ËNDRRA

MARA MORAVA

Mara Morava: E arratisur. Arratisur nga qyteti ku u rrit kur ai nuk po e qytetëronte më; arratisur nga prindërit, soji e sorollopi sepse u lodh së maturi me kriteret e tyre morale veten e të tjerët; arratisur nga shtrati bashkëshortor në çastin që ëndrrat filluan t’ia lënë vendin maktheve; arratisur edhe nën këtë pseudonim, si një gardh shtesë në rastet kur e tundon vetëdenoncimi.

E shtyu derën katër-kanatësh dhe me një dihatje të rëndë u dha në dhomë.

– “Zot i madh! Kaq e pat! Do të më vrasë!” – thërriste si e marrë.

E zënë në befasi, acarohem sa më s’thuhet nga këto klithma të një teatraliteti të pashoq që më ndëpresin prehjen e kësaj të diele pasdite, kur dëshiron veç të kotesh para televizorit teksa përmuzget jashtë.

Me një dembelosje jomikpritëse bëj ta mas me sy krijesën përpara meje. Nga ekrani, zëri i çjerrë i një bretkose profesioniste rreket të më bindë se rruga për në parajsë kalon pashmangshmërisht nëpër grykën e një shisheje “Bud Light”.

– “Do të më vrasë fare, dhe kësaj here me gjithë mend!” – këlthet sërish.

– “Ej! Ç’më rri aty në mes të dhomës si pilaf?! Më ke zënë krejt rrezen e shikimit. S’e sheh qe po shoh lajmet? Hesht e bëj mënjanë!”

– “Ah, po s’të kujtohem unë?”

Ia ngul sytë, këtë radhë pak më imtas. Trup i brishtë si xhelatinë, që herë kthjellohet e bëhet i tejdukshëm, e herë fanepsen mbi të një mizëri ngjyrash që përndriten për pak e pastaj zbehen sërish. Hapërdarë në çdo skutë të dhomës e ndërgjegjes sime, me një indiferencë të plotë për tridimensionalizmin si sistem, kjo qenie e çuditshme m’i trallis shqisat. Gjymtyrët e saj të buta më mbështjellin herë-herë në një përqafim viskoz, e hunda më ngjishet në sqetullat e saj të cilave ua ndiej dërsitjen erë vesë.  Flokët ngjyrë sermi, si miliona vijëza mërkuri arratisur prej termometrash të vjetër, i valëzojnë pa teklif gjithkund, stolisur me karfica të vogla yjesh. Po të isha në një humor më të mirë, me siguri do të kisha dalë në përfundimin se kjo krijesë do ketë qenë e bukur në të ritë e saj.

– “Jo, jo, nuk besoj se njihemi” – i them duke e shtyrë. “Isha vërtet duke ndjekur diçka në ekran. Të lutem, bëj mënjanë! I kam shumë zët ata që më ndërpresin e ia nisin muhabetit pa teklif!”

– “Po si s’më mban mend?! E pamundur! Po unë jam… Hm. Unë jam ajo rryma e ngrohtë detare që në tetëdhjetë-e-shtatën të rrëmbeva teksa notoje në një breg të Durrësit. Të mbajta hopa për kilometra të tërë, tërthor Adriatikut, pastaj të lëshova në brigjet e përtej… Të kujtohet?” – i ndritën sytë gjithë shpresë.

E ndërgjegjshme për dobësinë që kam nganjëherë për ata që kanë imagjinatë të shfrenuar, e lejoj veten të zbavitem me këto profka për një çast.

– “Ti ke luajtur mendsh!” – i them pastaj prerë. “Dhe unë sot s’kam oreks për marrëzi! Seriozisht, a më le të qetë tani?”

– “Po unë jam edhe ajo perla që e gjete ndryrë brenda nje pinide në atë ishullin e vogël në Ksamil, kur ishe 8 vjeç. Të kujtohet?”

– “Perlë brenda një pinide, ë?” – ia picërroj sytë me tallje mu në fytyrë.

– “Pse jo?” – m’u gjegj me një habi të mirëfilltë. “Të kujtohem tani?”

– “Fare!”

– “Oh…” –  iu varën nga zhgënjimi supet e butë – “Po duhet të të kujtohet atëherë kur unë isha roli i Lorës? Lora e “Menaxherisë së qelqtë”? Tennessee Williams? Hë pra tani! S’mban mend se si shkëlqeve natën e premierës, dhe atëças’ krejt rruzulli më në fund e mësoi emrin tënd. Kjo patjetër të kujtohet. Sepse…  si mund ta kesh harruar?!” – bëri dhe një tentativë të tretë.

