gjithashtu se do të prisja binjakë”.
Megjithëkëtë, rrugëtimi për sjelljen në jetë të binjakeve nuk ka qenë i lehtë. Të druajtura për të kërkuar ndihmë në spitalet dhe klinikat shtetërore, marrë parasysh mangësitë në dhe në përgjithësi, gjendjen e mjerueshme, Alba dhe Edlira kanë trokitur në disa dyer të privatit paraprakisht.
“Konsultën e parë e kemi pasur te Klinika Gliozheni në Tiranë ku u pritëm me këmbët e para. Ne donim si fillim të informoheshim mbi procedurën e inseminimit intrauterin dhe fertilizimin in vitro. Mjekut i thamë që ishim shoqe, jo të dashura. Nuk donim ta ekspozonim veten sepse nuk e dinim me ç’reagim mund të përballeshim dhe gjithsesi ishim paraprakisht të përgatitura për një përgjigje negative.” – rrëfen Edlira.
“Mjeku te kjo klinikë më pyeti nëse kisha një partner dhe sesi mendonim ne të dyja ta realizonim diçka të tillë. Iu përgjigja se dëshiroja të kisha një fëmijë e vetme, përmes një dhuruesi të përzgjedhur, një e drejtë që më garantohet përmes ligjit. Atëherë mjeku më tha se diçka të tillë nuk mund ta lejonte pasi kjo do t’u hapte rrugën të tjera çifteve homoseksuale në Shqipëri, për të kërkuar të njëjtën gjë.” – përfundon ajo.
“Ishte zhgënjyese. U detyruam të shkonim te një tjetër klinikë private. Kësaj here te Spitali Amerikan ku mjeku nuk u tregua homofob por mizogjin. Ai nuk hezitoi të shfaqte bezdinë për faktin se një grua 39-vjeçare kërkonte, pikërisht në atë moshë, të mbetej shtatzënë… Sipas tij kjo nuk ishte moshë premtuese. Gjithsesi, unë iu nënshtrova një sërë analizave, përgjigjet e së cilave u vonuan pafundësisht. E sikur kjo të mos mjaftonte, procedura e inseminimit, të cilin fillimisht e nisa aty, nuk pati rezultat. As procedura in vitro. Nisa të qaj. Nuk kishim kurrfarë përkrahje emocionale dhe psikologjike. Komunikimi me stafin mjekësor ishte i varfër. Si përfundim u detyruam të largoheshim edhe nga ky spital.” – tregon më tej Edlira.
I treti spital privat rezultoi më në fund i duhuri. Konsulta me mjekë vendas dhe të huaj, përkujdesi, udhëheqja hap pas hapi në performimin e procesit in vitro, sollën rezultatin e dëshiruar. Fertilizimi u krye me sukses dhe binjaket monozigotike lindën në fillim të vitit 2021, ende pa hyrë në muajin e nëntë, me 5 minuta diferencë nga njëra-tjetra, përkaktësisht 47 dhe 49 centimetra. Të shëndetshme. Të vërteta si në ëndërr.
“Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjesinë kur dëgjova rrahjet e zemrave për herë të parë. Isha e mpirë nga gëzimi. Shihja Albën që qëndronte karshi meje dhe qante e vetë nuk reagoja dot.” – tregon Edlira. “Më pas, në javën e trembëdhjetë, kur i ndieva vajzat të lëviznin për herë të parë, m’u duk sikur papritur një tufë fluturash po lëviznin njëkohësisht brenda meje. S’kam përjetuar ndjesi më përmbushëse.”- përfundon Edlira.
“Gjithmonë kam menduar se kur dëgjon rrahjet e para të zemrës së fëmijës tënd apo e ndien atë të lëvizë, do të kaplohesh nga lumturia. Për mua këto çaste kanë qenë përtej lumturisë. Të papërshkrueshme.” – shprehet Alba. “Jam munduar ta kontrolloj veten e më dukej sikur maska kundër Covid19 më ndihmonte t’i fshihja emocionet. Kisha frikë ta lëshoja veten me idenë se mos mjekët e kuptonin që ne ishim më shumë se shoqe dhe mbase kjo na kushtonte…” – vazhdon Alba e cila për Edlirën ka qenë mbështetje e pakushtëzuar, në çdo hap, shpesh, deri në vetëmohim. Si në çdo familje të shëndoshë, ku partnerët e asistojnë njëri-tjetrin, qoftë me ndarjen e drejtë të punëve të shtëpisë apo duke ofruar përkrahje të rregullt emocionale, deri te përkujdesi dhe rritja së bashku e fëmijëve, Alba në çaste vendimtare ka qenë bosht orientimi për Edlirën.