Një alarm i vërtetë dukej ta kishte kapluar tanimë. Fliste me një frymë dhe flokët i ishin çakërdisur aq sa s’kish yjësi karficash t’ia disiplinonte dot më.

– “Unë jam dhe krahët e atij djalit që të shtrëngonin në gjumë atë një natë të vetme gushti, në të gdhirë… Të kujtohet se si të shtrëngonin fort, shumë fort… E pastaj… E pastaj ai të numëroi të gjitha luledelet në këmishën e natës dhe iku. Iku, u zhduk papritur, për të mos ekzistuar më kurrë.”

– “E sa ishin gjithsej?”

– “Cilat? Ah, luledel… Pra, më në fund i re në të?”

– “Absolutisht jo! Po shifrat në përgjithësi më intrigojnë.”

– “Oh… Atëherë, mund ta kesh më të lehtë të kujtosh se unë jam edhe ajo ideja e çmendur e datës 13 Janar 2005, ora 17:38, kohëzgjatja 33 sekonda, që të thoshte të ikim, të ikim. Me tren. Ndalojmë në fshatin e parë me liqen të linjës blu të Metro-North-it dhe s’kthehemi kurrë më këtu. Të ikim, të thosha. Me tren. Tutje. Pa kthim. Hë? Po tani? Më kujton?” – më pyeste e rraskapitur në përpjekjen për të ma çkopsitur kujtesën me imtësi të tilla klinike, teksa dukej qartë që kishte humbur ndërkohë çdo shpresë se unë do t’i jepja të njohur.

– “Ç’dërdëllis me gjithë këto detaje idiote?!” – më rresht durimi mua. – “Përfundimisht, më lër të qetë. Nuk mbaj mend asgjë!”

– “Si është e mundur?” – përlotet. “Si?”

– “Ja që është. Pikë!”

– “Nuk e besoj dot…”

– “Edhe sikur të të mbaja mend, çfarë tamam do prej meje? Bjeri shkurt!”- i kthehem prerë teksa përpiqem të kap ndonjë fjalë çfarëdo nga edicioni i lajmeve. Vë bast se më ka shpëtuar reportazhi ditor mbi performancën e tregjeve të aksioneve, vetëm sepse kësaj të roiturës, pa e ftuar kush, i teket të më bëjë vizitë. “Fol pra! Ç’do nga unë?”

– “Po vdes, ta dish… Çdo ditë e nga pak. Por sot ajo e ka me gjithë mend. Ti s’ mund të më lësh të vdes në duart e saj. Nëse unë vdes, atëherë… atëherë…”

– “ … atëherë terroristët fitojnë përfundimisht?” – ia mbaroj fjalinë gjithë shend, dhe gati fyhem që ajo s’ka pikën e aftësisë për të kapur ironinë e një batute të stërkonsumuar, vendosur në një kontekst të ri.

– “Ki mëshirë!” – përgjërohet prapë. Por pa mundur të thotë një fjalë më tej, ngrin e tëra sapo që një kumbim i thatë takash dëgjohet tutje në korridor.

– “E si, për shembull, mund të të shpëtoj?” – i them duke falsifikuar atypëraty tonin e dikujt që edhe mund t’i bëhet vonë.

Ajo s’nxori asnjë tingull më, por e ndjeva tek u fsheh rrëshqanthi e frikësuar pas perdeve bezhë. Takat, tingulli i të cilave po copëtonte në thela rigorozisht të barabarta çastet që pasuan, u dhanë më në fund në dyshemenë ku më kishin mbetur sytë mbërthyer kushedi se qëkur. Ua njoha menjëherë lustrafinën e zezë në majëzat e mprehta dhe psherëtiva gjithë çlirim e mirënjohje.

Afërmendsh që do të ishte mikesha ime e vjetër që i kallte datën! Ajo vjen gjithmonë në kohën e duhur. Gjithmonë në kohë. Në qarqet e të vdekshmëve si unë, atë e njohin si “Racionalja”, e ca e duan e ca s’duan t’ia shohin as bojën. Por bashkë kemi një intimitet që daton vite e vite më parë. Vjen shpesh e më rri mbi kokë në skrivaninë ku punoj, më vë të peshoj çdo fjalë, më mbush vrimat logjike, më skarton nga kalendari orët flluska dhuruar filmave e vallëzimeve, e iu tregon pragun të gjitha fantazive fluturake që u bie rruga nga unë.