“Në javën e dymbëdhjetë pata papritur hemorragji. U zgjova nga gjumi dhe e gjeta veten të mbuluar në gjak. U tmerrova! Thashë, kaq ishte. Alba më çoi menjëherë në spital dhe në ato çaste kur unë nuk isha në gjendje të reagoja shpejt ose kthjellët ishte ajo që i merrte frenat në dorë dhe me një vetëbesim të hatashëm, ia dilte të më qetësonte. Si përfundim, mua m’u këshillua regjim shtrati dhe në javën e 16 kreva serklazhin cervikal ose siç njihet në gjuhën popullore “mbylljen e qafës së mitrës” dhe prej këtij çasti e në vazhdim shtatzania vijoi pa asnjë problem. Do t’i jem gjithmonë falë Albës për dashurinë dhe kujdesin e treguar në atë periudhë. – shprehet Edlira.
Depresioni post-partum, i cili kryesisht ndodh 4-6 javë pas lindjes, si pasojë e rënies së hormonit të estrogjenit dhe progesteronit e rëndom zgjat deri në një vit, përjetohet ndryshe nga secila grua. Për Edlirën beteja me këtë përpjekje të radhës zgjati vetëm dy muaj dhe ajo tregon se gjatë kësaj periudhe nuk u konsultua me një psikolog/e.
“Nuk ishte ide e mirë mosvajtja te psikologu/ja por ishte një periudhë kaotike dhe frika e infektimit nga Covid19 ishte reale. Ndërkohë, fill pas shtatzanisë pata probleme me tensionin dhe temperaturën, që brenda ditës më shkonte 39 gradë dhe menjëherë më pas më zbriste në 36 gradë. Gjithashtu nuk kisha mjaftueshëm qumësht gjiri dhe disa ditë pasi patëm dalë nga spitali u detyrova t’u nisja vajzave ushqimin përmes formulës, kundrejt së cilës, persona të ndryshëm së jashtmi nuk e fshehën keqardhjen apo paragjykimin, gjë që më lëndonte. Alba më ndihmonte në të gjitha drejtimet. Gjithashtu, të dyja kemi pasur mbështetje nga familja LGBTQ+: Xheni dhe Livia (aktiviste të Aleancës LGBT+ në Tiranë), të cilat na ndihmonin me pazaret dhe mbajtjen e vajzave rregullisht. Shoqëria jonë brenda komunitetit mundohej gjithashtu të na qëndronte sa më pranë të ishte e mundur, duke u kujdesur që paralelisht të respektonin me përpikmëri rregullat për mbrojtjen nga Covid19.” – thotë Edlira.
Me modesti, Alba shprehet se për të ka qenë e natyrshme t’i qëndronte pranë Edlirës. “Nuk më është dukur për asnjë çast sakrificë kjo gjë. Nuk e di sesi e përjetojnë gratë e tjera depresionin post partum por në kujtesën time është gdhendur ky imazh: Duhet të ketë qenë natën vonë. Gocat filluan të qanin njëkohësisht. Mora njërën në krah. E qetësova dhe e vura në gjumë. Menjëherë më pas mora tjetrën. Në këtë moment shoh Edën që po qante dhe reflektimin tim në pasqyrë teksa gjithashtu më shkonin lotët tëposhtë. I thashë vetes, Alba, mblidhe veten se po e humbe edhe ti, ç’u pa pastaj? – tregon ajo tashmë duke qeshur.
Komunikimi mes të dyjave është i zhdërvjellët dhe në harmoni, reflektim i një marrëdhënie të gjatë dhe të shëndoshë, produkt i familjaritetit, që sipas tyre është intensifikuar më tej me rolin e ri që kanë fituar: të qenit nëna të vogëlusheve të tyre, të cilat duan t’i rrisin të forta dhe të zonjat e vetes; fëmijë të mbarë dhe qytetare të drejta. Fundja, a nuk është kjo dëshira e çdo prindi?