Më njeh tashmë mirë dhe është e ndërgjegjshme për nevojën e dëshpëruar që unë kam për pragmatizmin e saj. Kur e kur, më fut krahun e më shoqëron në ecejaket e mia, më rrefen shtigjet që çojnë drejt kamjes, e më gërryen me kujdes çdo skutë të shpirtit për gjithë ç’kanë mbetur aty skorje vlerash shpirtërore të cilat janë, natyrisht, “të patregtueshme”. Kështu i quan. Të patregtueshme. Prania e saj vërtet që s’ka të çmuar, sidomos kur shëndeti fillon e më bën lojëra, e më kapin ca kriza të forta mungese graviteti, që ca kohë u shndërruan gati-gati në një gjendje kronike. S’ka barna që më bëjnë dobi në ato momente kur befas, në papeshë e sipër, filloj e marr përpjetë e ia lë veten erërave. Ajo ia beh gjithmonë në kohë, më zë për bërrylash me gishtat e saj deduktivë, e më sjell sakaq me këmbë mbi taban. E paçka se ndihem ligsht në momentin e parë të tokëzimit, shpejt vij në vete dhe admiroj mjeshtërinë me të cilën ajo më bind, argument pas argumenti, për anomalinë dhe rrezikun e këtyre ekzaltimeve vertikale.

Vërej me kënaqësi se është ende në formë, paçka se tani rreth buzëve i dallohen dy rrudha të thella që dëshmojnë se duelet si ky që pritet të ndodhë e lodhin dhe atë vetë. E shkathët e me një prezencë përherë imponuese, më përshëndet duke më rënë lehtë në sup, dhe më pyet me sy se nga ku duhet ta nisë kukafshehtin.

Pa nxjerrë zë i bëj me shenjë andej nga gjahu i saj fërgëllon pas perdeve. Një buzëqeshje e egër i ravijëzohet në fytyrë dhe, pa një pa dy, vërsulet drejt presë me nje zhdërvjelltësi akrobatike. Një goditje me takën e djathtë bën që dhomën ta përshkojë një ahmë e fortë dhimbjeje. Edhe një shkelm tjetër i përpiktë, pastaj edhe një i tretë, dhe krijesa mbas perdes vjen e shkapërderdhet në dysheme, me gulç. Sytë e saj, lëngëzuar në ngashërimë, më vështrojnë ngultazi një copë herë e mandej shuhen të pajetë.

– “Kësaj radhe s’pati takat as të shtiret sikur po reziston.” – thotë Racionalja duke e ngritur peshë me një dorë gjahun e vrarë.

– “Atë punën e rezistencës s’e kam kuptuar dot kurrë.” – mezi sajoj një koment me një fije zëri.

– “As unë. Por ndonjëherë ky soj ka shtatë shpirtra. Shumica s’para e zgjasin kaq shumë. E kuptojnë me vakt që u ka ardhur fundi dhe ia heqin vetë vetes” – më siguron, dhe s’di pse ma tund kufomën përpara hundëve si një pendul makabër.

“Ti s’po ia ndan dot sytë” – vëren thatë duke u përpjekur të më zhbirojë. “Po mos të të njihja kaq mirë, do thosha se të vjen keq për të.”

– “Ngjyrat…” – i them kobshëm. “ Ngjyrat… Më hutojnë ndonjëherë.”

– “Sensi yt i ngjyrës e dashur, është një luks biologjik që të bëhet vazhdimisht pengesë për zhvillimin e aftësive të duhura për arritje profesionale, ngjitje karriere e mirëqënie ekonomike” – rrëshket ajo në slloganistikën e preferuar, dhe pa e bërë të gjatë, me një hapje goje jo dhe aq elegante e gëlltit kufomën njëherësh. Më pas, lëshon një gromësimë të lehtë, fshin me të prapmen e dorës ca pikla të vogla e të tejdukshme në mjekër, dhe ndreq me kujdes palat e fundit prej teritali gri.

– “Mirë fare!” – i them duke i shkelur syrin. “Shihemi nesër atëherë?”

KTHEHU NË KRYE TË FAQES