Familja LGBTQ+ meriton të shihet me empati. Identiteti gjinor dhe orientimi seksual i partnere/ëve apo (pa)mundësia e tyre për të sjellë vetë në jetë fëmijë, nuk përcakton aftësinë e tyre si prindër. Prindërimi është aftësi e fituar shoqërore, jo fakt biologjik. Askush nuk lind nënë apo baba. Ne bëhemi të tillë gjatë një procesi ku së bashku me rritjen e të vegjëlve, rritemi edhe vetë. Kusht për një familje të shëndoshë meriton të jetë dashuria që vlon në atë vatër; përkujdesi që partnerë/et tregojnë për njëri-tjetrin/njëra-tjetrën dhe fëmijët e tyre; garancia për një strehë të sigurtë dhe të lumtur; mënyra e civilizuar përmes së cilës adresohen problemet dhe zgjidhen konfliket; liria për të qenë vetvetja e për t’u shprehur pa frikën e ndëshkimit; një ndëshkim që në familjen tradicionale manifestohet ende në emër të një morali të çartur, mbetje e një sistemi vlerash arkaike, të dhunshme dhe patriarkale, rëndom me pasoja fatale për jetët e pjesëtare/ëve, veçanërisht grave.
Si mund të shqetësojë familja e Albës dhe Edlirës por jo ajo familje ku burri e dhunon sistematikisht gruan dhe fëmijët? Si mund të na shqetësojë marrëdhënia e paqtë mes këtyre dy grave por jo ajo ku burri e përdhunon rregullisht gruan në shtratin martesor sepse kurorëzimin e konsideron të drejtë mbi trupin e saj? Përse do të shokonte përkujdesi me të cilin këto dy gra e trajtojnë njëra-tjetrën dhe drejtësia me të cilën ndajnë përgjegjësitë e bashkëjetesës por jo skllavërimi i gruas brenda katër mureve të shtëpisë në emër të “dashurisë”? Çfarë do të thotë për shoqërinë tonë, kur më përmbarë e ka t’i tregojë vajzës adoleshente sesi të bëjë kujdes me veshjen dhe qëndrimin në shtëpinë e vet, në vend se të trajtojë ata burra që janë të rrezikshëm deri edhe për fëmijët e tyre?
Kjo tronditje e paarsyetuar ndaj larmishmërisë së formave përmes së cilave dashuria përshfaqet, tregon ndoshta veçse mungesën e kësaj ndjenje në jetët e shumëkujt dhe paaftësinë për të imagjinuar një botë pa dhunë, pa dominim, pa frikë.
“Kur vajzat erdhën në jetë na kaploi një frikë e tmerrshme, që mua veçanërisht më ka përndjekur gjatë javës teksa Eda ishte e shtruar në spital. Më dukej sikur do të na i merrnin fëmijët dhe s’do të na i sillnin më. Kisha frikë t’i çonim deri në dhomën e mamive paçka se kjo ishte domosdoshmëri. I vetmi çast kur jemi ndjerë të sigurta ishte kur u kthyem në shtëpi të katërta.” – rrëfen Alba.
Edlira ndërhyn: “Më kujtohet një fragment vizual, i ngjashëm me atë te filmi vizatimor “Mbreti Luan”, kur Alba po qëndronte afër dritares, njëherë me njërën vajzë në duar dhe më pas me tjetrën, duke i mbajtur ato në mënyrë triumfuese lart, me fytyrën drejtuar kah diellit, si luani të voglin e tij në film. M’u duk se Alba po mbante në duar trofetë e jetës dhe m’u shtua forca. Mendova sesi së bashku do t’ia dalim çdo beteje për t’i mbrojtur të voglat tona e për t’i rritur ato të shëndetshme dhe të lumtura.”
Këto dy gra frymëzojnë me vendosmërinë e tyre. Ato e kanë shndërruar dashurinë në katalizator jete dhe familjen e tyre, në manifestimin më të drejtpërdrejtë të idealit për dashurinë si ndjenjën më të lartë, për të cilën jemi të aftë si njerëz. Por betejat e tyre janë edhe tonat sepse të jetuarit në liri nuk është privilegj. Kur kjo e drejtë nuk i garantohet dikujt prej nesh, ajo na është cenuar njëkohësisht të gjithëve. Për pasojë, përpjekja aktuale për njohjen e amësisë së dyfishtë nga Gjykata Administrative e Tiranës, sikurse pranimi për familjen e parë LGBTQ+ me fëmijë, në mbarë shoqërinë tonë, meriton organizim kolektiv në solidaritet me Albën, Edlirën dhe vajzat e tyre. Në mënyrë që asnjë çift tjetër të mos përshkojë të njëjtin kalvar ankthi dhe frike në të ardhmen.
Një familje e shëndoshë nënkupton një shoqëri të shëndoshë. Që shoqëria jonë të mos vazhdojë t’i akumulojë traumat, garancia për mirëqenien e të gjithë pjesëtarëve të saj dhe çdo familjeje në të është njëkohësisht përgjegjësi institucionale dhe kolektive.